Rama me Erdoganin, opozita me Beleris

      Sot në mbrëmje, e martë 20 shkurt, opozita shqiptare mbajti një demonstratë proteste kundër qeverisë dhe pozitës në pushtet. Data nuk ishte zgjedhur rastësisht.  Saktësisht si sot, 33 vjet më parë, populli shqiptar i udhëhequr nga Partia Demokratike, dhe me miratimin e heshtur të kupolës politike të asaj kohe, rrëzoi, tërhoqi zvarrë dhe përdhosi shtatoren e diktatorit komunist, Enver Hoxha.

    Gjatë asaj dite historike, me atë veprim, njerëzit shprehën një duf dhe marraz të grumbulluar gjatë shumë viteve. Shkaqet  e atij mllefi ishin të shumta, por dy ishin kryesoret : varfëria dhe shtypja e pamëshirshme  që ushtronte partia –shtet.

    Ishte një kohë vlimesh dhe shpresash të mëdha. PD-ja gëzonte asokohe mbështetjen e shumicës së popullsisë, por njëkohësisht edhe të mbarë botës demokratike. Sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ambasadori i parë amerikan në atë kohë, Rajerson, jo vetëm që shprehte mbështetjen e plotë verbale ndaj Partisë Demokratike, por merrte edhe vetë pjesë personalisht në manifestimet e opozitës së asaj kohe krahpërkrah me Sali Berishën!

     Fatkeqësisht, demonstrata e sotme dëshmoi veçse shkapërderdhjen dhe rrënimin e Partisë Demokratike gjatë këtyre 30 vjetëve Jo vetëm që nuk kishte ambasador amerikan në podium, por në bulevard sot nuk shihje as edhe një flamur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Sa ndryshe me 30  vjet më parë!

  Këtë mungesë, këtë tkurrje dhe ndryshim të paparë, e nxorri personalisht në dukje edhe vetë Sali Berisha.  Gjatë një fjalimi të shpërndarë direkt me video –vizion Berisha u shpreh se ata (kupto Amerika me Blinken, Soros apo edhe Edi Rama) kujtuan se do më varrosnin një herë e mirë kur më shpallën “non grata”! Po ja ku jam këtu përsëri – theksoi me krenari lideri historik i opozitës.

     Duke mos dashur të përplasej drejtpërdrejt me Shtëpinë e Bardhë, Berisha herë pas here përdorte epitetin “mafia ndërkombëtare”.

     Por ajo që ra në sy në mënyrë të veçantë, edhe kësaj here, ishte “droga” apo ndryshe jermi që ka pllakosur PD-në sot e disa vite. Faji nuk është kurrë i tyre. Ose e ka fajin populli që tërhiqet nga hunda nga Edi Rama, ose fajtor janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose fajin e ka koha e keqe, por kurrë ata vetë. Në fjalën e sotme të foltoristëve vihej theksi në mënyrë të veçantë te korrupsioni i qeverisë, te shitja e pasurive kombëtare, te largimi i shqiptarëve nga vendi, te vjedhja e votave etj etj, duke harrur si për çudi që këto dukuri nisën dhe hodhën rrënjë pikërisht në kohën kur Partia Demokratike ka qënë në pushtet!

      Asnjë reflektim, asnjë gabim, asnjë autokritikë! Partia Demokratike dilte e dlirë dhe e panjollosur. A ishte kjo një taktikë për të çoroditur mendjet e përkrahësve të saj, apo vetë kryetari i saj nuk është në gjendje të kuptojë, shkatërrimet, gabimet dhe krimet që kanë ngjarë kur ai ka qënë në pushtet?!   

      Një sjellje e tillë, sipas shumë psiko-analistëve, dëshmon një dukuri tipike dhe skizofrenike të udhëheqësve që janë shkëputur nga realiteti dhe që i marrin dëshirat e tyre për për të vërteta të pakundërshtueshme! Është e ditur psh se Hitleri deri ditën kur vrau veten në bunker ishte i bindur te drejtësia e kauzës së tij dhe te fitorja ushtarake!

      Një nga akuzat kryesore të folësve në këtë demonstratë  ishte se shumica po përpiqej ta linte vendin pa opozitë dhe se Edi Rama i ka kapur të gjitha pushtetet! Kjo është pjesërisht e vërtetë. Po kush ia ka fajin PD-së të shpërbërë në disa copa?! Kush ia ka fajin kur ajo nuk mobilizon dhe frymëzon dot zgjedhësit?

      Shqiptarët nuk i kanë harruar bëmat e PD-së. Nuk kanë harruar tërmetin dhe rrëmetin e viteve të para të shkapërderdhjes së vendit. Shkatërrimin e gjithçkaje vetëm e vetëm se ajo ishte ndërtuar gjatë kohës së komunizmit! Piramidat e fajdeve, vjedhjet masive të votave gjatë vitit 1996, rrahjen e opozitës në mes të sheshit « Skënderbej”, vitin e mbrapshtë 1997, dhe më pas 21 Janarin 2011, Gërdecin etj etj. Me këto mëkate mbi supe PD-ja duhet të ishte shpërbërë përfundimisht dhe të mos ekzistonte më. Jo më të pretendojë të rivijë për herë të tretë në pushtet! Por jo. Berishës ia kanë fajin gjithmonë të tjerët! Ai vetë është “qelibar”!

     Dhe siç e kanë bërë zakon, edhe këtë mbrëmje protesta nisi me hymnin kombëtar! Bukur. Por disa minuta më vonë në ekran dolën disa parrulla në gjuhë të huaj ku mbrohej kandidati minoritar i bashkisë së Himarës, Fredis Bejleris. Madje disa deputetë të ish- PD-së apo Rithemelimit e konsideruan burgosjen e kandidatit të pakicës greke si shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Por kur më pas e mori fjalën edhe një përfaqësuese e pakicës greke në Himarë maskat ranë për tokë. U pa qartë se Partia Demokratike, ndryshe nga sa ka qënë disa dhjetra vjetë më parë, është kthyer tashmë hapur në një vegël të Athinës. Është ajo që propozoi si kandidat të sajin në Himarë një përfaqësues të Vorio Epirit, i cili për më shumë dyshohet si pjesëtar i masakrës greke në postën kufitare të Peshkëpisë, gjatë se cilës u vranë edhe dy ushtarë shqiptarë ! Shihet qartë se tani që ka humbur Amerikën, PD-ja po lufton të fitojë Greqinë!  Ndofta shpreson se me ndihmën e saj do të rivijë në pushtet.

       Dhe kjo ngjan në një kohë kur kryeministri Rama pritet me të gjitha nderimet në Turqi nga presidenti Erdogan. Sipas agjencive të lajmeve ai nënshkroi atje edhe tri marrëveshje, një prej të cilave kishte të bënte me mbrojtjen!

       Si janë përmbysur rolet ! Dikur Partia Demokratike njihej si një parti nacionaliste, proamerikane dhe kundërshtare e vendosur e projektit grek të Vorio – Epirit. Ndërsa sot ajo është kthyer në një kundërshtare të vendosur ndaj Shtëpisë së Bardhë dhe pro Athinës. Aq sa kur ishte në pushtet, ajo u bë gati t’ia shiste edhe një pjesë të shelfit detar vendas Greqisë!

       Ndërkohë që Partia Socialiste, e akuzuar dikur me  apo pa të drejtë, si filogreke dhe antiamerikane, ka marrë sot flamurin e mbrojtjes së interesit kombëtar. Si pasojë e kësaj politike, dhe sidomos e forcimit të lidhjeve të gjithanshme me Turqinë, Edi Rama është kthyer kështu në delen e zezë të Athinës!

      Por prapë se prapë Partia Demokratike ose Rithemelimi mendon gjithmonë se fajin asaj ia kanë të tjerët. Sidomos ai Sorosi dhe Edi Rama! Me këto mend duket se ajo do të mbesë në opozitë derisa të shuhet fare.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment