Ku gabon dhe ku ka të drejtë Kisha Katolike mbi enverizmin dhe komunizmin

     Ndërmjet debateve të shumta, që nuk mungojnë asnjëherë në Shqipëri, këto ditë u rihap edhe një herë tjetër diskutimi i pafund rreth epokës komuniste.

    Është kisha katolike që kërkoi kësaj rradhe ndalimin një herë e mirë të simboleve komuniste. Ajo u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve qeveritare, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, për hartimin dhe miratimin e një ligji që do ta ndalonte përfundimisht përdorimin e tyre.

     Sipas këtij propozimi, parashikohet edhe dënim për atë që përshkruhet si “krim i apologjisë”. Pra, që të ndalohet me ligj  “glorifikimi” i diktatorit Enver Hoxha dhe komunizmi.

      Në propozimin e saj Kisha Katolike kërkon gjithashtu që burgjet e komunizmit të kthehen në muze, të rishkruhen tekstet shkollore të historisë dhe të kufizohen filmat shqiptarë të prodhuar gjatë regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.

       Ky qëndrim i këtij institucioni të lartë fetar mund të mirëkuptohet, kur kujton krimet që diktatura ushtroi në vend përgjatë 45 viteve me rradhë. Dhe kleri katolik ka qënë ndër më të persekutuarit gjatë kësaj epoke. Numri i prelatëve të pushkatura nga regjimi i Enver Hoxhës u afrohet atyre të 100 vetëve. Disa u dënuan si bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit, disa si spiunë të Vatikanit dhe Perëndimit, disa të tjerë thjesht se nuk e honepsnin dot as sistemin komunist dhe as diktaturën gjakatare të tiranit nga Gjirokastra.

       Enveri pa asnjë lloj ngurrimi mund të cilësohet si një Hitler apo Stalin i vogël. Dhe ndryshe nga sa ngjan sot në Rusi për Stalinin, në Gjermani psh dënohesh me burg nëse hyjnizon Hitlerin dhe periudhën e tij.

       Dhe ndërsa kisha është e prerë në dënimin pa mëdyshje ndaj diktatorit dhe epokës komuniste, jo të gjithë janë dakort me qëndrimin dhe kërkesat e saj. Shumica e studiuesve, historianëve dhe analistëve i dënojnë me forcë dhe vendosmëri krimet e komunizmit, por njëkohësisht nuk mungojnë të vënë në dukje se gjatë asaj periudhe shtypëse dhe mizore ngjanë ndryshime epokale dhe të papërsëritshme. Dhe këta të fundit kanë argumentet e tyre, siç janë trefishimi i popullsisë së vendit, ngritja e hidrocentraleve dhe elektrifikimi i plotë i vendit, që gjatë vitit 1967, arsimimin e popullit, ngritjen e shkollave të larta, hekurudhave, kombinateve, uzinave dhe fabrikave anë e mbanë vendit etj etj. Dhe nuk janë të paktë ata që i mbështesin këto ndryshime, sipas tyre, epokale.

       Gjithmonë po sipas tyre, diktatura enveriane duhet demaskuar pa mëshirë për krimet e shumta dhe shkeljen barbare të të drejtave të Njeriut, por simbolet komuniste nuk ka pse të hiqen. Drapëri dhe çekani, ylli i kuq etj janë simbole të komunizmit në mbarë botën. Dhe ideja komuniste nuk do të vdesë kurrë, pohojnë ata, deri sa të ketë padrejtësi, shtypje dhe shfrytëzim.

      Ndryshe ata janë pothuajse të gjithë në një mendje kur pohojnë se duhen ndaluar të gjitha veprat, këngët, pikturat që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me diktatorin, por nuk ka kuptim që të ndalohen edhe të gjithë filmat, këngët dhe veprat e artit që u krijuan gjatë periudhës 1945 -1990.

       « Nuk mundemi dhe nuk duhet ta fshijmë nga historia jonë atë epokë, që pati edhe shumë anë pozitive. Jo çdo gjë ishte krim dhe burg. Njerëzit edhe në atë kohë dashuroheshin, martoheshin, lindnin dhe rritnin fëmijë. Shkonin në stadium, ndiqnin koncerte, shihnin filma etj etj. Pra jeta vazhdonte edhe në ato kushte. Dhe duhet të kemi parasysh epokën nga erdhëm. Nga një prapambetje legjendare, që e bënin vendin të dukej si 300 vjet pas Perëndimit »  – shprehen përkrahësit e « teoremës » bardhë e zi !

       Atëhere a ka apo nuk ka të drejtë Kisha Katolike?! A duhet të përzjejmë dhe ngatërrojmë një ideal si komunizmi me një praktikë si enverizmi?! Ndryshe enverizmi dhe komunizmi janë një apo dy gjëra të ndryshme?!

        Kur intelektuali i shquar Ylli Popa botoi te « Zëri i Popullit » kushtrimin e tij historik : « Të fitojmë kohën e humbur”, ai duket se pati parasysh pikërisht këtë ndarje, kur në prani të disa gazetarëve, mbështetës të tij, shtroi në korridorin e “Zërit të Popullit” pyetjen: “Ku ka thënë ndonjëherë Marksi se duhet të ketë vetëm një parti”?!

       Me këtë pyetje ai goditi thembrën e Akilit të sistemit. Sepse kjo pyetje fare mirë mund të kuptohej edhe si: Kush ka thënë që një sekretar i parë partie duhet të rrijë në fron deri sa të japë shpirt?!

       Dashur pa dashur iu rikthyem kështu çështjes kryesore: komunizmi dhe enverizmi janë një apo dy?! A duhet dënuar edhe ideja komuniste së bashku me praktikën e çmëndur enveriste, siç kërkon Kisha Katolike ?!

       Siç e thotë edhe vetë fjala, komunizëm do të thotë “e përbashkët”. Ndërsa kapitalizëm për analogji do ta quajmë të përveçëm, personal, vetjak. Bëhet fjalë për pronësinë mbi mjetet e prodhimit, për shpërndarjen e të ardhurave etj etj.

      Në komunizëm toka është pronë publike. Po ashtu pasuritë tokësore dhe nëntokësore si psh burimet ujore, mineralet, nafta, pyjet etj etj. Me një fjalë pothuajse gjithçka që nuk është prodhuar nga dora e njeriut. Në kapitalizëm pothuajse gjithçka është private. Kështu psh para disa vitesh një miliarder i njohur bleu dhe i bëri pronë personale të tijën 8 milionë hektarë pyll në Amazonë ! Në vendet afrikane dhe të tjera, burimet natyrore janë përgjithësisht pronë private e vendasve apo e shumëkombësheve të huaja!

       Dhe megjithatë kapitalizmi e fitoi luftën me komunizmin. Madje kapitalizmi u bë i dashur dhe i ëndërruar edhe për shumicën e qytetarëve të ish – Lindjes komuniste, përfshirë edhe banorët e Shqipërisë. Vendet perëndimore shiheshin nga shqiptarët, siç shohin fetarët parajsën. Liria dhe begatia që gjallonte në atë sistem i bënte njerëzit të lëpinin buzët nga lakmia. Dhe rezultati u pa më që më 1989. Me egzekutimin e Çausheskut, me rrëzimin e Murit të Berlinit dhe me « arratisjen » e shqiptarëve majë direkut drejt Italisë etj etj.

      Gjithë kjo ngjau se komunizmi u shmang nga esenca e tij. Ai, nga një sistem i demokracisë, i lirisë dhe i barazisë i parashikuar nga Marksi, u kthye në një sistem shtypës dhe brutal, ku sundonte një parti e vetme dhe në krye të saj një « Zeus » i përjetshëm. Që dinte gjithçka, që kuptonte çdo gjë. Një lloj mësuesi dhe arkitekti, të cilit nuk i bëhej fjala dysh. Dhe që në fund fare priste dhe kosiste kokat e të gjithë bashkëluftëtarëve të tij. Me këtë rast u hartuan edhe nene të posaçme, si psh ai 55, ku për një fjalë goje përfundonje për 7 vjet te « 7 penxheret » !

     Komunizmi lindi gjatë shekullit të 19-të si reagim i shfrytëzimit të egër kapitalist të asaj kohe. Mjafton të lexosh librin apo të shikosh filmin « Zherminal » për të kuptuar mizorinë e sistemit kapitalist atëhere, që shfrytëzonte pa mëshirë fare edhe gratë dhe fëmijët 8 vjeç e lart nëpër miniera apo fabrika.

     Aq ndjellëse u bënë idetë e Marksit që atëhere saqë filozofi, ekonomisti dhe këshilltari ekonomik i shumë presidentëve francezë, Zhak Attali, e ka cilësuar atë si « Profeti i fundit » dhe i ka kushtuar një libër të tërë me lavdërime apo edhe kritika.

     Ndofta pikërisht edhe për këto arsye Kisha Katolike duhet ta korrigjojë kërkesën e saj, duke bërë një ndarje të plotë dhe të qartë ndërmjet komunizmit dhe enverizmit.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment