Shansi i fundit për Shqipërinë për tu integruar në Bashkimin Europian

   Sot në Bruksel, në mbledhjen e rradhës të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Këshillit të Ministrave të BE-së, do shqyrtohen masat e mëtejshme që BE-ja mund të ndërmarrë për integrimin edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në gjirin e Europës së Bashkuar. Bëhet fjalë për Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë.

    Në veçanti Shqipëria, po mban frymën pezull, duke pritur vendimin që do të merret për të sot nga kryeministrat apo presidentët e 27 vendeve anëtare. Sepse në rast të një vendimi pozitiv Shqipëria mund të fillojë nisjen e negociatave me hapjen e kapitujve përkatës të anëtarësimit.

    Por “bathët” nuk duken të mbara. Sepse Greqia, po kthehet edhe kësaj rradhe në penguesen kryesore që vendi ynë të nisë procesin e realizimit të 30 kapitujve që nevojiten, para anëtarësimit të saj konkret në Bashkimin Europian. Megjithë qëndrimet pro hapjes së këtyre kapitujve nga Gjermania e kancelarit Sholc, duket që Athina nuk do të heqë dorë nga qëndrimi i saj refuzues për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me BE-në.

   Shkaku duhet kërkuar, sipas Athinës, në arrestimin dhe paraburgosjen e kandidatit filogrek Bejleris të bashkisë së Himarës. Përfaqësuesi i pakicës greke atje, u kap duke dhënë para në këmbim të votës pro tij. Athina u tërbua nga ky veprim i institucioneve të shtetit shqiptar.

   Një reagim i tillë kuptohet lehtë kur kujton se ka mbi 200 vjet që Greqia përpiqet ta helenizojë këtë pjesë të truallit shqiptar. Dhe ja në zgjedhjet e kaluara kandidati i mbështetur prej saj fitoi me 25 vota më shumë ndaj kandidatit të Partisë Socialiste. Është për të vënë duart në kokë kur kujton se kandidati i pakicës filohelene fitoi sepse pati edhe mbështetjen e partive të udhëhequra nga Berisha dhe Ilir Meta. Që për më shumë e kanë cilësuar arrestimin e Bejlerit si politik. Duke i mbështetur kështu akuzat e pabaza të qeverisë greke. Dihet se ka kohë tashmë që Berisha kërkon mbështetjen e Athinës për tu rikthyer në pushtet.

     Çfarë do të ngjasë këtë të enjte në Bruksel lidhur me këtë çështje është e vështirë të parashikohet. A do të mundë Berlini të lërë mënjanë ankesat e Greqisë dhe t’I hapë rrugë fillimit të procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian ?! Aq më shumë që pro këtij bashkimi janë shprehur këto ditë jo vetëm Gjermania, por po ashtu edhe Polonia, Portugalia dhe Austria. Orët që do vijnë do jenë dramatike. A do të jetë i aftë drejtuesi i “orkestrës”, Edi Rama, që të eleminojë përpjekjet e Greqisë për t’i vënë gurë në rrota vendit të tij? Apo kryeneçësia dhe arroganca e Athinës do të fitojë?!

      Por siç dihet vendimet në këshillin e BE-së merren me unanimitet. Që do të thotë që të gjitha vendet duhet të jenë të një mëndjeje. Kundërshtimi, qoftë edhe nga një vend, pengon gjithë të tjerët.

     Por sidoqoftë e keqja më e madhe nuk I vjen vendit tone nga vetoja greke. Sepse ajo mund të anashkalohet apo të mospërfillet. Por problem  qëndron në mbajtjen e zgjedhjeve  europiane më 6 qershorin e ardhshëm. Me shumë gjasa atëhere do të kemi një parlament europian ku fronti i partive nacionaliste dhe antimyslimane do të forcohet dukshëm.  Në Francë psh partia nacionaliste e Marinë Le Penit, që mund të fitojë shumë vende në parlamentin e ardhshëm europian, është shprehur hapur kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ajo po ashtu është kundërshtare e vendosur e Kosovës dhe mbrojtëse e synimeve aneksioniste të Serbisë.

       Dhe parti të tilla po forcohen kudo në gjirin e vendeve të BE-së. Kështu psh në rast se sot kemi Greqinë kundër, nesër mund të kemi 5 “Greqi” kundër. Prandaj ishte me rëndësi që Shqipëria të fillonte sot hapjen e kapitujve të anëtarësimit në BE. Të presim dhe të shohim se çfarë do vendosë këto orë Europa e Bashkuar.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment