Kishte disa vite që konflikti Izrael – Palestinë kishte rënë disi në gjumë. Por si një vullkan që përgjumet, por nuk shuhet kurrë përfundimisht, edhe konflikti Izrael – Palestinë rishpërtheu me forcë më 7 tetor të vitit të kaluar. Pkërisht atëhere kur bota po mendonte se çështja e Palestinës nuk ekzistonte më dhe kur Izraeli po lidhte dhe forconte marrëdhëniet me vendet myslimane të rajonit.
Por ky plan u hodh në erë nga sulmi i papritur i organizatës palestineze “Hamas” ndaj shtetit izraelit. Gjatë të cilit u vranë edhe shumë civilë izraelitë të pafajshëm dhe u kapën rob disa qindra prej tyre.
Data 7 tetor 2023 nuk ishte zgjedhur rastësisht. Ajo përkonte me 75 vjetorin e krijimit të shtetit izraelit si dhe me 50 – vjetorin e fillimit të luftës së Kipurit (1973), gjatë së cilës u vranë 2 600 izraelitë dhe 9 500 palestinezë!
Tani bota është në mëdyshje. Si do i bëhet këtij konflikti që nuk po gjen zgjidhje prej afro një shekulli?! Se në fakt përleshjet dhe lufta ndërmjet popullsisë arabe palesineze dhe izraelitëve ashkenazë ka filluar që në vitin 1937. Që kur Britania e Madhe që zotëronte këto territore vendosi të largohej prej andej dhe administrimin e kësaj zonte t’ia linte “Shoqërisë së Kombeve”, paraardhësja e Kombeve të Bashkuara sot.
Në fakt që në vitin 1917, ministri i jashtëm britanik i asaj kohe, Balfour, u pohoi organizatave sioniste se “qeveria e Madhërisë së saj e shihte me sy të mirë krijimin e një entiteti izraelit në Palestinë dhe do bënte çmos që ta vinte në jetë këtë synim”. Që nga ajo kohë emigracioni i çifutëve drejt Palestinës u rrit dhe u forcua dukshëm, duke shënuar kështu konfiktet e para me popullsinë vendase palestineze.
Si rrjedhojë në pranverën e vitit 1936 në Palestinë shpërtheu “Revolta Arabe” që u shtyp me forcë nga britanikët. Megjithatë këta të fundit dërguan në vjeshtë të po atij viti, një delegacion në atë zonë për tu njohur me ankesat dhe kërkesat e popullsisë arabe palestineze.
Një vit më pas (1937) ky komision propozoi një plan që parashikonte ndarjen e Palestinës në dy entitete të veçanta, njëra palestineze dhe tjetra çifute. Në raport propozohej po ashtu edhe transferimi (dëbimi) i rreth 200 000 palestinezëve nga trojet dhe shtëpitë e tyre, me qëllim formimin e shtetit izraelit. Por shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore pengoi vënien në jetë të këtij plani.
Por ishte pikërisht L2B që rinxorri në skenë fuqishëm nevojën që edhe çifutët të kishin një shtet të tyre kombëtar. Krimet naziste, planet e Hitlerit për të zhdukur çifutët, pasuar nga Holokausti dhe Shoah me 6 milionë çifutë të çfarosur, e bindi botën se zgjidhja e kësaj çështjeje nuk mund të priste më. Duhet nënvizuar se çifutët kishin jetuar në këto toka gjatë më shumë se 2 000 vjetëve, derisa u shpërngulën pothuajse të gjithë gjatë kohës së kryqëzatave!
Kështu ngjau që më 29 nëntor 1947 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi ndarjen e Palestinës në tri zona: një për shtetin e ardhshëm izraelit, një për shtetin palestinez dhe një e “ndërmjetme” që kishte të bënte me Jeruzalemin si kryeqytet i Izraelit dhe Palestinës.
Arabët nuk e pranuan këtë plan dhe reaguan me zëmërim. Dhe pas shpalljes së shtetit izraelit më 14 maj 1948 nisi konflikti I parë ndërmjet vendeve arabe dhe Izraelit, i fituar nga ky i fundit. Si rrjedhojë Izraeli u bë zot i 78% të Palestinës, nga 56 % sa ishte caktuar nga OKB-ja. Si pasojë 700 000 deri 800 000 palestinezë u dëbuan nga tokat e tyre, që shënoi një ditë të zezë për ta, që u quajt “nakba” – “katastrofa”.
Por nuk mbeti me kaq. Vendet arabe humbën edhe tri luftëra të tjera ndaj Izraelit (1956, 1967, 1973) dhe shteti sionist vuri nën zotërimin e tij edhe 22 përqind të tokës që u kishte mbetur palestinezëve.
Këta të fundit, të tronditur nga humbjet e vendeve arabe dhe fitoret e Izraelit, vendosën të përshkallëzojnë rezistencën e tyre kundër pushtuesit sionist dhe krijuan kështu më 1969-tën Organizatën për Çlirimin e Palestinës të udhëhequr nga Jaser Arafat.
Që nga ajo kohë luftimet ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve nuk kanë rreshtur për asnjë çast. Si dhe përpjekjet për krijimin e një shteti palestinez. Më 1978 udhëheqësi egjiptian Anvar Sadat nënshkroi një paqe të veçantë me Izraelin. (Pak kohë më vonë një ekip guerriljesh palestineze e ekzekutoi Sadatin në mes të Kajros gjatë një parade ushtarake!).
Më 1982 Izraeli hyri në luftë kundër Libanit. Më 1987 nisi Intifada (Kryengritja) e parë palestineze kundër Izraelit. Më 1991 Amerika mori stafetën për t’i dhënë fund këtij konflikti me anë të një traktati paqeje, e njohur si marrëveshja e Oslos, ndërmjet shtetit izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës. Më 1993 Jaser Arafat njohu, për herë të parë, nevojën e ekzistencës së shtetit izraelit në kufijtë e 1967-tës! Më 13 shtator të po atij viti Jaser Arafat dhe udhëheqësi i majtë izraelit Jitzhk Rabin shtrënguan duart në Uashington në prani të Bill Clinton-it. (Por më 4 nëntor 1995 një ekstremist radikal çifut vret Jitzhak Rabinin). Shpresat për paqe dhe krijimin e shtetit të pavarur palestinez u duk se morën fund.
Flaka e shpresës u rindez përsëri në korrik të vitit 2000 në Kejmp Devid gjatë takimit ndërmjet presidentit izraelit Ehud Barak dhe Jaser Arafatit, nën kryesimin përsëri të Bill Clinton-it. Por marrëveshja kishte të meta të shumta. Aty nuk flitej psh për të drejtën e kthimit në vatrat e tyre të afro 1 milion izraelitëve të dëbuar gjatë Nakba-s. Nuk flitej për kufijtë e saktë të Palestinës, për sovranitetin e saj të plotë, për Jeruzalemin etj etj. Arafati dukej se kishte bërë lëshime të shumta të papranuara nga populli i tij.
Prandaj në shtator të vitit 2 000 nisi Intifada e Dytë. Me shumë të vrarë nga të dyja anët. Barak u detyrua të shpallte zgjedhjet e parakohshme, që u humbën nga ai dhe u fituan nga përfaqësuesi i të djathtës ultranacionaliste Ariel Sharon. Për marrëveshje paqeje as që bëhej më fjalë.
Pas një intermexoje më 2009, në pushtet erdhi Beniamin Netanijau, që kumtoi me forcë se sa të jetë ai në krye të shtetit izraelit, asnjë shtet palestinez nuk do ta shihte dritën!
Dhe konfrontimet dhe vrasjet kanë vazhduar pa ndërprerje edhe para 7 tetorit 2023. Kështu psh më 28 dhjetor 2008 Izraeli nisi një offensive ajrore në Rripin e Gazës për t’i dhënë fund, sipas tij, goditjeve me raketa nga ana e “Hamas”-it dhe Xhihadit Islamist. Përfundimi? 1 400 palestinezë të vrarë dhe 13 izraelitë. E njëjta taktikë u përdor edhe më 14 nëntor 2012. Rezultati? 170 palesinezë dhe 6 izraelitë të vrarë.
Më 8 korrik 2014 gjatë operacionit izraelit të pagëzuar “Kufiri mbrojtës” u vranë 2 251 palestinezë dhe 74 izraelitë. Gjithashtu u shkatërruan 55 000 banesa, në të cilat, sipas Izraelit, fshiheshin terroristët palestinezë!
Në 10 maj të vitit 2021 ishte “Hamasi” që nisi një offensive kundër Izraelit gjatë së cilës u vranë 232 palestinezë dhe 12 izrelitë. Më 9 maj të vitit të kaluar Izraeli rinisi një mission raprezaljesh ndaj Hamasit, gjatë së cilës eleminoi edhe 2 shefa ushtarakë të lëvizjes palestineze dhe shkaktoi vdekjen e 35 civilëve.
Më 7 tetor siç thamë “Hamasi” ndërmorri një sulm të armatosur ndaj Izraelit gjatë të cilit u vranë mbi 1 000 civilë izrelitë. Si rrjedhojë Izraeli nisi një kundërofensivë ajrore, detare dhe tokësore, gjatë se cilës janë vrarë, deri më sot, mbi 30 000 palestinezë! Dhe duket se nuk do ndalet me kaq. Aq sa edhe ministri i jashtëm i Bashkimit Europian, Josef Borrell, e pyeti dje Netaniaun se deri sa duhet të shkonte numri i palestinezëve të vrarë, para se ai të ndalte ofensivën në Rripin e Gazës?!
Por sipas disa ministrave ultraradikalë izraelitë lufta do të vazhdojë pa pushim, deri sa Gaza të jetë “pastruar” … nga palestinezët. “Po ku do të shkojnë 2 milionë palestinezët?! Në Hënë?!” – u shpreh me zëmërim shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian.
Po për shtetin palestinez çfarë po bëhet?! Sipas shumë ekspertëve ndërkombëtarë,tani është pothuajse e pamundur praktikisht krijimi i një shteti të pavarur palestinez, aq shumë janë shtuar dhe shtrirë kolonët izraelitë në tokat palestineze.
Atëhere?! Atëhere askush nuk e di si do përfundojë ky konflikt afro 100 vjeçar. Bota po rri dhe vështron. Askush nuk lëviz. Vëmendja kryesore vazhdon të jetë përqëndruar te Ukraina…
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment