Edhe pak ditë dhe katolikët e Shqipërisë dhe mbarë botës do të festojnë Pashkët, ndryshe festën e Ringjalljes së Krishtit. Kreshma e tyre përfundon këtë të premte, ndërsa “”kreshma” e myslimanëve, Ramazani, do të vazhdojë deri më 9 prill. Nga ana tjetër për ortodoksët, kreshma e tyre ka filluar para 10 ditësh dhe përfundon më 5 maj. Ndërsa bektashianët një javë më parë festuan ditën e Novruzit. Pothuajse shumica e këtyre festive përkojnë gjithmonë me fillimin e pranverës, çeljen e sytheve dhe zgjatjen e ditës.Duket sikur natyra dhe bashkë me të edhe njerëzit gjatë këtyre ditëve rigjallërohen, ripërtërihen.
Sidoqoftë këto data për shumicën e shqiptarëve nuk thonë ndonjë gjë të madhe, përveçse përkujtimit të traditave të trashëguara. Por ajo që dihet dhe që po tërheq vëndjen kohët e fundit është “ringjallja” e spiritualizmit, pra shpirtërores, jo vetëm në Shqipëri apo Ballkan, por edhe në mbarë botën perëndimore. Dhe janë faktet që flasin. Kështu psh te të rinjtë në Francë, 35 vjeç e poshtë, një në dy prej tyre beson te ringjallja e shpirtit dhe tek “diçka” tjetër pas vdekjes! Në mënyrë të përgjithshme një në tre francezë “beson”! Në një kohë që para 20 vitesh ky raport ishte një me pesë.
Por nuk është vetëm Franca që po ndeshet me një dukuri të tillë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës psh kanë marrë shumë forcë grupimet evangjeliste, Ungjillore, si dhe ato Kreacioniste. Këto të fundit janë edhe kundërshtare të paepura ndaj Darvinizmit! Në shumë shtete të Amerikës psh, kohët e fundit ka nisur një stuhi e tërë kundër abortit, i cili konsiderohet tashmë nga grupimet fetare, as më shumë dhe as më pak, veçse si një vrasje. Ka edhe shumë mjekë, të cilët për shkaqe që kanë të bëjnë me besimin dhe ndërgjegjen e tyre, nuk pranojnë ta praktikojnë më abortin.
Sipas shumë sociologëve, ky kthim apo “Ringjallje” e koncepteve dhe riteve fetare ka të bëjë edhe me ndikimin që ish presidenti Donald Trump po ushtron mbi shoqërinë amerikane. Evangjelistët, si grupi më i madh fetar në Amerikë, dhe po ashtu edhe në Brazil, kanë qënë dhe mbeten mbështetësit më të mëdhenj të Trumpit dhe Bolsonaros.
« Të ndeshur me disa dukuri mistike ende të pashpjeguara si duhet nga shkenca, të gjetur të papërgatitur përballë covid-it dhe po ashtu para një ndryshimi klimatik me pasoja të rrezikshme mbi ekosistemin, dhe pa harruar konfiktet në rritje në botë, që kanë shtuar ndjeshëm pasigurinë për jetën dhe të të ardhmen, – këta të rinj po i kthehen çdo ditë e më shumë botës shpirtërore” – vë në dukje për “ Huffington Post”, Lea Paolacci, hartuese e një ankete për jetën, “pasjetën” , besimet fetare etj, rezultatet e të cilit u bënë të njohura më 23 shtator të vitit të kaluar.
Sipas gazetës franceze, “La Croix”, gjatë vitit 2023 numri i të pagëzuarve në Francë u rrit me 30 përqind në krahasim me një vit më parë, ose 4 herë më shumë se 5 vjet më parë! Madje sipas shumë analistëve dhe specialistëve të politikës së jashtme, edhe konflikti izraelito – palestinez është një përplasje sa etnike, por po aq edhe fetare. Kemi të bëjmë, përveç një konflikti për territorin, edhe me një përplasje qytetërimesh, ndërmjet islamistëve radikalë dhe fanatikëve fetarë ebrenj. Një luftë ndërmjet Kuranit dhe Toras, – vë në dukje Pew Research Center.
Sipas kësaj qëndre studimore rreth 70 përqind e amerikanëve mendojnë se është mirë që të kenë edhe një qasje shpirtërore ndaj jetës dhe realitetit! Shumica prej tyre kanë krijuar bindjen se ekziston diçka më e madhe seç janë ata vetë!
Si në Shqipëri, por pa ashtu edhe më gjërë, vërehet se periudha e kreshmës për të krishterët dhe ramazanit për muhamedanët, kanë si të përbashkëta një vështrim kritik ndaj vetes, ndaj kënaqësive materiale apo edhe egos së tërbuar, duke i kthyer sytë dhe mëndjen drejt diçkaje më të madhe dhe misterioze.
Pak ditë më parë, edhe ministri i jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, pati një takim zyrtar në Vatikan me shenjtërinë e tij, Papën Françeskun. “ Një nder i jashtëzakonshëm të pritesha në një audience private nga Shenjtëria e Tij”- u shpreh kryediplomati shqiptar.
Sipas tij, Papa, shprehu vlerësimin e tij të thellë për shembullin që Shqipëria i jep botës me vëllazërinë e saj fetare. Aq më shumë që këtë vit mbushen 10 vjet nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, i cili zgjodhi të vizitojë Shqipërinë si vendin e parë në Evropë, pikërisht për dialogun ndërfetar midis katër besimeve të ndryshme në vend. Një shembull ky nga Shqipëria për mbarë botën, ku konfliktet fetare po shtohen dhe po acarohen përditë e më shumë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment