Shkas për këtë shkrim u bë një njoftim në shtypin perëndimor rreth disa zbulimeve të reja të aktivitetit të trurit pas ndalimit të zëmrës së rrahuri. Ka qënë një ekip shkencëtarësh që kanë studiuar dhe analizuar se si «funksionon » truri te pacientët në qëndrat e reanimacionit (rishërimit).
Në mënyrë të papritur ata konstatuan dhe arritën në përfundimin që truri vazhdon të « jetojë » deri disa orë pas asaj që konsiderohet si vdekja e pacientit ! Kur zemra ka pushuar së rrahuri dhe gjaku nuk qarkullon më !
Mjekët dhe shkencëtarët biologjistë vëzhguan me kujdes edhe përqindjen e oksigjenit dhe aktivitetin elektrik të trurit menjëherë pas ndalimit të zemrës së funksionuari dhe gjatë orëve që kanë pasuar.
Dhe është pak t’i quash këto përfundime si thjesht interesante. Nga disa vëzhgime dolën të dhëna të papritura, – pohon Sam Parnia, mjek i specializuar në fushën e rianimacionit. Sepse ky grup shkencëtarësh dhe mjekësh shkelën edhe në një « fushë të minuar ».
« Çfarë ndjejnë dhe « përjetojnë » pacientët në vdekje klinike para se të shkojnë në botën tjetër ?! Kjo ishte pyetja dhe kërshëria e studiuesve të universitetit të Southampton-it në Britaninë e Madhe, të cilët përgjatë 4 vjetëve studiuan rastet e 2060 pacientëve që kishin pësuar një goditje në zemër. Në këtë studim morën pjesë edhe 15 spitale nga Britania e Madhe, Shteteve e Bashkuara të Amerikës dhe Austrisë.
Studimi i titulluar AWARE (AWAreness during REsuscitation) vuri re se në vend që truri të “shuhej” gjatë minutave që pasonin vdekjen klinike, ai përkundrazi rriste në maksimum aktivitetin e tij ! Aq sa këta shkencëtarë nuk mundën më t’i shmangeshin pyetjes mbi 3 000 vjeçare : A ka një jetë tjetër pas vdekjes ?!
« Ne vërejtëm një kulm aktiviteti të trurit e njëllojtë me përqëndrimin që ka një njeri shëndoshë e mirë kur lexon një libër apo sheh një film të bukur » – nënvizon Sam Parnai. Dhe ky aktivitet dhe përqëndrim i paparë vazhdonte deri edhe më shumë se një orë pas konstatimit të vdekjes së tij !
Shkenca deri më tani ka qënë e bindur që pas 10 minutash që kur zemra pushon së rrahuri dhe gjaku nuk e furnizon më trurin, ai dëmtohet në mënyrë të pandreqshme. Por kjo nuk qënka e vërtetë » – pohon për CNN studiuesi britanik.
Diçka e pakuptueshme ngjan vërtet te truri në çastin e vdekjes së pacientit – pohojnë studiuesit e projektit AWARE. Por çfarë atëhere ?! Është e sigurt se këtu nuk kemi të bëjmë me haluçinacione, vegime, të një truri që përpëlitet në vdekje e sipër – pohojnë me bindje ata.
Në këtë mënyrë ata hodhën poshtë shkencërisht teorinë e përhapur deri më tani se të gjitha vegimet që tregojnë njerëzit pasi janë rikthyer në jetë pas një ndalim zemre janë haluçinacione.
Dhe këtu shkelim në një fushë ku përplaset shkenca me fenë, fillozofia me llogjikën, realja me imagjinaren. Sepse që prej kohësh që nuk mbahen mend njerëz të ndryshëm në mbarë botën, besimtarë të të gjitha feve, kanë dëshmuar ndodhi të pazakonta dhe të pabesueshme që u kanë ngjarë atyre pasi janë kthyer në jetë pas një aksidenti apo pushim i papritur zemre.
« Kam ndjerë një qetësi të madhe shpirtërore. Kam takuar të dashurit e mi që kanë pasë vdekur, që më janë afruar me shumë dashuri ! Kam parë një dritë sa të fortë dhe aq të ëmbël në fund të një tuneli. Gjithë jeta ime ka rrjedhur para meje brenda disa sekondave ! » kanë pohuar shumica prej tyre.
Këto persiatje janë verifikuar edhe në spitalet që morën pjesë në këtë studim. Por një pjesë e madhe e 567 personave që gjendeshin në koma vdiqën. Ndë rsa nga 53 pacientët që arritën të mbijetonin 28 prej tyre dëshmuan rreth këtyre përvojave pas « vdekjes ». 11 prej tyre pohuan se ata ishin të ndërgjegjshëm në ato momente për gjendjen e tyre dhe për përpjekjet e mjekëve për t’i shpëtuar nga kthetrat e vdekjes. Gjashtë të tjerë pranuan se kishin përjetuar atë që në mjekësi njihet si eksperiencë e vdekjes së afërt, Near Death Experience (NDE), Por të gjithë thanë se patën ndjenjën se u gjendën në një vend të njohur, pothuajse familjar – thekson Sam Parnia.
Jeta pas vdekjes. Temë e gjërë, – pranon nga ana e tij profesori amerikan i fakultetit të mjekësisë në Karolinën e Veriut, Robert Lanza. Para se të shtojë se « ne përgjithësisht mendojmë se se jeta mbi Tokë është një përzierje dhe ngjizje e karbonit në molekula të shumta. Jetojmë një çast mbi këtë Tokë dhe pastaj kalbemi nën dhé. Por nuk është kaq e thjeshtë. Jeta jonë është e lidhur me ekzistencën e Universit, me kohën dhe hapësirën » – pohon ai te e përditshmja « Daily Mail ».
Por ka shumë njerëz të zakonshëm dhe shkencëtarë që me të drejtë nuk besojnë në simptomat e ekzistencës së ndërgjegjes pasi organizmi vdes.
Por ekziston një provë e pakundërshtueshme se këto simptoma nuk janë imagjinatë e një organizmi që po jep shpirt. Këto janë provate a quajtura « ekstracorporelle », ose në shqip « jashtëtrupore ». Po provohet psh nëse shqisat ekzistojnë edhe jashtë trupit. Qoftë ai shëndoshë e mirë, qoftë në koma.
Para pak javësh, duke folur për këtë temë, kanali televiziv franko – gjerman « Arte » shfaqi një dokumentar interesant mbi këtë temë. Ishin të pranishëm edhe mjekë të njohur neurologë, të cilët ishin ftuar të ndiqnin një dukuri të pabesueshme. Një të riu, që njihej për dhuntitë e tij të jashtëzakonshme, si psh të gjente se çfarë kishte brenda zarfeve të mbyllura dhe të dyllosura, iu tregua një mur i zakonshëm në Paris. Pastaj i riu u mbyll në një dhomë hoteli nën vëzhgim të rreptë dhe pa asnjë kontakt të drejtpërdrejtë apo telefonik. Gjatë kësaj kohe në këtë mur, një nga anëtarët e ekipit, vari një pikturë të një portreti gruaje. Me pas e pyetën të riun se çfarë kishte te muri. Pas një sforcimi të dukshëm i riu pohoi se te muri ishte varur piktura e një gruaje. Kush është kjo grua ?! – pyetën me habi dhe mosbesim mjekët. Më duket se është portreti i Frida Kahlo-s u përgjigj i riu pas disa çastesh. Mjekët shtangën. Si është e mundur ta gjente përgjigjen e saktë duke qënë krejtësisht i izoluar dhe pa asnjë kontakt me botën e jashtme ?!
Megjithëse është ende shpejt të flitet për një ndërgjegje, shqisa apo shpirt që jeton edhe pas vdekjes së trupit, shumë mjekë kanë qënë dëshmitarë të këtyre eksperiencave « ekstracorporelle ». Një nga këto është ajo që kanë treguar disa pacientë në koma, të cilët kanë pohuar se ata kanë qënë dëshmitarë të përpjekjeve të ekipit mjekësor për t’i shpëtuar, pasi në atë kohë ata ishin në tavan duke parë trupin e tyre dhe veprimet e mjekëve !
Të tilla dëshmi janë të shumta. E fundit fare është ajo e një infermiereje hollandeze e bërë publike nga media. Ja çfarë ka treguar infermierja:
“ Ambulanca po çonte me shpejtësi në spital një pacient rreth të 40-ve që kishte rënë në koma. Sa u fut në spital ai u vu nën frymëmarrje artificiale, por jo në intubim. Ndërkohë vazhdonte masazhi kardiak dhe debrefillimi. Por gjendja e pacientit po rëndohej. Dhe atëhere u vendos që të kalohej në intubim. Një tub me oksigjen do t’i futej në gojë pacientit. Ndërkohë infermierja vuri re se pacienti mbante një dentier në vend të dhëmbëve, të cilin ia hoqi, pasi i sëmuri rrezikonte mbytjen. Pas disa orëve pacienti erdhi në vete dhe u transferua në një repart tjetër. Kaloi kështu një javë. Infermierja e kishte tashmë harruar atë pacient. Një ndër qindra të tjerëve, të cilëve ajo u shërbente çdo ditë. Dhe duke u shërbyer këtyre pacientëve ajo dëgjoi njërin nga ata që thirri : « Është ajo, është ajo që e di se ku ndodhet dentierja ime » ! Inferimerja u kujtua atëhere se ajo e kishte futur dentierën e pacientit në sirtarin e tavolinës së lëvizshme ku gjendeshin instrumentet kirurgjikale të mjekëve. Dhe e gjeti aty ku e kishte lënë. Por e çuditur ajo pyetin pacientin : « Po ti nga e di që isha unë që ta hoqa dentierën. Ti ishe i pandërgjegjshëm pasi ishe në koma ?! Dhe pacienti u përgjigj : – Unë isha nën tavan dhe të pashë kur më nxorre dentierin nga goja dhe e fute në sirtar » !
Rasti i fundit është veçse një nga të shumtët të verifikuar dhe pranuar edhe nga shkenca. Edhe në librin e lashtë tibetian, i quajtur « Libri i të vdekurve” përshkruen ngjarje të tilla të njerëzve në prag vdekjeje që janë kthyer në jetë dhe kanë treguar se çfarë kanë parë « andej » !
Shembuj të tillë janë të pafund. Saqë po të përmendje vetëm 1/1000 e tyre nuk do të mjaftonte vetëm një shkrim, por ndofta as edhe një libër. Dhe libra të tillë mbi këtë temë janë shkruar shumë.
Po e mbyllim atëhere këtë shkrim me atë që pohon njëri nga neurologët më të njohur në botë, që është marrë shumë me « përjetimet » pas një NDE, (Përvojë e vdekjes së afërt), në Qëndrën Spitalore të Universitetit të Liezhit në Belgjikë. Ai është Steven Laureys, profesor i neurologjisë dhe drejtor i Grupit Shkencor që studion efektet e komas në trurin e njeriut.
I pyetur se si do t’i cilësonte dhe shpjegonte fenomenet gjatë një procesi komatik të një pacienti, profesori pranon se kjo është një dukuri e paspjeguar mirë deri më sot, ku ndërlidhen procese mendore, fizike, mistike dhe shpirtërore.
« Zakonisht kemi të bëjmë me përvoja të njerëzve që kanë kaluar një koma, ose humbjeje vetëdijeje, të cilët pasi kanë riardhur në jetë kanë dëshmuar për përjetime të jashtëzakonshme, për diçka tejet pozitive, për emocione të papërshkrueshme. Në shumicën e rasteve këta pacientë kuptojnë, ata shohin trupin e tyre për së jashtmi, ata dallojnë po ashtu shpesh një dritë në fund të një tuneli dhe shpesh herë takojnë njerëz që dikur i kanë njohur…
Për këta njerëz, përvoja që kanë përjetuar është diçka jashtë normales, e cila pothuajse ua ka ndryshuar jetën krejtësisht, pavarësisht nga kultura në të cilën janë rritur dhe edukuar , si dhe nga feja në të cilën besojnë. Këta njerëz pas një përvoje të tillë transformohen shpirtërisht. Jepen më shumë pas të tjerëve, bëhen më humanistë dhe më pak materialistë, e shohin jetën ndryshe dhe nuk kanë më frikë nga vdekja », – pohon profesori belg.
Ka mbi 3 000 vjet që njerëzit pyesin veten : A ka një jetë tjetër pas kësaj ?! Ndofta shkenca ndonjë ditë do të dijë t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje universale. Njëlloj si ajo që ka shtruar disa shekuj më parë fillozofi francez, Blaise Pascal : – « Përse ka diçka, përse ekziston universi, jeta mbi Tokë, në vend që të mos kishte asgjë fare ? ! »
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment