Kështu duket se paska deklaruar Ismail Kadare sipas gruas së tij, Helena. Secili ka pikëpamjen e tij në këtë çështje, por fjala e shkrimtarit shqiptar, më i njohuri dhe i vlerësuari edhe në botën e jashtme, ka peshën e saj të veçantë dhe të pamohueshme.
Përfaqësuesit e opozitës duket se janë tërbuar nga ky konstatim i Kadaresë dhe kanë nxjerrë tellallët e tyre për ta kundërshtuar këtë ide. Për ta Shqipëria është blozë. Asgjë e mirë, meqë ata nuk janë në pushtet prej më shumë se 10 vitesh ! Ata shohin vetëm anët negative.
Dhe e vërteta është se Shqipëria vuan nga shumë problem. Mungon psh kontrolli i shtetit në shumë drejtime dhe sektorë. Shtypi vendas psh sapo bëri të njohur se Gjermania kishte kthyer mbrapsht 500 tonë kastraveca, që kishin përmbajtje të lartë pesticidesh! Çudia është se këto 500 tonë nuk janë bllokuar dhe asgjësuar në kthimin e tyre as nga doganat shqiptare. Pra ajo që dëmtoka shëndetin e gjermanëve mund të jetë fare e mirë për shëndetin e shqiptarëve! Pyetja shtrohet: Si janë lejuar këto pesticide të ndaluara në Bashkimin Europian të hyjnë në Shqipëri?! Pse kastravecat e dëmshëm për shëndetin nuk u bllokuan nga doganat vendase kur u kthyen mbrapsht nga Gjermania?! Sa perime dhe fruta të tjera janë të “infektuara” nga këto pesticide kanceroze dhe antisanitare për shëndetin e popullit?! A kontrollohet çdo ditë pastërtia dhe higjena e ujit që rrjedh në rubinetat e çdo familjeje shqiptare?! Në rast se nuk u kontrollokan perimet dhe frutat, kush mund të thotë se ushtrohen kontrolle të vërteta mbi higjienën dhe pastërtinë e mishit dhe nënprodukteve të tij?! Të ujit në shishe apo atij që shpërndahet nga ujësjellësit?!
Edhe në kohën e komunizmit, megjithëse prodhimi ishte shtetëror, pra nuk kishte mundësi pasurimi të paligjshëm, ekzistonte një institut higjene dhe pastërtie që kontrollonte cilësinë e ushqimeve, duke filluar nga buka, të ujit të pijshëm, mishit etj etj.
Ditët e fundit në Belgjikë ka plasur një skandal I madh se në ujin e pijshëm në disa komuna në jug të vendit u gjetën përmbajtje të disa produkteve të dëmshme për shëndetin e njerëzve. Dhe është fjala për disa përqindje të papërfillshme, por që po i tundin karrigen ministres që merret me kujdesin e shëndetit të konsumatorëve!
Por mos ta hedhim gurin kaq shpejt në oborrin e qeverisë së tashme. Këto probleme nuk kanë lindur sot, por kanë filluar menjëherë pas viteve 1990, që kur u krijua mundësia për pasurim personal. Dhe disa gjetën rrugët më të paligjshme që atë kohë. Kështu psh kur u mbyllën fabrikat shtetërore të prodhimit të bukës dhe vendin e tyre e zunë furrat private, njerëzit filluan të ankohen jo vetëm për peshën dhe çmimin e lartë të bukës, por edhe për përdorimin e aspirinës si një lloj majaje për fryrjen e bukës. Dhe kjo në sasira tejet të rrezikshme që shkaktoi rënie të menjëhershme tensioni dhe gjekderdhje te shumë konsumatorë. Po ashtu po atë kohë nisën të shtohen edhe qebaptoret ambulante që shisnin bukë me qofte deri pranë Pallatit të Kulturës në Tiranë. Askush nuk e dinte se nga dilte ai mish që gatuhej nga shitësit ambulantë?! Le më që të flitej për cilësinë e tij! Madje kishte zëra që pohonin me bindje se numri i qenve endacakë ishte pakësuar dukshëm ato kohë!
Etja për fitim me çdo kusht dhe mjet i kapllosi ato kohë të gjithë shqiptarët. Kjo ethe e “arit” vazhdon edhe sot. Sidomos me largimet e shumë të rinjve nga vendi për tu marrë me shpërndarjen dhe kultivimin e kanabisit në Angli dhe më gjërë. Aq e fortë është kjo “epidemi” në vend saqë edhe burgjet janë mbushur plot me keqbërës që fillojnë që nga policët e thjeshtë, deri te keqbërësit e rëndomtë. “Lëmshi” është çmbështjellë aq shumë saqë nuk ia gjen dot më fillin.
Atëhere a ka të drejtë Kadareja?! Për dikë që ndjek kronikën e zezë në vend përgjigja mund të jetë negative. Kadareja është shkëputur nga hallet e njerëzve të thjeshtë, sa nga mërgimi në Francë, aq edhe nga niveli i lartë i të ardhurave, në krahasim me njerëzit e thjeshtë. Nivel që e meriton plotësisht në bazë të artit dhe talentit të tij të jashtëzakonshëm. Dhe po të kesh para jeta në Shqipëri nuk ka fare të sharë.
Por pavarësisht të gjithave Kadareja mbetet një njohës i mprehtë i problemeve të shoqërisë shqiptare. Asnjë sekondë ai nuk ështê larguar nga ndjekja e problemeve dhe halleve në vendin e tij. Prandaj fjala e shkrimtarit të njohur ka peshë dhe duhet të merret seriozisht. Pa asnjë dyshim ndjehet se Kadareja kur pohon se “Shqipëria po njeh sot epokën më të mirë të saj” e krahason gjendjen e sotme jo vetëm me kohën e diktaturës, por me siguri edhe me vitet 1991 – 1996, me Vitin e Mbrapshtë 1997, me vitin 2011 të vrasjeve në bulevard etj etj.
Dhe çuditërisht të gjitha këto mbrapshti kanë ngjarë në kohën e atyre që sot kundërshtojnë konstatimin e Kadaresë. Por si gjithmonë, edhe kësaj rradhe, duket se koha do t’i japë të drejtë personalitetit të mirënjohur brenda dhe jashtë vendit.
Ndërkohë Rama duket se po i ngjan Sizifit që nuk rreshte së ngrituri gurin në majë të kodrës, por edhe ai nuk rreshti së shkituri poshtë! Pa asnjë dyshim që Shqipëria ka aq shumë probleme të trashëguara, saqë 10 vjet janë shumë pak për ta nxjerrë nga këneta. Por me rëndësi është se vitet e fundit emri i Shqipërisë po jehon pozitivisht në Perëndim dhe zëri i saj po dëgjohet edhe në kancelaritë perëndimore.
Shembull pozitiv mund të merret psh edhe rritja e paparë deri më sot e sektorit të turizmit që përbën po ashtu një arritje madhore të qeverisë Rama. Nuk ishte pak të prisnje afro 3 milionë turistë të huaj gjatë verës së kaluar dhe të pretendosh për 7 milionë të tjerë vitin e ardshëm! Siç nuk është pak që rroga mesatare, sipas të thënave të kryeministrit shqiptar, të arrijë mesatarisht në 900 euro në muaj vitin e ardhshëm dhe kjo pa e rritur borxhin! Por vetëm duke shtuar të ardhurat në buxhetin e shtetit.
Nisur nga këto fakte mund ta akuzosh pa frikë se Rama mund të jetë më i paafti, më i korruptuari etj etj, por për shqiptarët është e sigurt se ai nuk është vrasës. Se ai nuk e ka kthyer vendin në gërmadhë siç ngjau më 1997-tën etj etj. Pra ndofta më i keqi, por të tjerët as që llogariten fare. Shumica e tyre për çka i kanë bërë Shqipërisë e kanë vendin në burg.
Dhe siç thotë populli gur, gur bëhet mur. Me rëndësi është se këto 10 vitet e fundit Shqipëria nuk po bën mbrapa, por po ecën ngadalë në rrugën e duhur. Këtë dukuri të re për Shqipërinë e ka pohuar sot, e dielë 26 nëntor, në të përditshmen “La Libre Belgique” kolumnisti Jean Arnault Derens në shkrimin me titull:”Edi Rama gjithmonë në shërbim të Perëndimit për të bërë që të harrohen gabimet e Shqipërisë”.
Duket se si shumica e shqiptarëve, aq edhe analistët e huaj, siç është rasti i këtij njohësi të vjetër të zhvillimeve në vendet e Ballkanit, janë në një mendje me pohimin e Ismail Kadaresë se: “Shqipëria po njeh kohën më të mirë të saj”.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment