Çfarë e lidh apo e bashkon Ekuadorin me Shqipërinë ?! Në vështrim të parë asgjë. Madje shumë shqiptarëve po tu kërkosh ta gjejnë Ekuadorin në hartë do ta kenë shumë të vështirë për ta përcaktuar.
Por siç dihet javët e fundit Ekuadori ka tërhequr vëmendjen e mbarë opinionit publik ndërkombëtar, si dhe mediave vendase dhe të huaja. Shkaku : një rebelim dhe sulm i armatosur i mafias vendase kundër shtetit ekuadorian.
Njerëz të armatosur që i vinin grykën e pushkës në kokë spikerit që transmetonte lajmet në TV, shpërthim të burgjeve dhe arratisje e kriminelëve, vrasësve dhe shpërndarësve të drogës, vrasje prokurorësh dhe zyrtarësh të shtetit etj etj. Me një fjalë një rebelim dhe kryengritje e armatosur kundër institucioneve të demokracisë të zgjedhura me votën e lirë.
Mafia që kërcënon shtetin. Aq sa ky i fundit, i kapur në befasi dhe krejtësisht i paaftë për të siguruar rendin dhe qetësinë në vend, u detyrua të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe të nxirrte tanket dhe ushtrinë në rrugë.
Bota pa dhe kuptoi se çfarë ngjan kur shteti dhe përfaqësuesit e tij tërhiqen çdo ditë e më shumë para forcimit të grupeve keqbërëse. Për më shumë ditët dhe javët e fundit risollën në memorien e njerëzve kohët më të zeza të historive të tyre. Si psh vrasjet në Itali të prokurorëve të shquar antimafia Paolo Borsellino dhe Xhovani Falkone apo vrasjet në Çikago nga Al Kapone të disa qindra vetave.
Në Amerikën Latine këto krime janë diçka e zakonshme. Prodhimi dhe tregtia e kokainës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qënë shkaku kryesor i formimit të karteleve famëkeqe të Medellinit,Kailit, Sineloas etj etj të udhëhequra nga kryemafiozët famëkeqë Pablo Escobar, El Chapo Guzman etj. Këto ngjarje na kujtojnë filmin “Oktapodhi” me komisar Katanin, që shqiptarët e ndiqnin gojë hapur gjatë mesit të viteve 1980!
Por le të mos shkojmë kaq larg. Jo më shumë se 30 vjet më parë edhe mafia shqiptare, lindur si bar i keq, menjëherë pas shembjes së komunizmit, u përpoq t’i bënte karshillëk shtetit. Qytetarëve shqiptarë u kujtohen mirë vitet 1990 – 1997 kur gjimnazistet shqiptare rrëmbeheshin nga grupe të armatosura dhe niseshin forcërisht për prostitucion në Greqi apo Itali. Ishte koha e « skafistëve » që vunë shumë para duke u marrë me transportimin ilegal të migrantëve drejt Italisë, ishte koha kur shteti ishte shkërmoqur dhe nuk mbronte dot veten dhe jo më qytetarët e tij. Ishin këta skafistë dhe mafiozë të bërë me pare që humbën disa qindra milionë lekë në « gropën » e Hajdin Sejdisë !
Pasi rrafshoi gjithçka ishte ndërtuar me gjak dhe djersë gjatë 45 viteve të sundimit komunist, regjimi i ri dhe i cfilitur « demokratik » shqiptar nuk gjeti asgjë më të mirë tu ofronte qytetarëve të tij, sesa piramidat e fajdeve ! Shembja e të cilave pothuajse zhduku nga harta e botës edhe vetë shtetin. Saqë u deshën të vinin forcat e huaja të rivinin rregulli dhe rendin ne vend.
Kam qënë dëshmitar në vitin 1992 pranë Bankës së Shqipërisë kur një polic u drejtohet njerëzisht dy vetave që ishin mbi motor, që të lejonin qarkullimin në atë zonë. Oh nëne, oh nëne si iu kthyen ish burgaxhinjtë ordinerë policit. Nuk kishte fjalë të ndyrë mbi dhé që ata nuk e derdhën mbi të. Nuk i lanë gjë pa thënë vetëm se polici i luti që të respektonin rregullat e qarkullimit ! Dhe polici i shkretë futi bishtin ndër shalë dhe u largua kokëulur. Ishte revanshi i llumit ndaj shtetit, rendit dhe ligjit.
Revansh që arriti kumin me krijimin e së ashtuquajturës « Republika e Pavarur e Lazaratit ! ». Lazarati ishte një fshat pothuajse i panjohur për shumicën e shqiptarëve, por ai u bë i famshëm kur filloi legalisht dhe hapur fare të prodhonte kanabis dhe droga të tjera. Aq shumë u forcua saqë i doli nami edhe në Europë. Nuk kishte ditë që gazetat europiane të mos shkruanin për këtë fshat të humbur andej afër Gjirokastrës. Aq të fortë dhe të famshëm u bënë lazaratasit saqë nuk ngurruan të kapnin edhe armët kundër policisë, kur ajo vajti të shkulte plantacionet e kanabisit atje. Saqë vranë edhe një polic. Ishte koha kur socialistët ishin rikthyer në pushtet.
Kulmi i kulmeve ishte se vetë ish-qeveria e Berishës e kishte lejuar lindjen dhe forcimin e asaj gjoja “republike”. U quajt e pavarur sepse sipas saj ajo nuk pyeste për shtet dhe hyqmet mbi Tokë. Vetë presidenti i saporrëzuar, Sali Berisha, pohoi në atë kohë se ai e kishte lejuar formimin e Republikës së Lazaratit për arsye politike ! Njëlloj siç kishte lejuar, nxitur dhe mbrojtur edhe kalimin e mijëra tonëve naftë drejt makinës luftarake serbe, gjatë kohës së luftës së Bosnjës !
Por huqi del pas shpirtit. Shihet se mafiozëve shqiptarë u dukej tejet e vogël Shqipëria për ambiciet e tyre.Për të bërë miliona me krim dhe vrasje. Prandaj ata u shpërndanë si zogjtë e korbit anë e mbanë botës. Në Angli ata janë bërë shumë të njohur për « shtëpitë e barit ». Në Spanjë për kontrollin e prostitucionit. Ka prova të shumta që dëshmojnë se mafia shqiptare ka vënë nën kontroll edhe trafikimin e drogës në portet hollandeze dhe belge të Roterdamit dhe Anversit.
Por Interpoli, agjencitë e specializuara dhe mediat ndërkombëtare ditët e fundit, pas ngjarjeve makabre në Ekuador, po flasin dhe shkruajnë edhe për rolin e mafias shqiptare në këtë vend. Duket se shqiptarët po “shquhen” jo vetëm në Europë, por tani edhe në Meksikë, Kolumbi dhe sigurisht edhe në Ekuador.
E përditshmja belge “La Libre Belgique” shkruante më 30 prill të vitit 2002 se mafia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare kanë zgjedhur Shqipërinë si bazë e trafikimit të drogës. Kriminelët shqiptarë janë tashmë pjesë e organizatave mafioze italiane “Cosa Nostra”, “Sacra Corona Unita”, “Ndrangheta”, mafias ruse, asaj turke dhe karteleve kolumbiane të drogës! Dhe po flasim për vitin e largët 2002! Po sot?!
Pra gjendemi para një “përvoje” mbi 20 vjeçare të krimit të organizuar shqiptar nëpër botë. Jo më kot disa dhjetra vjet më parë në Amerikë u prodhua dhe u shfaq edhe filmi “Taken”. Ndërsa nëntorin e kaluar në Belgjikë u botua edhe libri i prokurorit më të njohur të vendit, Michel Claise, i titulluar “Kanun”, i cili dëshmon për veprimtarinë e mafias shqiptare të trafikimit të drogës nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt Belgjikës dhe Hollandës. (Për më shumë rreth këtij libri dhe kësaj veprimtarie mund të lexoni në këtë blog artikullin me të njejtin emër, shkruar më 23 tetor 2023)
Për mafian shqiptare është folur dhe shkruar shumë. Sidomos pas ngjarjeve të fundit në Ekuador shumë të përditshme perëndimore kanë theksuar se mafia shqiptare ka filluar të bëjë edhe “ligjin” në këtë vend. Dhe marrin si shembull vrasjet e shumta të kryera nga shqiptarët sa kundër njeri – tjetrit, por po ashtu edhe kundër zyrtarëve vendas të luftës kundër krimit të organizuar.
Më 24 qershor të vitit të kaluar “Radio Canada” mori në intervistë studiuesen e “Grupit Ndërkombëtar të Krizave”, Glaeldys Gonzales, e cila, ndër të tjera pranoi se grupet kriminale vendase në Ekuador janë lidhur tani dhe bashkëpunojnë me kartelet meksikane, kolumbiane dhe shqiptare të drogës, që kanë fituar fuqi të madhe!
Edhe e përditshmja e shumënjohur amerikane “New York Times” vuri në dukje para pak kohësh lidhjet e mafias shqiptare deri me kunatin e ish-presidentit të Ekuadorit, Guillermo Lasso. “Kumbari” i drogës në Ekuador, Ruben Cherres, i dyshuar për lidhje me mafian shqiptare u gjet i vrarë më 31 marsin e vitit të kaluar, – vinte në dukje e përditshmja amerikane.
Më 6 dhjetorin e kaluar policia maqedonase arrestoi me urdhër të Interpolit shtetasin kosovar, Remzi Azemi, i kërkuar në Ekuador për vrasjen e bashkëkombasit të tij, Ilir Hidri, në qytetin e Guayaquil-it.
Dhe shkrimet dhe emisionet e botuara rreth mafies shqiptare në botë janë të panumërta. Kjo mafie paratë fituara me krime dhe drogë po i investon tani në Shqipëri, sidomos në imobilier, hotele, ristorante, kazino etj etj. Prandaj edhe çmimet atje vazhdojnë të mbeten të larta, se ka shumë para të zeza në qarkullim.
Por rreziku më i madh sot për sot është se bashkë me këto para hyn edhe praktika dhe përvoja e mafiozëve shqiptarë. Që do të thotë se në rast të një dobësimi të shtetit, Shqipëria mund të kthehet lehtësisht në një Ekuador, ku mafia të bëjë ligjin. Disa vrasje në vend e kanë prejardhjen dhe shkakun edhe në veprimtaritë e kësaj mafieje sa në Ekuador dhe Kolumbi, por po aq edhe në Angli, Spanjë, Hollandë dhe Belgjikë.
Prandaj shteti shqiptar duhet t’i hapë sytë katër. Se nga një republikë e vogël e pavarur e disa viteve më parë, ka shumë mundësi të kalohet në një republikë të madhe. Dhe atëhere do të jetë fundi. Shembulli i Ekuadorit, ku mafiozët shqiptarë kanë “pjesën” e tyre flet qartë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment