Dje, e mërkurë 24 janar, Komisioni Europian në Bruksel paraqiti një varg masash për mbrojtjen e prodhimit vendas nga konkurrenca e huaj. Ndër të tjera institucioni i lartë i Bashkimit Europian ka propozuar që të vëzhgohen dhe të mbahen nën kontroll edhe investimet e huaja në Europë. Po ashtu një masë tjetër e propozuar është edhe mbrojtja e teknologjive, shpikjeve dhe infrastrukturës që kanë të bëjnë me fushën e skencës dhe sigurisë.
Kaq mjaftoi që zyrtarët e Pekinit të hidheshin përpjetë sikur t’i kishte pickuar gjarpëri. « Bashkësia ndërkombëtare është shumë e shqetësuar nga masat e njëanshme proteksioniste të ndërmarra nga Bashkimi Europian në fushën e ekonomisë dhe tregtisë » – deklaroi dje zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës, Wang Wenbin. « Ne shpresojmë që BE-ja do të respektojë rregullat e tregtisë së lirë dhe të konkurrencës, që përbëjnë bazën e ekonomisë së tregut. Ndryshe imazhi i saj në botë rrezikon të dëmtohet » – paralajmëroi ai, duke i kërkuan Brukselit të mos ndërmarrë më veprime antiglobaliste !
Siç shihet Kina tregohet shumë e ndjeshme ndaj çdo mase që vendet e ndryshme në botë ndërmarrin për të mbrojtur ekonomitë e tyre nga konkurrenca e pandershme. Kjo ndjeshmëri e pazakontë kuptohet edhe nga reagimi zjarr për zjarr i Pekinit ndaj Brukselit ende pa u mbushur 24 orë nga shpallja e këtyre masave proteksioniste europiane.
Dhe Pekini ka shumë të drejtë të shqetësohet. Se ai ka qënë përfituesi kryesor dhe ndofta i vetëm i politikës së mondializimit që Perëndimi inicioi para afro 50 viteve më parë. Kjo datë përkon me « hapjen » e Kinës me botën perëndimore. Ishte udhëheqësi i atëhershëm i Kinës, Ten Hsio Pin, i cili nga fundi i viteve 1970, i propozoi presidentit të asokohshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Riçard Nikson, që Amerika të transferonte në Kinë fabrikat dhe uzinat e saj. “Ne i kemi rrogat shumë më të ulta se ju dhe ju mund të fitoni shumë më tepër” – u kumtoi zyrtari i lartë kinez përfaqësuesve të Uoll-Stritit gjatë një vizite që ai zhvilloi në vendin e Dajë Samit. (Uncle Sam). Dhe kaq mjaftoi që pak nga pak dhe gjithmonë e më shpejt koncernet dhe shumëkombëshet perëndimore të transferonin uzinat dhe fabrikat e tyre në Kinë, ku punëtorët paguheshin minimumi 20 herë më pak se në vendet e tyre të origjinës.
Madje pati disa korporata që as nuk provuan të prodhonin më mallrat e tyre në Europë apo Amerikë, por e filluan biznesin e tyre fitimprurës drejtpërsëdrejti në Kinë. Kështu psh veproi trusti i njohur si “Apple”, që prodhon ende sot miliona I-phone në Kinë.
Por e keqja më e madhi ishte se bashkë me transferimin e uzinave dhe fabrikave, shumëkombëshet e zhvilluara perëndimore transferuan gjithë qef edhe teknologjinë e tyre të avancuar. Dhe Kina dinte se si ta kopjonte këtë teknologji.
Ata që kanë jetuar në Shqipëri në vitet 1970 e njohin mirë historinë e kamionëve “Zis”. Kamionët e parë “Zis” erdhën në Shqipëri nga ish-Bashkimi Sovjetik rreth viteve 1960. Dhe kur diktatori paranojak Enver Hoxha i prishi marrëdhëniet me Khrushovin, vendin e tyre e zunë kinezët. Dhe menjëherë në Shqipëri u dukën “Zis”-at kinezë, që ngjanin si dy pika uji me ata sovjetikë!
Dhe kjo nuk ishte rastësi. Ish – udhëheqësi komunist kinez, Mao Ce Dun, ishte shprehur ato kohë se Kina nuk ka nevojë të shpikë atë që të tjerët e kanë shpikur para saj. “Ne mjafton ta kopjojmë, dhe ndofta të mund t’i përmirësojmë shpikjet e të tjerëve” – urdhëroi atëhere diktatori komunist.
Dhe duke përfituar edhe nga mosdallimi mirë i moshës së tyre, Kina dërgoi atëhere dhe sot në fakultetet më të mira perëndimore studentët e saj më të dalluar, me synimin e vetëm që të kopjonin atje të gjitha arritjet e teknologjisë perëndimore në të gjitha fushat. Dhe këta studentë të vitit të parë(!) kishin mbaruar që të gjithë universitetin në Pekin, qoftë si inxhinjerë, qoftë si fizikantë, informaticienë etj etj.
Vetëm tani Perëndimi duket se e kuptoi se çfarë gafe ka bërë. Por është vonë. Kështu ka ngjarë edhe me teknologjinë gjermane të prodhimit të autove, si psh “Mercedes”-i i famshëm. Pasi e transferuan prodhimin dhe teknologjinë e tyre në Kinë, që para se më shumë se 30 viteve, sot Gjermania po e kupton se nuk është më e nevojshme në Kinë. Se vetë kinezët po prodhojnë sot “Benza”-t e tyre, me cilësi të njëjtë dhe më të lirë sesa “origjinali” gjerman. Prandaj edhe shitja sa në Kinë aq edhe në botë e automjeteve gjermane ka rënë dukshëm.
Një shembull tjetër domethënës është edhe ai i prodhimit të aeroplanëve të famshëm europianë “Airbus” në Kinë. Kinezët vajtën në Paris me një ofertë bujare prej 50 miliardë eurosh për të blerë disa dhjetra nga këta avionë të supersofistikuar. Francezët u hodhën përpjetë nga gëzimi: 50 miliardë nuk janë dokrra në hi. Vetë presidenti i atëhershëm francez, Zhak Shirak, e quajti marrëveshjen e shitjes së avionëve “Airbus” Kinës si “marrëveshja e shekullit”. Por kinezët, si prestigjatorë të vërtetë, nxorrën atëhere nga “mënga” edhe një aneks shtesë të marrëveshjes! Kjo marrëveshje do të vihej në jetë vetëm nëse “Airbus”-i do të ngrinte një linjë të prodhimit të avionëve të tij edhe në Kinë! Franca pranoi pa bërë shumë naze. Ishte koha e globalizmit dhe Perëndimi kurrë nuk mendonte se Kina mund ta arrinte dhe ta kalonte atë! Por duket se i kishin bërë llogaritë pa hanxhinë.
Në fakt, e vërteta është se Perëndimi nuk kishte bërë fare llogari. Ose më mirë me thënë kishte llogaritur jo më larg se maja e hundës së vet. Te fitimi i menjëhershëm dhe jo te ai afatgjatë.
Thuhet se dikur në Venedikun e famshëm ekzistonte një manifakturë e prodhimit të inxhive dhe pasqyrave. Teknika e prodhimit të tyre mbahej tejet sekret dhe ruhej nga një grup nanosh, (xhuxhash), të cilët vritnin pa një pa dy cilindo që i afrohej punishtes së tyre dhe rrezikonte tu vidhte zanatin! Ndërsa oligarkët perëndimorë shumë lehtë i shitën shpikjet dhe teknologjinë e tyre te kinezët, vetëm e vetëm për të bërë pak më shumë para!
Dhe kur flasim për transferim prodhimi dhe teknologjie nga Perëndimi drejt Kinës flasim jo për një dhe për dy, por për qindra mijëra fabrika, uzina dhe manifaktyra të të gjitha llojeve. Si pasojë në Perëndim prodhimi ra dukshëm, siç u vu re edhe gjatë krizës së Covid-it, PIB-i po ashtu u ul ndjeshëm dhe e vetmja mënyrë që gjetën udhëheqësit perëndimorë për t’i bërë ballë këtij rrënimi ishte marrja dhe shtimi i parreshtur i borxheve nga shtetet dhe qeveritë e vendeve të tyre. Ndryshe mirëqënia në këto vende do të kishte rënë ndjeshëm!
Por sot duket se udhëheqësve perëndimorë u kanë ardhur mentë. Globalizmi, i cili më parë konsiderohej si i shenjtë dhe i paprekshëm, sot shihet me dyshim. Edhe ngaqë agresiviteti ekonomik i Kinës po rritet çdo ditë e më shumë. Kina ka blerë apo marrë me qira shumë nyje strategjike në Europë, siç psh portin e Pireut në Greqi. Por po ashtu ajo ka blerë edhe uzinën suedeze të prodhimit të kamionëve “Volvo”. “Rruga e mëndafshit” për ngritjen e së cilës Pekini po investon me dhjetra miliarda është një tregues tjetër i qartë i strategjisë kineze për tu kthyer në fuqinë e parë ekonomike dhe ushtarake të globit deri nga mesi i këtij shekulli.
Dhe ndërkohë që bota po rikthehet drejt kufijve kombëtarë, apo drejt mbrojtjes së prodhimit vendas, vetëm Shqipëria ecën mbrapsht si gaforrja.
Para disa vitesh në vend u shpall me tamtame marrëveshja e “Ballkanit të Hapur”! Bazë e kësaj marrëveshjeje ishte qarkullimi i lire dhe pa dogana i mallrave ndërmjet katër vendeve që e nënshkruan këtë marrëveshje. ( Kosova nuk e pranoi, ndërsa Shqipëria u duk më e zjarrta në mbrojtje të “Ballkonit”).
Por marrëveshje të tilla ndihmojnë gjithmonë vendet më të fuqishme ekonomike, të cilat prodhojnë më mirë, më lirë dhe më shumë. Dhe që shpesh herë subvencionohen nga shtet e tyre përkatëse në shtimin e eksporteve të tyre. Dhe kuptohet se ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, fituesja kryesore do të ishte Serbia si vendi më i zhvilluar.
Dhe pas kundërshtimeve të shumta Edi Rama më në fund hoqi dorë (përkohësisht) nga kjo strategji. Por pak ditë më parë në Shkup u fol prapë për tregtinë e lirë dhe pa dogana. Dhe Shqipëria, si gjithmonë, gati!
Në një kohë që veçse një javë më parë, ish – zv/kryeministri dhe deputeti Erion Braçe ,u ankua se malli i bujqëve shqiptarë kalbet dhe mbetet i pashitur si pasojë e konkurrencës nga vendet fqinje!
Siç shihet bota ka halle të mëdha. Luftohet për supremaci planetare. Shqipëria duket si milingona para elefantit në këto përplasje. Por edhe qeveria shqiptare e ka për detyrë dhe duhet të luftojë për mirëqënien e popullit të saj dhe forcimin e vendit. Që vendi, më e pakta të mos zbrazet. Ndryshe ajo do të kthehet në një pikë uji e parëndësishme në oqeanin e tërbuar të përplasjeve botërore.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment