Nga kuvlia ku e kanë mbyllur, Sali Berisha, u bën çdo ditë thirrje shqiptarëve që ata të çohen dhe të përmbysin, atë që ai e quan si regjimin e Ramës. Në fjalën e tij nga “arresti i shtëpisë”, Berisha tha se qytetarët duhet të ngrihen për të kërkuar drejtësi për dinjitetin e tyre. Ai u shpreh se qytetarët “nuk duhet të presin që Edi Ramën ta ndëshkojë SPAK”.
“Shqiptarë ngrihuni, të mos mbajmë turpin në Tiranë sepse nuk ka komb të qytetëruar që do pranonte një horr të tillë për kryeministër.
Rama i ka kohërat e numëruara, por ftoj shqiptarët ti presin biletën dhe të shikoni si do bjerë llumi që e mban në këmbë atë.
Për dinjitetin tuaj ngrihuni në këmbë dhe kërkoni drejtësi për dinjitetin tuaj. Mos prisni që Edi Ramën ta ndëshkojë Dumani, ai është një skllav i tij i mjerë”, deklaron ai nga maja e ballkonit.
Duket që Berishën e ka zënë marazi. I mbyllur në shtëpinë e tij nga Spak ai e sheh veten të braktisur. Poshtë pallatit të tij vazhdojnë të mblidhen pak a shumë 50 veta, bashkëpunëtorë dhe militantë të thekur të tij. Ai po e ndjen braktisjen. Dhe kjo e vret më shumë se gjithçka tjetër. Prej vitesh ai ka lënë të kuptohej se edhe sikur një qime floku t’i prekej Shqipëria do kallej në zjarr. Se populli do çohej i revoltuar për të mbrojtur « tribunin e demokracisë » etj etj. Ëndrra në beze.
Shqiptarët vazhdojnë të patrazuar jetën e tyre. Shkojnë në punë, merren me tregti, ndjekin shfaqjet televizive, filmat, koncertet dhe duket se askush nuk e ka mëndjen te Berisha. Për të kujtohen kur ndjekin revistën televizive në orën 20 të mbrëmjet. Kur e shohin të « zbritunin » nga Viçidoli të luajë dhe bëjë shenja nga dritarja e shtëpisë së tij në katin e 5-të apo të 7-të !
Në fund të fundit përse duhet të ngrihen shqiptarët të përmbysin Ramën ?! Ky i fundit nuk ka vrarë njeri në bulevard ! Djali i tij nuk ka hedhur njerëz në erë. Firmat piramidale nuk lulëzojnë më, madje edhe kazinotë janë vënë nën kontroll të fortë. Jeta vazhdon me ritmin e saj të pandryshueshëm. Njerëzit e thjeshtë kanë hallet e tyre dhe nuk ia kanë ngenë as Berishës dhe as Ramës. Të pasurit dhe të fuqishmit nuk duan të rrezikojnë pasuritë e tyre. Aq më shumë që edhe Rama, njëlloj si Berisha dikur, po i lë të pasurohen sipas qefit!
Militantët janë pak dhe nuk përfaqësojnë ndonjë gjë të madhe. Tritoli në shtyllat e betonit veçse e zëmëron edhe më shumë popullsinë që mund të mbetet pa drita. E përçarë siç është në tre copa, kjo opozitë nuk frymëzon dhe as jep shpresë. Është më mirë të mos organizosh manifestime fare se sa të bëhesh qesharak me 500 veta nga pas !
Sali Berisha dhe lukunia e tij e akuzojnë Ramën dhe regjimin e tij për të gjitha të këqijat mbi dhé. I korruptuar, hajdut, diktator etj etj. Dakort. Rama nuk është më i miri dhe më i pastri. Edhe ai ka kusuret e veta. Por mos vallë korrupsioni ka nisur me Ramën?! Shitja e pasurive kombëtare apo koncesionet?!
Në kohën e Berishës a nuk ka pasur korrupsion?! A nuk janë shitur pasuritë kombëtare të shqiptarëve për një cope bukë?! 17 kullat e ndërtuara së fundmi nga dhëndrri a nuk janë ngritur me allishverishe? Po vilat e Lazrit etj etj?!
Shqiptarët kanë mbi 30 vite që po shohin se si vendi po shkatërrohet, po tretet, po vidhet dhe grabitet nga sundimtarët e tij. Nga të gjithë. Kush më shumë e kush më pak. Atëhere përse të ngrihen në revolta?! Që të iki Lena e të vijë Prena?!
Të paktën tani kemi një SPAK që po i heq nga puna gjykatësit dhe prokurorët hajdutë dhe të korruptuar deri në palcë. Kemi një lloj rritjeje ekonomike, sidomos në fushën e turizmit etj etj.
Sigurisht jemi shumë larg asaj që duhet. Por më kryesorja është se gjatë këtyre viteve po ecim dalëngadalë si breshka, por nuk po bëjmë prapa si gaforrja. Dhe kjo nuk është pak. Situata e rendit po normalizohet. Sigurisht që ka keqbërës akoma, por policia po e kryen si duhet detyrën e saj. Ka edhe të çmëndur që vrasin gratë e tyre, vëllezërit, komshinjtë, por çfarë mund të bëjë qeveria në këtë rast?!
Ka filluar të mendohet dhe punohet edhe për rindërtimin e hekurudhave të shkatërruara gjatë periudhës “demokratike”! Por, siç thashë, kryesorja është se vendi nuk po bën prapa.
Ka edhe një mbështetje nga politika ndërkombëtare për Ramën. Aq sa vitin e kaluar në Tiranë erdhën krerët më të lartë të Bashkimit Europian dhe vendeve më të fuqishme të Europës. Pritet po ashtu që nga muaji mars po në Tiranë të organizohet një konferencë politike ndërkombëtare për Ukrainën me pjesëmarrjen, ndër të tjera, edhe të presidentit të saj , Zelenski.
Ndërsa non grata vazhdon të ngrejë dy gishtat lart nga dritarja e shtëpisë ku e kanë mbyllur.
Shqipëria nuk është kthyer megjithatë në parajsë. Jeta vazhdon me sfidat e saj dhe lufta për të nxjerrë bukën e gojës mbetet e vështirë dhe e ashpër. Prandaj edhe njerëzit kanë 30 vjet që vazhdojnë të largohen. Janë hedhur pas krahëve parullat patriotike, dashuria për Atdheun etj etj. Njerëzit mendojnë së pari për të rregulluar jetën e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve. Shqipëria vjen e dyta!
Sigurisht lidhja emocionale me të mbetet sidoqoftë tejet e fortë. Sidomos për brezin e parë të emigracionit. Kjo shihet sidomos gjatë ndeshjeve të kombëtares. Ku janë e ku s’janë shqiptarët nga vendi amë, Kosova, Maqedonia, diaspora etj do të vërshojnë drejt stadiumit për të ndjekur superkombëtaren e zëmrës. Superkombëtare pasi aty bëjnë pjesë futbollistë shqiptarë nga të gjitha trevat e Ballkanit dhe nga diaspora. Disa prej këtyre të fundit madje kanë lindur jashtë vendit, por zemra u rreh veç për flamurin Kuq e Zi, se ashtu janë mëkuar edhe nga prindërit e tyre.
Shkurt problemi i Berishës nuk është problem i popullit shqiptar. Ka ardhur koha që Berisha të përgjigjet për krimet dhe marrëzitë që ka bërë. Ka ardhur koha e ndëshkimit për të gjithë ata që e bënë Shqipërinë lesh arapi gjatë këtyre 30 vjetëve. Që të kemi më në fund një Shqipëri demokratike, të fortë dhe të begatë. Kjo kohë dhe kjo kthesë quhet shpresë. Shpresë se një ditë Shqipëria do të bëhet. Se populli nuk do të lejojë më ta nëpërkëmbin dhe ta poshtërojnë. Ta vjedhin dhe ta grabisin për të pasuruar nja kastë pa din dhe iman. Dhe nuk dihet! Ndofta bëhet e vërtetë. Sepse shpresa vdes e fundit.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment