Disa fjalë rreth konfliktit të « përjetshëm » Izrael – Palestinë

   Lindja e Mesme është prapë në flakë. Kësaj rradhe si pasojë e një sulmi të papritur të organizatës palestineze « Hamas » kundër Izraelit. Një sulm tejet i guximshëm dhe i mirëpërgatitur që kapi në befasi sa Izraelin, por edhe opinionin publik ndërkombëtar.

    Kjo luftë, e disata gjatë këtyre 20 viteve të fundit,  i ngjan asaj biblikes ndërmjet Davidit dhe Goliathit. Sepse nga njëra anë gjendet një organizatë palestineze e njohur si “Hamas” dhe nga ana tjetër kemi të bëjmë me shtetin e super të sofistikuar dhe super të armatosur të Izraelit.

     Rripi i Gazës, siç njihet territori që administrohet nga organizata “Hamas”, ka një sipërfaqe prej vetëm 365 km katrorë dhe një popullsi prej rreth 2.2 milionë banorësh. Sa për krahasim Kosova ka një sipërfaqe prej 11 000 km katrorë, pothuajse 30 herë më të madhe, me afërsisht po aq banorë, 2 milionë. Prandaj territori i Gazas konsiderohet sot si terreni me densitetin më të lartë në botë. Në anën tjetër gjëndet Izraeli me një sipërfaqe prej afro 21 000 kilometra katrorë dhe me një popullsi që po u afrohet 10 milionë banorëve.

     Nuk është hera e parë që bota po ndjek me shqetësim konfliktin izraelo/palestinez. Por lufta e tanishme është e veçantë nga shumë pikëpamje. Sepse ajo po ngjan kur opinioni ndërkombëtar ishte i përqëndruar në konfliktin Rusi – Ukrainë. Një konflikt tjetër rajonal patëm para pak javësh edhe midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Dhe ja tani kur « rindizet » edhe eshka e konfliktit shekullor Izrael – Palestinë.

     Në fakt ky konflikt është shumë i vjetër, pothuajse 3 500 vjeçar. Ai fillon që në kohën kur Faraoni Ramses II i dëboi çifutët e asaj kohe drejt Babilonisë. Por ishin kryesisht kryqëzatat e papëve të Romës, rreth 1 000 vjet përpara, që shkaktuan largimin e çifutëve nga trojet e tyre. U desh Lufta e Dytë Botërore dhe Holokausti që bota të kujtohej se edhe ky popull, që i kishte dhënë aq shumë njerëzimit, duhet të kishte atdheun e tij. Dhe kështu në vitin 1948 u krijua, apo u rikrijua edhe shteti i Izraelit. Që atëhere filloi dhe vazhdon edhe sot konflikti arabo / palestinez.

        Sa për kronologji konflikti Izraelo – palestinez filloi menjëherë që në vitin 1948, kur Izraeli shpalli pavarësinë. Më 1956 filloi lufta e Suezit. Më 1967 Izraeli korri një fitore të madhe ndaj arabëve, gjatë luftës së 6 ditëve dhe i zgjeroi dukshëm kufijtë e tij. Kjo politikë vazhdoi edhe më 1973 – gjatë luftës së Kippur-it. Më 1982 dhe më 2006 Izraeli zhvilloi dy luftra në Liban për të mposhtur palestinezët. Po ashtu në 2008-ën Izraeli nisi një sulm nga toka, ajri dhe deti për të shkatërruar abazat e tyre të raketave.  1 440 palestinezë dhe 13 izraelitë u vranë gjatë këtij sulmi. Më 2014 Izraeli rifillon ofensivën e quajtur « Muri mbrojtës ». Ky operacion shkaktoi vrasjen e 2 251 palestinezëve, shumica civilë dhe 74 izraelitë, shumica ushtarakë. Dhe tani, që nga 7 tetori, ka nisur një konflikt i ri, pas sulmit të « Hamas »-it në territoret arabe të pushtuara nga Izraeli.

    Të vendosur nën një embargo, bllokim, të plotë që nga viti 2006 palestinezët duket se kanë krijuar bindjen se nuk kanë më çfarë të humbin më tepër. Kështu shpjegohet edhe operacioni i tyre ushtarak në Izrael I këtyre ditëve. Por, pavarësisht këtij veprimi pothuajse heroik, ditët e Hamasit janë të numëruara. Sipas të dhënave të fundit janë jo më shumë se 1 000 pjestarë të kësaj organizate që kanë sulmuar Izraelin. Të cilët do të ndeshen me afro 400 000 mijë ushtarakë izraelitë të pajisur me mjetet më moderne të kohës. Për më shumë edhe aeroplanmbajtësja më e madhe amerikane po i afrohet brigjeve të Izraelit për t’i dhënë një dorë në mposhtjen e guerrilasve palestinezë.  

    Kjo situatë shihet si pa zgjidhje nga bashkësia ndërkombëtare. Janë dy popuj, që gjithçka i ndan, që luftojnë për të njëjtën tokë. Më 1948, kur u krijua shteti izraelit, Fuqitë e Mëdha të kohës vendosën po ashtu krijimin e shtetit palestinez. Por që atëhere politika e dy shteteve në këtë rajon ka dështuar. Dhe sot kemi vetëm dy territore palestineze të ndara nga njëri tjetri, si Rripi i Gazës i sunduar nga Hamasi dhe Cisjordania e qeverisur nga organizata për çlirimin e Palestinës.

      Përveç luftës për eksiztencë si shtet dhe si popull, sa nga ana e izraelitëve, por po aq edhe nga ana e palestinezëve, a kemi të bëjmë këtu edhe me një luftë qytetërimesh ?! Sepse sulmi i Hamasit kundër Izraelit u përshëndet me manifestime të fuqishme nëpër të gjitha rrugët e shteteve myslimane, duke filluar nga Egjipti fqinj, deri në Turqi dhe Pakistan. Nga ana tjetër të gjitha vendet perëndimore janë rreshtuar hapur në mbështetje të Izraelit.

        Ky konflikt shekullor, sipas shumë ekspertëve të huaj, ngjan në disa drejtime me konfliktin Ukrainë – Rusi. Sipas tyre edhe këtu kemi të bëjmë me një përplasje midis vlerave perëndimore me ato ruse ortodokse.

        Atëhere a pati të drejtë Samuel Huntigton kur deklaroi 30 vjet më parë se shekulli i 21-të do të jetë ai i përplasjes së qytetërimeve?!  Sipas tij dallimet më të rëndësishme ndërmjet popujve dhe qytetërimeve të ndryshme nuk do të jenë më ideologjike, politike dhe ekonomike. As edhe racore. Ndryshimet më të mëdha do të jenë në fushën e kulturës, ku feja do të zëjë një vend të rëndësishëm.

        Sipas Huntigtonit njerëzimi ndahet në disa raca dhe disa qytetërimeve, ndër të cilat ai rendit: qytetërimin perëndimor, atë mysliman, kinez, sllavo/ortodoks, indian, afrikan, japonez dhe ebre,

         Por diçka duket e sigurt:  se bota po ndryshon me shpejtësi dhe jo për mirë. Ndofta një ditë do të jemi dëshmitarë edhe të një konflikti të tmerrshëm ndërmjet dy superfuqive të tashme, të pajisura me dhëmbë bërthamorë, si Kina dhe SHBA-ja. Atëhere konflikti i tanishëm ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve do të duket thjesht si një lojë fëmijësh.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment