Portugali – Shqipëri, por jo në futboll

        E kemi mundur një herë Portugalinë e Rolandos në vetë kryeqytetin e saj në Lisbonë 1 me 0.   Atëhere kur për herë të parë në historinë tonë futbollistike morëm pjesë edhe në finalet e kampionatit europian në Francë. Tani kemi po aq shumë shanse të marrim pjesë për herë të dytë në këto finale, por kësaj rradhe në Gjermani.     

       A do të kemi përsëri një duel Portugali – Shqipëri siç ngjau para disa vitesh ? Asnjë nuk e di. Duhet të pritet hedhja e shortit, por para saj duhet të luhen edhe 2 ndeshje të tjera, pas të cilave do vendoset nëse Shqipëria do të zëjë vendin e parë apo të dytë në grup !

        Por ajo që dihet dhe duket e sigurt sot është që Portugalia e mposhti dje Shqipërinë. Jo në futboll ! Që të kuptohemi. Por në një garë edhe më të rëndësishme. Në atë të ndërtimit të shtetit të së drejtës, të shkallës së demokracisë në vend,  në atë të dinjitetit dhe krenarisë personale.

      Dje, e martë 7 nëntor, kryeministri socialist i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, dha dorëheqjen pasi e pa veten të njollosur nga një aferë korruptive. Sipas prokurorisë vendase bëhet fjalë për allishverishe, korrupsion aktiv apo pasiv të zyrtarëve të lartë të qeverisë së tij dhe ndikime dhe ndërhyrje në dhënien e lejeve për shfrytëzimin e litiumit si dhe në prodhimin e hidrogjenit në vend. Vetë Sousa supozohet se ka ndërhyrë personalisht për zhbllokimin e dosjeve !

        A ju kujton kjo praktikë e « zhbllokimit të dosjeve » ndonjë dukuri të ngjashme në Shqipëri ?!  Sigurisht. Ndërhyrjen e ish-kryeministrit Berisha për « zhbllokimin e dosjeve » në privatizimin e ish-kompleksit sportiv « Partizani », në sajë të të cilit dhëndrri i tij përfitoi mbi 5.4 milionë euro ! Prandaj De Sousa, njëlloj si Berisha, do të jetë edhe ai protagonist i një hetimi të pavarur, sipas kumtimeve të prokurorisë portugeze.

        Dhe pikërisht dje, prokuroria vendase ndërmorri disa bastisje në rezidencën zyrtare të kryeministrit, në disa ministri dhe në disa zyra avokatie. Nga lënda e e mbledhur prokuroria lëshoi disa mandate arresti, si psh ndaj shefit të kabinetit të kryeministrit, ministrit të tij të infrastrukturës dhe disa kryebashkiakëve.

      Menjëherë sapo u vu në dijeni të rezultateve të këtyre hetimeve kryeministri portugez kumtoi dorëheqjen e tij të menjëhershme dhe të pakthyeshme. Dorëheqje që u pranua edhe nga presidenti i republikës.

      Sa i ndryshëm ky qëndrim i politikanit të lartë portugez me ato të politikanëve tanë. Këta të fundit duken të gatshëm t’i vejnë përsëri flakën vendit vetëm e vetëm që të mos japin llogari për zullumet e tyre. Për dhjetra milionat e eurove që i kanë fituar pikërisht në sajë të allishverisheve me “Gimin” e të tjerë si ai. Për vilat disamilionëshe që i kanë ndërtuar në zonat më turistike të vendit veçse me “djersën e ballit” etj etj.

       Por jo vetëm opozita është e zhytur deri në fyt në afera të tilla. Edhe shumica në pushtet nuk është e pafajshme. Një ministër i saj, ai i rendit, i cilësuar si një nga më të suksesshmit e qeverisë Rama, gjendet sot në burg! I dënuar për afërsi dhe lidhje me krimin e organizuar. Një tjetër, deri pak kohë më parë ish kryeministër dhe dorë e djathtë e kryeministrit, është “arratisur” në Londër që t’i shpëtojë akuzave për vjedhje dhe shpërdorim të pushtetit!

      Po të ishim në një vend të Perëndimit, veçse për një nga këto dy skandale kryeministri i çdo vendi do të ishte dorëhequr! Pa një, pa dy. Por Rama nuk tundet nga “istikami”. Ç’faj kam unë për çfarë bëjnë ministrat e mi – ngren supet i habitur ai. Kësaj i thonë të futësh dhelprën në kotecin e pulave apo ujkun në vathën e dhënve dhe të bësh të pafajshmin!

      Po ashtu në çdo vend perëndimor njerëzit kur të shihnin që kryeministri nuk merr përsipër përgjegjësitë dhe fajet e veta do të ishin ngritur në këmbë dhe do ta kishin flakur nga zyra cilindo kryeministër. Por shqiptarëve duket se u është fashitur zjarri i revoltës. Ata janë tashmë pajtuar me të keqen. Dhe kanë zgjedhur si shpëtim veçse ikjen nga vendi.    

      Ky veprim dëshmon për një demoralizim dhe humbje shprese të tmerrshme. Vendi u është lënë në dorë kështu vetëm atyre që nuk kanë mundësi të largohen si psh pleqve, grave apo të sëmurëve. Por edhe atyre që i bëjnë paratë me lopatë, siç janë  psh mjekët dhe gjyqtarët, politikanët dhe oligarkët afër pushtetit. Për këta të fundit Shqipëria është kthyer në një minierë floriri të cilën ata nuk e ndrrojnë me asgjë.

     Po Rama a duhet të largohet pas këtyre gafave të njëpasnjëshme? Më e fundit fare hapja e dyerve për emigrantët afrikanë që mbërrijnë në Itali! Pa pyetur dhe diskutuar për këtë hap me asnjë njeri, sikur ta kishte Shqipërinë pronë të lënë nga babai!

       Pa asnjë dyshim që Rama duhet të largohet.  Por e keqja është se nuk ka alternativë për ta zëvendësuar. As brenda PS-së dhe as jashtë saj.Se Partinë Socialiste ai e ka kthyer në një “tabula rasa” ku nuk mbin as bari dhe jo më alternativa. Dhe larg o Zot sikur vendin e tij ta zëjë dyshja e mënxyrshme Berisha – Meta.

     Prandaj llogjika të thotë Po (ai duhet të largohet) dhe zemra të thotë Jo ! Se prapë se prapë ai mbetet më i miri tani për tani. Pastaj kush të garanton se ai që do e zëvendësojë do të jetë më i ndershëm dhe më i aftë ?! Atëhere si i bëhet ?

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment