E ka “grurë” me filanin e fistekun. Ishte kjo një fjalë që e përdornim dikur për të përshkruar dikë që mbante marrëdhënie të përzemërta psh me shefin e tij ose me ndonjë superior tjetër. Kjo fjalë dhe kjo sjellje i shkon shumë për shtat sot edhe kryeministrit shqiptar. Edhe ai mjaltë dhe sheqer. Sa me presidentin e Turqisë, aq edhe me “vëllamin” serb, Vuçiç. Aq sa me bë xheloz edhe Erdoganin vetë.
Por jo vetëm kaq. Rama sot ka marrëdhënie të shkëlqyera edhe me admiruesen e Musolinit, kryeministren e tashme italiane, Xhiorxhia Melonin, me presidentin francez Makron, kancelarin gjerman, Sholc e të tjerë. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi. Është mirë që edhe zëri i Shqipërisë të dëgjohet.
E keqja është se veçse me Kurtin shkon majë më majë ! Kur duhet të ishte krejtësisht e kundërta. Si spjegohet ?! Pse dy kryeministrat shqiptarë nuk e honepsin dot njëri – tjetrin ?! Mos vallë shkak është bërë « Ballkoni i Hapur » apo edhe qëndrimi i çuditshëm i Ramës ndaj problemit të asosacionit ?!
Por duket se përveç këtyre dy arsyeve, ka edhe një shkak tjetër. Kjo është egoja personale. Shumë më e zhvilluar dhe më e rrënjosur te Rama, se te Kurti.
Kishte kohë që Rama pati zëvendësuar Berishën në luftën për të marrë kurorën e atij që njihet si « babai i kombit » ! Ose e thënë ndryshe konkurrencë për lidershipin ndër shqiptarët në rajon. Por pas largimit të mikut të tij të madh, Thaçit, Kurti duket se nuk ia njeh Ramës këtë meritë dhe atribut.
Por me siguri që “thyerja” Rama – Kurti ka brenda saj edhe shkaqe ideologjike. Albin Kurti është thellësisht i majtë, ideologjikisht dhe ekonomikisht. Aq sa mund të pohohet pa frikë se ai është një nacionalist i majtë. Ndërsa Rama është krejt e kundërta e tij. Që kur ka marrë drejtimin e PS-së ai nuk ka rreshtur asnjë çast ta deformojë atë dhe t’ia heqë shpirtin e majtë popullor. Duke filluar nga largimi i “gardës së vjetër” dhe deri te ngjyra e flamurit të PS-së, që nga rozë që ishte, ai i shtoi edhe ca blu dhe e bëri mavi !
Politika e tij ekonomike është pothuajse e djathtë, e mbështetur te oligarkët dhe te koncesionet e pasurive kombëtare, te privatizimet dhe heqja dorë e shtetit nga ndikimi i tij në ekonomi etj etj. Thjesht ai është një liberal kozmopolit i djathtë
Por edhe në « vendin amë » gjallojnë hatërmbetje ndaj Kurtit. Sidomos që kur ai ngriti një degë të “Vetvendosjes” edhe në Shqipëri. Por a duhet t’i mbahet inat Kurtit për këtë veprim ?! Sidomos kur kujton se ai ka qënë prej kaherësh një mbështetës i flaktë i bashkimit kombëtar?!
A thua se prej grindjeve Rama – Kurti tashmë është harruar dhe lënë pas krahëve edhe ideali i bashkimit kombëtar?! Në asnjë mënyrë. Sepse për këtë bashkim është derdhur gjaku me okë. Sepse nuk na le as historia dhe as gjaku i derdhur i Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Bajrram Currit etj etj. Me një fjalë i gjithë rilindasve tanë të penës dhe pushkës, ku i fundit fare është Adem Jashari.
Dhe ndonjëherë ekzistojnë edhe simbole bashkuese që na mbajnë, duam apo s’duam, të pandarë. Një simbol i tillë bashkues është, përveç flamurit, gjuhës dhe historisë, edhe kombëtarja jonë e futbollit.
Ndoqa dje, pas ndeshjes me Moldavinë, disa kanale televizive kosovare. Më ra në sy në mënyrë të veçantë dikush që ishte i ftuar të komentonte ndeshjen Shqipëri – Moldavi. Gjatë gjithë kohës, natyrshëm fare, ai në çdo rast shprehej : « ne e qarkulluam topin si duhet, ne e patëm pisk në pjesën e dytë, ne duhet »… dhe ne, ne, dhe ne pa fund. Dhe shprehej kështu në mënyrën më normale në botë,, pa asnjë sforcim. A thua se kishte lindur në Shkodër apo në Gjirokastër! Dhe këtu jam unë që po tregohem i padrejtë dhe lokalist. Ky shqiptar i Kosovës mund të ketë lindur fare mirë në Pejë, Mitrovicë, Prishtinë, Prizren apo ku ta di unë. Dhe kishte po aq të drejtë sa unë, ti, ai atje, ju të gjithë që kemi lindur në Tiranë, Shkodër, Korçë apo Gjirokastër, që të shprehej aq qartë dhe bukur për kombëtaren e tij kuq e zi, kur thoshte « ne fituam, ne gabuam këtu, neve na duhej »… etj etj. Askujt nga të ftuarit në këtë panel televiziv një perifrazim i tillë nuk i tërhoqi vëmendjen. A ka gjë më të natyrshme dhe më normale ?! Se ne jemi Një. Nuk ka asnjë rëndësi nëse ke lindur në Gjakovë, Tetovë apo Krujë. Ky është bashkimi kombëtar. Pa rrahje gjoksi. Ndjehet anë e mbanë trojeve shqiptare, dhe po ashtu në diasporë, se kur luan kombëtarja, ajo është e të gjithëve, Madje edhe sikur të kesh lindur nga një familje shqiptare, në Londër, Zvicër apo Amerikë.
Por ky qëndrim i njerëzve të zakonshëm, i popullit, bie ndonjëherë ndesh me atë të politikanëve tanë. Si në kohën e Rugovës që deklarohej për një Prishtinë të barazlarguar nga Beogradi dhe Tirana si dhe sot.
E pyetur nga një gazetare nëse do ta shihte ndeshjen se bashku me Kurtin, Rama u përgjigj gjithë mërzi dhe pezm : Pse me Kurtin ! Unë kam grua dhe fëmijë !
Sikur nuk dihej se ai kishte familje. Por pyetja e gazetares ishte më e thellë: Ajo mund të kuptohej edhe si : a do ulesh të flasësh ndonjë ditë me Kurtin ?! Përgjigja ishte një « Jo » e thatë dhe kryeneçe.
Punë e madhe. Na u prish gjiza se çfarë thotë Rama apo Kurti. Me rëndësi është që populli shqiptar, në të dyja anët e Drinit, është i bashkuar. Dhe nuk ka forcë apo kryeministër në botë që ta ndajë. Politikanët sot janë, nesër shkojnë. Shqipëria natyrale mbetet dhe do mbetet përgjithmonë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment