Bitcoin ka filluar përsëri të ngjallë interesin e investitorëve. Por jo vetëm të atyre. Duke qënë një monedhë virtuale, që megjithatë mund të konvertohet qoftë në euro, qoftë në dollarë, shumëkush, që do t’i shpëtojë syrit të agjentëve të fiskut, apo që dëshiron të paguajë sa më pak taksa, përdor bitcoinin për të mos u identifikuar. Pa folur këtu për aferat kriminale.
Se në fakt bitcoin-i ka si synim parësor që të kthehet në një lloj monedhe jashtë kontrollit të qeverive dhe bankave. Prandaj edhe qeveritë anë e mbanë botës po e luftojnë këtë monedhë me të gjitha mënyrat. Por pa shumë rezultat deri më sot.
Kështu pasi arriti kulmin e tij historik para 5 vjetësh, kur një bitcoin shkëmbehej me afro 65 mijë dollarë, vlera e tij zbriti në 22 000 dollarë pas një fushate anti – bitcoin e nxitur nga bankat qëndrore të shteteve të zhvilluara. Por gjatë muajve të fundit vlera e tij u rrit përsëri duke iu afruar 45 000 dollarëve.
Ky është edhe shkaku që shtetet dhe qeveritë e shumë vendeve të botës janë sot shumë të shqetësuara. Se ato nuk kanë asnjë lloj kontrolli ndaj kësaj monedhe. Dhe shqetësimi rritet edhe më shumë kur disa vende si psh Salvadori, por edhe të tjerë, kanë pranuar që monedha e tyre kombëtare, por edhe dollari apo euro, mund të shkëmbehen me bitcoin-in.
Mjegulla që rrethon krijimin e kësaj monedhe rreth 15 vjet më parë bëhet edhe më e dëndur kur kujton se askush sot në botë nuk e njeh shpikësin e kësaj monedhe!
Emri Satoshi Nakamato në fakt është një pseudonim. Për më shumë, personi që fshihet pas këtij llagapi, jo vetëm që është një gjeni i financave dhe informatikës, por është një njeri edhe shumë i pasur.
Sipas revistës amerikane “Forbes” që klasifikon dhe rendit njerëzit më të pasur të botës, Satoshi zotëron një pasuri me vlerë rreth 51 miliardë dollarësh! Kjo ka bërë që të nisë një gjueti e paparë ndaj personit që fshihet nën këtë nofkë. Të zotërosh 51 miliardë dollarë dhe mos dihesh fare se kush je, kjo është vërtet e padurueshme.
Prandaj hipotezat dhe hamëndjet kanë marrë dhenë. Dedektivë nga më të njohurit, por qoftë edhe anonimë, janë betuar se do ta zbulojnë emrin e këtij gjeniu. Por këta përbëjnë veçse pjesën më të dukshme të ajsbergut. Sepse edhe qeveritë e mbarë botës duan të zbulojnë krijuesin e kësaj monedhe, që një ditë mund të tronditë themelet e mbarë financës ndërkombëtare!
Bitcoini u hodh në qarkullim për herë të parë në vitin 2009. Por krijuesi i tij, pati paralajmëruar që një vit më parë, se ai do të krijonte një monedhë virtuale ndërkombëtare që do t’i kundërvihej hapur politikës grykëse dhe gllabëruese të bankave si dhe të qeverive botërore! Kuptohet se atëhere askush nuk i mori seriozisht këto deklarata. Hej sa budallenj dhe delirantë ka kjo botë. A nuk janë plot edhe spitalet psikiatrike?
Por shpejt sunduesit dhe pasunarët filluan të humbasin besimin që kishin në forcën e tyre. Bitcoini po përhapej pak e nga pak dhe po forcohej çdo ditë dhe më shumë. Dhe duke qënë një monedhë virtuale që shfrytëzonte parimin “peer to peer” ishte e pamundur t’ia gjenje fillin.
Por në marsin e vitit 2014, e përjavshmja amerikane « Newsweek” kujtoi se ia arriti ta zbulonte misterin. Ajo kumtoi se pas 2 muajsh kërkimesh të stërholluara ajo arriti të gjente se kush fshihej pas pseudonimit të krijuesit të Bitcoin-it. Sipas “Newsweek” njeriu që fshihej pas kësaj shpikjeje të paparë quhej thjesht Dorian Satoshi Nakamato, një programues amerikan 64 vjeçar me origjinë japoneze. Veçse botuesit e revistës së njohur amerikane nuk e dinin se emri Satoshi Nakamato është tejet i përhapur në Japoni.
Të nesërmen e publikimit të artikullit, Dorian Satoshi Nakamato nuk po dinte më ku ishte. Para portës së shtëpisë së tij modeste, në periferi të Los Anxhelos, ishin grumbulluar qindra gazetarë amerikanë dhe të huaj. “Jo, jo, jo nuk jam unë”, – përgjigjej ai i dëshpëruar kur gazetarët që e kishin rrethuar e pyetën nëse ishte ai shpikësi i Bitcoin-it.
Pak kohë më pas, ishte rradha e “Nju Jork Times » të deklaronte se e kishte zbuluar krijuesin e monedhës së famshme. Sipas gazetës së njohur amerikane ishte informaticieni amerikano – hungarez Nick Szabo që fshihej pas pseudonimit japonez. Aq më shumë që ky person, një vit para hedhjes në qarkullim të Bitcoin-it, kishte shkruar një artikull të titulluar “Bit Gold”! Por edhe amerikano/hungarezi e hodhi poshtë këtë “zbulim”! “Jo nuk jam unë personi që ka krijuar Bitcoin-in” – u deklaroi ai gazetarëve.
Dhe ndërsa kërkimet për zbulimin e emrit të shpikësit vazhdonin me tërbim, një sipërmarrës në fushën e teknologjisë, australiani Craig Wright, gjatë një interviste që i dha medias së shumënjohur BBC si dhe revistës “The Economist” pohoi se ishte ai dhe vetëm ai Satoshi Nakamato!
Njerëzit për pak sa nuk e besuan. Se kishte edhe fakte që flisnin në favor të pohimit të bërë nga australiani. Sepse disa vite më parë ky person kishte tentuar madje të krijonte edhe bankën e vet të bitcoinëve. Në ndërmarrjen e tij, të specializuar në mbrojtjen dhe sigurinë informatike, ai zotëronte 2 nga 500 kompjuterët më të fuqishëm dhe të sofistikuar në botë. Që do të thoshte se ai i kishte të gjitha mundësitë teknike dhe profesionale të krijonte një monedhë të tillë.
Si provë të pakundërshtueshme ai solli edhe faktin se ishte në gjendje të zotëronte çelësin e deshifrimit të kodeve të programit origjinal të kësaj kriptomonedhe.
Por disa ditë më vonë Craig Wright u tërhoq nga këto pohime. Policia zbuloi me këtë rast se ai ishte i përfshirë edhe në disa mashtrime financiare dhe se po kërkohej edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë arsye. Edhe një pistë tjetër që vajti dëm.
Dhe megjithëse identiteti i krijuesit të Bitcoin-it mbetet ende i pazbuluar tifozët e kripto-monedhës së tij e nderojnë atë si një perëndi. Kështu psh në 16 shtator të vitit 2021, ata zbuluan një bust në bronz në parkun hungarez Graphisoft në Budapest. Në të njëjtin park ku ngrihet edhe statuja e të famshmit Steve Jobs, krjuesit të Apple dhe I-phonëve. Skulptori që ka derdhur këtë bust e ka paraqitur fytyrën e Satoshi Nakamato-t të mbuluar me një maskë dhe kokën me një kapuç !
Ideja e fundit rreth shpikësit apo krijuesit të kripto-monedhës më të fortë në botë sugjeron se duke pasur parasysh se kodi i programimit të kësaj kripto-monedhe është kaq i vështirë, deri i pamundur të deshifrohet, kjo shpikje nuk mund t’i detyrohet vetëm një personi, por një grupi të mirinformuar dhe tejet të përgatitur. Ka edhe disa të tjerë që pohojnë se ndofta personi që ka shpikur dhe hedhur në treg bitcoin-in mund të ketë vdekur apo ta kenë vrarë !
Aq më shumë që sot nuk gjendet asnjë gjurmë e ndonjë transaksioni apo veprimi tjetër që Satoshi Nakamato të ketë kryer. Nga 21 milionë bitcoin që janë krijuar, sipas dëshirës së shpikësit, deri më tani janë hedhur në qarkullim 19.6 milionë prej tyre. Pra ngelin edhe mbi 1 million që ndofta gjenden në xhepin e krijuesit të kësaj monedhe. Të cilat, të kthyera në dollarë kanë një vlerë prej mbi 51 miliardë dollarësh. Prandaj Satoshi Nakamoto zë sot vendin e 23 në listën e « Forbes-it ».
Atëhere a do të njihet ndonjë ditë emri i vërtetë i krijuesit të Bitcoin-it?!
Askush nuk e di.
v.gj.

Lini një koment