Fitore e madhe për Albin Kurtin dhe mbarë Kosovën

        Albini dhe bashkë me të edhe Kosova kanë korrur një fitore të madhe këtë të shtunë. Se “pesëshja” perëndimore që ka vizituar këto ditë Prishtinën, dhe të dielën Beogradin, ka pranuar që Albini të hartojë vetë një plan asosacioni për serbët që banojnë në Kosovë! Kjo ishte e paparë dhe e paparashikuar.

         Se deri më 2013-tën Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa kishin nënshkruar symbyllazi çfarëdo dokumenti që të ngarkuarit e Bashkimit Europian i kishin vënë përpara. I pari nga frika e prangave që ia vringëllonin para syve vend e pa vend. I dyti se vinte nga një parti që gjithmonë ka qënë kurrizpërkulur para të mëdhenjve. Dhe që ka pritur gjithmonë që gështenjat nga zjarri t’ia nxirrte Amerika. Por Amerika e sotme ka halle të tjera, saqë mund të thuhet se nuk e di se ku ka kokën. Lufta Ukrainë – Rusi, një tjetër e pritshme me Kinën për çështjen e Tajvanit, dhe tani edhe konflikti izraelito – palestinez. Çështja e Kosovës duket mikroskopike ndaj këtyre konflikteve që rrezikojnë të shtrihen deri në konflikte rajonale dhe ndofta edhe botërore.

      Por Albini ia arriti. Me dhënien e lejes kryeministrit të Kosovës ta hartojë ai projektin e asosacionit u fituan dy gjëra tejet të rëndësishme : E para – De fakto u hodh poshtë marrëveshja e nënshkruar nga dyshja Thaçi/Mustafa që ia lidhte këmbët dhe duart Kosovës. Duke e kthyer në një shtet gjysmagjel.  E dyta u hodh poshtë edhe propozimi i Marrëveshjes së Ohrit. Në të cilën parashikohej që komuniteti serb në Kosovë të përfaqësohej para botës dhe qeverisë së Prishtinës nga një lloj presidenti. Dhe kështu qeveria e Kosovës duhej t’i merrte « dorën » këtij presidenti për të gjitha vendimet që ajo do merrte lidhur me serbët që jetojnë sot në Kosovë ! Që do të thotë krijimi i një shteti brenda shtetit kosovar. Kosova kthehej kështu edhe më keq se Bosnja – Hercegovina.

        Më në fund pas përpjekjesh të shumta, guximi dhe mospërkulja e Kurtit dhanë frytet e tyre. Në një kohë që një tufë puthadorësh të neveritshëm nuk linin rast dhe çast pa e akuzuar Kurtin se po na prishte me miqtë tanë perëndimorë. Por miqtë e vërtetë e mirëkuptuan shqetësimin e kryeministrit të Kosovës dhe hapën rrugë. Megjithatë këtu nuk ka nevojë për asnjë lloj trumfalizmi. Por veçse për mirëkuptim dhe modesti.

        Ndryshimi ngjau siç duket nga disa persona të nivelit të ulët në politikën euroatlantike që kishin vendosur ta « zgjidhnin » të ashtuquajturën çështje e Kosovës duke përkëdhelur Serbinë dhe plotësuar tekat e saj. Me shpresën se kështu do ta kthenin Serbinë nga krahu i tyre. Ëndrra në beze. Dhe më keq akoma. Duke i hequr Kosovës sovranitetin e e saj mbi 10 përqind të territorit. Por pas rezistencës së Kurtit duket se çështja vajti më lart. Te presidenti gjerman Scholc, te ministrja e tij e jashtme dhe tek disa senatorë dhe parlamentarë amerikanë, që po e kritikonin hapur Shtëpinë e Bardhë për gabimet e saj në përkëdheljen  ndaj  Serbisë dhe politikës së presionit dhe detyrimit ndaj Kosovës.

      Projekti për asociacionin normalisht nuk mund të vinte as nga Lajçak dhe as nga Borrell. Kur ishte ministër i jashtëm i Sllovakisë Lajçak ktheu në kufi presidentin hungarez, kur ai po shkonte të vizitonte këtë minoritet hungarez në Sllovaki. Hungarezët për Sllovakinë e Lajçakut nuk duhet të kenë të drejta as sa 30 mijë serbët e veriut të Kosovës! Ndërsa Kosova duhet të bëjë atë që vetë Lajçak e refuzon për minoritetet në vendin e tij!

       Ndërkohë Borreli vetë është nga krahina separatiste e Spanjës, Katalonja. Por Borrell ka qënë gjithmonë kundër pavarësisë së Katalonjës. Atëhere si mund të jetë ky njeri në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës?! Aq më shumë që edhe vendi i tij, Spanja, nuk e ka njohur pavarësinë e saj?!   

    Falë vendosmërisë së Albin Kurtit Kosova shpëtoi nga kulari që donin t’i vinin në qafë. Tani Kurti duhet dhe mund të hartojë një asosacion ku serbët të gëzojnë maksimumin e të drejtave si individë, por pa vënë kurrsesi në rrezik sovranitetin e Kosovës.      

      Ky asosacion duhet të përpilohet duke marrë parasysh dhe tejkaluar në të drejta rastet e ngjashme të trajtimit të pakicave në vendet perëndimore, por pse jo edhe të atyre në Serbi, Maqedoni apo Turqi.

      Që nga sot duket se gjithçka është më e thjeshtë, më e lehtë dhe më e bukur për Kosovën.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment