Fatkeqësisht nuk do të hyjmë kurrë në Bashkimin Europian

         Edhe fare pak ditë mbeten deri sa Bashkimi Europian të mbajë samitin e tij të rradhës ndërmjet udhëheqësve të 27 vendeve të tij anëtare. Gjatë këtij takimi, i fundit që zhvillohet nën kryesinë e Spanjës, është parashikuar që të diskutohet edhe për konfliktin Ukrainë –Rusi dhe atë Hamas – Izrael. Por një temë tjetër me rëndësi do të jetë edhe afrimi i mëtejshëm i vendeve të Ballkanit me BE-në, sidomos përsa i takon Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

        Ky është një lajm i mirë për popujt e këtyre vendeve, aq më shumë që për herë të parë Bashkimi Europian ka shpallur edhe një datë të saktë të anëtarësimit të tyre. Në fakt ka disa muaj që nga krerët e lartë të BE-së është bërë e ditur se me shumë gjasa Shqipëria, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen në BE deri në vitin 2030.

      Kjo datë është shpallur si nga kryetarja e Komisionit Europian Ursula van der Leien, por po ashtu edhe nga presidenti i Këshillit të Ministrave të BE-së, Charles Mishel. Edhe kancelari gjerman Scholz dhe ai francez Macron e kanë pranuar vitin 2030 si afatin më të mundshëm për zgjerimin e familjes europiane. Pa harruar këtu se edhe Ukraina mund tu bashkëngjitet së shpejti këtyre vendeve ballkanike, duke e çuar kështu në 32 numrin e anëtareve  të BE-së.

      Dhe ndryshe nga herët e tjera, kësaj rradhe vërehet qartë se dëshira e udhëheqësve europianoperëndimorë për të nxitur zgjerimin e mëtejshëm të BE-së nuk mungon. Një nga arsyet kryesore të këtij nxitimi është ndofta edhe frika që ndjen Brukseli se vendin e tij në  Ballkan mund ta zërë Turqia, Rusia apo deri edhe Kina. Prandaj edhe  premtimet dhe deklaratat e tyre ndaj vendeve ballkanike janë shtuar dhe forcuar fort muajt e fundit.

     Por ekziston edhe një frikë tjetër, dhe frikë e madhe, që Brukseli ngurron ta pohojë me zë të lartë. Pasi në qershor të vitit të ardhshëm në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian do të zhvillohen zgjedhjet e Parlamentit Europian.

     Siç ngjan në çdo shtet, edhe në gjirin e Bashkimit Europian çdo 4 vjet mbahen zgjedhje për europarlamentarët e rinj të vendeve anëtare të BE-së. Por sipas shumë specialistëve dhe njohësve të problemeve europiane këto zgjedhje të ardhshme do të jenë krejt të veçanta  dhe deri dramatike për rezultatin dhe mesazhin që mund të përçojnë.  

      Sepse mund të kemi,  dhe për herë të parë në historinë e tij, një Parlament Europian të zotëruar tërësisht nga forcat e ekstremit të djathtë. Dhe një frikë e tillë ka arsye të forta. Sepse muaj pas muaji partitë nacionaliste, anti-emigracion, anti-myslimane dhe anti-ekologjike po fitojnë terren në të gjitha  shtetet e BE-së.

     Kështu psh veçse pak ditë më parë, pikërisht të enjten e kaluar, Bashkimi Europian u trondit kur mësoi se edhe në Hollandë zgjedhjet legjislative i fitoi përfaqësuesi i partisë së ekstremit të djathtë,  përfaqësuar nga Geert Wilders. Dhe ka shumë gjasa që ai të emërohet, pas disa javësh, edhe në postin e kryeministrit të Vendeve të Ulëta. Në rast se do të gjejë aleatë për të formuar qeverinë.

        Wilders njihet si njëri nga udhëheqësit më radikalë të partive të ekstremit të djathtë në Europë. Antiemigracionist i vendosur, ai është po aq edhe kundër myslimanëve që jetojnë në Hollandë, saqë ka deklaruar se do i rrafshojë edhe të gjitha minaretë e ngritura në vendin e tij!  “Hollanda për holladezët” – është parrulla e tij kryesore, në sajë të së cilës ai doli i pari në zgjedhjet e sapopërfunduara. Që do të thotë se të huajve, sidomos atyre me origjinë marokene, do tu bëhet jeta shumë e vështirë në vendin e tij.

      Por më e rënda për BE-në është se fitorja e ekstremit të djathtë në Hollandë nuk përbën ndonjë përjashtim apo një rast të veçantë. Dy javë më parë në Sllovaki fitoi po ashtu një parti e ekstremit të djathtë e udhëhequr nga Robert Fico. Dhe sot në gjirin e Bashkimit Europian gjallojnë jo më pak se 6 parti që janë haptazi ksenofobe dhe antimyslimane dhe që marrin pjesë në qeveritë e këtyre vendeve. Këto janë njëkohësisht edhe parti antiestablishment dhe anti BE. 

       Dhe më e keqja është se rritje të partive ekstremiste vihen re edhe në Spanjë, Belgjikë, Francë, madje edhe në Gjermani! Edhe atje partia ekstremiste AfD, (Alternativa für Deutschland) po forcohet dhe po rritet me shpejtësi dita ditës. Dhe nuk është se këto parti që janë pjesë sot e qeverive në Sllovaki, Finlandë, Slloveni, Hungari, Itali, Poloni, Rumani etj do ta rrënojnë apo shkatërrojnë BE-në. Jo. Ideja e tyre është të krijojnë një Bashkimi Europian të ndryshëm.  Njëlloj fortese kundër emigrantëve, sidomos atyre myslimanë.

      Në Francë psh, vetëm dy ditë më parë, në rrugët e Strasburgut gjatë një demonstrate të grupimeve të ekstremit të djathtë, për herë të parë u dëgjuan thirrjet “myslimanët jashtë Europës”! Nga ana tjetër udhëheqësja e “Rassemblement National”, Marine Lë Pen, nuk ka lënë rast pa deklaruar se ajo është kategorisht kundër pranimit në BE të Shqipërisë dhe Kosovës!

       Deri më tani Europa ka qënë  dëshmitare e një përplasjeje midis dy sistemeve  dhe ideologjive të ndryshme. Nga njëra anë qeveritë globaliste të shoqërisë së hapur, ku njerëzit, mallrat dhe idetë mund të qarkullonin lirshëm, jo vetëm nga një vend në tjetrin, por edhe nga një kontinent në tjetrin. Këto qeveri kanë qënë po ashtu mbrojtëse të vendosura të të drejtave të Njeriut, LGBTQ-ve, Woke etj etj. Përballë kësaj politike të dyerve të hapura, në Europë prej disa vjetësh  janë ngritur dhe forcuar partitë nacionaliste, identitare, antiemigracion dhe sidomos antimyslimane. Dhe pak nga pak këto parti, me një ideologji që i afrohet shumë asaj të partive fashiste të para lufës së dytë botërore, po korrin fitore të njëpasnjëshme në mbarë vendet e Europës!

     Prandaj duket dhe është pothuajse e sigurt  se Europa e nesërme nuk do të jetë Europa e sotme.Do të kemi të bëjmë me një Europë tip  “kështjelle”, që do t’i mbylli dyert për emigrantët nga Afrika dhe Lindja e Mesme. Por që ndofta nuk do të pranojnë që BE-ja të zgjerohet me anëtarë të rinj. Sidomos kur sheh e vëren urrejtjen që gjallon ndër udhëheqësit e opozitës në Francë, Hollandë, Suedi, Hungari, Poloni etj ndaj myslimanëve. Dhe Shqipëria dhe Kosova njihen sot në botë si vende myslimane.

      Udhëheqësit që janë sot në pushtet në vendet e BE-së dhe që premtojnë zgjerim të mëtejshëm të Bashkimit Europian nuk do të jenë nesër në pushtet. Dhe me siguri asnjë prej tyre nuk do të jetë as president, as komisar dhe as kryeministër i ndonjë vendi anëtar të BE-së në vitin 2030.

     As Edi Rama që po bën një punë të jashtëzakonshme për t’i zbardhur faqen Shqipërisë në BE, nuk do të jetë më atëhere në pushtet. Ai ia ka arritur që ta presin dhe ta konsiderojnë si të barabartë sa në Romë, aq edhe në Berlin apo Paris. Pavarësisht se ai përfaqëson një vend të vogël dhe të pazhvilluar.

     Atëhere çfarë rruge mbetet për Shqipërinë ?! Pa asnjë dyshim dhe pa asnjë mëdyshje ajo nuk duhet t’i shmanget orientimit të saj properëndimor dhe proeuropian. Asnjë aleancë tjetër nuk e nxjerr dot atë në « dritë ».

      Por udhëheqësit e saj në Tiranë duhet të shohin më larg se maja e hundës së tyre. Kur perspektiva e hyrjes në Europë errësohet, ndofta do të duhet të forcohet kohezioni i brendshëm kombëtar. Duhen lënë mënjanë zënkat, kokëfortësitë, hatërmbetjet ndërmjet dy kryeqyteteve shqiptare, Tiranës dhe Prishtinës.

      Deri më tani në Tiranë deklarohej se bashkimi kombëtar do të ndodhte brenda Bashkimit Europian. Por nisur edhe nga trendet e fundit që po vihen re në kontinentin e vjetër ndofta sot duhet parë disi më larg. Kur anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është më i sigurt, Bashkimi Kombëtar shndërrohet automatikisht në përparësi.

      Se edhe sot, si para 200 vjetësh, kufijtë e Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë të sigurta. Dhe një ditë të « shpifur » ndofta edhe NATO nuk do të ekzistojë më. Ose Ballkani dhe çështja shqiptare nuk do të përbëjnë përparësi për të. Atëhere siç thotë edhe një fjalë e urtë « Dy duar për një kokë janë » dhe veçse bashkimi mund të bëjë fuqinë. Është vënë re dhe me të drejtë thuhet se historia shpesh herë veçse përsëritet. Prandaj duhet të jemi të përgatitur edhe për ditën më të keqe.  Siç po rrjedhin ngjarjet duhet kuptuar që sot se Bashkimi Kombëtar qëndron edhe para Bashkimit Europian.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment