Jemi me të dyja këmbët brenda « Përplasjes së Qytetërimeve »

       Sikur të mos ishte mjaft Covidi, sikur të mos mjaftonte konflikti Rusi – Ukrainë, u desh që të ndizet edhe një vatër tjetër e rrezikshme zjarri në Lindjen e Mesme. Ndofta për ta bërë botën sot edhe më të rrezikshme seç është. Në një kohë që në mënyrë naive u mendua se pas shembjes së perandorisë sovjetike bota do të njihte një periudhë përparimi, prosperiteti dhe paqeje të paparë. Aq sa edhe shkrimtari I famshëm Francis Fukuyama botoi best-sellerin me famë botërore “Fundi i Historisë”.

     Në fakt fjala “ndizet” nuk është e saktë. Se kami të bëjmë veçse me një rindezjeje të një konflikti pothuajse shekullor.  Konflikti që veçse i kishte rënë një tis hiri sipër, por thëngjijtë kishin mbetur të ndezur. Prandaj gjendja në Lindjen e Mesme me konfliktin izraelito – palestinez herë duket sikur shuhet dhe herë merr forcë dhe djeg çfarë i del përpara.

       Por për brezin e tretë në Shqipëri ky konflikt nuk përbën ndonjë risi apo diçka të panjohur.  Termat “Rripi i Gazës’, ‘Rafah’, Arafat, Organizata për Çlirimin e Palesinës etj ishin të përditshme në shtypin e kohës. Aq sa u bënë edhe disi të mërzitshme. Vetë Enver Hoxha dukej se ishte aq i përthithur nga ky konflikt saqë shkroi një libër të tërë për rrënjët e tij. Padyshim që ai mbështeste me forcë atë që në gjuhën e asaj kohe cilësohej si “kauza e drejtë e popullit palestinez”.

     Por ndryshe nga ajo kohë, përplasja e sotme po përvijëzohet dhe shtrihet edhe në vendet dhe kontinentet e tjera, që më parë nuk ishin të prekur apo ishin indiferentë ndaj tij. Dhe për më shumë ajo po merr nuance dhe ngjyra fetare.

       Në kohën e Hoxhës bota ishte e ndarë në dy blloqe ideologjike, në atë të Perëndimit, të udhëhequr fuqishëm nga Amerika dhe në atë të Lindjes të drejtuar me dorë të hekurt nga ish Bashkimi Sovjetik. Të dy superfuqitë e kohës e përdornin konfliktin izraelito – palestinez, në rradhë të parë për interesat e tyre. Për të dëmtuar kundërshtarin dhe rritur zonat e tyre të influencës. Nuk duhet harruar se në atë zonë gjenden burime të pafundme gazi dhe nafte, për të cilat bota ka aq shumë nevojë.

        Në atë kohë binte në sy në mënyrë të veçantë edhe roli diplomatik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe kjo kuptohet thjeshtë. Amerika donte ta mbante sa më larg që të mundej Bashkimin Sovjetik nga kjo zonë me rëndësi sa strategjike, aq edhe ekonomike. Prandaj ajo organizoi edhe samite me rëndësi ndërkombëtare për zgjidhjen e këtij konflikti, siç ishte ai i takimit të Kemp Dejvid-it më 1978 apo ai ndërmjet përfaqësuesit të Palestinës Jaser Arafat me me atë izraelit Jitzhak Rabin në Oslo të Norvegjisë.

         Por më e reja dhe më e veçantja e kësaj vatre të rindezur zjarri është ndarja e qartë, e shpejtë dhe e menjëhershme e kampeve në luftën e tashme Izrael – Palestinë.. Amerika psh u rradhit menjëherë kësaj rradhe në mbrojtje të Izraelit, saqë dërgoi atje me urgjencë edhe aeroplanmbajtësen e saj më të madhe Gerald Ford. Aq sa që edhe presidenti turk, Erdogan, u shpreh se ne po dërgojmë në Gaza anije me ndihma, ndërsa Amerika po dërgon aeroplanmbajtëse !

        Dhe ndërsa Amerika dhe Bashkimi Europian u rradhitën menjëherë me Izraelin, vendet myslimane dolën hapur dhe fort në mbrojtje të Palestinës. Dhe ra në sy po ashtu se « rruga », pra masat e njerëzve të thjeshtë ishin edhe më të zjarrtë në mbështetje të Palestinës sesa udhëheqësit e tyre. Sheshet e qyteteve në Marok, Pakistan, Egjipt,  Algjeri etj u stërmbushën nga njerëz që valëvitnin flamurin palestinez.

       Ndërsa disa vende me rëndësi në diplomacinë ndërkombëtare si Kina, Rusia, Brazili apo India po mbajnë një qëndrim disi më të ekilibruar. Duke e vënë theksin në nevojën e deshkallëzimit të gjendjes dhe nisjes së bisedimeve për zgjidhjen e këtij konflikti shekullor  Shihet se kampet janë të ndara.

        Kina dhe Rusia psh po përpiqen po ashtu haptazi të eliminojnë apo dobësojnë ndikimin e civilizimit perëndimor nën udhëheqjen e Amerikës në botë. Kohët e fundit ata kanë krijuar edhe një organizëm i njohur me akronimin BRICS, sipas emrave të themelusve të tij (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Sud Afrikë). Të tjera vende si Argjentina, Irani, apo Arabia Saudite kanë bërë kërkesë për t’iu bashkëngjitur këtij organizmi.

        Në kuadër të kësaj politike edhe Pekini pikërisht sot ka organizuar një forum ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e mbi 100 shteteve, përfshirë presidentin Putin, për të përforcuar politikën e tij ekonomike të « Rrugës së Mëndafshit » ! Po ashtu BRICS po parashikon edhe krijimin në të ardhmen të një monedhe të përbashkët që do të rivalizojë me dollarin.

        Atëhere a pati të drejtë Samuel Huntigton kur deklaroi 30 vjet më parë se shekulli i 21-të do të jetë ai i përplasjes së qytetërimeve?!  Sipas tij dallimet më të rëndësishme ndërmjet popujve dhe qytetërimeve të ndryshme nuk do të jenë më ideologjike, politike dhe ekonomike. As edhe racore. Ndryshimet më të mëdha do të jenë në fushën e kulturës, ku feja do të zëjë një vend të rëndësishëm.

      Ai duket se parashikoi me saktësi, që në vitin 1993, se ekstremizmi islamik do të kthehet në kërcënimin kyesor për Perëndimin. Dhe jo më larg se dje një islamist me prejardhje nga Tunizia vrau në mes të Brukselit dy tifozë suedezë, që kishin ardhur për të ndjekur takimin e kombëtares së tyre me atë të Belgjikës, si hakmarrje ndaj djegies së Kuranit në Stokholm !

        Sipas Huntigtonit njerëzimi ndahet në disa raca dhe disa qytetërimeve, ndër të cilat ai rendit: qytetërimin perëndimor, atë mysliman, kinez, sllavo ortodoks, indian, afrikan, japonez dhe hebre,

          Po shqiptarët ku gjenden në këtë kaleidoskop popujsh, vendesh, racash dhe qytetërimesh ?! Pa asnjë dyshim kombi shqiptar duhet të jetë dhe është në kampin e Perëndimit. Këtë e kanë përcaktuar me kohë Rilindasit tanë të lavdishëm, kur kanë proklamuar me forcë se : për shqiptarët Dielli lind andej nga perëndon ! Kjo aspiratë u verifikua përsëri fuqishme gjatë demonstratave të paharruara antikomuniste në Qytetin Studenti, kur dhjetëra mijëra veta në kor brohorisnin : E duam Shqipërinë si gjithë Europa.     

         Dhe duket se edhe Europa nuk ka qëndruar indiferente ndaj kësaj thirrjeje të dalë nga kraharori i gjithë një populli. Psh jo më larg se dje, 16 tetor 20023, në Tiranë u mblodh ajka e Europës. Siç ishte presidenti i Gjermanisë, Sholc, ai i Francës, Macron, ai i Spanjës, Sançez, kryeministri I Hollandës, Ruth si dhe kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Layen.

        Dhe nuk ka si të jetë ndryshe. Shqiptarët janë një popull që për hero kombëtar kanë Skënderbeun e pavdekshëm, si identitet kombëtar kanë gjuhën që i bashkon pavarësisht se në cilin shtet ndodhen. Fatmirësisht feja tek ata nuk ka zënë dhe nuk zë një vend të rëndësishëm. Katër bashkësitë fetare në vend, sunitët, bektashinjtë, katolikët dhe ortodoksët, pa harruar këtu shumicën laike, ateiste dhe agnostike, jetojnë në harmoni të plotë. Se feja e shqiptarit është SHQIPTARIA.

         Është e vërtetë se Europa në të kaluarën na ka bërë disa padrejtësi. Të cilat janë riparuar deri diku me çlirimin e Kosovës në vitin 1999. Por nuk duhet të harrojmë po ashtu se europianët shpesh herë i kanë bërë padrejtësi edhe njëri – tjetrit. Le të kujtojmë këtu luftërat e përgjakshme Francë –Gjermani deri në mesin e shekulli të kaluar, Francë – Angli, Hollandë –Angli, Francë – AustroHungari dhe shumë të tjera. Prandaj asnjë mëdyshje. Vendi ynë, e tashmja dhe e ardhmja, janë të lidhura pashmangërisht veçse me Perëndimin.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment