Çfarë po ngjet në Kuvendin e Shqipërisë ?!

     Karrige që përmbysen, deputetë që shtyhen dhe godasin njëri – tjetrin, sharje dhe kanosje – të gjitha me qëllimin e vetëm të pengimit të zhvillimeve normale të seancave të parlamentit dhe ngritjen e tensioneve në vend ! Po përse gjithë kjo zallamahi ?! Çfarë ka ngjarë ?! Përse ankohet opozita ?

     Disi vështirë për tu kuptuar. Opozitarët shprehen se po mbrojnë kushtetutën ! Popullin ! Demokracinë ! Përse qënkan vënë në rrezik këto simbole dhe institucione ?! Nga kush dhe pse ?!  Vërtetësisht dhe fatkeqësisht për demokracinë pozita i ka sot të gjitha gjërat në dorë. Pra ka edhe gurin, edhe arrën, siç i thonë.  Por a është ajo fajtore për këtë, apo kundërshtarët e saj ?! Që për më shumë sot janë të ndarë dhe të copëtuar në 100 pjesë ! Atëhere ku qëndron problemi ?!

      Duket se kjo opozitë e mundur dhe e stërmundur disa herë në kutitë e votimit ndjehet sot tejet e frustruar. Ndofta sepse e ka kuptuar se nuk vjen dot më në pushtet me zgjedhje të rregullta dhe normale. Me « non grata » të mallkuara edhe nga Perëndimi.  Prandaj i është kthyer taktikave « të vjetra ». Jo më kot kryetari i saj, Sali Berisha, u shpreh sot se as në kohën e rënies së diktaturës, opozita nuk qënka trajtuar më keq !

      Po pse qënkan tërbuar kaq shumë ?! Çfarë po u bëkan që nuk po durojnë dot ?!  Mos vallë ngaqë nuk u pranohen  projekt propozimet e tyre ?  Dhe tani duan të imponohen me forcë ! Por neni numër 1 i demokracisë sanksionon se demokraci do të thotë sundim i shumicës. Dhe populli me votën e tij ia ka besuar shumicës qeverisjen e vendit. Kështu thotë edhe kushtetuta, që opozitarët duan ta mbrokan! Nga kush?! Nga populli?!

     Mos vallë ëndërrojnë që valët e revoltës të përhapen nga qëndra në periferi?! Dmth nga salla e Kuvendit deri në Kukës, Tropojë apo Sarandë? A mos po paralajmërojnë vallë një fushatë bllokimesh të rrugëve, tritol shtyllave elektrike, djegie dhe përplasje me forcat e rendit?! Me një fjalë një 1997-të minore?!

       Se ujkut sot i kanë rënë dhëmbët. Dhe më keq akoma edhe qimen e ka ndërruar, por pa sukses. Se askush nuk e ndjek më tani më nga pas. As me 100 gangsterët e Mamurrasit nuk e merr dot më pushtetin. As me rrëmbimin e një tanku në mes të bulevardit të Tiranës, siç bëri më 1998, pas vrasjes nga njerëzit e tij, të Azem Hajdarit.

         Se nuk është më ajo kohë. Se shteti shqiptar është forcuar. Sot nuk pi më ujë as edhe propaganda bajate e luftës kundër komunizmit. Sepse rolet kanë ndërruar. Sot kemi një ish komunist në krye të opozitës dhe një dandy antikomunist, një liberal, në krye të pozitës. Të cilin, për më shumë, të huajt e adhurojnë.

         Por kafsha e plagosur, që po jep shpirt, mbetet gjithmonë e rrezikshme. Dhe kjo është beteja e fundit për Sali Berishën. Dhëndrrin ia kanë futur në burg për allishverishe që kapin shumën e 5.4 milionë eurove dhe ia kanë sekuestruar po ashtu edhe të gjitha pasuritë e patundshme. Djalit po i vjen vërdallë dosja e Gërdecit. Vetë Sali Berisha po nuhat se rrethi mund të mbështillet edhe ndaj tij për vrasjet e 21 janarit në boulevard. SPAK nën shtytjen, kujdesin dhe kontrollin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është vënë disi në lëvizje.

      Berisha e ndjen nuk ka më çfarë të humbasë. Humbur që humbur ai tani po hidhet në sulm. Çfarëdo sebepi është i mirëpritur. Ju nuk i merrni parasysh propozimet tona?! Rrëmujë në parlament. Grevë urie ! Le ta marri vesh bota mbarë se Sali Berisha nuk tërhiqet. Se ai është faktor i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit në vend.

       Por duket se po shohin ëndrra me sy hapur. Shqiptarët janë zgjuar. Ata nuk i shkojnë sot prapa asnjë bajrraktari, që koha ka dëshmuar se mbron në rradhë të parë interesat e veta. Rama veçse qesh dhe argëtohet nga torrollisja e opozitës. Asgjë e keqe nuk mund ta gjejë. Përkundrazi. Votat do t’i shtohen edhe më shumë. Por ai që do ta pësojë mbetet përsëri populli dhe vendi.

       Sot ka ardhur, më në fund, koha e ekonomisë edhe për shqiptarët. Si të fitojnë edhe më shumë turistë ? Si të rrisin mirëqënien e tyre individuale dhe familjare ?! Askush nuk dëshiron sot trazira të reja dhe rrëmujë. Përveç atyre që kanë humbur « parajsën » sot e 10 vite. Por e kanë fajin vetë. Sado që të veshin lëkurën e qëngjit shqiptarët nuk i harrojnë të zezat e tyre. Vjedhje, vrasje, shkatërrime, korrupsion, pasiguri etj etj.

        Rama nuk është më i duhuri. Larg nga kjo ide. Por mbetet megjithatë më i miri. Ai nuk vret, nuk shkatërron. Vendi prej tij zbukurohet. Mbetet shumë për të bërë. Jashtëzakonisht shumë. Por nën drejtimin e shumicës së sotme vendi nuk po bën më kthime prapa. Nuk ecën mbrapsht si gaforrja, por po përparon ngadalë me ritmin e kërmillit. Këtu ndërtohet një aeroport, atje tej një port detar, një rrugë e re më tutje. Buxheti i shtetit po mbushet pak nga pak edhe falë mbledhjes më të mirë të taksave. Mirë është që borxhi i jashtëm nuk po rritet.

      E vetmja gjë që kërkojnë sot shqiptarët nga politikanët e tyre është që t’i lënë rehat nga grindjet e tyre. Që të ketë më shumë shtet, më shumë rregull, më shumë rritje dhe përparim. Por opozita duket se është tejet larg këtyre aspiratave. As i ka kuptuar as do t’ia dijë. Ajo sot është grumbulluar rreth një kufome që po rropatet që të mos e përfshijë dheu përfundimisht. Fatkeqësi.      

       Ajo duhet të ndryshojë kurs 180 përqind. Nuk ecët më përpara me dikë që ka 32 vjet që i rri mbi krye këtij vendi, pasi ishte për 25 vjet komunist. Koha e tij ka perënduar. Dhe ajo nuk vjen dot më në pushtet edhe sikur ta djegë jo vetëm Parlamentin me Kryeministrinë, por edhe mbarë vendin. Kur nuk të duan, nuk të duan. Duhet të ndryshosh ti, jo populli. Kur do ta kuptojnë vallë se i mbyturi të mbyt?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment