Pak javë më parë në Niger, shtet i Afrikës Qëndrore, ngjau një grusht shteti. Ushtarakët rrëzuan nga pushteti presidentin e zgjedhur Bazum dhe formuan një qeveri kukull, të drejtuar prej tyre.
Sot, e mërkurë 30 gusht, opinioni ndëkombëtar u njoh me një tjetër grusht shteti, kësaj rradhe në Gabon. Ky shtet gjendet në Perëndim të Afrikës dhe bregdeti i tij laget nga Oqeani Atlantik. Popullsia e tij i afrohet asaj të Shqipërisë sot, afërsisht 2.5 milionë banorë, por ka një sipërfaqe pothuajse 8 herë më të madhe, mbi 230 000 kilometra katrore.
Ushtarakët që morën pushtetin deklaruan se ata duan të rivendosin demokracinë në vend! A është ky një justifikim për të zëvendësuar një diktaturë nga një tjetër, apo vërtet një përpjekje për ta drejtuar Gabonin drejt shinave të demokracisë?! Koha do të jetë dëshmitare.
Sepse ky vend është drejtuar që nga viti 1967 (!) nga e njëjta familje: Bongo. I jati, Omar Bongo, që sundoi vendin për afro 40 vjet ia “dorëzoi” pushtetin të birit, Ali Bongo. i cili gjendet sot në arrest shtëpiak.
Popullsia e ka pritur grushtin e shtetit ndërmjet indiferencës dhe shpresës. Të lodhur nga qëndrimi i gjatë në pushtet i familjes, gabonezët e bëjnë atë fajtor për varfërinë në vend. Se ky vend ka pasuri të shumta, që në qoftëse do të shfrytëzoheshin në dobi të popullit do ta bënin “def” varfërinë.
Sepse Gaboni njihet si vendi i dytë në botë për eksportin e drurit, kësaj pasurie që po pakësohet me shpejtësi ngado. Po ashtu ai zotëron miniera të shumta manganezi, saqë zë vendin e parë në botë,mineral ky i domosdoshëm në krijimin e çipave elektronikë, smartphonëve, veturave elektrike, në pajisjet mjekësore etj. Pa folur këtu për rezervat e mëdha të naftës. Si dhe për minierat e arit. Pra ky vend ka gjithçka që duhet që banorët e tij të jetojnë si duhet. Por e kundërta është e vërtetë.
Ajo që kanë të përbashkët Gaboni me Nigerin është se të dyja kanë qënë dikur koloni të Francës. Dhe ndërsa kolonializmi mori fund në vitet ’60 të shekullit të kaluar, Franca ka ruajtur ndikimin e saj në ish – kolonitë e saj. Sidomos në fushën ekonomike. Por njëkohësisht në të gjitha këto vende Franca “ruan” kontigjente ushtarake! 1 500 trupa gjenden psh sot në Niger dhe 500 trupa ushtarake në Gabon. Por njëkohësisht atje ndodhen edhe 12 500 qytetarë francezë.
Vetëm gjatë këtyre 3 viteve të fundit popullsitë në 5 vende të Afrikës Qëndrore,- Guine, Mali, Burkina Fasso, Niger para një muaji dhe Gaboni sot, pa përmendur këtu Çadin, që gjendet në Afrikën nën sahariane, kanë përjetuar grushte shteti. Dhe duket se shkaku kryesor ka të bëjë me varfërinë që ekziston në këto vende, pavarësisht pasurive të tyre të paçmuara nëntokësore.
E vërteta është se këto pasuri marramëndase janë vjedhur bashkarisht nga shoqëritë shumëkombëshe në bashkëpunim me qeveritë vendase.
Dhe ndërsa shqiptarët habiten dhe ankohen për vilat që politikanët shqiptarë kanë ndërtuar në Lalz, gabonasit janë të zemëruar nga vila 7 milionë dollarëshe që presidenti i arrestuar i ka blerë së bijës në Nju Jork!
Pra vërtetohet aksioma se ngandonjëherë pasuritë e një vendi janë mallkimi i tij. Se ato tërheqin grabitqarët dhe çakejtë.
I tillë është edhe rasti i Shqipërisë. Edhe vendi ynë është i bekuar për pasuritë që ka. Por ato duket se nuk janë vënë në shërbim të popullit dhe vendit. Ndofta kjo është edhe një nga arsyet kryesore që shqiptarët nuk rreshtin së larguari nga vendi i të parëve të tyre!
Sepse edhe në Shqipëri kemi shumëkombëshe që shfrytëzojnë pasuritë e saj, si psh Bankers. Dhe se shpejti duket se do të vijë edhe “Shell”-I i famshëm. Të tjera shoqëri të huaja shfrytëzojnë kromin, bakrin, telekomin, bankat dhe ndofta së shpejti edhe burimet ujore të vendit!
Dhe për më shumë gjithçka zhvillohet në terr dhe errësirë. Me anë klauzolash të dyshimta qeveritë shqiptare u kanë premtuar “investitorëve” të huaj se ata nuk do t’i bëjnë të ditura hollësirat e marrëveshjeve të nënshkruara!
Kështu psh askush nuk e di se sa para derdhin në arkën e shtetit këto shumëkombëshe. Askush nuk i ka pyetur kryeministrat shqiptarë për këtë fakt. Por edhe nëse do të pyeteshin është e sigurt se nuk do të merrnin një përgjigje të sinqertë!
Për fat të mirë ne nuk kemi tradita të spikatura të marrjes së pushtetit në vend me grusht shteti. Por sidoqoftë tentativat, disa herë të sukseshme dhe disa herë të dështuara, kanë ngjarë edhe te ne.
Kështu psh jo shumë larg në kohë, pati një përpjekje për grusht shteti nga ana e Berishës më 1998, kur u vra Azem Hajdari, por ai u zbyth shpejt.
Ndryshe edhe gjatë ndërrimit të sitemeve gjatë periudhës 1990 – 1991 pati një “dalje” të tankeve në bulevardin e Tiranës, por edhe ato u rikthyen shpejt në bazën e tyre.
Pak më larg në kohë shqiptarët kanë qënë dëshmitarë të revolucionit të qershorit 1924 të Fan Nolit, por dhe rikthimin në pushtet të Ahmet Zogut me ndihmën e kryeministrit serb Pashiq dhe garnizoneve të rusëve të bardhë të dëbuar nga Rusia e Leninit.
Shqiptarët duket se kanë zgjedhur si rrugë shpëtimi largimin nga vendi. Por ata që kanë mbetur dhe nuk dëshirojnë të largohen duhet të tregohen aq të pjekur dhe të zgjuar sa që të përfitojnë nga mundësitë që të ofron sistemi demokratik. Në rast se nuk duan që të huajt të përfitojnë 9/10 nga pasuritë tona kombëtare dhe shteti shqiptar vetëm 1/10-tën. Kjo ndofta u shkon për shtat politikanëve të korruptuar, por jo popullit.
Dhe duke qënë se prej 30 vjetësh shqiptarët gëzojnë të drejtën e votës në sistemin demokratik, ata duhet të votojnë me mëndje dhe jo me këmbë. Sigurisht që janë gënjyer dhe mashtruar disa herë nga këta që kanë qeverisur vendin gjatë kësaj periudhe kleptokratike, por shpresa vdes e fundit.
Gjithçka do varet nga zgjedhjet që ata do bëjnë tash e në të ardhmen.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment