A ka të drejtë të mburret Sali Berisha?!

   Siç e ka bërë tashmë zakon, edhe këto ditë të ftohta Sali Berisha vazhdon të dalë  në dritaren e “kafazit” ku e kanë futur, duke përshëndetur përkrahësit e tij me dy gishtat lart.

    Pos të tjerave ai u thotë mbështetësve të tij se ata duhet ta mbajnë kokën lart, se ata janë shtylla e kombit, krenaria e tij, luani që ka dalë nga strofulla etj etj. Dhe si arsye të këtij qëndrimi rendit fitoret që Partia Demokratike i ka dhuruar vendit gjatë kohës që ajo ka qënë në pushtet.

      “Le të bëjmë pak së bashku një udhëtim në memorien tonë dhe të kujtojmë se pak vite më parë, vendi ynë i gjunjëzuar ishte Shqipëria e fitores.
     Liberalizoheshin vizat, integrohej në NATO, priste me dinjitet presidentin e SHBA, merrte rekomandimin për statusin e vendit kandidat. Nga Tirana, shpallej pavarësia e Kosovës.
     Shqipëria bëhej çdo ditë një vend më i pëlqyer, më i dashur për shqiptarët, më i respektuar në rajon, në Europë dhe në botë.
     Shqipëria bëhej vendi në të cilin popullata rritej nga viti në vit. Dhe po kështu dashuria, shpresa dhe besimi i shqiptarëve rritej nga viti në vit” – kumton Sali Berisha para ndjekësve të tij të mbledhur poshtë dritares.

     Pyetja është: A ka të drejtë Sali Berisha të ndjehet krenar për bëmat e tij dhe të mburret se nën udhëheqjen e tij Shqipëria ecte vetëm përpara?! A nuk u ngjajnë këto deklarata atyre të Enver Hoxhës që e portretizonte Shqipërinë si shkëmb çeliku në brigjet e Adriatikut?! Sepse jo më kot Berisha ka bërë pjesë në aradhen e komunistëve që sunduan Shqipërinë përgjatë 45 vjetëve. (1945 – 1990). Dhe të kesh qënë komunist për 25 vjet nuk i thonë pak. Koha dëshmoi se ai ishte mëkuar dhe brumosur fort me mësimet e asaj partie si dhe udhëheqësit të saj.

     Por le të marrim më mirë dhe të analizojmë shprehjet e tij triumfuese. Dhe pastaj të vëmë në balancë edhe mëkatet, gabimet dhe krimet që kanë ngjarë gjatë sundimit të tij. Kështu do të kemi një pasqyrë më të qartë dhe një tabllo më të plotë të arritjeve dhe gremisjeve të asaj epoke.

     Është e vërtetë se shqiptarët fituan në atë kohë lëvizjen me viza në mbarë vendet e Bashkimit Europian. Dhe kjo nuk ishte pak për qytetarët shqiptarë që e kishin pritur këtë ditë që nga viti 1945, që kur regjimi i Enver Hoxhës ndaloi largimet nga vendi qoftë edhe për arsye ekonomike. Madje të vriste apo të burgoste gjatë, nëse dikush tentonte të largohej fshehurazi nga vendi.

      Por duhet thënë se edhe në këtë fushë Shqipëria ishte e fundit nga ish vendet e Europës Lindore (përjashto Kosovën), qytetarët e së cilës fituan të drejtën e lëvizjes së lirë. Por edhe gjatë qeverisë së Ramës shqiptarët po ashtu kanë fituar të drejtën e lëvizjes, por kësaj rradhe madje  pa viza. Mjafton një pasaportë apo kartë identiteti për të vizituar mbarë Europën.     Pra këtu kemi të bëjmë thjesht me një përparim konstant dhe të vazhdueshëm në forcimin e lidhjeve të vendit tonë me Europën që pas përmbysjes së sistemit diktatorial.

           Berisha mburret po ashtu se gjatë qeverisjes së tij Shqipërinë e vizitoi presidenti amerikan Xhorxh Bush. Pa dyshim një arritje e madhe. Sidomos kur mendon se presidenti i vendit më të fuqishëm të botës vizitoi posaçërisht një nga vendet më të vogla të Europës, por i njohur si tejet amerikan-dashës. Megjithatë prapë se prapë duhet pohuar se Shqipëria edhe gjatë këtyre 10 vjetëve të sundimit të Ramës i ka forcuar edhe më tepër lidhjet si me Uashingtonin, aq edhe me Brukselin. Pra nuk kemi bërë as në këtë fushë vendnumëro apo prapaktheu.

       Vitin e kaluar madje, në Tiranë u organizua për herë të parë edhe takimi Shqipëri – Bashkimi Europian me pjesëmarrjen e drejtuesve  më të lartë të BE-së dhe njëkohësisht të vendeve më të zhvilluara të Europës. Edi Ramën sot e presin, si në shtëpinë e vet, sa në Londër, por po aq edhe në Berlin, Bruksel apo Paris. Pra jemi gjithmonë në remi, në rast se duam të përdorim një shprehje shahistike, kur lojën nuk e fiton askush.

              Dhe kemi harruar këtu të theksojmë se pikërishte Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur tani Sali Berishën dëmtues të demokracisë, korruptues dhe i korruptuar,  shantazhues i drejtësisë etj etj -me një fjalë « non grata ». A ka damkë dhe njollë më të zezë se kjo ?! A mund ta mbash ende kokën përpjetë  kur vendi me demokracinë më të përparuar në botë të shpall si të « padëshirueshëm » ?!

                   Edhe në fushën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, Shqipëria ka hedhur hapa gjigande përpara. Ajo konsiderohet sot si vendi që ka kryer reformat më të rëndësishme në rajon. Pra edhe në këtë drejtim kemi një vijimësi konstante.

                 Pra në vështrim të parë duket sikur Berisha ka të drejtë të mburret se ka qënë ai i pari që vendosi piketat e afrimit të Shqipërisë sa me Shtetet e Bashkuara të Amerikës aq edhe me Bashkimin Europian. Po a është vërtet kështu ?!

                    Le ta hedhim vështrimin pak më mbrapa. Në kohën kur  vendet e tjera të ish – Europës Lindore ecnin me hapa të përshpejtuar drejt afrimit me BE-në, në Shqipëri, nën udhëheqjen e Sali Berishës, shpërthyen dhe lulëzuan firmat piramidale. Të cilat shkaktuan në vitin 1997 katastrofën më fatkeqe të vendit, rrëmujën dhe rrëmetin që nuk ishte parë që nga koha e Turqisë. Aq sa u desh të ftohen trupat e huaja për të rivendosur rendin dhe rregullin në vend ! Pse nuk flet për këtë ngjarje makabre dhe të paprecedent në Europë, Sali Berisha ?!

         Viti 1997 solli shkatërrimin total edhe të infrastrukturës institucionale të shtetit shqiptar. Pas katastrofës ekonomike, shkatërrimit të të gjitha uzinave, kombinateve dhe deri furrave të bukës gjatë  viteve 1992  e më pas.

               Viti 1996 ishte po ashtu një vit i zi për Shqipërinë. Ishte viti kur u institucionalizua për herë të parë në demokraci vjedhja e votave, rrahja e opozitës në mes të sheshit « Skënderbej » etj etj. Po për këto ngjarje pse nuk e hap gojën Berisha ?!

              Dhe si të mos kishte vënë mend nga gabimet e pafalshme gjatë mandatit të tij të parë (1992 – 1997) Berisha e trashi edhe më zullumin kur u bë « nuse » për herë të dytë (2007 – 2012). Hedhja në erë e Gërdecit që shkaktoi mbi 25 viktima ngjau gjatë sundimit të tij të dytë. Dhe kulmi i përgjegjësisë dhe turpit është se ishte djali i tij në krye të kësaj fabrike vdekjeje !

           Më pas veçse për të ruajtur pushtetin e tij personal ai nuk ngurroi të vriste edhe 4 qyterë të paarmatosur në mes të bulevardit. Një krim shtetëror i ngjarë me urdhër të vetë atij. Dhe të mos përmendim këtu shitjen e detit. Pra ka shumë për të marrë dhe për të lënë.

                        Duke ndjekur rrugëtimin e tij 25 vjet si komunist dhe 25 vjet si demokrat detyrimisht arrin në përfundimin e natyrshëm se Sali Berisha nuk ka asnjë arsye për tu ndjerë krenar. Se ballanca ndërmjet veprimeve pozitive dhe negative të tij anon dukshëm nga e dyta.

        Ai, pavarësisht se çfarë mendon dhe çfarë thotë, do të mbesë në historinë e vendit si një figurë e urryer dhe negative. Afërsisht si Esad Pasha. A nuk mendonte deri ditën e fundit edhe Hitleri, i mbyllur në bunkerin e tij, se ai kishte të drejtë dhe bota e kishte gabim ?! Kështu ngjan me diktatorët.

       Sot ai gjendet i mbyllur në kafazin e shtëpisë së tij. Por siç shihet pa asnjë brejtje ndërgjegjeje. Por Shqipëria nuk harron. Siç nuk harroi dhe nuk fali as Enver Hoxhën. Sot pothujse të gjithë janë të bindur se ai ishte një diktator dhe tiran që vrau deri edhe shumicën e shokëve të tij. Megjithëse gjatë periudhës së sundimit të tij, vendi përparoi si kurrë ndonjëherë më parë.

     Pavarësisht të gjithë bëmave të tij, ka ende njerëz që e ndjekin dhe e besojnë ish – mjekun e Bllokut. Opinionet për të janë të ndryshme. Por fakti që ai nuk ka fituar dot as edhe një palë zgjedhje të rregullta, me përjashtim të atyre që Nano me Metën i braktisën vetë, flet dhe tregon shumë.

        Po le ta mbyllim këtë shkrim me gjykimin dhe opinionin e njërës prej figurave më të njohura të kombit shqiptar, Ismail Kadaresë, që ka pohuar veçse pak javë më parë se: “ Shqipëria  po jeton sot ditët e saj më të mira”.

       A ka nevojë për më shumë?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment