Edhe Kosova duhet të përgatitet për luftë

   Dje presidenti i shkuar dhe i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kumtoi me zë të fortë se NATO, nën udhëheqjen e tij të ardhshme, nuk do të ndihmojë asnjë vend anëtar të Organizatës Atlantike, që nuk ka plotësuar detyrimet financiare ndaj saj ! Për më shumë ai shtoi se do ta linte Rusinë të bënte çfarë të donte me një vend të tillë !

     Këto deklarata ranë si bombë në kancelaritë e vendeve europiane si dhe në ato të Bashkimit Europian. « Po bëni lojën e Rusisë, po minoni unitetin » ishin disa nga reagimet e kryeqyteteve europiane.

     Është e vërtetë se vendet e Bashkimit Europian nuk e kanë dashur kurrë Trumpin dhe nuk e kanë fshehur asnjë ditë armiqësinë ndaj tij. Sepse Trump është një « outsider » nga klasa politike/ oligarkike që ka sunduar gjithmonë Amerikën. Dhe për të Rusia nuk përbën as rrezik dhe as problem për vendin e tij. Gjithë shigjetat dhe vëmendja e tij ka qënë dhe vazhdon të jetë drejtuar ndaj Kinës, të cilën miliarderi amerikan e konsideron si një rrezik sistemik për Amerikën. Prej kohësh, që kur ai ishte president, gjatë periudhës 2016 – 2020, ai u përpoq të afrohej me Putinin dhe ta bënte atë aleat në synimet e tij ndaj Kinës.

        Dhe kur Trump pohon se ai nuk do të ndihmojë vendet anëtare të NATO-s që nuk kanë shlyer detyrimet financiare ndaj organizatës, çfarë do të bëjë ai nëse Serbia sulmon Kosovën, qoftë edhe vetëm veriun e saj?!

       Dhe këtu nuk po flasim për hipoteza. Jo. Se është pothuajse e sigurt që Trump do të zgjidhet përsëri president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe Trump e ka  provuar me fakte se ai nuk e ka për gjë t’i lëjë aleatët e tij në baltë. Kështu veproi ai psh me kurdët gjatë luftës kundër ISIS-it islamik në Siri dhe Irak. Sapo ISIS-I u shkatërrua, Trump I braktisi kurdët në fatin e tyre. Duke i lënë psh të pambrojtur kundër armikut të tyre të betuar – Turqisë!

       Dhe nuk duhet harruar se kurdët gjatë ofensivës së vendeve perëndimore ndaj Daesh-it ishin në ballë të kësaj lufte dhe derdhën shumë gjak. Por kjo aq i bënte Trump-it. Ai jo vetëm që i hodhi kurdët prapa ferrës, por nuk u la as edhe armët me të cilat ata kishin luftuar kundër ekstremistëve islamikë!

         Edhe për Kosovën Trump nuk ka treguar ndonjë interes të madh. Edhe kur ftoi atëhere në Uashington ish-kryeministrin Mustafa dhe presidentin serb Vuçiç, ai u vuri përpara një dokument pa rëndësi që ata ta firmosnin. Dhe pastaj deklaroi para shtypit amerikan dhe botëror se edhe një vend tjetër mysliman (kupto Kosova) ka njohur Jeruzalemin si kryeqytet të ligjshëm të shtetit të Izraelit. Pra synimi i tij nuk ishte zgjidhja e problemeve Serbi – Kosovë, por shtimi I njohjeve për Izraelin, sidomos nga vendet myslimane!

          Prandaj Kosova duhet të fillojë të përgatitet çdo ditë rreth një konflikti të hapur me Serbinë. Dhe të mos i mbajë sytë vetëm nga Amerika apo NATO. Është e vërtetë se ajo ka ende miq në NATO, por nuk duhet harruar se edhe Serbia ka miq për kokë atje.

        Në këtë drejtim është me shumë interes dhe rëndësi pohimi dy ditë më parë i radios gjermane “Deutsche Welle” se Serbia gëzon sot mbështetjen e Amerikës! Prandaj është me rëndësi urgjente që Kosova të investohet fuqishëm në mbrojtjen e saj, duke blerë sa më shumë armatime, siç po bën Serbia, por edhe duke krijuar një sistem ushtarak mbështetur te rezervistët dhe zboristët. Dhe Kurti duhet tua bëjë të qartë shtetasve të tij se një luftë e ardhshme me Serbinë nuk është fantazi, por një mundësi që mund të kthehet shpejt në realitet.

         Dhe nuk ka asnjë çudi se sapo Beogradi të sigurohet se Amerika nuk ka më interesa në Europë dhe aq më pak në Ballkan, ajo të nisë trupat e saj në veri të Kosovës. Sepse ndarja e Kosovës më dysh siç kërkon Vuçiçi, ka qënë një plan i hartuar që në fund të viteve 1990. Dhe kanë qënë shumë europarlamentarë që ma kanë pohuar direkt një projekt të tillë në vitet 1998 – 1999. Derisa Clinton-i vendosi ndryshe si pasojë e kokëfortësisë së Millosheviçit në Rambujé.

      Është po aq e sigurt se Serbia nuk dëshiron më të ketë nën “hyqëm” një Kosovë me afro 2 milionë shqiptarë brenda saj. Jo. Ajo dëshiron një Kosovë të “pastër”, pra praktikisht një gjysëm Kosove, por me pjesët më të pasura të saj, siç janë miniera e Trepçës, Ujmani etj.

        Dhe “sebepe” për një konflikt të ri në Ballkan ka shumë. Njëlloj si ai në Lindjen e Mesme. Ku Izraeli po “ “pastron” Gazën nga kundërshtarët e tij, duke e detyruar popullsinë palestineze të çvendoset një herë nga veriu në jug, (që të ketë duart e lira që ta rrafshojë këtë zonë) dhe pastaj nga jugu në veri! Ndryshe Beogradi mund të nxjerrë nga sirtari edhe planin e tij të vitit 1999 , “Patkoi”, për t’i dëbuar edhe një herë tjetër kosovarët drejt Shqipërisë!

         Pra janë gjëra që ngjasin në histori. I vetmi lajm i mirë në këtë drejtim vjen përsëri nga Gjermania, ku ministri i saj i mbrojtjes, Pistorius, kumtoi në prani të presidentit serb, Vuçiç, se Gjermania do të vazhdojë ta armatosë Kosovën !

         Shihet pra se është koha e fundit që Kosova të kërkojë, të gjejë dhe të ruajë aleatët e saj. Ndofta Berlini, Londra, Varshava etj mund të jenë përsëri aleatët e duhur të Prishtinës. Sepse dihet që Serbia ka si aleat të saj të përjetshëm Rusinë dhe kohët e fundit ka fituar edhe mbështetjen e plotë të Pekinit. Pa folur këtu për aleatët e saj në gjirin e Bashkimit Europian !

        Duket se po vinë kohë të trazuara. Me Trump-in në Shtëpinë e Bardhë kohezioni perëndimor rrezikon të çahet. Bashkimi Europian, nga ana tjetër, po ndeshet me shumë probleme të brendshme, sidomos me ato që kanë të bëjnë me « yryshin » e një emigracioni të papërmajtur dhe të pakontrolluar, me forcimin e partive të ekstremit të djathtë, përgjithësisht pro ruse etj etj.

        Ndofta nuk do të ishte keq që Prishtina të merrte pak shembull nga bunkerët e ndërtuara dikur në Shqipëri. Jo se ata do të na mbrojnë sot, kur kokoshi është katandisur në një thelë, por për kohën që u ndërtuan ato mund ta kryenin misionin e tyre. Sa mirë do të ishte sikur këto bunkerë, që shqiptarët nuk i kanë vlerësuar kurrë, përkundrazi, të mund të transportoheshin drejt Kosovës ?! Apo thjesht ëndrra në beze ??? Sigurisht. Por sidoqoftë një agresion i mundshëm serb drejt Kosovës duhet të merret shumë seriozisht nga klasa e saj politike. Dhe ajo duhet të përgatitet.

Nga Viron Gjymshana  

Lini një koment