Kosovë-centristët si aleatët më të mirë të Serbisë

      Sikur ta kishin bërë me fjalë, dje më 28 Nëntor, në ditën e Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë, në pothuajse të gjitha kanalet politike të televizioneve të Kosovës, shtrohej e njëjta pyetje : Mundësia dhe dëshira për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

      E vërteta është se kjo çështje nuk shtrohet për herë të parë. Kjo është një temë e vjetër në panelet politike sa në Prishtinë, aq edhe në Tiranë. Madje mund të thuhet pa frikë se ideja e Shqipërisë natyrale ka qënë guri i themelit edhe në veprën e rilindasve tanë të shquar. Aq e fortë dhe prekëse ishte kjo ide, saqë një pjesë e rëndësishme e inteligjencës shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore u rradhit me pushtuesin nazist vetëm e vetëm se ai premtonte bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm ! A ishin ata tradhtarë të Atdheut, siç i damkosi diktatura për 45 vjet me rradhë,  apo ishin thjesht idealistë që ëndërronin për Shqipërinë Etnike ?!    

       Po sot 32 vjet pas rënies së diktaturës a duhet të vazhdojmë t’i quajmë Mit’hat Frashërin dhe gjithë ata që luftuan për bashkimin kombëtar si tradhtarë ?! Xheferr Deva ishte njëri nga këta. Në kohën e pushtimit nazist ai mbante postin e ministrit të brendshëm në Tiranë. Është po ai ideuesi dhe ekzekutori i masakrës së 4 shkurtit në Tiranë. Dashur pa dashur në luftën e tij të paepur kundër komunizmit ai u kthye në terrorist kur arrestoi dhe ekzekutoi pa gjyq në mes të natës 84 banorë të Tiranës.  Pothuajse pesëmbëshjetë vjet më vonë një veprim të ngjashëm kreu edhe Mehmet Shehu kur edhe ai ekzekutoi  një numër të ngjashëm të qytetarëve të Tiranës, pas hedhjes së një bombe në ambasadën sovjetike.

      Deri më 1990 çështja e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën ishte tabu. Megjithëse Shqipëria politike e asaj kohe i ndiqte me vëmendje zhvillimet në Kosovë, sidomos pas demonstratave të fuqishme atje,  të 11 marsit të vitit 1981, që kërkonin Kosovën Republikë, prapë se prapë gjithçka mbetej në kuadrin e retorikës nacionaliste. Shqipëria nuk mund të ndërhynte dot në Kosovë veçse në mënyrë të indirekte, dmth duke ngritur stacione radiofonike në Kukës, duke dërguar profesorë dhe studiues në universitetin e Prishtinës, me shkëmbime delegacionesh kulturore artistike dhe atyre sportive etj etj. Se Jugosllavia e asaj kohe që njihej si « gruaja e Lindjes dhe dashnorja e Perëndimit » ishte kockë fortë për Shqipërinë.

     « Moti » ndryshoi pas rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes pak nga pak të ish – jugosllavisë. Thirrjet për Kosovën e pavarur u dëgjuan edhe gjatë protestave popullore në Qytetin Studenti në kohën e rrëzimit të diktaturës komuniste.

      Edhe në Prishtinë pati zhvillime të reja. U formua Lidhja Demokratike e Kosovës, në krye të së cilës u vu një ish anëtar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Ibrahim Rugova. Dhe që atëhere diçka ndryshoi dhe u kris në marrëdhëniet ndershqiptare. Deri në atë kohë Shqipëria konsiderohej si vendi amë ndër shqiptarët e Kosovës, por pak nga pak kjo qasje ndryshoi. Arkitekti i këtij ndryshimi ishte vetë Ibrahim Rugova. Është tejet e njohur deklarata e tij para Parlamentit Europian (ku kam qënë vet i pranishëm) e Prishtinës së barazlarguar nga Tirana dhe Beogradi ! Dhe kur filluan lëvizjet e para të armatosura për çlirimin e Kosovës, të udhëhequra nga i pavdekshmi Adem Jashari, ishte po Rugova që në selinë e NATO-s në Bruksel i konsideroi këta çlirimtarë si « katundarë që duhen qetësuar » !

      Rugova u kthye kështu në kosovëcentristin e parë. Synimi i tij ishte vërtet krijimi i një shteti të pavarur kosovar, por larg ndikimit të Tiranës. Madje ai priste edhe njerëz të çfarëdoshëm që i propozonin atij flamurë me ngjyra të ndryshme që duhej të përfaqësonin Kosovën autonome ose të pavarur !

     Dhe historia dihet. Falë aksioneve luftarake të UÇK-së së lavdishme dhe shtypjes brutale të popullsisë kosovare nga regjimi I Millosheviçit, NATO ndërhyri ushtarakisht për ta çliruar atë nga çizmja serbe. Një fitore e madhe për gjithë kombin shqiptar. Më 12 qershor të vitit 1999, pas 79 ditë bombardimesh, nga Kosova u tërhoq edhe ushtari i fundit serb, duke e kthyer kështu këtë datë në ditën e çlirimit të Kosovës. Nëntë vjet më pas, më 17 shkurt 2008 shpallet, për herë të dytë, pavarësia e saj. Them për herë të dytë pasi për herë të pare Kosova u shpall shtet i “pavarur” më 19 tetor 1991 dhe Bujar Bukoshi u caktua si kryeministër i qeverisë!

     Me çlirimin e Kosovës ridoli në skenë me forcë mundësia e bashkimit të saj me vendin « amë ». Por kundër këtij bashkimi u shprehën të gjitha Fuqitë e Mëdha dhe siç thamë edhe vetë Ibrahim Rugova. Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë debatet nëse Kosova duhet të mbetet shtet i pavarur, nëse duhet të formojë një federate me Shqipërinë apo thjesht duhet t’i bashkohet asaj si pjesë e shkëputur padrejtësisht nga trungu amë?!

      Si në Kosovë, por po ashtu edhe në Shqipëri, ka përkrahës të zjarrtë të bashkimit kombëtar, siç ka edhe kundërshtarë të vendosur.  Këto kundërshtime u vunë re edhe dje në panelet televizive të Prishtinës. Kosovocentristët duket se kishin një pezm dhe hasmëri ndaj Tiranës, kushedi se për çfarë arsyesh.

        Po le të shqyrtojmë me gjakftohtësi dhe drejtësi se përse nevojitet bashkimi kombëtar dhe kush fiton apo humbet nga një bashkim i tillë.

     Së pari duhet pohuar se kur Isa Boletini, në krah të Ismail Qemalit, ngriti Flamurin në Vlorë, ai në asnjë rast nuk e ka menduar Kosovën jashtë Shqipërisë.  Si për të, por po ashtu edhe për mijëra patriotë të tjerë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë përbënte gjënë më të natyrshme dhe të drejtë në botë. Pra bashkimi kombëtar është ndryshe edhe amaneti që na kanë lënë të parët tanë. Që kanë derdhur edhe gjakun lumë për ta realizuar këtë ëndërr. Edhe rilindasi i fundit, Rexhep Qosja, mbetet po ashtu një përkrahës i fuqishëm i këtij bashkimi.

       Ndryshe. A mundet Kosova t’i bëjë ballë presionit serb sot dhe kahmot. Se dihet se Beogradi kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova. Kryeministri Vuçiç e pohoi qartë këtë qëllim ca kohë më parë kur kumtoi se « po presim kohë më të volitshme » për të arritur këtë synim. Pra shpresa se Serbia do të detyrohet ta njohë Kosovën një ditë mbetet veçse një vegim i parealizueshëm.  As NATO dhe as Bashkimi Europian nuk mund ta detyrojnë Serbinë që të njohë sovranitetin e Kosovës.

        Dhe koha ka dëshmuar se shtetet që kanë një strategji afatgjatë për të ardhmen mund të presin edhe disa dhjetëvjeçarë deri në realizimin e projektit të tyre. Konflikti izraelito – palestinez psh po zgjat prej 75 vjetësh dhe nuk dihet se kur dhe si do përfundojë. Nga ana tjetër Rusia dhe Kina, me gjithë aleatët e tyre do të pengojnë çdo pranim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

     Përveç aspekteve nacionaliste folklorike bashkimi kombëtar  fuqizon edhe Shqipërinë edhe Kosovën. Edhe në fushën ekonomike, përveç asaj të fuqisë ushtarake. Se në vend që të kemi dy tregje të ndara me nga 2.5 milionë banorë secila do të kemi një vend dhe një treg prej 5 milionë banorësh. Dhe ky bashkim ekonomik mund të realizohet edhe pa shkelur Kushtetutën e Ahtisarit. Mjafton të hiqen doganat në të dyja anët e kufirit. Po ashtu pasja e një sistemi arsimor të njëjtë në të dy shtetet shqiptare është diçka që mund të realizohet lehtësisht dhe pa rënë ndesh me asnjë ligj ndërkombëtar.

    Sondazhe serioze të kryera në të dy anët e Drinit dëshmojnë po ashtu se bashkimi kombëtar përkrahet nga shumica e popullsive në të dyja vendet. Çuditërisht bie në sy se bashkimi gjen përkrahës më të shumtë në Shqipëri sesa në Kosovë! Kundër tij  shprehen veçse disa intelektualë nostalgjikë të bashkim- vëllazërimi të Titos dhe barazlargësisë të Rugovës!

       Ka disa ndër këta të fundit që bëjnë të indinjuarin se përse Shqipëria nuk e përkujtoka ditën e pavarësisë së Kosovës!!!  Këtyre spicave dhe helmeve antikombëtare mund tu përgjigjesh shkurt dhe qartë: Se shqiptarët përkujtojnë dhe festojnë së bashku, në të gjitha trevat, Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin 1912.

     Dhe arsyet e nevojës së bashkimit kombëtar janë të pafundme. Dhe ashtu si serbët që presin ta gllabërojnë përsëri Kosovën, edhe shqiptarët  duhet të punojnë me durim dhe qartësi për të arritur këtë objektiv. Në mos sot pas 10 ose 50 vitesh. Por piketat duhen hedhur që tani.

   Është shumë prekëse të shikosh deri edhe vogëlushët në Prishtinë të valëvisin me mall dhe krenari flamurin kombëtar. Të mos flasim tani për plisat kuq e zi që mbushin stadiumin Air Albania sa herë që ekipi kombëtar ka ndeshje. Dhe në fakt ekipi kombëtar i futbolli prj kaherash përfaqëson dhe ngërthen më së miri aspiratat e gjithë shqiptarëve në Ballkan për një Shqipëri Etnike.

     Arsyet për bashkimin kombëtar janë të pafundme. Qoftë historike, emocionale, praktike etj etj. E kundërta. Pretekstet për krijimin e një kombi kosovar janë sa qesharake, aq edhe të pakuptimta. Se ato i shërbejnë vetëm armiqve të popullit shqiptar.  Kush ka thënë se bashkimi bën fuqinë ?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment