Ekzistenca e Krishtit – legjendë apo realitet?!

       Këto ditë afro 2 miliardë njerëz mbi Tokë kanë përkujtuar dhe njëkohësisht festuar lindjen e atij që disa e konsiderojnë si birin e Zotit, pra të profetit Jezu Krisht. Disa e kanë ndërmarrë këtë veprim thjesht për të respektuar traditat e të parëve të tyre, disa të tjerë se besojnë fort se jo vetëm që Krishti ka ekzistuar, por po edhe që ka ecur mbi ujë në det apo që ka ngjallur të vdekurit nga varri. Si psh Llazarin.

       Debati mbi ekzistencën apo jo të Krishtit dhe si rrjedhojë edhe të ekzistencës apo jo të Zotit, është tejet i vjetër. Por megjithatë ai mbetet edhe sot e kësaj dite një temë ende e zjarrtë, tejet kundërshtuese dhe po aq pasionante.

       Por e reja e këtij debati shumëshekullor ka të bëjë me bindjen në rritje të shumë shkencëtarëve, madje edhe fitues të çmimit Nobël, rreth ekzistencës së mundshme të vetë Zotit ! Deri më tani ishim të bindur se shkenca dhe feja nuk kanë asgjë të përbashkët ndërmjet tyre. Madje janë në kundërshtim të plotë me njëra tjetrën. Por siç shkruajta edhe më lart shumë shkencëtarë kanë filluar tani të tronditen në bindjen e tyre të palëkundur për mosekzistencën e Zotit.

      Dikur, në kohën e komunizmit, na kishin mësuar se me krijimin e proletariatit borgjezia po i hapte varrin vetes. Dmth që proletariati do ta përmbyste borgjezinë dhe do të merrte vetë pushtetin! Teori komunistësh.

      Por sot, duke bërë një paralelizëm, do të thonim që edhe shkenca po i hap varrin vetes, se me provat që po grumbullon, po e bën të dyshueshme mohimin e ekzistencës së Zotit!

    Le ta trajtojmë këtë çështje më konkretisht. Ky debat, siç thamë shumë shekullor, u rindez përsëri me forcë kur Roger Penrose, fitues i çmimit Nobël në fizikë, deklaroi para 3 vitesh (2020), pas disa kalkulimeve në fushën e thermodinamikës se “tanimë ne e dimë mirë se për të sajuar këtë univers Krijuesit i është dashur një saktësi prej 10 në fuqi të 123-të”!       

       Ndërsa Chandra Wickramasinghe, profesoreshë e matematikës së aplikuar në astronomi në University College of Cardiff, u shpreh rreth probalitetit të krijimit të jetës mbi Tokë se: “Mundësia që jeta e gjallë të mund të formohej nga materia inorganike i përkon një shifre me 40 mijë zero pas presjes dhjetore”! 40 000 zero!

       Fred Hoyl, i Massachusetts Institute of Technology, dikur ateist i bindur, ka pohuar së fundmi se “jeta nuk mund të ketë lindur rastësisht. Problemi, sipas tij,  qëndron te ekzistenca e 2 000 lloj enzimash, disa nga të cilat nevojiten për të krijuar qelizat, dhe që këto enzima të jenë krijuar rastësisht ekziston veçse 1 shans mbi 10 në fuqi të 40 000-të! Ndërsa biofizikanti Harold Morowitz, nga universiteti i Yale në SHBA,  ka llogaritur se mundësia që një qelizë sado primitive qoftë, të vetëkrijohet apo vetëorganizohet, ka 1 mundësi mbi 10 në fuqi të 304 000 000!

      Në mos gaboj 10 në fuqi të 10 do të thotë që 10 të shumëzohet 10 herë me veten e vet, atëhere 10 në fuqi të 304 000 000?!  Ndërkohë që shkencëtarët pohojnë se nuk mund të vëzhgojnë asnjë fenomen që tejkalon shifrën 10 në fuqi të 120-të!

          Kaq u desh që gjakrat të nxehen, ndërmjet përkrahësve të rastësisë së krijimit të Universit dhe jetës mbi Tokë, me ata që pohojnë se asgjë nuk është rastësi dhe se gjithçka është e paraprogramuar.

     Këta të fundit marrin si prova të pakundërshtueshme konstantet milimetrike që e bëjnë universin të “mbahet në këmbë”,  kompleksitetin e jashtëzakonshëm të qelizave dhe ADN-së etj etj. Për të cilat do të flasim më poshtë.

      Ka qënë Anshtajni i pari nga shkencëtarët e famshëm që ka pohuar se çdo orë ka orëbërësin e saj. Dhe po ashtu se “universi është plot me inteligjencë”! Ndërsa Christian Afinsen, fitues i çmimit Nobël në kimi në vitin 1972, është shprehur se « vetëm një idiot mund të jetë sot ateist » ! Thënie që është kundërshtuar me forcë nga të tjerë shkencëtarë dhe fitues po ashtu të çmimeve Nobel.

      Tregojnë se një ditë Njutoni i famshëm kishte mik në shtëpi dikë që dyshonte në ekzistencën e një qënieje supreme dhe mendonte se universi ishte krijuar nga rastësia. Njutoni, për të mos ia prishur qefin, i tha se ai kishte plotësisht të drejtë. Më pas mikut i ngelën sytë te një orë muri që dallohej për bukurinë dhe finesën e punimit. Dhe ai e pyeti Njutonin se ku e kishte blerë këtë kryevepër të industrisë mekanike të kohës.

      Atëhere shkencëtari i njohur britanik iu përgjigje me shpoti se ishte ai që i kishte blerë pjesët e orës së murit një nga një në dyqane të ndryshme, dhe pasi i kishte futur në një thes që e kishte tundur mirë e mirë kishte nxjerrë prej andej orën e gatshme. Miku buzëqeshi dhe i kërkoi të mos tallet me të. Për të ndërtuar një orë si kjo duhet një orëbërës tejet i zoti- pohoi ai. Ti nuk mund ta kesh bërë kurrë! Aq më shumë me pjesë të ndryshme të blera veç e veç në dyqane të veçanta! Por çfarë të të them unë, iu përgjigj shkencëtari i njohur. Ti nuk më beson se orën e nxorra unë të gatshme nga thesi dhe nga ana tjetër beson se universi është krijuar rastësisht! Kur universi është një mijë herë më i komplikuar se ora e murit. Atëhere si është mundur që nuk paska një ndërtues të universit ?!

      Dhe në fakt, sipas vetë shkencëtarëve, ekziston vetëm 1 shans mbi 1/10  000 000 000 000 000 000 000 000 000 000 000 000 … dhe vijon me disa dhjetra zero nga pas mundësia që universi te jetë krijuar rastësisht. Në mënyrë algjebrike kjo mundësi shkruhet si 10 në fuqi të 229!  Në një kohë kur është llogaritur se grimcat e rërës në shkretëtirën e Saharasë përbëjnë vetëm një shifër të 10 në fuqi të 23-të!

       Sipas përkrahësve të teorisë deterministe, kimia përbën bazën e krijimit të molekulave biologjike. Që kimia të ekzistojë duhet, ndër të tjera, që raporti ndërmjet forcës elektromanjetike dhe forcës së rëndesës, (gravitacionit) duhet të jetë i rregulluar në 1/10 në fuqi të 40.  Jo vetëm që jeta nuk do të ekzistonte në Tokë nëse ky raport do të ishte në fuqi të 39 apo 41-të, por  edhe ndryshimi i njërës prej shifrave pas presjes dhjetore të fuqisë së 40-të do të bënte që universi të mos ekzistonte fare.

      Por le të largohemi nga këto shifra marramëndëse dhe të spjegojmë mundësinë e krijimit të jetës, ekzistencën apo jo të Zotit dhe Krishtit dhe si rrjedhojë edhe të jetës së “përtejme” parë në prizmin e biologjisë molekulare dhe neurologjisë.

    Është gjithmonë shkenca që po çuditet nga dukuria e quajtur NDE (Near Death Experience) ose e shqipëruar si eksperienca të rikthimit në jetë. Me shtimin dhe pajisjen e çdo spitali me debrifilatorë, aparate që rivënë zemrën në punë pas një ataku, mjekët an e mbanë botës po bëhen pa dashur dëshmitarë të kthimit nga bota e “ përtejme” e shumë pacientëve të tyre. Njerëz që kanë kaluar në koma pas një aksidenti kardiovaskular apo qoftë dhe një aksidenti automobilistik, po dëshmojnë çdo ditë e më shumë se ata kanë qënë në “botën tjetër”,  se kanë takuar aty njerëz të njohur apo edhe prindërit të vdekur para shumë kohësh dhe kanë komunikuar me ta.     

       Të gjithë flasin për një paqe dhe lumturi të papërshkruar gjatë periudhës kur kanë qënë në koma, për “shkëputje” nga trupi dhe ndjekje të veprimeve të kirurgëve mbi trupin e tyre në  shtratin e spitalit, për një dritë të fortë dhe të qetë në një tunel etj etj. E vërteta është se për këto fenomene ka shkruajtur edhe Platoni para 2 000 vjetësh por po ashtu tregime të tilla gjënden edhe në “Librin tibetian të të vdekurve” shkruar para mijëra vjetësh. Sot, gjithmonë sipas mjekëve, 1 në çdo 10 pacientë që kanë rënë në koma, janë dëshmitarë të vegimeve të tilla!

     Dikur këto dëshmi konsideroheshin si haluçinacione të një truri që po jepte shpirt, por shkenca së fundmi e ka hedhur poshtë këtë mundësi. Sipas neurologëve të njohur, truri punon tepër aktivisht sidomos kur trupi është në koma!  Kur normalisht duhet të ngjante e kundërta.

      Prova të tilla janë të panumërta dhe do të kërkonin shumë kohë dhe vend të shtjelloheshin. Ato veçse përpiqen të dëshmojnë me ose pa të drejtë se universi dhe jeta nuk qënkan rastësi, po ashtu siç pohojnë se jeta nuk mbaroka me vdekjen fizike të trupit. Se ndofta diçka ngelet në formën e energjisë apo kushedi sesi tjetër.

      Të gjitha këto prova apo hamëndje veçse dëshmojnë se pavarësisht përparimeve të shumta të shkencës, misteri i jetës apo i pasjetës, si dhe ai i shkakut të ekzistencës rastësore apo të programuar të universit, mbeten enigma të pashpjegueshme për Njerëzimin sot dhe në të ardhmen.  Njëlloj si ekzistenca apo edhe prejardhja hyjnore apo tokësore e Jezu Krishtit.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment