Rama – Meloni dhe Micotaqis prapa derës.

       Debatet rreth marrëveshjes Meloni – Rama vazhdojnë sa në Itali, po aq edhe në Shqipëri, madje deri në Bruksel dhe Berlin. Të majtët italianë, dhe përgjithësisht edhe ata europianë, janë veçanërisht kundër saj. Sipas tyre ajo është antihumanitare dhe shkel edhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e azilit edhe emigracionit.

        Aq sa edhe disa politikanë dhe senatorë italianë kanë kërkuar  madje edhe përjashtimin e Partisë Socialiste Shqiptare nga gjiri i grupimit të partive socialiste europiane. Propozim që nuk është pritur asfare mirë nga  kryeministri shqiptar.

       Në fakt marrëveshja Meloni – Rama për pritjen në Shqipëri të emigrantëve afrikanë apo  myslimanë nga Azia Qëndrore ka qënë pika e fundit e ujit që derdhi gotën. Rama, për vendimet e tij, sidomos në fushën e ekonomisë, kishte kohë që shihej me dyshim nga e majta europiane. Dhe kjo ka një arsye të qartë. Se vetë kryministri shqiptar ka dëshmuar me fjalë dhe me vepra se ai nuk është i majtë. Dhe se kur e sheh të arsyeshme merr edhe vendime të djathta !

       Për të gjithë ata që e ndjekin politikën në Shqipëri  është mëse e qartë se Rama, megjithëse është kryetar i Partisë Socialiste, as nuk është i majtë dhe as nuk dëshiron të jetë i tillë. Sipas të gjitha gjasave ai u bë i tillë, veçse nga përplasjet që ka patur disa herë me Sali Berishën.

        Rama, pas viteve ’90, ra në sy si një lloj liberali, anarkisti dhe antikomunisti. Megjithëse i rritur në një familje me formim të fuqishëm komunist, ai mund të konsiderohet si një lloj « golden boy », apo shqip si nga ata « çunat e Bruduejit » të Tiranës së viteve 1970 -1980. Të cilët të përkëdhelur edhe nga fati dhe të mirat, talleshin deri edhe me etërit e tyre.

       Deri këtu nuk ka asgjë për tu sharë. Gjithkush ka të drejtë të jetë ai që dëshiron të jetë. Por  problemi vjen kur ti shpallesh si i majtë dhe vepron si i djathtë ! Konkretisht kur t’i puthesh dhe argalisesh me një kryeministre italiane që njihet si pasardhëse e partisë së Duçes. Dhe kulmi i kulmeve kur ti vetë udhëheq nga ana tjetër një parti që e ka gjenezën dhe mbrujtjen e saj ideologjike në luftën nacional-çlirimtare kundër fashizmit dhe nazizmit !

      Pa anjë dyshim që shtetet dhe popujt, pavarësisht se kë qeveri kanë në krye, duhet të bashkëpunojnë me njëri tjetrin. Secili duke mbrojtur interesat e tij. Dhe vihet re se kohët e fundit, sidomos pas ardhjes të « fashistes » Meloni në pushtet, Rama i ka trashur « zullumet » me Italinë.   

       Para këtyre fakteve dhe ndodhive shtrohet pyetja nëse kemi të bëjmë këtu thjesht me një simpati personale ndërmjet dy kryeministrave të dy qeverive në të dy anët e Adriatikut apo me diçka më shumë ?! A kemi të bëjmë këtu me interesa të fshehura apo strategji kombëtare në zhvillim ?!   

       Pa asnjë dyshim se Rama po luan bukur në skakierën ndërkombëtare. Pas « vëllazërimit » me Turqinë e Erdoganit, Rama po kërkon tani edhe një « motërzim »  me Italinë e Melonit. Shihet po ashtu se ai u ka hyrë në “zemër” edhe kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, Sharl Mishel, presidentit francez, Macron, kancelarit gjerman Scholtz etj.  

         Dhe nuk është e vështirë për ta kuptuar se këto dy lidhje me dy vende të veçanta të NATO-s kanë si synim të ballancojnë ndikimin e politikës dhe presionit të shtetit grek ndaj Shqipërisë. Jo më kot Rama dhe Meloni u takuan para disa javësh pikërisht në Himarën e lakmuar nga Greqia !

        « Më jap – të jap » i thonë kësaj në diplomaci.  Dhe kryeministri shqiptar, në këmbim të mbështetjes së Italisë, i ofroi Melonit zonën e Gjadrit. Dhe nuk është hera e parë në historinë e vendit tonë që Italia, apo dikur edhe Austro-Hungaria, kanë shërbyer si gurë peshoreje për të ballancuar orekset e fqinjëve tanë greko/sllavë.

        Edhe për kryeministren italiane marrëveshja me Shqipërinë ka rëndësi të veçantë. Sepse Meloni erdhi në pushtet me premtimin se do të ndalte valën e refugjatëve nga vendet arabe dhe afrikane  që zbarkonin çdo ditë në portet italiane. Por deri më tani ajo nuk kishte arritur ndonjë rezultat domethënës. Përkundrazi. Gjatë vitit të parë të saj në pushtet, zbarkimet u dyfishuan.

         Duke pasur parasysh edhe eksperiencën e ministres britanike Suella Braverman, (e shkarkuar sot nga posti) për transferimin e azilkërkuesve afrikanë në Ruanda, Meloni –it pa dyshim i ka vajtur mendja te Shqipëria. Një marrëveshje me këtë shtet të vogël dhe “mirëkuptues” do të ishte një përgjigje e duhur për të gjithë kundërshtarët e saj, që nuk rreshtin së ankuari se Meloni nuk po bën asgjë për të penguar refugjatët të zbarkojnë në vendin e saj.

     Dhe kryeministrja italiane e di mirë se ky projekt ka shumë pak gjasa të vihet në jetë me sukses. 36 000 emigrantët që ajo do zbarkojë çdo vit në portin e Shëngjinit nuk do ia zgjidhin përfundimisht problemin. Por ajo ka dy synime të rëndësishme me këtë veprim: Së pari tu mbyllë gojën kundërshtarëve të saj, që e akuzojnë se ajo nuk po merr asnjë masë konkrete për ndalimin e emigracionit të paligjshëm. Dhe së dyti: ajo zbeh me këtë rast edhe entuziazmin e atyre që rrezikojnë deri edhe jetën për të mbërritur në brigjet e Eldorados europiane. “Nuk do të ju lejojmë të zbrisni fare në Itali, po do ju dërgojmë direkt “pako postale” në Shqipëri” – është mesazhi që i përcjell Italia kandidatëve për emigrim. Me një fjalë dhe siç thotë një fjalë e urtë vendase:”Me një gur vret dy zogj”!

      Ndërkohë Rama fiton kështu edhe një mbështetëse të fuqishme në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Europian. Njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën! Le të thonë çfarë të duan socialistët dhe e majta italiane. Qëllimi justifikon mjetin.

       Por ka një problem. Se oreksi vjen duke ngënë – thotë populli ynë i mënçur, trim dhe patriot! Se Italia, që neve u paskemi aq shumë borxhe, sipas kryeministrit tonë brilant, ka nevojë edhe për burime ujore të bollshme. Që do të gjelbërojnë tokat e thara të Italisë së jugut. Çfarë do të bëjë atëhere lideri global?! Sepse me veprimet e tij ai po ecën sot mbi tehun e thikës. Askush nuk e di nëse ai, sipas kushtetutës, ka të drejtë të vejë në dispozicion të një vendi tjetër trojet e Shqipërisë. Por duke pasur parasysh se jo vetëm në Shqipëri apo Kosovë,  por edhe vende të tjera, shumë më të pasura dhe të fuqishme, i kanë vënë psh në dispozicion NATO-s apo Amerikës truallet dhe portet e tyre, atëhere vendimi për Gjadrin nuk ngjan edhe aq shumë dramatik.

      Veçse është krejt ndryshe kur ti i shet apo i vë në dispozicion vendit fqinj, (në emër të miqësisë së përjetshme dhe të pathyeshme kino/shq… (kërkoj falje)  italo/shqiptare ujin e lumit apo baseneve të tua ujore. Sepse ti, kushdo qofsh, nuk je pronari i vendit, por vetëm administratori i tij. Me një fjalë t’i nuk ke të drejtë as të shesësh dhe as të japësh me koncesion pasuritë kombëtare. Ndryshe kthehemi në Shqipërinë e viteteve 1930. Po a do të ia dijë Rama për këtë?! A do tu rezistojë ai vallë presioneve nga Roma ?

      Se Shqipëria ka edhe një problem tjetër të pazgjidhur ende me Greqinë. Kjo e fundit përveç helenizimit të Himarës në veçanti dhe Toskërisë në përgjithësi ka edhe kërkesa territoriale sidomos në linjën detare që ndan Sarandën me Korfuzin dhe vazhdon deri pranë Karaburunit. Kjo çështje ka vajtur për të gjetur zgjidhje deri në Gjykatën e Hagës ! Po sikur Italia të ndërhyjë për këtë problem në Hagë në favor të Shqipërisë, a nuk e meriton ajo një farë shpërblimi ?!

      Se kemi edhe një shembull të keq në këtë drejtim. Dhe jo vetëm nga koha e Zogut. Por veçse nga 15 vite më parë. Kur Berisha lejoi kalimin në vendin tonë të gazsjellësit TAP (trans-adriatik). Pa kërkuar asnjë qira apo përfitim ekonomik për vendin ! Ndofta vetëm për familjen e tij dhe të Metës që e firmosën këtë projekt ! « Vepruam kështu se kishim bindjen se jemi anëtarë të Bashkimit Europian » – u justifikua Sali Berisha ! Çfarë paturpësie e padëgjuar. Jo vetëm që nuk jemi në Bashkimin Europian dhe as nuk e dimë nëse do të jemi një ditë apo jo, por edhe vetë vendet e Bashkimit Europian i vënë taksa dhe dogana njeri – tjetrit kur është fjala për të mbrojtur interesat apo prodhimet e tyre.

      Kështu ngjan kur zgjedh udhëheqës që mendojnë veçse për familjen e tyre dhe jo për kombin. Po Rama si do sillet dhe si do veprojë në këto kushte ?! Marrëveshja e tij me Melonin për refugjatët është vetëm 5-vjeçare.  Pra nuk sjell shumë dëm. Por koncesioni i ujërave drejt Italisë apo edhe ndarja e detit me Greqinë mund të jenë të përhershme !

       Ballanca apo ekuilibri janë gjëra të domosdoshme në politikë, sidomos kur nuk harron se nuk flihet me mullixhinë për inat të vjehrrës.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment