Prej 15 vitesh me rradhë Instituti për Ekonominë dhe Paqen, me seli në Sidnei të Australisë, bën të njohur renditjen e vendeve më të qeta dhe të sigurta në botë. Pra vendeve ku mund të jetosh, apo që edhe mund t’i vizitosh, pa pasur frikë se do të të sulmojnë, do të të grabisin apo do të të vjedhin. Por për të merituar një vend të nderuar në këtë klasifikim, duhet të marrësh « nota » të mira, në jo më pak se në 23 lëndë dhe fusha të caktuara, të cilat provojnë se popullsia e atij vendi ka fatin të jetojë në paqe dhe qetësi.
Ndër këto 23 kritere, ndër më të rëndësishmit konsiderohet veçanërisht siguria e banorëve të një vendi mbështetur te numri i krimeve për frymë popullsie, në respektimin e ligjeve apo edhe në masën e shtrirjes së paligjshmërisë, të atentateve, përhapjes së armëve në gjirin e popullsisë, statistikave rreth numrit të të burgosurve, shpenzimet ushtarake, marrëdhëniet me vendet fqinje ose edhe pjesëmarrja në konfliktet e armatosura lokale apo ndërkombëtare etj etj.
Janë 163 vendet të cilat kanë kaluar nën lupën e vëzhguesve të Institutit të Paqes. Dhe siç pritej « kurorën » e vendit më të qetë dhe të sigurt në botë e rifitoi Islanda, një ishull në veri të Oqeanit Atlantik, prej rreth 350 000 banorësh. Në vend të dytë renditet Danimarka dhe më pas Irlanda, Zelanda e Re, Austria, Singapori, Portugalia, Sllovenia dhe Japonia. Zvicra, që njihet si një vend i qetë, asnjanjës dhe nën kontroll, renditet e 10 në këtë klasifikim.
Sa për statistikë duhet të shënohet se Gjermania zë vendin e 15-të, Italia të 34-in, Greqia të 60-tin, Franca e 67-ta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë vendin 131-të, Turqia të 147-tin, Ukraina të 157-tin, e ndjekur nga Rusia, ndërsa Afganistani renditet i fundit, pra në vendin e 163-të.
Po si spjegohet psh që Amerika zë vendin 131-të në këtë klasifikim ?! Arsyeja e parë është numri tejet i madh i armëve në gjirin e popullsisë që si pasojë sjell edhe një numër të madh vrasjesh, deri edhe në oborret e shkollave. Ndërsa Rusia dhe Ukraina gjenden pothuajse në fund të listës thjesht për shkakun se janë në luftë të armatosur me njëra tjetrën. Dhe vetëkuptohet se jeta e civilëve dhe ushtarakëve atje varet në fije të perit. E njëjta punë për Turqinë që ka marrëdhënie të acaruara sa me Greqinë, aq edhe me Sirinë. Si dhe për shkak të konfliktit me kurdët. Edhe Izraeli në konflikt të përhershëm me palestinezët dhe disa vende arabe gjendet në vendin e 143-të. Jeta pra atje është gjithmonë nën tension, siç është po ashtu edhe në Palestinë, Siri, Liban etj.
Po dy shtetet shqiptare si gjenden në këtë klasifikim ?! Jo edhe aq keq. Sidomos Shqipëria, që zë vendin e 40-të. Ndërsa Kosova gjendet në vendin e 70-të. Pa asnjë dyshim që Kosova gjendet në mes të listës, jo për shkaqe të krimit të brendshëm, por për shkak të konfliktit pothuajse të përhershëm me Serbinë, dhe sidomos për shkak të tensioneve në pjesën veriore të Mitrovicës. Nga ana tjetër edhe Serbia nuk mund të mburret, se edhe ajo gjendet veçse 5 vende më mirë se Kosova, pra e 65-ta . Sepse edhe ajo është në konflikt, jo vetëm me Kosovën, por pothuajse me shumicën e vendeve fqinje.
Por duke u ndalur veçse në aspektin e sigurisë së brendshme, pra në veçse njërin nga 23 treguesit, renditja në këtë klasifikim botëror ndryshon paksa. Kështu psh Shqipëria zbret në vendi e 47–të, ndërsa Kosova ngjitet në vendin e 67-të.
Këto janë disa të dhëna në rang botëror që dëshmojnë se në shumicën e vendeve ende mbizotëron pasiguria dhe frika për jetën. Janë të pakta vendet « parajsë ». Veçse nëse ato kanë fatin të jenë ishuj, të mos kenë fqinj fare, ose jo agresivë dhe një rend dhe qeveri të fortë. Si janë psh rastet e Singaporit apo Japonisë. Sidoqoftë Shqipëria dhe Kosova gjenden në pozicione jo krejtësisht të papëlqyeshme. Me rëndësi është që ato po përparojnë nga viti në vit në këtë renditje botërore.

Lini një koment