Ka kohë që marrëdhëniet e Prishtinës me Brukselin dhe Uashingtonin nuk janë më siç kanë qënë dekada më parë. Sidomos që kur Albin Kurti është zgjedhur kryeministër. Por edhe në kohën e Thaçit, marrëdhëniet ishin krisur. Aq sa sot ish – presidenti gjendet prapa hekurave të Gjykatës së Hagës ! Si ngjau kjo kthesë ?! A mos vallë Perëndimi është penduar për veprimin e tij para 25 vjetësh, kur sulmoi Serbinë duke mundësuar kështu çlirimin e Kosovës ?! Apo faji duhet kërkuar në Prishtinë ?! Asgjë nuk dihet. Sepse asgjë nuk është pohuar zyrtarisht.
Por ka disa shenja, deklarata dhe kërkesa që flasin dhe tregojnë shumë. Kështu psh dy ditë më parë ndihmës sekretari amerikan i shtetit, James O’Brien, theksoi « se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit » ! Njëlloj si disa muaj më parë kur Albin Kurti ndaloi përdorimin e targave serbe në republikën e Kosovës !
Madje ai shtoi se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në « pikëpyetje » partneritetin me Shtetet e Bashkuara ?! Ai kumtoi më pas pothuajse me kërcënim se « nëse ne (SHBA) nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.
Menjëherë pas këtyre kumteve zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë e vuri gishtin në plagë kur kërkoi që « Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin » ! Ndërsa Petër Stano, zëdhënës i Komisionit Europian për politikën e jashtme, shkoi edhe më larg kur nënvizoi se qeveria e Kosovës nuk mund dhe as duhet të ndërmarrë operacione policore ndaj “entiteteve të udhëhequra nga Serbia” !
Kush janë këto entitete, ku gjenden?! Sigurisht që bëhet fjalë për 10 komunat serbe që gjenden të shpërndara në territorin e Kosovës. A mund të pohohet më troç dhe më qartë se qeveria e Prishtinës nuk ka asnjë punë me serbët që jetojnë në Kosovë. Dhe se këto komuna varen veçse dhe drejtpërdrejt nga Beogradi!
Pa asnjë dyshim që Albin Kurti e ka kuptuar këtë mesazh, që perëndimorët po e bëjnë të qartë çdo ditë e më shumë. Por nuk po bindet dhe nuk po heq dorë nga politika e tij sovraniste. Po bën mirë apo po bën keq, këtë do ta tregojë koha. Por bathët nuk duken të mbara.
Edhe asosacioni I përkrahur dhe i mbrojtur me aq shumë forcë nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është krijuar pikërisht për këtë qëllim: që serbët të kenë mëvetësinë e tyre brenda Kosovës.
Kuptohet se ata, serbët, nuk mund të shpallin dot pavarësinë se janë të shpërndarë në shumë enklava, por duan të organizohen dhe të “shpëtojnë” nga sundimi i shqiptarëve. Një popull I zgjedhur, pothuajse hyjnor, si mund të qeveriset nga shqiptarët?!
Shihet se këtu kemi të bëjmë me një politikë ballancimi dhe barazpeshe të Perëndimit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve që jetojnë atje. Që mund të përmblidhet me pak fjalë si më poshtë: Shqiptarët e Kosovës me ndihmën e Perëndimit u çliruan pas 100 vjetësh nga zgjedha serbe. Tani duhet që edhe serbët e Kosovës të shpëtojnë nga “zgjedha” e shqiptarëve!
Po si spjegohet kjo kthesë e Perëndimit dhe sidomos Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, aq saqë shteti kosovar të mos cilësohet më si partner i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?!
Arsyet mund të jenë të shumta, por njëra është më kryesorja. Perëndimi po përpiqet që edhe me Serbinë të ndjekë po atë politikë të suksesshme që ndoqi me Ukrainën. Pra ta tërheqë Serbinë në “vathën” e vet. Dhe si shkëmbim ai i ka premtuar Beogradit një autonomi, deri në kufijtë e pavarësisë, për serbët që jetojnë në Kosovë.
Këtë politikë e bëri të qartë dje vetë kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, kur duke i tërhequr veshin BE-së theksoi se Bashkimi Europian po rrezikon të humbasë Serbinë, për të cilën “ne kemi nevojë gjepolitike”.“Serbia është çelësi. Pa Serbinë si një anëtar të BE-së, nuk mund të flitet për sigurinë apo identitetin europian në përgjithësi.
Ne kemi nevojë për Serbinë në BE më shumë sesa ka nevojë Serbia. Nëse nuk e integrojmë Serbinë sa më shpejt të jetë e mundur, do ta humbasim atë“, citohet Orban nga mediat serbe.
Kjo deklaratë tregon shumë. Ajo e bën të qartë se Serbia shikohet si anëtare e ardhshme me peshë e Bashkimit Europian. Pa dyshim që Orban ka interesat e veta në këtë lojë. Edhe ai, njëlloj si Serbia, ka lidhje shumë të afërta me Moskën. Futja edhe e Serbisë në BE veçse do të forconte pozitat e tij si një “kalë troje” i Rusisë në Bashkimin Europian.
Por pyetja që shtrohet tani është: çfarë duhet të bëjë Kosova sot?! Të pranojë krijimin e një “republike serbska” në gjirin e saj, që të vazhdojë ta ketë mirë me Perëndimin, apo të ndjekë rrugën sovraniste të Albin Kurtit?!
Pyetje një milion dollarëshe, siç thonë amerikanët. Por së pari popullit të Kosovës duhet t’i bëhet e njohur publikisht se çfarë kërkon sot Perëndimi ndaj tij. Dhe së dyti t’i ofrohet mundësia për tu shprehur.
Vetëm populli Kosovar ka të drejtë të vendosë për rrugën që duhet të ndjekë. Prandaj ndofta nevojiten një palë zgjedhje të reja së shpejti. Ku ai të ketë mundësi të vendosë ose në favor të VV-së të Albin Kurtit dhe pro politikës së tij krenare dhe të pavarur ose në favor të atyre partive opozitare, që me të drejtë apo jo, mendojnë se e para dhe mbi të gjitha është ruajtja e marrëdhënieve të mira me Perëndimin me çdo kusht!
Zgjedhje e vështirë. Por që duhet të kryhet. Sepse ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës. Dhe nuk duhet harruar se krerët kryesorë të ish – UCK-së së lavdishme ndodhen sot të gjithë në Hagë!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment