Një këngëtare që po nxjerr zbuluar plagët e rënda të Francës

      Edhe 4 muaj dhe në Paris do të mbahen lojërat olimpike të verës. Të 33-tat në rradhë që nga fundi i shekullit të 19-të, kur ato rinisën. Franca po përgatitet me zell të madh që këto lojëra (26 korrik – 11 gusht) të zhvillohen me suksesin e duhur dhe të rrezatojnë në mbarë botën. Dhe siç ka ngjarë shpesh herë gjatë historisë së tyre, edhe këto manifestime sportive, nuk i kanë shpëtuar dot as politikës, as shfaqjeve raciste dhe as problemeve të sigurisë së mbarëvajtjes së tyre.

     Dhe kështu ende pa nisur mirë, në Francë ka plasur një « skandal » i madh që ka rritur deri edhe tensionet politike në vend.  Skandali dhe bashkë me të edhe debatet e zjarrta dhe kundërshtitë e shumta nisën menjëherë sapo presidenti i vendit, Emanuel Macron, njoftoi se këngëtarja me origjinë nga shteti i Mali-t në Afrikë, Aya Nakamura, do të hapë ceremoninë e këtyre lojërave duke interpretuar këngët e yllit të muzikës franceze, Edith Piaf.

     Kaq u desh që bota fashiste dhe ekstremistët nacionalistë dhe identitarë të tërboheshin dhe të hidheshin në sulm. « Aya Nakamura nuk mundet dhe nuk duhet të përfaqësojë Francën në këtë eveniment të veçantë », – shkruanin ata. « Këtu jemi në Paris, – nuk jemi në Bamako  (kryeqyteti i Malit) – shkruhej në një banderolë të madhe e vendosur në mes të kryeqytetit francez etj etj !

     Shkak për këtë stihi të paparë është vendlindja e këngëtares në fjalë. Dhe mbi të gjitha ngjyra e lëkurës së saj. Sepse Aya Nakamura, (mbiemri i saj i vërtetë në fakt është Danioko) ka lindur në Bamako, më 10 maj 1995. Por falë aftësisë, zotësisë dhe talentit të saj ajo ka arritur të « çajë » jo vetëm në Francë, por edhe në skenën ndërkombëtare. Sepse këngëtarja me origjinë nga Mali ka sot mbi 20 milionë ndjekës në rrjetet sociale dhe këngët e saj gjenden në top paradën e shumë vendeve të botës. Aq më shumë që këngëtarja afrikano/franceze e shpreh talentin e saj në shumë gjuhë. Ajo përzien dhe bashkon këngët lirike franceze me ato arabe, angleze dhe me ritmet e muzikën pop afrikane.

     Nisur pikërisht nga njohja në skenën botërore dhe atë franceze zgjedhja e presidentit Macron duket e qëlluar. Vetëm albumi i saj “Djadja” ka arritur një rekord shitjesh prej 550 mijë disqesh në Francë dhe më shumë se 1.2 milionë në botë. Sipas “Spotify” Nakamura ishte këngëtarja frankofone më e ndjekur, me afro 20 milionë dëgjues në muaj, gjatë vitit 2020.

     Por as nami dhe as fama e saj nuk kanë qënë të mjaftueshme për të zbutur zëmërimin e rrymave  nacionaliste, raciste dhe identitare në Francë. Madje edhe persona me peshë të rëndësishme në jetën politike të Francës janë përfshirë në këtë debat mbarëkombëtar.

     Kështu psh kryetarja e partisë më të madhe opozitare franceze, “Bashkimi Kombëtar”, e cila pritet të zëjë vendin e parë në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Europian, Marinë Lë Pen, është shprehur se “zgjedhja e saj nga presidenti francez për të çelur lodrat olimpike nuk është një simbol i pëlqyeshëm dhe ajo gjithsesi nuk mund të përfaqësojë Francën”!

       Dhe kështu debatet dhe deklaratat kundërthënëse nuk kanë rreshtur për asnjë çast. Dhe është vënë re se elita e vendit, vip-at e muzikës dhe artit janë shprehur në mbështetje të këngëtares Nakamura, por nga anketimet e opinionit publik ka rezultuar se 70 përqind e të pyeturve janë shprehur se këngëtarja me ngjyrë nuk mund të përfaqësojë Francën!

       Por disa të tjerë pyesin; A duhet Franca të përfaqësohet vetëm nga “të bardhët”, nga francezët pasardhës të Napoleonit, apo kombi francez duhet të përfshijë këdo që jeton në atë vend?!

       Po Zinedine Zidan dhe gjysma e ekipit kombëtar francez me origjinë të largët apo të afërt afrikane përse mund të përfaqësojë Francën në ndeshjet ndëkombëtare, dhe Nakamura jo?! – pyesin disa të tjerë.

       Dhe sikur të mos mjaftonte kjo ndarje dhe këto përplasje në mesin e shoqërisë franceze një ngjarje tjetër ka tërhequr vëmendjen e opinionit vendas. Bëhet fjalë për një incident të ngjarë në një lice të Parisit. Një vajzë myslimane hyri në klasë e mbuluar me flokët të mbuluar me shami. Kujdestari i shkollës i kërkoi ta hiqte shaminë në ambientet e shkollës, siç e kërkon edhe ligji i laicitetit në Francë. Nxënësja nuk u bind dhe flitet se midis tyre ka pasur edhe një përplasje fizike. Madje nxënësja në fjalë ka paditur kujdestarin e shkollës edhe në gjyq. Në fakt gjyqi nuk e mori për bazë ankesën e saj dhe e hodhi poshtë si të paqënë. Ndërkohë kujdestari, të cilit i kishin mbetur edhe disa muaj sa të dilte në pension, dha dorëheqjen, i frikësuar nga reagimet në rrjet nga myslimanët radikalë ndaj tij. Ngjarja ka ushtuar kaq fort në opinionin publik francez, saqë kryeministri i vendit, Gabriel Attal, zhvilloi një bisedë të veçantë me kujdestarin e dorëhequr, për t’i shprehur atij gjithë mbështetjen e shtetit francez.

      Sepse nuk është hera e parë që  përplasje të tilla me karakter fetar ngjajnë në vend. Opinioni francez psh u tmerrua kur mësuesi Samuel Patty u vra në tetor të vitit 2020 nga një ekstremist radikal mysliman thjesht se kishte shpalosur karikaturat mbi profetin Muhamet në ambientet e klasës ku jepte mësim. Po ashtu ka ngjarë edhe me mësuesin tjetër Domenique Bernard në tetor të vitit të kaluar.

      Të gjitha këto ngjarje dëshmojnë për një shoqëri franceze në vlim, që kërkon rrugën e saj ndërmjet një shoqërie të hapët multikulturaliste dhe një shoqërie  të mbyllur egoiste, identitare dhe nacionaliste. Dukuri këto që nuk po ngjasin vetëm në Francë, por po përhapen edhe në shumë vende të tjera të Europës perëndimore.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment