S’ka gjë më të shpifur se komunisti/demokrat

       Këtë shprehje, që ka hyrë në analet e diplomacisë ndërkombëtare, e ka thënë për herë të parë dramaturgu, intelektuali dhe ish i burgosuri politik në kohën e komunizmit, çeku Vaclav Havel.

       Ai e tha këtë frazë pikërisht  sikur të kishte parasysh një person të caktuar. Ndofta ai kishte arritur në këtë përfundim sepse kishte vuajtur paq në burgjet e komunizmit dhe kishte fituar me këtë rast edhe një përvojë sa të dhimbshme, por po aq edhe reflektuese. Dhe koha veçse dëshmoi se ai kishte 100 për qind të drejtë. Dhe shembulli më tipik i kësaj pothuajse profecie mbetet komunist/demokrati ynë, Sali Berisha.

       Tani ai gjendet në prag të arrestimit. Më në fund. Faktet dhe provat kundër tij janë sa mali i Dajtit. Por për të bërat dhe të pabërat e tij është shkruar dhe folur aq shumë saqë pothuajse nuk ka mbetur më çfarë të shtosh. Atë mund ta përkufizosh me pak fjalë vetëm si : shkatërruesi total i vendit.

        Asgjë nuk mbeti më në këmbë pas vitit të mprapshtë 1997. Shteti, që i mori plasaritjet e para që më 1991, u thërrmua përfundimisht më 1997. Me piramidat e famshme të fajdeve, që ai dhe partia e tij i lejoi dhe i mbrojti deri në çastin e fundit. Të mos flasim këtu për të vrarët e 21 janarit, për Gërdecin e dhjetra mynxyra të tjera.

    Dhe çuditërisht ky njeri i mbrapshtë është personazhi i vetëm nga ish-udhëheqësit post/komunistë që dolën gjatë peridhës 1990 – 1992, që mbeti deri dje aktiv në politikë.

   Disa « gojë të këqija » thonë se ai është i detyruar të vazhdojë këtë rrugë se ndryshe nuk ka shpëtim as për atë dhe as për familjen e tij ! Aq shumë mëkate, zullume dhe krime i varen mbi qafë.

     Dhe ja dje atij iu arrestua dhëndri i akuzuar për përfitime të paligjshme me një vlerë prej mbi 5 milionë eurosh. Vetë atij iu kërkua të dorëzojë pashaportën dhe të paraqitet të sot, e martë 24 tetor, para gjykatës së luftës kundër korrupsionit !

    Ky është një fund i tmerrshëm për atë që mburrej vend e pavend se kishte rrëzuar komunizmin ! Në një kohë që kalit i kishin rënë patkojt me kohë dhe mezi mbahej në këmbë.

      Aq mynxyrshëm qeverisi që nga 1991 deri më 1997 dhe pastaj nga 2005 deri në 2013-tën saqë edhe mentori i tij, Uashingtoni, e hodhi poshtë. Duke e shpallur Non Grata si armik të demokracisë, korruptues dhe shantazhues i drejtësisë.

      Po si spjegohet një « gjëmë » e tillë ?! Ka një arsye të fortë. Në fakt ka disa arsye dhe jo një. Siç është psh prejardhja e tij gjenetike. Nga një zone e prapambetur e vendit. Për të cilën ai nuk ka faj dhe nuk mban asnjë përgjegjësi.  I ndërgjegjshëm për këtë mangësi ai u betua se do të dilte nga kjo gjendje. Dhe punoi dhe luftoi shumë. Duke përfituar edhe nga politika e sistemit të kaluar kreu studimet e mesme dhe të larta për mjekësi me bursë shteti.

      Dhe për shkak të këmbënguljes, punës së palodhur, dëshirës për të kapur kohën e humbur , zgjuarsisë që nuk i mungonte, ai e kuptoi vegjën me anë të së cilës mund të ngjitej lart! U bë anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë në një moshë relativisht shumë të re. Dhe Partia e shpërbleu. Si jo shumë të tjerë ai u dërgua në Paris për studime pasuniversitare. Dhe falë këmbëguljes dhe punës së tij të palodhur ai u bë një kardiokirurg I vlerësuar dhe i njohur në fushën e mjekësisë. Por as edhe kaq nuk ishte mjaft.

       Malësori i vogël, që zbriti me një valixhe druri në Tiranë rreth moshës 15 vjeçare, ëndërronte shumë e më shumë. Aq sa dukej se po kopjonte personazhin e njohur të Balzakur, që edhe ai i zbritur nga provinca i tha Parisit, kryeqytetit të Francës: “Tani ose ti, ose unë”!

    Dhe pas shumë përdredhjesh, zvarritjesh, servilizmash ai u afrua te kulmi i kulmeve: u emërua mjek i posaçëm në Klinikën Speciale të Udhëheqjes, saktësisht pranë numrit 3 të shtetit të asaj kohe, Hysni Kapos.

      Padyshim që ishte tejet i kënaqur nga vetja, sidomos kur hidhte vështrimin mbrapa, nga koha kur i jati e detyronte të ruante dhitë në Viçidol. Megjithatë  i kishte mbetur edhe një kështjellë pa marrë. Kësaj rradhe ai e ndërmorri sulmin tërthorazi. Që të hynte në shtëpinë e “Zeusit”, u lidh së pari me fëmijët e këtij të fundit. Nuk përtonte as të shkonte deri në Valarekë të liqenit të Pogradecit dhe të hypte në varkë së bashku me Sokol dhe Liljana Hoxhën dhe në fund të hynte edhe te shtëpia e diktatorit dhe t’i shtrëngonte dorën.

     Deri atëhere gjithçka po shkonte flollë për arrivistin e pangopur. Por papritur themelet e sistemit filluan të lëkunden. Ai që i ishte afruar aq fort majës, më shumë nga të gjithë i ndjente tani lëkundjet sizmike që kishin nisur në kampin e ashtuquajtur të demokracive popullore. Duke filluar nga Hungaria, Çekia dhe që po i afroheshin Moskës. Këto tronditje tërmeti, pa asnjë dyshim do të kapnin herët ose vonë edhe Shqipërinë, aq më shumë që udhëheqësi i asaj kohe, që kishte zëvëndësuar Enver Hoxhën, pas vdekjes së këtij të fundit, ishte për vete i lëkundshëm dhe nuk dinte nga të shkonte.

      Dhe kur filluan trazirat e para politike në vend, ai e pa se mund t’i hapeshin perspektiva të paimagjinuara deri më atëhere. Dhe pasi mori  edhe “bekimin” e Ramiz Alisë u vu në krye të lëvizjes studentore. Ndërkohë që themelet e shtetit po lëkundeshin gjithmonë e më fort. Fundi i kastës së vjetër nuk dukej larg. Problemi ishte se kush do t’i zëvëndësonte?!

      Duhej afruar me rrugën e Elbasanit, aty ku gjendej ambasada amerikane e sapohapur që pas vitit 1945. Duhej tu hynte në shpirt dhe në zemër drejtuesve të saj.  Sepse vetëm ata mund ta ngrinin deri në majën e Olimpit. DHe… edhe një herë tjetër ia arriti. E ktheu xhaketën me shpejtësi dhe e pa veten në postin e Ramiz Alisë, si president i Republikës Shqiptare.

       Por pikërisht atëhere kur mendoi se tani nuk kishte më burrë në botë ta zbriste nga “kali”, pikërisht atëhere filloi edhe tatëpjeta e tij. Deri atëhere ia kishte dalë në krye duke luajtur brrylat, duke eleminuar kundërshtarët, duke u zvarritur. Por tani që ishte i pari kjo përvojë nuk vlente më. Tani ishte ai që duhej të merrte vendimet e vështira, të udhëhiqte shtetin, të forconte ekonominë e rënë shumë nga vakti, që kur kryeministri i dikurshëm, Mehmet Shehu, u detyrua të vriste veten.

     Por ai nuk ishte mësuar të udhëhiqte, por veçse të bindej, të buzëqeshte, të kacavirrej. Tani nuk kishte ku të shkonte më lart. Kishte kapur qiellin. Në këmbët e tij shtrihej veçse humnera.

    Atëhere e gjeti zgjidhjen: “Unë ju lej të bëni çfarë të doni, ju më lëni të bëj presidentin”!  Kaq mjaftonte që shteti të shkërmoqej. Secili e kuptoi se tani mund të bënte çfarë të donte. Rrëmbe, grabit, vidh, pasurohu me çdo kusht dhe çdo mjet. Askush nuk të kërkonte më llogari.

     Dhe kështu më 1997, pas 52 vjetësh sovranitet, në vend u dukën përsëri ushtritë e huaja ! Por ato nuk kishin ardhur kësaj rradhe për pushtim, por për të vënë rregull në vendin ku edhe fëmijët 10 vjeç ishin tashmë të armatosur me një kallashnikov !

     Por kishte edhe një problem tjetër që Berishën nuk e linte të qetë. Kapitalizëm do të thotë Pasurim. Atëhere si i bëhet ? Në fillim nuk e kuptoi, por befas u ndriçua. Ai gjendej sipër një miniere gjigande me pasuri të pafundme. Mjaftonte që këtë pasuri, që dikur ishte e të gjithëve, ta privatizonte, ta ndante, ta dhuronte.  Si nuk i kishte vajtur mendja më përpara ?!

     Por ëndrra u kthye në zgjendër. Turbullirat kishin arritur kulmin. Vendi ishte nën zjarr dhe hekur. Dhe kur po bëhej gati t’i hypte helikopterit, që do ta çonte në Itali, dëgjoi papritur zëvendësin e tij, që sapo kishte dalë nga burgu ku ai e kishte futur, të deklaronte se ai nuk do të lejonte që Berishës t’i prekej qoftë edhe një fije floku !

    U kthye nga rruga. Dhe për 8 vjet priti me durim si gjarpëri nën gur që bëmat e tij të harroheshin. Që në kampin kundërshtar të fillonin zënkat për ndarjen e “plaçkës”. Dhe përsëri ia arriti. Por nisur edhe nga përvoja e kaluar negative, kësaj rradhe u vu i dyti në rradhë. Por pa harruar t’i kalonte vetes të gjitha kompetencat, ndërsa numrit një, pra gjoja presidentit, t’i linte vetëm “çelësat e kashtës”.

     Por huqi dihet se del pas shpirtit. Me një ndjenjë revanshi, (rashë një herë nga kali që nuk e kuptoja se pse më kishte marrë inat, por nuk bie më) !

     Dhe vazhdoi të grumbullonte pushtet rreth vetes. Ndërsa fëmijët i drejtoi drejt bizneseve fitimprurëse. Nuk mund të gabosh, as të humbësh apo të falimentosh kur e ke babin kryeministër. Prandaj edhe vrau në mes të bulevardit, kur aleatit të tij i dolën të palarat në shesh. 700. 000 euro për një firmë !

      Ndërkohë as djali dhe as vajza e tij nuk rrinin duarkryq. I biri merrej me tregtinë e armëve të kohës së Enverit, sidomos me eksportin e fishekëve. Vajza kishte hapur një agjenci konsultimesh në aferat ekonomike. Ti donje një tender, një projekt, një koncesion?! “Çmimi” ishte veçse 3 përqind e vlerës së mallit!

    Deri dje. Kur policët i arrestuan burrin dhe drejtësia po merr si të pandehur edhe babin e saj të dashur.

    Kjo është historia e atij që i ka qëndruar mbi kurriz këtij populli e këtij vendi përgjatë 30 vitesh.

     Pyetja është: Pse Shqipëria nuk ndoqi dot shembullin e vendeve të tjera të Lindjes, si Çekia, Sllovakia, Sllovenia, vendet balltike, madje edhe Maqedonia apo Mali i Zi, që nuk njohën tallaze të tilla si vendi i shqipeve?!

     Dhe përgjigja është e thjeshtë: Se në krye të saj u vendos një komunist fanatik, që ndërroi veçse xhaketën, por jo formimin e tij. Gjatë 25 viteve të qënies komunist, ai e kishte përvetësuar mrekullueshëm  parullën e Leninit se: “nga gërmadhat do të ngremë botën e re”! Dhe si komunist i bindur dhe i farkëtuar me mësimet e Partisë dhe shokut Enver, e vuri në jetë këtë parullë me përpikmëri të madhe, duke e kthyer Shqipërinë vërtet në një gërmadhë.

       Ndërkohë edhe mentori dhe formuesi i tij me teorinë marksiste – leniniste, Enver Hoxha, e kishte bindur se “kapitalizëm do të thotë grabitje, shfrytëzim, padrejtësi, pasurim me çdo kusht dhe mjet! Dhe se nuk ka më keq se kapitalizmi ku gjithçka është e lejuar”! Dhe ai veproi pikërisht siç ishte formuar gjatë karrierës së tij 25 vjeçare si anëtar i Partisë së Punës. I la të gjithë të vjedhin, të grabisin pronën e përbashkët, të pasuroheshin duke mbjellur kanabis, duke trafikuar femra, duke shfrytëzuar prostitucionin etj etj.

       Pa asnjë dyshim se Shqipëria do të ishte krejt ndryshe sikur në atë kohë të mos kishte dalë në krye të vendit një komunist i thekur, por dikush nga një familje me tradita qytetare, që të mos i kishte asnjë borxh sistemit diktatorial.

       Sidoqoftë “Game over”. Shqipëria ka 10 vjet që ka shpëtuar nga “shtrigu plak”. I cili po pret me frikë tash se kur do ti hapen dyert e zgafellës. Ndofta  Rrugës së Kryqit i ka ardhur fundi edhe për Shqipërinë. Me kusht që të jenë balthazarët që ta mbajnë tash kryqin mbi shpinë.

                                                                            Nga Viron Gjymshana

Lini një koment