2024 Vit i vështirë për planetin. Dhe për Kosovën.

         Ja edhe festa e Vitit të Ri përfundoi. Bashkë me të edhe harbimi dhe tërbimi. Gjeli i detit, rakia dhe vera, bakllavaja dhe kadaifi, përshëndetjet, vallëzimet dhe ngritjet e gotave, fishekzjarrët dhe urimet për më shumë gëzim dhe fat… Pothuajse 48 orë harrim dhe dehje.  Dhe tani që “ziafeti” përfundoi, njerëzit zbritën me këmbë në tokë dhe iu rikthyen punëve të përditshme. Bashkë me to edhe halleve, përpjekjeve për një jetë më të mirë dhe dinjitoze, gjithmonë me shpresën për më mirë. Sepse shpresa vdes e fundit.

        Kjo ngaqë njerëzit shpesh herë nuk e kanë në dorë fatin e tyre. Ja psh në Japoni, në ditën e shenjtëruar të Vitit të Ri, një tërmet u merr jetën disa dhjetëra personave. Diku më tej një avion me 370 pasgjerë në bord merr flakë në udhëtim e sipër. E po kështu ka qënë jeta sot e mot. Me të mirat dhe të këqijat e saj, të papriturat dhe të pamenduarat.

      Tre vite më parë psh edhe ukrainasit përplasën gotat me shpresën për një vit më të mbarë dhe më të lumtur. Dhe ja papritur një 24 shkurt trupat ruse nisën pushtimin e vendit të tyre. Dhe ukrainasit e kaluan këtë natë të Vitit të Ri nën bombat dhe raketat e agresorit. Në Gaza dhe Tel Aviv e njëjta gjë. Sepse, siç thamë,  njerëzit shpesh herë nuk e kanë në dorë fatin e tyre. Për ta vendoset ngandonjëherë edhe në ndonjë zyrë në Shtëpinë e Bardhë, në Kremlin apo gjetkë.

        Pak nga pak shekulli i 21-të që filloi me aq shpresë dhe gëzim në mbyllje të mijëvjeçarit të dytë po i afrohet një të katërtës së tij. Por bota u rrënqeth që në fillimet e tij nga sulmet e 11 shtatorit 2001 ndaj kullave binjake në Nju Jork. Si rrjedhojë Afganistani, strehë e terroristëve, u pushtua. Fatin e tij e ndoqën pak vite më pas edhe Iraku, Libia, Siria etj etj.  Edhe aty njerëzit kishin ngritur gotat me shpresë për një jetë më të mirë.

        Megjithatë jeta vazhdon. Njerëzimi gjithmonë shpreson për një jetë më të lumtur. Shkenca dhe përparimi sidoqoftë nuk ndalen. Shpikja më e fundit e ka emrin Inteligjenca Artificiale. E cila mëton të arrijë dhe të tejkalojë atë njerëzoren në të gjitha fushat. Siç ngjau me « trurin artificial » të kompjutërve afro 50 vjet më parë që e tejkalonte disa herë atë të Njeriut në shpejtësinë e kalkulimeve matematike. Kasparov kundër Deep Blue !

        Por kësaj rradhe Inteligjenca Artificiale ka dashur të bëjë edhe Kasandrën dhe fallxhoren. Dhe e ka paraparë vitin 2024 si vitin e turbulencave, dmth si vitin e tronditjeve dhe rreziqeve. 360 e ca ditët në vijim do të jenë dëshmitare nëse Nostradamusi dixhital ka të drejtë apo jo.

       Sepse veçse pak orë pas mbarimit të vitit të shkuar dhe fillimit të të riut, ish sekretari amerikan i shtetit në ish qeverinë e Trumpit, Bolton, u shpreh se tashmë duhet sulmuar edhe Irani ! Irani i mollahëve fanatikë, Irani i hoxhallarëve që e kanë pushtuar atë vend. Që nuk i lënë njerëzit as të vishen si të duan, as të këndojnë dhe as të vallëzojnë… dhe as grave dhe vajzave të reja nuk u lejon ta heqin shaminë nga koka dhe të zbulojnë qoftë edhe flokët që natyra ua ka falur ! I keq sa të duash është regjimi i jatollahëve, por a përbën kjo bazë për ta sulmuar ?!  

       Sipas Bolton-it ai duhet sulmuar si mbështetës i Hamasit, Hezbollahëve dhe shitëve Huthi në Detin e Kuq. Me një fjalë si armik i vendosur i Izraelit. Është gjë e ditur dhe e provuar prej shekujsh se agresori ka gjetur gjithmonë një shkas për të sulmuar më të dobëtin, më të pambrojturin.  «  … më ke turbulluar ujin » ! Pa asnjë dyshim se Irani nuk mund të krahasohet me qëngjin. Përkundrazi. Regjimi në Teheran është një regjim tiranik, që në rradhë të parë shtyp dhe nëpërkëmb të drejtat elementare të popullit të tij. Por një luftë me Iranin veçse do ta rriste dhe nxinte edhe më shumë tabllonë e zymtë politike të këtyre muajve të fundit. Dy konflikte me përmasa që prekin sa Perëndimin, aq edhe Europën dhe Lindjen e Mesme janë boll mjaftueshëm për të kërcënuar paqen në botë. Prandaj nuk ka nevojë për një tjetër.

       Edhe në Ballkan situata nuk është rozë. Përkundrazi. Regjimi serb nuk po e fsheh se ai nuk e pranon gjendjen aktuale. As humbjen e Kosovës dhe as atë të republikës serbska në Bosnjë. Madje udhëheqësi i kësaj të fundit, Dodik, ka pranuar se është veçse çështje javësh apo muajsh para se kjo e ashtuquajtur republikë t’i bashkohet zyrtarisht Serbisë!

       A do të kemi atëhere një tjetër front lufte në Ballkan, i nxitur dhe i përkrahur edhe nga Rusia?!  Pas shkatërrimi të Jugosllavisë së dominuar nga serbët, pas luftës në Bosnjë dhe krijimit atje të një federate trietnike, pas bombardimeve mbi Serbinë dhe pavarësisë së Kosovës, akademia famëkeqe e Beogradit ka përpiluar një “naçarneje” të re të titulluar kësaj rradhe si “bota serbe”. Që do të thotë se të gjithë serbët ku ndodhen dhe ku s’ndodhen do të përfshihen në gjirin e shtetit serb.

        Në vijim të këtij plani Mali i Zi veçse po afrohet përditë e më shumë me Beogradin, megjithëse është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

       “Llokma” e tretë që lakmon Beogradi dhe padyshim më e rëndësishmja për të mbetet Kosova. Serbia e di mirë se ajo nuk e rivë dot Kosovën nën hyqmin e saj, siç ngjante në kohën e Rankoviçit dhe krajlëve serbë . Ajo është e ndërgjegjshme se forcat e NATO-s nuk janë vendosur më kot atje. Dhe një sulm i tashëm ndaj Kosovës veçse do ta shkatërronte Serbinë me gjithë planet dhe arsenalin e saj.

    Por si një bishë e stërvitur mirë ajo po pret që situata të ndryshojë në favor të saj. Në nëntorin e këtij viti në Amerikë mbahen zgjedhjet e rradhës. Duhet të ngjasë ndonjë mrekulli që Trumpi të mos rizgjidhet. Dhe dihet se politika e tij e jashtme është krejtësisht e kundërt me atë të presidentit të tashëm, Biden. Trump e sheh Rusinë si aleat dhe të gjitha forcat do t’i përqëndrojë kundër Kinës. Dhe ka shumë gjasa që Riçard Grennell të jetë ministri i ri i jashtëm në qeverinë e Trumpit.

       Dhe Grenell e ka “grurë” me Vuçiçin dhe nuk e sheh dot me sy Albin Kurtin. Madje e ka cilësuar këtë të fundit si antiamerikan! Çfarë do të ngjasë atëhere në rast se pas një incidenti të sajuar trupat serbe hyjnë në Kosovë dhe vëjnë nën zotërimin e tyre 4 komunat serbe në veri të Mitrovicës?! Po sikur të sulen edhe më në jug, si psh pranë Deçanit ku kanë edhe manastiret e tyre historike dhe nja 6 bashki të populluara me serbë?! A do të gjendemi kështu para faktit të kryer të ndarjes së Kosovës?!

     Se është fakt i ditur se serbët tash nuk e duan të gjithë Kosovën. Se ku do shkojnë atëhere 2 milionë kosovarët?! Jo. Ata duan një gjysëm Kosove  pa shqiptarë. A nuk veproi edhe Putini në të njëjtën mënyrë. Edhe ai duke gjetur pretekstin e keqtrajtimit të rusëve në Ukrainë sulmoi dhe pushtoi pjesën rusophone të saj?

     Cili do të jetë atëhere qëndrimi i dyshes Trump – Grenell?! A do ta pranojnë ata këtë zhvendosje të kufijve, siç kanë lënë të kuptohet psh se do të pranojnë pushtimin e tokave ukrainase nga Putini!

      Serbia sot veçse është në pritje të ndryshimit të politikës në Shtëpinë e Bardhë në një plan afatshkurtër dhe të raporteve të forcave Perëndim/Rusi/Kinë në afat të gjatë.  Pavarësisht se tingëllon keq është pothuajse e sigurt se në një ditë të tillë trupat serbe do të futen më së paku në veriun e Kosovës.

       Nga ana e saj Shqipëria gjendet po ashtu nën presionin e vazhdueshëm të shtetit grek. Sidomos pas dështimit të këtyre të fundit për të marrë nga brenda “kalanë “e bashkisë së Himarës. Por, fatmirësisht qeveria shqiptare, reagoi shpejt dhe fort. Përfaqësuesi i etnisë greke në këtë bashki u vu pas hekurave. Plani grek përkohësisht dështoi. Krijimi i një “Zajednice” serbe në veri të Kosovës dhe një “Zajednice” greke në jugperëndim të Shqipërisë deri më tani kanë dështuar. Falë vendosmërisë dhe guximit të Albin Kurtit dhe diplomacisë dhe bërjes për vete të diplomatëve europiane nga Edi Rama.

      Siç shihet re të zeza vazhdojnë të shtrihen në horizont. Nuk ka asnjë arsye që viti 2024 të jetë më i mirë se ai i sapopërfunduar. Ka shumë për tu shqetësuar sa në planin ndërkombëtar, aq edhe në atë kombëtar. Të shpresojmë se këto parandjella ugurzeza nuk do ngjasin. Dhe do të jetojmë një vit të qetë dhe pa tallaze. Kushedi ndofta del e vërtetë!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment