Përvjetori i Qemal Stafës si pasqyrë  ndërmjet një ideali të admirueshëm dhe një praktike monstruoze.

      Këto ditë në shtypin e Tiranës po përkujtohet ndërmjet debatesh dhe kundërshtish të shumta 100 vjetori i lindjes së komunistit idealist, Qemal Stafa, Hero i Popullit. Me këtë rast po diskutohet edhe për rolin e sistemit komunisto – enverist në jetën e vendit, për të mirat dhe të këqijat e tij etj. etj.

        Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një të ri komunist, me ide të gjëra, pararojë e mendimit politik të kohës, debati është shtrirë edhe mbi  komunizmin si ide, doktrinë dhe praktikë. Të dyja çështjet janë të lidhura me njëra tjetrën. Përsa i takon komunizmit është tashmë pranuar se ai, krejt ndryshe nga nazi-fashizmi, përfaqësonte një lëvizje tejet emancipuese dhe revolucionare për kohën.

        Nuk duhet të harrojmë se komunizmi lindi si një reagim ndaj shfrytëzimit të egër kapitalist, ndaj luftërave grabitqare kolonialiste, ndaj shfrytëzimit të njeriut prej njeriut etj. etj. Në atë kohë, pra në kohën e Marksit, kapitalizmi shfrytëzonte edhe gratë dhe fëmijët mbi 8 vjeç në miniera, në fabrikat e tekstilit etj. Dhe puna shkonte minimumi 10 orë në ditë për 6 ditë të javës! Dhe e gjitha kjo për një pagë mizerabël që mezi mjaftonte të mbushnje barkun me bukë.

        Shumica e proletarëve dhe popullit në atë kohë jetonte në shtëpi prej kashte, pa ujë të rrjedhshëm, pa kanalizime, me llampa vajguri etj etj. Dhe borgjezia e kohës e mbante këtë sistem me forcën e kamxhikut dhe plumbave. 

         Por kur ngjau revolucioni i Tetorit që shpronësoi të gjithë zengjinët që kishin në duart e tyre 90 përqind të pasurive të vendit borgjezia ndërkombëtare u tmerrua. Dhe u angazhua me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion ta mbyste në gjak këtë lëvizje revolucionare, të paparë deri atëhere. Dhe ajo organizoi, mbështeti dhe armatosi ushtritë e “bardha” kundërrevolucionare. Por falë Trockit dhe Ushtrisë së Kuqe ato u mposhtën.     

        Komunizmi mundi atëhere të jetonte 70 vjet. Me arritje të pamohueshme në disa fusha. Rusia psh që ishte në fillim të shekullit të 20-të një vend me sistem bujkrobërie u kthye në një superfuqi ushtarake dhe shkencore. Si rrjedhojë gjatë këtyre 70 vjetëve në botë ndodhën ndryshime të mëdha dhe të papara politike, ekonomike dhe sociale. Borgjezia e tmerruar nga forcimi i ideve komuniste në të gjithë botën e hapi “qesen”. Jeta dhe mirëqënia e proletariatit, sidomos në Perëndim, ndërroi rrënjësisht. Punëtorët u bënë me makina, me shtëpi, me orendi shtëpiake si tv, rrobalarëse etj etj. Niveli i jetesës u rrit ndjeshëm.

        Ndërkohë komunizmi, sidomos pas viteve 70, mori tatëpjetën. Diktatura e ashtuquajtur e proletariatit u kthye në një lloj terrori karshi të gjithë atyre që mendonin ndryshe. Udhëheqësit e partive komuniste në pushtet një herë që e merrnin postin nuk e lëshonin më deri sa jepnin shpirt! Stalini, Mao, Enveri, Tito etj etj. Perëndimi e shtoi lirinë dhe begatinë, ndërsa lindja komuniste shtoi shtypjen dhe vendnumrimin. Sistemi komunist i planifikuar nuk mundi të përballonte shkathtësinë dhe rendimentin e lartë të prodhimit kapitalist. Dhe më 1990-tën ai dha shpirt. Me meritë dhe turp.

       Shkaku kryesor i dështimit të atij sistemi gjendet dhe spjegohet me mungesën totale të  demokracisë. Çdo gjë pritej nga “arkitekti”. Askush nuk kishte të drejtë të thoshte diçka ndryshe apo larg qoftë të kritikonte udhëheqësin e pagabueshëm të partisë dhe shtetit! “Marrç nga ditët tona” – këndonte populli i budallepsur. Me një fjalë komunizmin e shkatërruan komunistët diktatorë të tipit Enver, Stalin, Mao Ce Dun etj. Aq sa Perëndimi filloi t’u dukej europianolindorve si parajsë. Në burgjet e kohës në Rusi, Kinë apo Shqipëri gjeje më shumë ish-komunistë të shpallur armiq, sesa “armiq” të vërtetë.

      Edhe Qemal Stafa në atë kohë përqafoi idealet komuniste, si shumica e rinisë së botës. Por ai nuk mund ta parashikonte që dardha e kishte bishtin prapa, – siç thotë një fjalë e urtë popullore. Ideali ishte diçka e bukur, por praktika diçka e tmerrshme. Mbahet mend në atë kohë thënia e Çurçillit:”Nëqoftëse ti je 20 vjeç dhe nuk je komunist, ti nuk ke zëmër. Nëqoftëse je 30 vjeç dhe je komunist, ti nuk ke tru”!

      Por tani pyetja shtrohet: a ka më të ardhme komunizmi, apo ai ka dështuar një herë e përgjithmonë si ide, doktrinë dhe praktikë?!  Por për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje duhet kuptuar dhe rënë dakort se çfarë është komunizmi!

        Në rast se me komunizëm kuptojmë sistemin enverist apo stalinist, të shtypjes së të drejtave elementare të Njeriut si dhe varfërisë për të gjithë, ky lloj komunizëm kazerme është antipopullor, dhe siç e dëshmoi edhe koha, ai nuk ka të ardhme. Në rast se me komunizëm kuptojmë pronën publike mbi tokën dhe pasuritë e saj mbi dhe nën tokësore, (ujërat, lumenjtë, mineralet dhe nafta, toka e punueshme, pyjet etj etj), arsimin dhe shëndetësinë falas, shtetëzimin e bankave dhe monopolin e tregtisë së jashtme etj etj – një ditë ai do të rivendoset dhe do të kërkohet nga popujt.

          Por, që të mos bjerë në gabimet e së shkuarës ai duhet të jetë dhe mbetet një komunizëm me fytyrë njeriu, me pluralizëm partiak, që administron pronën e përbashkët, ashtu si në kapitalizëm ku partitë administrojnë pronën private. Ylli Popa, autori i pamfletit të famshëm: ” Të fitojmë kohën e humbur” u shpreh një ditë me mllef dhe çudi: “Ku dhe kur ka thënë Marksi se duhet të ketë vetëm një parti?! ».

         Qemali, si dhe daja im, Niko Dhima, ishin thjesht viktima të një ideali të bukur, por që në praktikë shkaktoi edhe shumë dhimbje, zhgënjim dhe gjak. Prandaj envero-stalinizmi nuk duhet të kthehet më kurrë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment