Kështu thuhet se pyesnin të vjetërit në Kosovë dikë të cilit nuk ia merrnin vesh mirë dialektin. Kjo pyetje nga ana tjetër shprehte qartë edhe një mentalitet të rrënjosur te një pjesë e vjetër dhe e paarsimuar e popullsisë shqiptare të Kosovës në kapërcyellin e Luftës së Parë Botërore. Pra që të ishe shqiptar duhej të ishe mysliman!
Ishin kohë të shkuara, kur feja ishte e ngulitur ende fort në shpirtin e shqiptarëve, saqë të bënin edhe diferencime ndërmjet veti, vetëm duke u bazuar në përkatësinë fetare!
Por sot kohët kanë ndryshuar katërcipërisht. Shqiptarët e Kosovës, sidomos ata 60 vjeç e lart nuk duan t’ia dinë aq shumë për fe. Sidomos brezi më i ri, i shkolluar dhe me prirje tejet perëndimore. Megjithatë tek tuk na del edhe ndonjë dru i shtrembër që do të na kthejë medoemos më shumë se një shekull prapa.
Një përpjekje e tillë u vu re veçanërisht gjatë një emisioni televiziv në Kosovë, i titulluar: “Kojshia show”. Përveç drejtuesit të emisionit, në të ishin të ftuar edhe tre persona, që nga sa shprehën dhe treguan aty, mund të cilësohen pa frikë si “Islamisti”, “I moderuari” dhe “I flakti”.
Tema kishte të bënte me identitetin e shqiptarëve dhe rolin e fesë në të. Ky emision ishte organizuar me rastin e festës së Flamurit, pikërisht më 28 Nëntor. Pas fazës së parë të bisedës, diskutimi u “nxeh” dhe për pak sa nuk përfundoi në përleshje fizike. Se sharjet nuk munguan fare.
Vetë organizimi i emisioneve të tilla dëshmon se te shqiptarët ende nuk ka përfunduar dikotomia komb – fe. Që do të thotë nëse je më parë shqiptar dhe pastaj sunit, bektashi, katolik apo ortodoks. Apo e kundërta: e ndjen veten së pari besimtar dhe pastaj shqiptar.
Fakti që, edhe sot, në vitin e 23 të shekullit të 21-të, ngrihet përsëri kjo çështje, kjo dëshmon se nën hi prushi qëndron i ndezur. Ka edhe prova që e mbështesin këtë hamëndje. Pak vite më parë psh, disa shqiptarë nga të dyja anët e Drinit, morën rrugët drejt Sirisë dhe Irakut në mbështetje të Xhihadit! Se ç’punë kishin ata të luftonin për krah organizatave terroriste dhe islamiste kundër Perëndimit të udhëhequr nga Amerika, këtë vetëm një Zot e di.
Në të vërtetë përplasja më e fundit në emisionin “Kojshia show” provon se ka ende punë për të bërë për që shqiptarët ta konsiderojnë fenë si një çështje personale dhe kombin si një çështje ekzistenciale. (Që do të thotë se ka të bëjë me të ardhmen tonë si komb). Se siç thuhej dikur “uji fle, hasmi s’fle”. Sepse pa asnjë frikë ata që duan ta njehsojnë fenë me shqiptarët, apo që pohojnë se në kohën e lavdishme të Arbërit, shqiptarët, pra Lek Zaharia, Lek Dukagjini, Gjergj Arianitasi, Vrana Konti, Moisi Golemi etj etj ishin sllavë dhe vetëm pas pushtimit turk u bënë vërtet shqiptarë, kjo të luan trurin.
Dihet se në demokraci edhe budallai ka të drejtën të thotë fjalën e tij. Dhe nuk i prishet puna njeriu nga fjalët e budallait. Por kur ke të bësh me ideologë që nën rrogoz punojnë kundër interesave të kombit, duhet t’i hapësh mirë sytë.
Prandaj ky emision mund të kritikohet me të drejtë se ndërsa nga njëra anë nxorri në qendër të tij një propagandist të njohur dhe të provuar islamist, dhe nga ana tjetër dikë “të moderuar”, u desh më në fund që ftohej edhe një mbrojtës i flaktë i identitetit tonë kombëtar.
Por problemi qëndron se nëse i pari manipulonte me fakte dhe shifra, ai nuk kishte përballë asnjë historian të njohur në fushën e mesjetës, të tipit Pëllumb Xhufi, Paskal Milo, apo ndonjë nga historianët e njohur nga Kosova që të demaskonin me prova të shkruara gënjeshtrat e tij.
Jo më larg se 10 ditë më parë dikush tjetër rrekej tu mbushte mëndjen telespektatorëve se ekziston edhe një komb kosovar, përveç atij shqiptar dhe prandaj nuk është fare i nevojshëm bashkimi kombëtar! Tani del dikush nga Shqipëria që thotë se Skënderbeu nuk ishte shqiptar, por greko-serb!
E vërteta është se drejtuesi i emisionit, sikur ta kishte parandjerë përplasjen në studio, u shpreh që në fillim të emisionit se ai nuk kishte gjetur dot specialistë të fushës së historisë mesjetare, pasi shumica prej tyre, kur kishin mësuar se do të kishin si bashkëbisedues një përfaqësues të islamizmit shqiptar, kishin refuzuar me neveri dhe përbuzje pjesëmarrjen në panel!
Si duhet të veprohet atëhere në raste të tilla ?! Sidomos kur ke të bësh me çështje të mprehta si ajo e qënies shqiptar. A duhen ftuar tipa si ky nëpër panele të tillë ?! Apo duhen zënë sytë dhe veshët kur i sipërpërmenduri pohon pa turp dhe pa fakte se Edi Rama apo Mihal Grameno, hartuesi i këngës “Për Mëmëdhenë”, janë vllehë dhe se shqiptarët e vërtetë janë me prejardhje turko – iraniane! Që, për më shumë, edhe kur hyn në studio nuk përshëndet shqip, por arabisht “Selam Arlekum” ! Që mbron pushtuesit turq dhe denigron Nënë Terezën dhe Esat Pashën e konsideron hero!
Diçka kuptohet lehtë. Armiqtë e kombit shqiptar punojnë. Njëra nga fushat e tyre të preferuara është përçarja ndërshqiptare. Sa më shumë do ia arrijnë ata të përforcojnë përkatësinë tonë fetare, aq më shumë do të dobësohet përkatësia jonë kombëtare. Që të kthehet Shqiptaria në Liban apo Bosnjë është një projekt i tyre afatgjatë.
Ndryshe fqinjët apo « kojshitë » nuk shqetësohen fare nga ngritja e sa më shumë xhamive në trojet e banuara nga shqiptarët. Kuptimplotë në këtë drejtim është shembulli i para disa viteve nga Shkupi. Kur për herë të parë shqiptarët e Maqedonisë, me fondet e tyre, ngritën universitetin në Tetovë, e paguan me gjak këtë veprim. Ndërsa po të ishte fjala për të ngritur xhamia, vetë qeveria e Shkupit do të ishte investuar me të holla.
Dihet se shqiptarët janë një komb shumëfetar, por kjo i ka bërë njëkohësisht shumë tolerantë në çështjet e besimit. Fatmirësisht diçka e tillë është ngulur fort në ADN-në tonë kombëtare. Dhe asnjë gajdexhi nuk mund ta ndryshojë. E kemi të trashëguar nga rilindasit tanë të shquar, që u bashkuan si një trup i vetëm kundër turqërve, grekërve dhe serbëve. E kemi amanet nga Pashko Vasa, por edhe nga luftërat popullore për bashkim kombëtar pa dallim feje, krahine apo ideje.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment