Kush dhe pse e sulmojnë Albin Kurtin në Shqipëri?!

        Prej disa kohësh tashmë, në Shqipëri është bërë më se e zakonshme, që të kritikohet apo edhe të shahet kryeministri i Kosovës. Akuzat ndaj tij janë nga më të ndryshmet deri te më absurdet dhe dashakeqet.  Ai akuzohet si majtist, bolshevik, islamist, diktator dhe deri si spiun i Serbisë !

          Prej Albin Kurtit po prishemi me çlirimtarët tanë, me Bashkimin Europian dhe Amerikën, – ankohen dhe rënkojnë disa politikanë dhe analistë të mediave. Këto kritika arritën kulmin sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit legjislative në Shqipëri, që u mbajtën në muajin prill 2021.

          Shkak u bë shtrirja e partisë Vetvendosje edhe në Shqipëri. Ky veprim tërboi në çast të gjithë mbështetësit e Edi Ramës në vend. Atë e cilësuan të pabesë, palaço dhe deri përçarës të kombit ! Kur e vërteta dukej krejt ndryshe.

      Ndryshe nga shumë parti të tjera politike në Kosovë, Kurti ishte mbrojtësi më i vendosur i bashkimit kombëtar. Ndërkohë që parti më të vjetra, disa të krijuara që në kohën e Millosheviçit, si psh LDK-ja e Ibrahim Rugovës, ndiqnin politikën e « Prishtinës së barazalarguar nga Tirana dhe Beogradi » !

     Shtrirja e Vetvendosjes në Shqipëri, megjithëse dështoi si projekt, ishte një veprim llogjik dhe në përputhje me programin e kësaj partie. Aq më shumë që përgjatë gjithë këtyre viteve, të gjitha qeveritë që kanë qeverisur në Tiranë, nuk kanë ndërmarrë asgjë konkrete, jo vetëm për bashkimin kombëtar, por as edhe për një afrim qoftë në fushën e shkëmbimeve tregtare, arsimore apo kulturore. Prandaj ndofta nevpjitet një parti e njëjtë në të dyja anët e Drinit, siç ka qënë dikur partia e Unikombit, e ideuar nga Ukshin Hoti.

       Madje edhe në kohën e Enver Hoxhës, në kushtet e atëhershme, ka pasur më shumë shkëmbime kulturore dhe arsimore ndërmjet të dyja vendeve. Në ish Pallatin e Sportit « Partizani » në kryeqytet, por po ashtu edhe në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, kanë dhënë koncerte dhe recitale këngëtarë e njohur nga Kosova si Nexhmije Pagarusha, Shpresa Gashi, Bashkim Paçuku, Sabri Fejzullahu, Mihrije Brahja etj etj. Po ashtu ka pasur edhe shkëmbime të shumta pedagogësh dhe profesorësh nga Universiteti i Tiranës në atë të Prishtinës dhe anasjelltas.

       Ndërsa sot kemi Baton Haxhiun në Tiranë dhe shoumenin Adi Krasta në Prishtinë! E vërteta është se dhënia e një koncerti në Tiranë nga një këngëtare kosovare nuk përbën më lajm dhe shumë mirë që është kështu. Por këto janë inciativa private, dhe jo shtetërore. Fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite vogëlushët shqiptarë sa në Tiranë, aq edhe në Prishtinë, mësojnë me abetare të ndryshme. Po e njëjta gjë me librat e historisë etj etj.

        Marrëdhëniet ndërshtetërore Kosovë – Shqipëri kanë rënë kaq shumë poshtë kohët e fundit saqë edhe një takim i planifikuar për tu mbajtur në Gjakovë midis qeverive të dy vendeve u anullua në çastin e fundit dhe në mënyrë të njëanshme nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

         Madje ky i fundit ka zënë “pozicion” kundër qeverisë kosovare edhe në luftën e saj epike për të ruajtur sovranitetin e shtetit kosovar në të gjithë territorin e tij. Praktikisht duke mos pranuar kurrsesi të vëjë në jetë asosacionin apo Zajednicën e 10 komunave serbe në Kosovë. Rama në vend që t’i dilte në krah Kurtit iu doli në krah atyre që kërkonin që menjëherë dhe pa asnjë kusht ky asosacion të vihej « vrrik » e në jetë.

         Ky qëndrim i të parit të qeverisë shqiptare ra në sy për keq edhe në opinionin vendas. Të kesh mirëkuptim me Vuçiçin dhe të mos merresh vesh fare me Albin Kurtin, këtu ka diçka që nuk shkon për çdo mendje me pak llogjikë. Saqë Rama u detyrua, pas vrasjes së policit kosovar, Afrim Bunjaku, nga një grup terroristësh serbë, që ta kthejë fletën dhe të përdorte tone të ngritura ndaj Beogradit. Siç nuk ka ngjarë kurrë më parë gjatë këtyre 10 viteve të fundit !

       Përplasjet e fundit ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës janë pasqyrë edhe e zhvillimeve politike brenda vetë politikës shqiptare në Tiranë. Në ndarjen e papajtueshme ndërmjet berishistëve dhe edramistëve, ose ndryshe ndërmjet Rilindjes dhe Foltores. Përkrahësit e Edi Ramës e kqyrin Albin Kurtin si mbështetës të Berishës, kur në fakt e vërteta është krejt ndryshe. Kurti udhëheq një politikë majtiste nacionaliste në Prishtinë, krejt e kundërt nga politika që ka ndjekur Berisha këto vite. Sidomos ndaj Jugut të Shqipërisë, siç është edhe rasti i fundit i caktimit të vorio-epirotit të shtirë, Belerit, si kandidat i Foltores në Himarë,  në zgjedhjet e 21 majit të shkuar. Apo shitjen e detit Greqisë, etj etj. Madje vetë Berisha u ankua disa javë më parë se Kurti nuk e ka marrë kurrë në telefon, që kur është bërë kryeministër !

        Fatkeqësisht dështimi i Vetvendosjes në Shqipëri dëshmon se bashkimi kombëtar është ende larg. Deviza : « një komb, 2 shtete », duket se po zë vend në të dyja anët e kufirit. Kjo sidomos për faj të politikanëve që kanë qeverisur Prishtinën dhe Tiranën që pas vitit 2 000, kur Kosova u çlirua falë ndërhyrjes së armatosur së NATO-s. Disa politikanë në Prishtinë madje janë shpallur edhe përkrahës të vendosur të projektit të dy shteteve, duke e argumentuar këtë prirje me idenë idiote se « dy ulëse në OKB janë më mirë se një ». Sikur ne do të kemi ndonjëherë aq forcë saqë të ndryshojmë vendimet e OKB-së me dy « ulëset » tona !

      E çuditshme është se këta që shajnë sot Albin Kurtin në Shqipëri është vështirë t’i klasifikosh. Si dhe ata që e mbështesin atë. Ndihet dhe dihet që kundërshtarët e Kurtit janë përkrahës të Edi Ramës, njerëz pa shtyllë kurrizore dhe puthadorë nga ata që gjithmonë i kanë thënë « amin » më të fuqishmëve. Pa asnjë dyshim se Amerika, si dhe Gjermania, Anglia dhe shumica e shteteve të Bashkimit Europian janë në krah të Kosovës dhe kombit shqiptar. Por tu thuash ndonjëherë « Jo » edhe miqve të tu, kjo nuk përbën krim. Përkundrazi. Kjo quhet ndihmë kur miku apo shpëtimtari yt gabon. Apo kur interesat gjeopolitike globale kanë ndryshuar. Atëhere duhet të dish të mbrosh interesat e vendit tënd, duke ruajtur njëkohësisht aleancën me vendet mike.

     Ndryshe edhe mbështetësit e Albin Kurtit nuk është se vijnë të gjithë nga tufa e Berishës.Përkundrazi. Shqipëria ka pasur historikisht një pjesë të popullsisë së saj, sidomos nga ajo popullore dhe majtistë, që kanë qënë, që nga koha e Mihal Gramenos, Fan Nolit, Ali Këlcyrës, Bajrram Currit etj etj den baba den nacionalistë. Shembulli i fundit: familja Goxhaj nga Labëria, që rrezikojnë edhe ata të përfundojnë sot në Hagë!

        Serbia, si do që të vijnë punët, nuk do të ndahet dhe largohet kurrë nga Moska. Dhe Uashingtoni dhe Brukseli këtu gabojnë rëndshëm. Ngjarjet e fundit në Kosovë veçse nxorrën në pah drejtësinë e veprimeve dhe qëndrimeve të Albin Kurtit. Ndryshe ata që janë sot kundër Albin Kurtit janë edhe kundër afrimit dhe bashkimit kombëtar. Qofshin njerëz të thjeshtë, qofshin politikanë të lartë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment