Pse dhe për çfarë kritikohet Rama ?

      Ja edhe Asambleja e Partisë Socialiste  përfundoi sot punimet. Disa ministra u hoqën, disa të tjerë u vunë. Dhe siç është bërë tashmë zakon një shumicë prej tyre janë femra. Asnjë problem deri këtu. Por pyetja është : janë zgjedhur se janë femra, apo se janë të afta ?! Që do të thotë se kanë shkëlqyer në fushën profesionale në të cilën janë emëruar ?!

          Ndryshe sado të hidhet dhe të përdridhet, sado fjalime të bukura të mbajë, Edi Rama nuk i shpëton dot pyetjes: si spjegohet që i var ujkut mëlçitë në qafë?! Si spjegohet që ministra ekonomie apo shëndetësie vë psh njerëz që nuk ia kanë haberin fare dikasterit në të cilin janë emëruar ?! Si spjegohet që edhe zëvendësi i tij i parë i del hajdut dhe i korruptuar?!

         Por shihet se pa iu bërë vonë fare për këto zullume, kryeministri ka guximin të pohojë se “nuk mbaj asnjë përgjegjësi”! Në një kohë që përgjegjësia e tij është totale. Se është ai që hiçkërrkushër dhe askërkushër i bën dikushi ! Në çdo vend tjetër demokratik kryeministri do të kishte dhënë vullnetarisht dorëheqjen pas këtyre skandaleve ose do të ishte detyruar nga partia e tij të linte postin !

          Por jo ! Gjëra të tilla nuk ngjasin në Shqipëri.  Ja psh në « bregun » tjetër një plak i gërrmuqur,  për më tepër i shpallur « non grata » nga aleati ynë kryesor, SHBA-ja (si dhe Britania e Madhe) nuk jep që nuk jep dorëheqjen si kryetar partie ! Edhe sikur opozita të mos vijë më kurrë në pushtet ! Apo që të bëhet copa copa.

        Për më shumë Edi Rama duke përdorur gojatorinë e tij të njohur sillet sikur opinioni po e kritikon se « nuk i mban të vetët » ! Çfarë gënjeshtër e madhe ! Askush nuk e kritikon kryeministrin kur ai i dorëzon vartësit e tij te SPAK-u apo te Gjykata kundër korrupsionit. Përkundrazi. Të gjithë i heqin kapelen për këtë veprim. Por, siç shkruam më lart, ai kritikohet vetëm se zgjedh në qeveri në rastin më të mirë të paaftë dhe në rastin më të keq figura të panjohura dhe njerëz të korruptuar. Për këto dhe vetëm për këto opinioni publik i kërkon llogari.

           Që Rama nuk i jep llogari kërrkujt dhe nuk do të ia dijë për askënd, kjo bëhet e mundur ngase Partia Socialiste ka vdekur në mendime dhe ideale. Të gjithë i binden Njëshit që vetëm socialist nuk është. Po të kishte Parti Socialiste të mirorganizuar, me jetë të gjallë partiake brenda saj, këto gjëra nuk do të kishin ngjarë.

         Por Partia e sotme socialiste është kthyer në një leckë mavi që shërben veçse për të fshirë këpucët e Edi Ramës. PS-ja është tashmë një parti amorfe, pa shpirt, pa program të majtë, prandaj Rama bën si i do qejfi.

         Emrin e Partisë Socialiste ai e përdor vetëm si kushtrim për të grumbulluar vota. Pastaj i kthen kurrizin dhe bën si do vetë. Siç i tha edhe Melonit, kryeministres italiane: “Unë jam kryetar i Partisë Socialiste, por nuk e kam problem të marr vendime si i djathtë”!

         Ndofta se është “gjysmagjel”, pra gjysëm i majtë dhe gjysëm i djathtë, apo se e ka kuptuar se elektorati socialist êshtë i pakënaqur nga veprimet e tij, tash në korridoret e politikës shqiptare po shtohen zërat që pohojnë se së shpejti Rama do heqë dorë nga PS-ja, por do ruajë kryeministrinë. Dikush tjetër do të caktohet në krye të PS-së!

        Ndofta nuk është ide e keqe. Atëhere edhe Rama nuk do të jetë i detyruar të pohojë se është socialist. Ai mund të afrohet psh, në rast nevoje, edhe me grupin e Bashës.

       Por sidoqoftë në rast të një “rrokade” të tillë dalin vetvetiu disa pyetje. Si psh: a do të ketë garë për të zënë vendin e kreut të ri të PS-së?! A do të zhvillohen primaret, apo siç ka shumë gjasa të ngjasë, Rama vetë do ta zgjedhë dhe propozojë pasardhësin e tij.

      Atëhere duhet të jemi të sigurt se edhe ky i fundit do të jetë veçse një kopje e zbehtë e origjinalit Rama.Pra dikush pa bindje të majta.  Ndryshe a do të zgjidhet ky kryetar i ri nga elektorati socialist sipas parimit “në anëtar, një vote”! A do të ketë konkurrencë?!

       Ndofta këto pyetje do të marrin përgjigje gjatë kongresit që Partia Socialiste do të mbajë së shpejti. Të presim dhe të shohim.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment