Amerika, si gjithmonë, në krah të shqiptarëve.

    Lajmi se Amerika do ta furnizonte Kosovën me raketat e famshme « Javelin » u prit me hare në botën shqiptare dhe me pezm dhe zëmërim në atë serbe. Sepse nuk është e lehtë të blesh nga Amerika pajisje luftarake të modeleve të fundit. Turqia psh, anëtare me rëndësi e NATO-s, nuk po arrin të blejë dot nga Uashingtoni avionët luftarakë F-16. Megjithëse me pare në dorë.  Kjo edhe për shkak të politikës së saj me « dy porta ». Pra mirë me Moskën, mirë me Uashingtonin. Por në kohën kur Amerika me Rusinë janë  pothuajse konflikt të hapur,  kjo politikë nuk shihet me sy të mirë nga Uashingtoni. Pra nuk ka avionë F-16 për Ankaranë. Ndërkohë që Kosovës i hapet drita jeshile për blerjen e raketave antitank « Javelin ». Raketa që përbëjnë një forcim të mbrojtjes së saj, në një kohë që Serbia vazhdon të armatoset me armë nga Rusia dhe Kina !

       Para pak kohësh edhe Prishtina dukej se ishte vënë në “katror” nga politika amerikane. Uashingtoni i kërkonte Prishtinës aprovimin pa vonesë të “Zajednicës,  pra krijimit të një republike tjetër serbe, si ajo e Bosnjës, por kësaj rradhe në Kosovë.  Nuk dihet se kush nga diplomatët amerikanë i kishin mbushur mendjen Shtëpisë së Bardhë asokohe se me Serbinë mund të arrinin po ato rezultate pozitive si me Ukrainën. Pra që diplomacia amerikane do të arrinte ta bënte Beogradin  për vete duke e larguar nga Moska!  Ëndrra në beze.

       Kohët dëshmuan se Serbia nuk ndahet nga Rusia, me të cilën e lidh e tashmja dhe e kaluara historike mbi 200 vjeçare, interesat e përbashkëta, kultura dhe traditat e afërta etj etj. Zgjedhjet e para pak ditëve pohuan po ashtu këtë drejtim strategjik edhe të popullit serb. Siç kishin vepruar dikur me Millosheviçin, serbët po ashtu po zgjedhin dhe rizgjedhin në pushtet një mbështetës të Putinit, dhe jo të opozitës properëndimore.

     Qëndresa dhe guximi i Albin Kurtit u shpërblye. Sepse veçse disa muaj më parë kryeministri i Kosovës gjendej në një moment tejet të vështirë. Ai sulmohej nga të gjitha anët. Madje edhe nga Tirana politike dhe mediatike. Disa gjoja analistë dhe pronarë mediash kishte raste që botonin nga tri shkrime  në ditë anti-Kurti në mediat e tyre. Të gjithë në kor lëngonin dhe kujisnin se Kurti po na prish me miqtë. Se ai duhet të nënshkruajë sa më shpejt asosacionin, se nuk duhet t’i cytë serbët në veriun e Kosovës etj etj. Komunist, enverist, taliban, islamist, diktator, antiperëndimor ishin cilësimet që këta shërbëtorë të të gjithë pushteteve përpiqeshin t’ia ngjisnin Kurtit në kurriz.

     Por tani Amerika duket se u kthye në origjinë. Dmth në mbrojtjen e kombit shqiptar, siç ka bërë gjatë gjithë historisë së saj. Ndryshimet e para u vunë re që gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar kur Uashingtoni pohoi se Prishtina kishte të drejtë të hartonte planin e saj të asosacionit për serbët që jetonin në Kosovë. Lajçaku me kompani u shtangën dhe heshtën. Dhe tani Uashingtoni po i shet raketat e veta antitanke shtetit të Kosovës.

      Ky kthim në origjinë u ndje edhe më fort në deklaratën e ndihmës-sekretarit amerikan për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, James O’Brien, i cili gjatë një brifingu me gazetarët në Uashington pohoi se SHBA-ja e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë përsëritjen e një sulmi të ngjashëm si ai në Banjskë më 24 shtator. “ Të dyja palët e kanë të qartë se kjo s’do të lejohet të ndodhë më”, pohoi O’Brien.

       “Jemi të kënaqur në bashkëpunimin e policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it. Deri tash ka qenë shumë i mirë. Po ashtu në komunikimin me Beogradin në funksion të sigurisë. Ne presim të vazhdojmë të ketë negociata transparente e të hapura muajt e ardhshëm” – theksoi zyrtari i lartë amerikan.

     Kosova ka blerë nga një anti-tank “Javelin” për çdo tank të Serbisë, pohoi  sot edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.Duke folur për mediat vendase, ai shpjegoi se një “Javelin” kushton rreth 178 mijë dollarë dhe 240 të tillë, aq sa besohet se ka tanke Serbia, llogariten tek 70-80 milionë dollarë.” Vendi ynë nuk e do një konflikt në Ballkanin perëndimor, theksoi ai, por kaosin që ka përfshirë siç tha rendin botëror, në raste të tilla duhet bërë përgatitje.

     Dhe si për ta bërë edhe më të hidhur kupën e Vitit të Ri për Serbinë edhe Bashkimi Europian po mendohet se si do t’i shpërndajë 6 miliardë eurot premtuar 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Belgjika si presidente e rradhës  e Bashkimit Europian bëri të ditur se ajo kërkon që përparimi në sundimin e ligjit dhe respektimi i politikës së jashtme të BE-së të jenë kushte për përdorimin e parave nga ky fond. Deklaratë që lë të kuptohet se përsa kohë që Beogradi ndjek politikën e Moskës dhe refuzon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën këto para ka shumë gjasa që të mos i livrohen Beogradit.

       Me një fjalë duket se Viti i Ri 2024 ka filluar për së mbari për Kosovën.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment