Tre ose më shumë të vrarë dhe disa të arrestuar. Ky është bilanci i pritës që një grup terrorist serb organizoi kundër policisë kosovare. Pa dyshim që vrasja e policit, Afrim Bunjaku, përbën një dhimbje të papërshkrueshme për familjen e të ndjerit si dhe për mbarë Kosovën. Por siç thotë edhe populli ynë:” Kur jep jetën për Atdhe, është sikur ke lindur përsëri”. Prandaj edhe dita e zisë, mbajtur sot në Kosovë, ishte nderimi i nevojshëm i një populli të tërë për birin e tij hero.
Por për serbët sulmi ndaj policisë kosovare përbëri një katastrofë të vërtetë. Jo vetëm se disa prej tyre u vranë dhe disa të tjerë u zunë rob. Por sepse me këtë sulm që organizuan ata ia futën keq vetes duke u treguar sa syleshë aq dhe idiotë në strategjinë e tyre. Sepse ata dukej se po fitonin pak nga pak në tavolinë atë që kishin humbur në luftë! SHBA-ja si dhe Bashkimi Europian po përkrahnin tani dëshirat serbe për një autonomi tejet të zgjeruar të 10 bashkive të tyre në Kosovë. Faktikisht krijimin e një shteti serb brenda shtetit kosovar. Pra eleminimin de fakto të sovranitetit të Kosovës në një pjesë të rëndësishme të territorit të tij.
Albin Kurti ishte vënë prej disa kohësh në vështirësi dhe presion. Madje Perëndimi arriti deri aty sa të vendoste edhe “sanksione” kundër Kosovës, shtet të cilin ai vetë e çliroi nga zgjedha serbe më 1999. Dhe gjithë kjo sepse ëndërronte ta lidhte edhe Serbinë pas qerres së tij, duke e larguar nga Moska! Ëndrra me sy hapur. Kaq shumë kishte ndryshuar muajt e fundit situata në dëm të Kosovës.
Por ndofta të trimëruar edhe nga ky kthim “busulle”, serbët u dehën në ëndrrat e tyre dhe menduan t’i japin një mësim të mirë shtetit të Kosovës. Por ranë si cjapi te kasapi. Policia kosovare reagoi me shpejtësi dhe me profesionalizëm të rrallë. Dhe terroristët e panë veten e tyre shumë shpejt të rrethuar nga repartet speciale kosovare. Saqë nuk panë më nga shkuan. Një pjesë ia mbathi me vrap, që të mos pësonin fatin e shokëve të tyre të vrarë apo të zënë rob. Një disfatë e madhe kjo jo vetëm në fushën ushtarake, por sidomos në atë morale dhe politike.
Bota, që dukej se e kishte harruar, u bë dëshmitare edhe një herë tjetër e politikës agresie të Serbisë. Pasi një sulm i tillë kurrsesi nuk mund të ishte përgatitur dhe organizuar pa dijeninë e Beogradit.
Kjo ngjarje kapi të papërgatitur edhe mbrojtësit e politikave serbe në Europë, që u detyruan,( më ka thonë nona me la gojën ), të dënojnë veprimin e terroristëve serbë.
Aleksandër Vuçiçi nga ana e tij nuk gjeti mjet më të mirë për tu mbrojtur nga kjo marrëzi e trupave të tij, sesa të bënte si zakonisht viktimën : » Na vrisni të gjithëve po të doni, por ne nuk e njohim Kosovën » ! Sikur të ishin grupe paramilitare kosovare që po sulmonin Beogradin ! Dhe pastaj përsëriti litaninë e tij të njohur për krijimin e asosacionit me policë serbë që do të sigurokan mbrojtjen e këtyre komunave nga shqiptarët !
Serbët që me këtë veprim deshën të vinin vetullat, nxorrën edhe sytë ! Por në këtë situatë të vjen keq kur shikon dhe dëgjon disa veprime dhe mendime të disa figurave politike dhe mediatike në të dy anët e kufirit. Kështu psh kryeministri shqiptar, në vazhdën e gafave të tij, bëri menjëherë thirrje për oranizimin e një konference ndërkombëtare për vendosjen e paqes në Kosovë ! Kur në fakt paqja atje është vendosur që më 1999-ën dhe asnjë terrorizëm apo terrorist serb nuk mund ta çbëjë.
Një konferencë ndërkombëtare sot veçse mund të vëjë në pikëpyetje pavarësinë dhe kufijtë e Kosovës. Në një kohë që ato, pavarësia dhe kufijtë e saj, janë njohur ligjërisht nga më shumë se 100 vende në botë si dhe nga disa institucione ndërkombëtare.
Ndryshe a mund të organizohet sot një konferencë ndërkombëtare psh pa praninë e Kinës, mbrojtëse e vendosur e Serbisë ?! Pa folur për disa vende të tjera si psh Rumania ose Spanja, ose edhe disa vende që kanë qënë dhe mbeten aleatë shumëshekullorë të Serbisë ?! Natyrisht që kështu do të ngjasë për sa kohë që z. Rama i ka ftohur në maksimum marrëdhëniet me qeverinë kosovare, duke u përpjekur të bëjë kllounin para bashkësisë ndërkombëtare.
Është po aq për të ardhur keq kur ndjek panelet në disa televizione të Kosovës. Në vend që të bëheshin të gjithë bashkë për të protestuar kundër provokacioneve serbe ndaj Kosovës, analistët e ftuar aty, filluan luftën partiake se kush e ka ma mirë. Kurti, Mustafa, Thaçi, Haradinaj etj etj. Madje njëri prej tyre, me pafytyrësinë më të madhe, duke folur rreth nënshkrimit të marrëveshjes së asosacionit të komunave serbe atje, tha pa u skuqur fare se me atë nënshkrim pranohej nga Beogradi pavarësia de fakto e Kosovës !
Shihet qartë se Serbia ka punuar mirë dhe shumë në Kosovë gjatë 100 vjetëve të sundimit të saj atje. Nga njëra anë lënia në injorancë e njerëzve dhe nga ana tjetër rekrutimi i një pjese të inteligjencias vendase si bashkëpunëtorë e ish UDB-së famëkeqe – që la gjurmë edhe në diskutimet e disa prej këtyre panelistëve.
Ndryshe mund të pohohet se veprimi i forcave vagneriste serbe në Kosovë ndofta ka ardhur edhe nga tërbimi i qarqeve nacionaliste në Beograd ndaj papërkulshmërisë së kryeministrit kosovar, Albin Kurti.
Duket se serbët kanë qënë mësuar keq këtë dekadën e fundit duke përfituar lëshime pas lëshimesh nga udhëheqësit kosovarë, të cilëve rast e pa rast u tundeshin prangat para syve. Por shihet se Kosova sot ka gjetur te Albin Kurti udhëheqësin e saj të domosdoshëm në këto kohë të vështira.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment