- Nga Michel Claise
Ky është titulli i librit më të fundit që është shpërndarë këto ditë në të gjitha libraritë frankofone të Belgjikës. Në të vërtetë libra kushtuar ligjit të Kanunit që kushtëzonte dikur jetën dhe traditat e popullit shqiptar, janë botuar prej kohësh. Veçse në gjuhën franceze në librarinë “Amazon” mund të gjesh referenca për librat « La loi du Kanun » ( Ligji i Kanunit) apo « Dette de sang » – ( Borxhi i gjakut).
Po libri i sapodalë në qarkullim, më 20 tetor, është disi i ndryshëm nga të tjerët. Këtu nuk kemi të bëjmë me histori antike, me tradita folklorike, me femrat burrnesha etj etj. Jo. Libri “ Kodi i Kanunit” ka një këndvështrim krejt tjetër, tejet bashkëkohor dhe madje modern. Autori, për të cilin do të flasim më poshtë, përpiqet të spjegojë gjurmët që ky ligj i lashtë, që vjen para epokës skënderbejane, ka lënë në ADN-në e shqiptarëve sot. Sidomos atyre të veriut.
Ai përpiqet po ashtu të kuptojë ndërthurrjen apo lidhjen gjenetike ndërmjet krimit shqiptar në Belgjikë me rolin dhe ndikimin e kanunit në nënvetëdijën e të rinjve nga Kukësi, Puka, Repsi apo rrethinat e Shkodrës që bëjnë pjesë në mjegullnajën e krimit të organizuar sa në Anvers të Belgjikës, apo edhe te “çunat e Londrës” në Angli dhe më gjërë.
Ndryshe ky lloj libri, që mund të rradhitet pa frikë në rubrikën “Krimi” të çdo librarie apo biblioteke, mund të cilësohet si ana tjetër e filmit të famshëm “Taken”. Veçse i pari shpaloset në gërma, ndërsa i dyti në imazhe. Por brendia është pothuajse e njëjtë me atë të “Markos nga Tropoja”!
Dhe autori, Mishel Claise, di se për çfarë flet dhe shkruan. Se ai është sot njëri nga prokurorët më të njohur të Belgjikës. Është pikërisht ky prokuror që i hapi « petët lakrorit» kur denoncoi me fakte dhe prova korrupsionin që gjallonte në Parlamentin Europian. Emrat e eurodeputetes greke Eva Kaili, që përfundoi disa kohë në burg dhe tani ndiqet në gjendje të lirë, të eurodeputetes italiane Maria Arena, të ish deputetit Marko Tarabella apo edhe të një farë ndërmjetësi Panzeri, zunë faqet e para të shtypit perëndimor, disa muaj më parë, gjatë zbulimit dhe shpërthimit të skandalit të njohur si « Katargejti ».
Po ky prokuror, që nuk frikësohet të denoncojë edhe allishverishet e më të fuqishmëve, ka kaluar nëpër duart e veta gjatë karrierës së tij të gjatë edhe dhjetra dhe qindra dosje të lidhura me mafien shqiptare në Belgjikë. Prandaj ai është edhe aq i mirinformuar rreth bëmave të tyre, mënyrave të veprimit dhe organizimit si dhe “omertasë » që ekziston në gjirin e familjeve dhe klaneve mafioze shqiptare.
Me një eksperiencë të pasur afro 40 vjeçare në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të « jakave të bardha » prokurori belg duket se edhe një herë tjetër e la mënjanë për disa kohë togën e përfaqësuesit të drejtësisë për ta shkëmbyer atë me penën e shkrimtarit. Sepse këtë ndërrim “xhakete” ai nuk e ka për herë të parë. Pasi Claise ka shkruar deri më tani 13 libra me tema të ndryshme, sigurisht disa të përftuara edhe nga lufta e tij e gjatë me organizatat kriminale.
Familjet Arditi, Bitri, Spati, Duraj, apo Drita, Kristina, Anila, Antoni etj kalojnë në skanerin e tij me traditat dhe zakonet e tyre, që në shumë raste të kujtojnë « Kumbarin » e Mario Pozzo-s. Klane mafioze, të mbyllura hermetikisht, të dhunshme dhe të përgjakshme, të cilët etja për para, i çon nga krimi në krim, pa pasur asnjë lloj vrasjeje ndërgjegjeje. Nisur edhe nga faktet dhe provat që ai disponon autori duket se e kërkon dhe e gjen burimin e krimit te një pjesë e shqiptarëve pikërisht në nenet dhe zakonet e Kanunit të rreptë.
Dhe krimi dhe mafia shqiptare në Europë nuk është fantazi e prokurorit belg. Kështu psh vetëm gjatë muajit shtator policia shqiptare ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji kanë vënë në pranga 937 autorë të dyshuar krimesh, kanë asgjësuar 60 705 bimë dhe 15 564 fara kannabisi, si dhe kanë sekuestruar 223 kg cannabis, 6 kg kokainë, sasi heroine, 68 kallëpe tritoli, 4 mina me telekomandë, 44 armë zjarri, 43 granata dhe 12 armë gjahu”.
Po ashtu sipas një hetimi nga “Essex News dhe Investigations’, mbi 200 shqiptarë janë paraqitur në gjykatat e Britanisë së Madhe, vetëm gjatë 10 ditëve të para të muajit shtator ! Ndërsa pak muaj më parë, në prill 2023, 204 shqiptarë janë vënë në ndjekje penale si të dyshuar për shpërndarje të drogës së klasit A, prodhimin e kanabisit, pastrimin e parave, trafikimit të qenieve njerëzore, posedim të armëve të zjarrit, dhunë dhe shkelje, të cilat kanë ngjarë veçse gjatë dy javëve të muajit prill.
Njëkohësisht, ashtu siç është bërë e ditur edhe nga shtypi vendas, mafia shqiptare nuk është mjaftuar vetëm me shpërndarjen e drogës si dorë e tretë apo e katërt. Por ajo i është afruar edhe « burimit » të tij. Vrasjet apo arrestimet e disa shqiptarëve në Ekuador dhe Bolivi dëshmojnë se malavita shqiptare është ngjitur sot deri në « elitën » e krimit edhe në Amerikën Latine.
Prandaj edhe jeta, veprimet dhe lidhjet e krimit shqiptar me atë kolumbian përshkruhen imtësisht edhe në librin e Mishel Claise. Prokurori belg duket se ka ndjekur lëvizjet e parreshtura të anëtarëve të mafias shqiptare si në Bruksel dhe Anvers të Belgjikës, por po aq edhe në Bogota të Kolumbisë.
Lexuesi dashur pa dashur njihet kështu edhe me botën e errët të shfrytëzimit të prostitucionit, (30 000 vajza shqiptare sipas prokurorit /shkrimtar « punojnë » në trotuaret dhe bordellot e vendeve europianoperëndimore), atë të trafikut të qënieve njerëzore dhe të drogës në rrugët e këtyre vendeve, që shpesh herë skuqen nga gjaku i vrasjeve ndërmjet grupeve rivale shqiptare, apo edhe në përleshjeve të tyre me mafian vëndase apo edhe me mafian konkuruese meksikane apo marokene për ndarjen e zonave të tyre të « veprimit ».
Libri « Kanun » lexohet me kërshëri dhe interes sidomos nga ata që i njohin kodet e jetesës së shqiptarëve, zakonet dhe mentalitetin e tyre. Por edhe nga belgët e zakonshëm që kanë dëgjuar aq shumë për të bërat dhe të pabërat e mafias shqiptare në vendin e tyre.
Duke u zhytur në pasazhet e këtij libri vihet re se autori mban një qëndrim disi asnjanjës kur përshkruan dhe ravijëzon karakteret e personazheve të tij. Të cilët jo të gjithë i takojnë botës së krimit. Përveç anëve negative, siç janë dhuna, egërsia, ndjenja e pafund e gjakmarrjes, (vendettës në libër), në skalitjen e personazheve bie në sy edhe zgjuarsia e tyre, dëshira për « t’u ngritur », për tu pasuruar me çdo kusht dhe mjet, por edhe forca e besës dhe fjalës së dhënë etj etj.
Por gjithsesi ky libër nuk i lartëson shqiptarët në syrin e lexuesve të huaj. Michel Claise në këtë roman policor nuk i është shmangur dot disa paragjykimeve dhe klisheve që gjallojnë sot për shqiptarët nëpër shumë vende të Europës. Bie në sy se skaneri i tij është fokusuar veçanërisht në pjesën më të errët të shoqërisë shqiptare si dhe të diasporës së saj në Belgjikë, Gjermani, Kolumbi etj. etj.
Por nga një roman i tipit policor nuk mund të pritet diçka e ndryshme. Autori thjesht i është përmbajtur zhanrit të librit. Të një libri që me siguri do të ketë jehonën e tij edhe në botën kulturore, letrare dhe intelektuale të Belgjikës.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment