Shqiptarët i zbritën dje shkallët e stadiumit të Arenës Kombëtare tepër të kënaqur pas fitores së Shqipërisë 2 :0 ndaj ekipit të Polonisë. Kënga Xhamadani vija – vija apo hymni kombëtar, po aq sa edhe thirrja « Oh sa mirë me kenë shqiptar » buçonte fuqishën nga zemra e çdo sportdashësi, që ndonjëherë kishte paguar « qimet e kokës » për të siguruar një biletë për këtë ndeshje super të rëndësishme. Sidomos për ata që kishin shkuar nga Kosova apo diaspora.
Por pati edhe shpirtra negativë, snoba apo kozmopolitë që rrudhën buzët nga kjo shpalosje krenarie dhe gëzimi. « Eh sa mbrapa jemi ne ! Sa punë kemi përpara për tu bërë si gjithë bota ! Çfarë patriotizmi bosh dhe folklorik » – thanë dhe shkruajtën disa nga këta « open mind » që shohin tepër larg ! Siç duket gëzimi i njerëzve atyre u shkakton disave hidhërim ! Mos duhet vallë që gjithë kohën të qahemi, të ankohemi, të vrasim njëri – tjetrin dhe të shuajmë çdo shprese për ditë më të mira ?!
Sepse jo vetëm ne, por edhe gjermanët psh janë shumë krenarë për ekipin e tyre të futbollit, që përfaqëson kombin e tyre në ndeshje me kombet e tjera. Po ashtu italianët, spanjollët etj etj. Dihet dhe pranohet se çdo popull ka nevojë për mite, heronj, simbole, figura historike si dhe për një lloj identiteti kombëtar që i bashkon të gjithë.
Kështu psh Skënderbeu frymëzon çdo shqiptar. Njëlloj si flamuri kombëtar, hymni, etj etj. Ndërsa gjuha është ajo që i bashkon dhe i dallon shqiptarët nga kombet e tjera. Ndryshe krahinarizmi dhe fetë po na ndajnë.
Meqë ra « llafi » mendoj se sa bukur do të ishte që Kosova dhe Shqipëria të kishin vetëm një kombëtare në futboll. Siç ishte në kohën e Canajt. Nuk do kishim fare nevojë për takime kllounësh qeveritarë mbi një hartë të Shqipërisë së Madhe ! Por fatkeqësisht në Kosovë fitoi krahu sovranist, ai i shpallur me kohë nga I.Rugova si: « Prishtina e barazlarguar nga Beogradi dhe Tirana »?! Kryeqyteti i shqiptarëve i vënë në një rradhë me metropolin e Serbisë! Por nga ana tjetër duket se çuditërisht dhe fatkeqësisht ai paska pasur disi të drejtë. Sot Prishtina dhe Tirana janë më larg se kurrë nga njëra – tjetra dhe Tirana dhe Beogradi më afër se kurrë që nga 1949-ta!
Për tu kthyer te “atdhetarizmi” futbollistik duhet pohuar me forcë dhe bindje se nuk ka kurrfarë gjë të keqe të kemi edhe ne momente të tilla krenarie dhe euforie për të gjithë shqiptarët në Ballkan dhe në diasporë.
Ndofta këta të fundit janë edhe tifozët më të zjarrtë dhe të “çmendur” të kombëtares sonë të futbollit. Se vetëm kur je jashtë e kupton se çfarë do të thotë “ATDHE”, vendi ku ke lindur dhe lënë të parët e tu. Vendi nga i cili edhe vlerësohesh dhe gjykohesh. Se është ndryshe të thuash jam anglez dhe ndryshe të thuash jam albanez! Kjo edhe për fajin dhe krimin e pafalshëm të atyrë që e kanë nxirë emrin e shqiptarit në botë duke u marrë me veprimtari të paligjshme.
Për sa i takon atyre që kritikohen se i kanë kthyer krahët Atdheut, se kanë menduar mbi të gjitha për një të ardhme më të mirë për veten e tyre dhe familjen, fajtorët e vetëm për këtë “braktisje” duhen kërkuar veçse dhe vetëm e vetëm te politikanët që qeverisën vendin gjatë viteve 1991 – 1997. Të kohës së rrëmujës dhe rrëmetit. Te ata që e kthyen vendin në “tabula rasa”, gjoja në emër të luftës kundër komunizmit!
Askush nuk mund ta imagjinonte në vitin 1990, kur ulurinim në Qytetin Studenti se “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, se vendi do të kthehej në një shkretëtirë ekonomike, ku do rriteshin dhe zhvilloheshin vetëm rriqat e zinj.
Dhe çuditërisht në krye të kësaj katastrofe u vunë disa ish-komunistë të përflakur, që nuk do e lanin dorën e tyre për një javë (!), pasi e kishin tokur me “mësuesin” e tyre!
Dhe si nxënës besnikë të Enver Hoxhës ata e kishin mësuar përmendësh shprehjen : »Nga gërmadhat do ngrejmë botën e re » ! Të « brumosur me mësimet e shokut Enver dhe idetë e Partisë » ata me të vërtetë e kthyen Shqipërinë në gërmadhë.
Por të gjithë komunistët u sollën në këtë mënyrë. Një pjesë e madhe prej tyre mbetën të majtë edhe kur Partia e Punës u kthye në Parti Socialiste. Tek ata vazhdoi të gjallonte nderimi për Luftën Nacional Çlirimtare dhe respekti për djersën e derdhur gjatë 45 viteve diktaturë.
Por ishin disa komunistë ekstremistë dhe fanatikë, tip Sali Berisha, që morën pishën në dorë për të djegur 45 vjet punë, sakrifica dhe zhvillim të paparë. Edhe sot ka disa nga ata, që për më shumë kanë përfituar goxha gjatë sistemit të kaluar, që kërkojnë të ndalohen edhe këngët, filmat dhe veprat e artit, meqë ato u krijuan gjatë periudhës së realizmit socialist !
Kur do ta kuptojnë disa se Shqipëria moderne që lindi më 28 nëntor 1912 ka kaluar shumë vështirësi dhe rreziqe për të qënë ajo që është sot. Sidoqoftë shumë larg asaj që ëndërruan rilindasit tanë të famshëm si Samiu, që shkrojti librin – monumental « Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të jetë ».
Kur do ta kuptojnë ata se të gjitha periudhat janë pjesë e historisë sonë me të mirat dhe të këqijat e saj. Se historia patjetër duhet rishikuar, se disa gjëra duhet patjetër të rivihen në vend, por kurrsesi jo duke i fshirë nga faqja e Dheut.
Sidoqoftë sot kemi një Shqipëri, sado e mpakur dhe e plakur, por kemi po ashtu një Kosovë të gjallë dhe shpresëdhënëse. Prandaj edhe shkruajta më sipër se sa mirë do të ishte që të kishim një kombëtare të përbashkët Kuq e Zi, me flamurin kombëtar me shqiponjë në vend të atij me mballoma.
As Roma nuk është ndërtuar në një ditë, – thotë një shprehje e moçme. Dhe ndofta Shqipëria po hyn tani në përpjekjen e saj të 4-t madhore gjatë këtyre 111 vjetëve pavarësi ! Në përpjekjen për tu ringritur, rindërtuar, rifilluar edhe një herë tjetër nga e para. Jo më kot në Shkodër kemi kështjellën e famshme të Rozafës, që sipas legjendës është shkatërruar dhe rindërtuar disa herë.
Dhe pa asnjë dyshim, ata që i zbrisnin dje shkallët e stadiumit duke kënduar këngë kombëtare duket se nuk e kanë humbur shpresën se një ditë Shqipëria do të bëhet.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment