Qeveria e Albin Kurtit dhe Kosova gjënden sot në periudhën më të vështirë që pas vitit 1999, që kur forcat serbe u detyruan të largoheshin prej andej si pasojë e sulmeve të NATO-s dhe luftës çlirimtare të UÇK-së.
Por tani që kanë kaluar pothuajse një çerek shekulli nga ajo kohë po shihet qartë se situata ndërkombëtare ka ndryshuar shumë. Dhe për keq. Si dhe interesat. Perëndimi po përballet sot me një konflikt të ashpër në Ukrainë. Njëkohësisht Kina, në anën tjetër të globit, shton përditë e më shumë kërcënimet për një ndërhyrje ushtarake ndaj Tajvanit, provincë kjo e shkëputur nga Kina që në vitin 1949.
Në këto realitete të reja gjeopolitike, Kosova sot përbën veçse një pikë uji në oqeanin e përplasjeve botërore. Kjo është edhe arsyeja që ajo nuk gjendet më në kryeagjendën e politikës euroatlantike në rajon. E vetmja gjë që kërkojnë sot perëndimorët në këtë rajon historikisht të turbulluar është qetësia.
Për më shumë politika e re e Amerikës dhe Bashkimit Europian po përpiqet me të gjitha mënyrat që edhe Serbinë, vend që u bombardua nga NATO në vitin 1999, ta afrojë te « vatha » e vet. Është afërsisht e njëjta politikë që Perëndimi ka ndjekur me Ukrainën këto 20 vitet e fundit. Serbia nga ana e saj bën sikur i pëlqen ky opcion, por kërkon që të marrë diçka në këmbim të këtij ndrrim kursi !
E vërteta është se Beogradi veçse sillet sikur do ta ndryshojë politikën e tij 200 vjeçare në krah të Moskës. Lidhjet serbo – ruse janë të vjetra, të thella dhe të konsoliduara. Serbët e dinë mirë se ata janë sot aty ku janë veçse me ndihmën e dikurshme dhe të sotme të carëve të vjetër dhe të rinj të Rusisë.
Por siç janë mësuar që në kohën e Titos, ata duan edhe sot të ulen në dy karrige. Jo më kot Jugosllavia e dikurshme cilësohej në atë kohë si « gruaja e Lindjes dhe dashnorja e Perëndimit » !
Dhe ajo që kërkon Beogradi është diçka shumë e « vogël ». Që edhe serbët që jetojnë në 10 bashkitë e Kosovës të fitojnë statusin e autonomisë ! Me të drejtën që të kenë, përveç të tjerave, edhe një të zgjedhur të tyre, tip presidenti apo përfaqësuesi, i cili do të ketë të drejtën të negociojë në emër të tyre si me botën e jashtme, po aq edhe me Prishtinën !
Interesant është fakti se këto kërkesa të Beogradit sot ngjajnë si dy pika ujë me kërkesat e Athinës një shekull më parë. Edhe Greqia në atë kohë, pra në vitin 1914, kur Shqipëria kishte vetëm 2 vjet që ishte shpallur e pavarur, kërkonte një autonomi të zgjeruar rreth të ashtuquajturit « Epiri i Veriut », ose ndryshe mbi Toskërinë !
Sipas kësaj marrëveshjeje, e nënshkruar më 17 maj 1914, njihej dhe pranohej zyrtarisht zona e « Epirit të Veriut » si një rajon vetë-qeverisës autonom nën sovranitetin e princit të shtetit së sapokrijuar të Shqipërisë, princ Vidit. Marrëveshja përfshinte edhe rrethet e Gjirokastrës dhe Korçës, përveç atyre për bashkinë e Himarës, Sarandës apo Përmetit. Sipas kësaj marrëveshjeje këtyre rretheve dhe bashkive do u njihej një autonomi e gjërë fetare, arsimore, kulturore dhe politike brenda kufijve të shtetit shqiptar! Praktikisht kjo marrëveshje, apo me gjuhën e sotme asosacion, de fakto e shkëpuste këtë pjesë të truallit nga Shqipëria.
Këtë kërkon sot edhe Beogradi në Kosovë. Një marrëveshje, e quajtur ndryshe Zajednicë, që faktikisht dhe praktikisht, do t’i shkëpuste këto bashki nga shteti i Kosovës. E keqja e madhe është se edhe Perëndimi i mbështet sot këto pretendime të palës serbe.
Përfaqësuesit euro-amerikanë kanë bërë fajtor kryesisht Albin Kurtin si pengues i realizimit të këtij plani. Borrell, Lajçak në emër të Bashkimit Europian dhe Escobar në emër të SHBA-ve deklaruan sot se koha për nënshkrimin e marrëveshjes së asosacionit po përfundon ! Që do të thotë se ndaj Kosovës do të shtohen masat represive dhe sanksionet. Si me thanë që Kosova do të trajtohet në këtë rrafsh njëlloj si Rusia!
Por a është i drejtë një qëndrim i tillë? Një kthesë prej 180 gradësh e Uashingtonit ndaj Prishtinës! Aq më shumë që Kosova i ka qënë gjithmonë tejet mirënjohëse Amerikës që e çliroi nga çizmja serbe?!
A mund të merret me mend se si do të ishte Shqipëria sot sikur të ishte vënë në jetë Protokolli i Korfuzit?! Afërsisht e njëjtë mund të krijohet gjendja edhe për Kosovën në rast se krijohet asosacioni komunave serbe atje.
Pa asnjë dyshim se serbët në Kosovë duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që i takojnë një pakice etnike kulturore dhe fetare. Por është tjetër gjë tu njihen këto të drejta, që në fakt ata i gëzojnë, që me kushtetutën e Ahtisarit, dhe tjetër gjë është që ata të formojnë një entitet pothuajse të pavarur në gjirin e Kosovës.
Me një president të tyrin, praktikisht një lloj Dodiku, që do i përfaqësojë ata edhe në institucionet dhe kontaktet me botën e jashtme, siç është paraparë edhe në projekt-marrëveshjen e Ohrit, Kosova nuk mund të jetë kurrë një shtet efikas dhe funksional.
Ka 200 vjet që kombi shqiptar nuk po bie rehat nga fqinjët e tij. Megjithëse e kanë përgjysmuar në toka dhe popullsi gjatë këtyre dy shekujve të fundit, fqinjët kërkojnë akoma dhe më shumë. Greqia psh me rastin Beleri apo me ligjin e luftës që nga viti 1940, përpiqet çdo ditë e më shumë ta destabilizojë shtetin shqiptar.
Në këto rrethana të reja të krijuara, a nuk është më mirë që Prishtina dhe Tirana të lidhen më fort me njëra – tjetrën, në vend që të largohen, siç po ngjan kohët e fundit?! Përsëri: në këto kushte kur bota po e ripërkëdhel shtetin agresor serb, a nuk do të përbënte Bashkimi Kombëtar aspiratën dhe zgjidhjen e vetme dhe përfundimtare për popullin shqiptar në të dyja anët e Drinit?!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment