Ja kaloi edhe kjo e hënë dhe Berisha as që e mori mundimin të paraqitet para “SPAK”-ut për të spjeguar sesi ai dhe rrethi i tij familjar bënë miliona euro vetëm me 200 metra tokë, që përfituan nga privatizimi i ish – kompleksit sportiv “Partizani”.
Për më shumë njerëzit e tij si Bardhi, Paloka, Noka e kompani janë hedhur sot në “sulm” duke i pamundësuar Kuvendit dhe komisioneve të tij të zhvillojnë mbledhje te tyre normale. Shkaku është, sipas ithtarëve të Berishës, se shumica nuk po merr parasysh asnjë nga propozimet e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, si psh për inceneratorët, aferën McGonigal etj etj.
Në fakt shumica ka gjithë të drejtën e Zotit, siç thuhet, të pranojë apo të mos pranojë propozimet e opozitës. Se vetëm asaj populli i ka besuar drejtimin e vendit. Nga ana tjetër opozita ka të drejtën e pamohueshme të kritikojë apo të demaskojë me force gjithë të bërat dhe të pabërat e maxhorancës. Por mbetet populli në fund të fundit, që vendos një herë në 4 vjet, se kush do t’i marrë frerët e qeverisjes.
Në kushtetutën e vendit theksohet psh që për ngritjen e një komisioni hetimor duhet që së paku për të të votojnë pro 25 përqind e deputetëve të Kuvendit. Por ngritja e një komisioni me kërkesën e opozitës duket se nuk është e detyrueshme, pasi për formimin e tij duhet që edhe opozita të votojë pro. Me një fjalë me 25 përqind të deputetëve ke të drejtë të propozosh ngritjen e një komisioni, i cili u dashka të aprovohet edhe nga shumica parlamentare! Diçka jo shumë e qartë, siç janë shumica e ligjeve në vend.
Ndryshe disa analistë dhe ligjvënës thonë që ngritja e një komisioni hetimor, pas kërkesës së 25 përqind të deputetëve, është pothuajse detyrim dhe votimi i tij nga shumica duhet të konsiderohet thjesht si formalitet.
Por pavarësisht këtyre komplikimeve dhe sofizmave ligjore, paraqitja e nje politikani para drejtësisë së vendit është pa asnjë dyshim një detyrim sa ligjor aq edhe moral. Me një fjalë një gur themeli i demokracisë. Sidomos për dikë që ka qënë edhe president dhe kryeministër i këtij vendi.
Rasti i Donald Trump-it është tejet domethënës. Ai i është përgjigjur të gjitha thirrjeve për paraqitje që i janë drejtuar nga gjykata të shteteve të ndryshme të Amerikës. Veçse “demokrati” Berisha kundërshton ta bëjë një gjë të tillë. Madje ai ka guximin dhe njëkohësisht paturpësinë të deklarojë se “asnjë bandit, brenda dhe jashtë vendit, nuk mund ta detyrojë të paraqitet me zor para çfarëdo gjykate”!
Dhe Berisha nuk e ka për herë të parë këtë shprehje cinizmi dhe përbuzjeje ndaj institucioneve të shtetit shqiptar. Jo vetëm sepse ka një muaj që po tallet me SPAK, por edhe se ka pohuar me qësendi se SPAK-u as që ka guxuar ta thërresë për paraqitje gjatë gjithë këtyre 4 vjetëve me rradhë. (Që kur është bërë e njohur afera e ish – kompleksit “Partizani”).
Dhe si hakmarrje për këtë “guxim të paparë” deputetët e tij po bëjnë tani edhe “Tarzanin”, duke u kacavjerrur dyerve dhe dritareve të Kuvendit ! Ndërkohë punimet e parlamentit bllokohen, SPAK-u mblidhet si kërmilli dhe “bota” qesh e gajaset. Ndërsa Rama bën atë që di më mire të bëjë. Ai i shmanget çdo përplasjeje të hapur dhe të menjëhershme. Përpiqet veçse të fitojë kohë dhe të “zbusë” gjendjen.
Por njerëzit nuk janë budallenj. Ata shohin dhe vërejnë se si një « non grata » i tund këmbët qeverisë. Sesi ai, megjithëse me një mal me krime mbi shpinë, përpiqet të bëjë përsëri ligjin në vend. “Guxoni të më prekni” – është mesazhi i tij.
Prandaj pezullon edhe punimet e Kuvendit dhe e shndërron këtë institucion në një lloj cirku. Edhe në kohën e Zogut, pothuajse100 vjet më pare, kur Shqipëria sapo ishte formuar si shtet, deputetët kishin 1 000 herë më shumë autoritet, vetpërmbajtje dhe kulturë sesa këta rronxhbonxhot e sotëm, të marrë dhe të zgjedhur të gjithë pothuajse nga rruga! Pa asnjë curriculum me vlerë, pa u shquar në asnjë fushë dhe të paprovuar fare në ndershmëri, aftësi apo integritet!
Duke e kthyer kështu shtetin në një institucion pa reputacion, pa dinjitet, pa autoritet. Problemi qëndron se kur këta gjoja “baballarë” të kombit sillen në këtë mënyrë çfarë mund të presësh nga njerëzit e thjeshtë?! Kur një klasë politike nuk është e aftë të respektojë ligjet e shtetit që vetë i ka përpiluar, a ka të drejtë ajo tu kërkojë banorëve të këtij vendi të sillen me korrektesë dhe qytetari ?!
Para kësaj situate llumi, lart dhe poshtë (oligarkët , banditët ordinerë, të korruptuarit, vjedhësit dhe grabitësit, të fortët e lagjeve etj etj) veçse fërkojnë barkun. E vetmja gjë që ata nuk duan është një shtet i fortë, kërkues dhe autoritar. Ku të gjithë, nga i pari deri tek i fundit, të respektojnë ligjet.
Por Rama as që do t’ia dijë. Ai shtetin shqiptar e do dhe e sheh si një pasqyrë ku të reflektohen dhuntitë e tij prej kllouni magjik, sportisti dhe piktori të veçantë. Dhe ai vepron pikërisht siç thoshte dikur edhe i ndjeri Berluskoni:”në kohën e lirë bëj edhe kryeministrin”!
Edhe Rama duket se e ka marrë me sportivitet rolin e kryeministrit. Psh para të huajve ai shfaqet bukur pa asnjë lloj kompleksi, duke i bërë ata sa të qeshin, aq edhe ta duartrokasin. Shumë mirë. Por kjo po ngjan në një kohë që Shqipëria po zbrazet dhe boshatiset, ndërsa ai shihet se pak nga pak po e transformon vendin në një tjetër Ruandë. Por jo për Mbretërinë e Bashkuar, por për adhuruesen dhe pasuesen e Musolinit !
Dhe çuditet dhe zëmërohet pastaj me Kurtin se pse ky nuk sillet njëlloj si ai. Se pse nuk u plotëson dëshirat të huajve, duke pranuar pa bërë zë Zajednicat, që fusin në dhé një herë e mirë sovranitetin e Kosovës !
Megjithatë, duhet pohuar se Rama mbetet, pavarësisht të gjithë të metave, kryeministri më i mirë që ka pasur ky vend gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit. Ai është pozitiv si tip. Me të Shqipëria po përparon, megjithëse me ritmin e breshkës. Por ai nuk vret, as për ruajtjen e pushtetit, as që edhe fëmijët e tij të pasurohen. Duket po ashtu se nuk është as « tahmaqar » pas lekut.
Por fatkeqësisht duke qënë pak sportist dhe pak piktor, pak politikan dhe pak dandy i spitulluar, ai shihet se nuk e ka brumin e një burri shteti. Duket si peshë e lehtë për të drejtuar një vend si ky me 1 000 probleme, me një përhapje dhe shtrirje tejet të gjërë të paligjshmërisë, të korrupsionit dhe kriminalitetit.
Prandaj Shqipëria ka sot nevojë urgjente për një « dorë të fortë », që të rivendosë themelet e një shteti me dinjitet dhe të mos lejojë transformimin e tij në një cirk me tarzanë. Natyrisht duke ruajtur si të shenjtë sistemin e pluralizmit politik. Ndryshe një ditë mund të kthehemi prapë te 1997-ta. Dhe duket se Berisha këtë po uron. Që të shpëtojë veten dhe familjen e tij si « non grata » nga Perëndimi, por edhe nga shumica e shqiptarëve.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment