Kur opozita ka të drejtë.

    Edhe sot shqiptarët ishin dëshmitarë të shfaqjes së shpifur të rradhës në parlamentin shqiptar. Karrige të kthyera përmbys, shashka tymi të hedhura gjithandej, rrëmujë dhe kaos në të ashtuquajturin tempull të demokracisë.  Aty ku punojnë ata që e mbajnë veten gjasme dhe pa të drejtë si « baballarë të kombit » ! Aq i ulët është niveli i tyre intelektual dhe qytetar.Që thënë shkurt po i ngjan çdo ditë e më shumë një stalle lopësh.

    Dhe shumica, siç po ngjan rëndom,  këto javët e fundit e mbylli sesionin shpejt e shpejt, duke e votuar buxhetin e vitit të ardhshëm për vetëm 7 minuta !

    Siç thamë, nuk është hera e parë që në kuvendin e Shqipërisë ngjasin karagjozlliqe të tilla. Opozita është betuar se nuk do të lejojë asnjë zhvillim normal të seancave të tij, derisa të rivendoset demokracia ?! Madje ka paralajmëruar se do të zhvillojë edhe manifestime të papara deri më sot !

     E vërteta është se opozitës i kanë rënë dhëmbët dhe është zgërlaqur e copëtuar si s’ka më zi. Prandaj ajo jo vetëm që nuk e tremb dot pushtetin e shumicës, por e bën që të vëjë edhe buzën në gaz. Rama, nga ana e tij, do t’i mundësojë asaj çdo lloj çmëndurie, madje edhe të djegë përsëri portën e kryeministrisë, siç ka vepruar edhe më parë !

    Shashkat, zjarret, karriget e thyera apo të përmbysura duket se atë e ngazëllejnë në kulm. Imazhi i opozitës nxihet dhe sterroset edhe më shumë. Kur që tani ai është blozë.

     Po si arriti puna deri këtu ?! Pse ankohet opozita sot, kur ajo vetë deri dje nuk e kishte për gjë që të urdhëronte gardistët, që « t’i nxirrnin prej zhelesh nga kuvendi përfaqësuesit e opozitës » ?!

     Shkaku apo sebepi për këtë zallamahi gjendet te refuzimi i vazhdueshëm i pushtetit për të ngritur disa komisione, që, sipas opozitës, do të hetojnë dhe zhbirojnë « aferat » e shumicës në tenderat për djegësit e mbeturinave, për dhënien me koncesion të portit të Durrësit, për një farë McGonal etj etj.

     Po a ka të drejtë opozita  të kërkojë ngritjen e këtyre komisioneve dhe si i përgjigjet shumica këtyre kërkesave ? Është e vështirë t’i japësh një përgjigje të saktë dhe shterruese këtyre pyetjeve. Edhe duke qëmtuar shtypin e përditshëm nuk gjen dot përgjigje për këto çështje. Shumica e shkrimeve dhe analizave përqëndrohet te pasojat dhe jo te shkaqet.

     Sipas përkatësisë ideologjike, sipas interesit apo dhe sipas militantizmit partiak secili shan dhe mallkon kundërshtarin e tij ideologjik ose kundërshtarin e padronit që e paguan. Pothuajse askush nuk  kërkon rrënjët e problemit, askush nuk nxiton të mësojë apo të spjegojë se çfarë thotë kushtetuta apo rregullorja e brendshme e parlamentit lidhur me kërkesat e opozitës. Dhe pastaj të marrë penën dhe të shkruajë.

     E pra, nga hulumtimet e deritashme del që opozita ka të drejtë të kërkojë ngritjen e komisioneve për çështjet që ajo i konsideron me rëndësi për vendin apo për ndriçimin e opinionit publik. Sepse, sipas ligjit dhe rregullores, për të ngritur çfarëdo komisioni nevojitet firma e 35 deputetëve. Dhe kaq. Asgjë më shumë dhe më pak.

     Me ligj është shkruar dhe pranuar vetëm nevoja e ngritjes së çdo komisioni nëse janë bërë bashkë 35 deputetë, kushdo qofshin ata, të pozitës apo opozitës, të pavarur, apo me përbërje mikse, dmth sa nga shumica aq edhe nga pakica. Dhe nuk ka asnjë shtesë tjetër, kusht apo bishtra.

    Qeveria po përpiqet t’i shmanget këtij detyrimi duke pretenduar se kërkesat e opozitës janë antikushtetuese, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që është shprehur se nuk mund të ngrihet një komision parlamentar ndërkohë që gjyqësori merret me këtë çështje ! Gënjeshtër me brirë dhe papërgjegjësi.

   Nuk ka asgjë të keqe që krahas punës së gjykatës, edhe komisionet e opozitës, të ndërmarrin  hetimet e tyre në mënyrë të pavarur. Kjo përgjigje e Gjykatës Kushtetuese i vjen shumë për mbarë pushtetit. Sepse sapo qeverisë i plas një skandal, ajo lëshon Gjykatën Kushtetuese për të hetuar ndofta me muaj apo me vite ! Boll që t’ia heqë këtë të drejtë opozitës.

     Dhe kur ke parasysh se janë jo pak ministrat apo zëvendëskryeministrat e Ramës që janë kapur me presh në duar për fallsifikime apo përvetësime të pasurisë kombëtare, ngritja e këtyre komisioneve mund të konsiderohet si domosdoshmëri apo nevojë e dorës së parë për forcimin e shtetit ligjor në vend.

     Mbi të gjitha në rregulloren e Kuvendit nuk ligjërohet gjëkundi që për të ngritur këto komisione i duhet marrë dora maxhiorancës, kushdo qoftë ajo ! Prandaj edhe të gjitha pretendimet e pozitës, se këto komisione veçse krijojnë tym e mjegull dhe se ato nuk zgjidhin asgjë, – janë pallavra.

     Pozita është e detyruar me ligj të pranojë ngritjen e këtyre komisioneve dhe të ndihmojë në punën e tyre. Prandaj të gjitha pretekstet e sotme të shumicës bien në kundërshtim me ligjin.

     Dhe siç shihet, të ndërgjegjshëm se nuk kanë të drejtë në kokëfortësinë e tyre në kundërshtimin e ngritjes së këtyre komisioneve, Edi Rama njoftoi se do të ndryshohen disa nene në ligjin për ngritjen e komisioneve parlamentare. Dakort.

      Sepse pozita, që ka shumicën e kartonave në Kuvend, mund të aprovojë apo ndryshojë çdo lloj ligji. I vetmi organ që mund ta kundërshtojë një veprim të tillë mbetet deri më tani, teorikisht, Gjykata Kushtetuese.

     Si rrjedhojë mund të themi se veprimet e opozitës janë të shëmtuara, por a ka ajo rrugë dhe mënyra të tjera për të marrë atë që i takon me ligj ?!  

       Atëhere pse ka frikë Edi Rama ? Pse trembet shumica?! A do të thotë kjo se edhe pozita është e përlyer në allishverishe, korrupsion apo mit –marrje? Se ndryshe nuk mund të spjegohet ky kundërshtim, që po shkatërron demokracinë në Kuvendin e Shqipërisë. Mirë apo keq, me dashje apo me detyrim, nisur nga qëllime të mira apo të këqija, opozita ka të drejtë të kërkojë ngritjen e çdo komisioni që ajo e gjykon të nevojshëm. Demokracia vetëm se forcohet dhe bëhet kështu edhe më transparente për votuesit.

     Që kanë të drejtë të dinë se çfarë bëhet me paratë që dalin nga taksat e tyre, për brendinë e marrëveshjeve që qeveria nënshkruan me koncesionerët vendas apo të huaj, për mënyrën e organizimit dhe mbarëvajtjen e tenderave të pasurive publike etj etj. Kjo është demokracia. Jo vetëm llafet e bukura nëpër simpoziume apo konferenca ndërkombëtare.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment