Menjëherë porsa kryeministri njoftoi se në malin e Shpiragut kompania hollandeze « Shell” kishte zbuluar naftë të një cilësie tepër të lartë, në rrjet shpërthyen komentet. Disa shprehnin gëzimin e tyre për këtë lajm të mbarë, por disa të tjerë dukeshin tejet skeptikë e dyshues.
Dakort që në Shpirag u zbulua naftë, por çdo të fitojnë nga kjo shqiptarët?! – kjo ishte pyetja që mbizotëronte në komentet e shumë lexuesve.
Se shqiptarët janë zhgënjyer rëndshëm nga përdorimi dhe shfrytëzimi i pasurive të shumta të nëntokës sonë. Menjëherë pas rënies së komunizmit dhe shkatërrimit të ekonomisë së tij shtetërore, “investitorë” të shumtë iu sulën ekonomisë shqiptare për ta nxjerrë atë nga kolapsi ku kishte përfunduar. Dhe ata e vunë syrin në objektet më fitimprurëse të vendit, siç janë telefonia celulare, bankat, por sidomos pasuritë nëntokësore.
Ka disa dhjetëvjeçarë tashmë që nafta, kromi, bakri etj etj shfrytëzohen nga kompani të huaja. E keqja është se në arkën e shtetit shqiptar hyjnë shumë pak para nga shfrytëzimi I këtyre burimeve. Dhe jo vetëm që shqiptarët mbeten përgjithësisht të varfër, por edhe shteti është mbytur në borxhe. Flitet se vlera e tij, e borxhit, kap sot shifrën e afro 8 miliardë dollarëve, afërsisht e barabartë me buxhetin shtetëror të një viti të tërë!
Pyetja shtrohet: Kur do të përfitojnë shqiptarët nga këto pasuri, kur nuk po përfitojnë sot. Kur ato të shterrojnë?! E vërteta është se një pjesë jo e vogël oligarkësh apo politikanësh kanë përfituar ndjeshëm nga zbulimi dhe shfrytëzimi i pasurive kombëtare nga kompanitë e huaja apo oligarkët vendas. Shumë para, siç pohon shtypi vendas, kanë kaluar nën dorë në këmbim të lëshimeve të shumta.
Normalisht në një shtet të shkatërruar dhe të paorganizuar si Shqipëria, kompanitë e huaja e kanë të lehtë të blejnë nëpunësit vendas, deri në shkallët më të larta duke pamundësuar kështu asnjë lloj kontrolli dhe verifikimi.
Por le të kthehemi te Shpiragu. Zëvendëskryeministrja Balluku njoftoi dje me gëzim se shteti do të marrë 10 përqind të rentës minerare, 50 përqind të tatim/fitimit si dhe bonuse të tjera.
Si kryeministri Edi Rama por po ashtu dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku i bënë të ditur oponionit vendas që deri më tani rezultatet janë të mira dhe maksimumi në muajin janar 2024 pritet përgjigja përfundimtare nëse Shell do të vendosë të vazhdojë aktivitetin në Shqipëri apo jo !
Normalisht « Shell »-i nuk ka pse të mos fillojë tashmë të mendojë për fitimin e tij. Veçse nëse bën naze që të vëjë kushte shtesë. Vallë përse të mos e shfrytëzojë ai këtë pasuri, kur për më shumë kjo naftë ka cilësitë e asaj të Arabisë Saudite ?! Apo ka në plan që t’ia kalojë këtë « llokmë » dikujt tjetër, një të treti që nuk merr përsipër kushtet e kontratës së nënshkruar me shtetin shqiptar, dhe ai të marr veçse përqindjen e tij të fitimit ?! Askush nuk e di se çfarë luhet në prapaskenë.
Sipas zyrtarëve të lartë të qeverisë e mira kryesore e këtij zbulimi do të jetë krijimi i fondit sovran që do të krijohet për të administruar të gjitha të ardhurat financiare që do të vijnë nga kjo pasuri nëntokësore, që tejkalon 500 milionë eurot në vit.
“Përsa i përket produktit që është një e ardhur që zgjat nga 25-30 vite në bazë të kontratës, kanë të bëjnë me rentën minerare e cila në Republikën e Shqipërisë ose në rastin e këtyre kontratave është e dakordësuar 10% renta minerare mbi produktin. Ndërkohë tatim-fitimi është në masën 50% i dakordësuar. Nga ana tjetër kemi bonusin e prodhimit që është 250 mijë dollarë me prodhimin e fuçisë së parë, 750 mijë dollarë kur prodhimi arrin 15 mijë fuçi, 1.5 milionë dollarë kur prodhimi arrin 30 mijë fuçi në ditë, ndërkohë që janë dhe të gjitha bonuset e tjera.
Ajo çka është më e rëndësishmja për qeverinë është granti i faktorit R që do të aplikohet nga fillimi i kësaj kontrate. Çfarë presim nga prodhimi? Ne kemi rënë dakord me kompaninë që mos deklarojmë skenarët që ata kanë marrë për bazë. E vetmja gjë që, nga momenti që ne kemi filluar punën për ngritjen e një fondi sovran do të thotë që nuk janë të ardhura 500 milionë euro në vit, të cilat do të shkojnë direkt në buxhetin e shtetit për të mbuluar nevojat, por flitet për të ardhura shumë më të larta, të cilat nuk mund të menaxhohen nga buxheti i shtetit dhe do të menaxhohen nga fondi sovran, ashtu siç ka ndodhur me naftën në Norvegji, Arabi Saudi, Azerbajxhan dhe kudo tjetër”, tha ndër të tjera zv/kryeministrja Belinda Balluku. Ndërsa Kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse gjithçka shkon mirë, nafta e cilësisë premium që do të nxirret nga nëntoka e Shpiragut do të ndikojë edhe në uljen e çmimit të karburantit.
Fjalët janë të bukura dhe entuziaste, megjithëse janë të mbuluara me një tis teknik, që jo të gjithë mund t’i kuptojnë. Por ajo që të bie në sy dhe të tërheq veçanërisht vëmendjen është pjesa ku thuhet se « ne kemi rënë dakort me kompaninë që të mos deklarojmë skenarët që ata kanë marrë për bazë » ! Këtu fshihet lepuri. Dmth që kontrata nuk do të bëhet kurrë publike ! Populli asnjëherë nuk do të kuptojë se pse, si, qysh, sa dhe kur!
Siç dihet Shqipëria ka një histori 100 vjeçare me zbulimin dhe nxjerrjen e naftës në vend. Prof. doc. Fatmir Shehu e njeh mirë këtë histori. Ja çfarë thotë ai : « Nga viti 1928 deri në vitin 1944 janë prodhuar 984,022 tonë naftë; nga viti 1945-1960 janë prodhuar 3.876.440 tonë naftë; nga viti 1961 (mbas largimit të specialistëve sovjetikë) deri në vitin 1990 janë prodhuar 45.823.935 tonë naftë dhe nga viti 1991 deri në vitin 2004 janë prodhuar 3.060.964 tonë naftë. Këto shifra tregojnë se sa keq ka shkuar industria e naftës mbas viteve 1990 dhe ç’punë kolosale është bërë në periudhën 1960-1990 kur në dorë këtë industri e morën vetë naftëtarët shqiptarë dhe organet përkatëse qeverisëse » – pohon prof. Doc. Fatmir Shehu.
Edhe inxhinjer Vlashi Fili, që tani jeton në SHBA, dhe që ka punuar 30 vjet në këtë sektor, ka pohur për shtypin shqiptar se : « Nafta është aq e fuqishme sa që mund të rrëzojë apo të ngrejë qeveri. Ajo mund të ngrejë ekonominë e një vendi nga të dobët dhe ta bëjë të fuqishme. Shikoni vendet arabe çfarë bumi po bëjnë në ekonominë e tyre dhe kjo falë naftës që ata kanë. Është kjo arsyeja, që edhe qeveria komuniste e asaj kohe që lamë, i dha përparësi zhvillimit të industrisë së naftës » – vë në dukje ing Fili, para se të shtojë se : –
« Prodhimi i naftës nga viti në vit erdhi duke u rritur dhe paralel rritjes së këtij prodhimi, kuptohet edhe degët e tjera të kësaj industrie. Me prodhimin e naftës prej 2,4 milion tonë në vitin 1974, vendi ynë arriti të jetë i treti në Europë, mbas Bashkimit Sovjetik dhe Rumanisë në eksportin e naftës.
Sigurisht me këtë zhvillim të industrisë së naftës, ndodhën edhe poshtërsitë e kohës, pikërisht nga ato qeveri. Arrestoheshin, torturoheshin për të pranuar ato që nuk i kishin bërë, u bëheshin gjyqe gjoja shembullore, dënoheshin dhe deri ekzekutoheshin specialistë shumë të mirë, me akuza që nuk qëndronin, të cilat jo vetëm që merrnin në qafë specialistët e naftës që kishin zbuluar vendburime të tëra, por fusnin një frikë prej “gogoli” tek të gjithë të tjerët që vazhdonin punën në këtë industri ».
« Kështu mbas përfundimit të luftës, zona me më shumë naftë ishte ajo e Kuçovës. Deri para vitit 1918 fshati Kuçovë as që njihej fare në ekonominë e vendit. Me zbulimin e naftës Kuçova u vendos në të gjitha hartat e për më tepër edhe në hartat ushtarake. Më pas Kuçova si thashë, ishte zona që prodhonte më shumë naftë dhe mbajti për disa vjet, peshën kryesore në ekonominë shqiptare. Në vitin 1957 u zbulua vendburimi i Marinzës ku edhe ishte zona që prodhoi më shumë naftë. Më vonë u zbuluan, me radhë vendburimet e naftës në shtresat karbonatike si në Visokë, Ballsh, Gorrisht, Kocul etj. të cilat shtuan së tepërmi sasinë e prodhimit të naftës që arriti në 2,4 milion tonë në vitin 1974 » !
« Njëkohësisht me këtë zhvillim të industrisë së naftës, ndodhën edhe poshtërsitë e asaj kohe, pikërisht nga ato qeveri. Arrestoheshin, torturoheshin inxhinjerë nafte për të pranuar ato që nuk i kishin bërë, u bëheshin gjyqe gjoja shembullore, dënoheshin dhe deri ekzekutoheshin specialistë shumë të mirë, me akuza që nuk qëndronin, të cilat jo vetëm që merrnin në qafë specialistët e naftës që kishin zbuluar vendburime të tëra, por fusnin një frikë prej “gogoli” tek të gjithë të tjerët që vazhdonin punën në këtë industri »- pohon me trishtim ing. Vlash Fili, para se të shtojë se ka dëgjuar se vitet e fundit është zbuluar naftë në Mbreshtan të Beratit dhe parashikimet flasin për një zonë të fuqishme nafte.
Vendi ynë, vazhdon inxhinjeri, ka shumë naftë jo vetëm në ato zona ende të pazbuluara që parashikohen si naftëmbajtëse, por edhe në zonat që tashmë janë të zbuluara.
Ing. Fili përmend me këtë rast zonën më të vjetër, atë të Kuçovës. « Ka 100 vjet që nga ky vendburim nxirret naftë. Megjithatë, deri më sot nuk është arritur të nxirret as gjysma e rezervave teknike të shfrytëzueshme e aq më pak akoma nga sasia e rezervave gjeologjike të llogaritura në të. Pra edhe në këtë vendburim 100-vjeçar të shfrytëzuar ka ende sasira të mëdha nafte. Më pas harta e vendburimeve të Shqipërisë u zgjerua shumë deri në Jug të vendit, në Krane, Finiq, Delvinë, etj. Po ashtu vendburimet e gazit të zbuluara në zonën pranadriatike u bënë pjesë e të gjithë vendburimeve naftëgazmbajtëse të vendit tonë. Studimet gjeologjike kanë treguar se edhe në zona të tjera, deri edhe në detet Adriatik e Jon, Shqipëria është një hambar nafte e gazi. Përfundimisht, nëntoka shqiptare jo vetëm që është me naftë por me shumë naftë » – pohon me bindje specialisti i vjetër.
Duke e vënë gishtin edhe në plagën e koncesioneve dhe grabitjeve të pasurive kombëtare nga shumëkombëshet e huaja ing. Fili thotë se pasuria e vendit tonë ka filluar të jepet me koncesion qysh në kohën e të vetëshpallurit Mbret i Shqiptarëve, Ahmet Zogu. Një dukuri e tillë u përsërit edhe mbas vitit 1990, kur në vendin tonë ndryshoi sistemi politiko-ekonomik. Është e mira që shteti ynë ta kishte naftën, në dorën e vet. Kjo sigurisht do investime, por nafta i përligj shpenzimet, jo vetëm një herë, por disa herë më shumë » – vë në dukje ai.
« Mbas vitit 1990, si në asnjë vend të lindjes ku ndryshuan sistemet, në vendin tonë u bënë shkatërrime të mëdha me justifikimin se janë komuniste dhe do ngrihen nga e para. U shkatërruan pothuajse të gjitha degët kryesore të ekonomisë, nafta, kromi, bakri, etj., u mbyllën fabrikat dhe uzinat, u shkatërrua bujqësia, industria e lehtë dhe ushqimore, veprime që shkaktuan papunësi me shumicë dhe e çuan vendin tonë drejt humnerës. Në këto kushte kompanitë e huaja të naftës afruan ndihmën e tyre, por duke patur të drejtën e koncesioneve që duhet t’u jepte dhe u dhanë nga qeveritë. Gabimi i madh, nënvizon Vlash Fili, nuk është se u dhanë koncesione të huajve, por kushtet me të cilat u dhanë këto koncesione ishin krejtësisht jo të plota dhe të padrejta, me humbje të mëdha për vendin dhe me fitime më shumë seç parashikoheshin jo vetëm nga kompanitë që i morën, por edhe për xhepat e personave që hartuan dhe firmosën kontratat. Kështu nafta jonë shkoi e po shkon tek kompanitë e huaja.
Dhe specialisti veteran jep edhe disa shifra që të gozhdojnë dhe të bëjnë të kuptosh se si dhe sa na vjedhin kompanitë e huaja.
Sipas Filit në vitin 2014, kur kompania jonë “Albpetrol”, prodhonte rreth 300.000 tonë naftë (shifër kjo për të cilën ai nuk betohet për saktësi), kompanitë e huaja i morën nëntokës tonë:
“Bankers Petroleum”….1.211.837 tonë naftë.
“Stream Oil and Gaz”…81.227
“Transoil Group”…24.618
“Phoenix”…5.072
“Sherwood”…188
Gjithsej: … 1.322.942 tonë naftë Brenda një viti!
Besoj se për cilindo është e qartë se sa naftë ka vendi ynë, sa marrim për vete dhe sa na grabisin të huajt. Jo vetëm kaq, por shpesh të huajt e fshehin sasinë e prodhimit të naftës dhe rrjedhimisht edhe detyrimin që kanë ndaj vendit tonë. E gjitha kjo vjen se:
1 – Ata që përgatisin kontratat ose nuk janë të gjithë specialistë të mirëfilltë të naftës ose sillen si të tillë.
2 – Kontratat nuk përpilohen me hollësi për të gjitha etapat e punës të kompanisë që merr koncesionin.
3 – Projektet e puseve të shpimit lënë shumë për të dëshiruar.
4 – Metodat e shfrytëzimit të vendburimit nuk parashikohen të tilla që të ruhet jetëgjatësia e vendburimit
5 – Kontrolli i zbatimit të projekteve të shpimit apo të shfrytëzimit nuk bëhen si duhet, duke u lejuar kështu kompanive të huaja që të kenë “dorë të lirë”. Ndodh pastaj ajo që ndodhi në Marinëz, ku shpërthyen ardhjet nëpër shtëpitë e fshatarëve, apo në Zharrëz ku shtëpitë morën plasaritje dhe që u justifikuan me gënjeshtra” – vëren specialisti i naftës.
Kjo është eksperienca dhe brenga e vetëm njërit prej specialistëve të shumtë shqiptarë të asaj kohe. Por a do të ia dijë “antikomunisti” I vendosur Rama për pak kaq gjë! Kur për më shumë dihet se ai nuk merr vesh shumë as nga ekonomia në përgjithësi dhe ajo e naftës në veçanësi?! Kur edhe kabinetin e ka mbushur me të paaftë, apo grykës dhe të babëzitur për para, siç është psh rasti i freskët me ish zëvendësin e tij, Arben Ahmetajn, për të cilin askush nuk ka dijeni se për çfarë shkaku apo merite zuri një post kaq të lartë?!
Në fund dhe si mbyllje të shkrimit: a duhet të gëzohemi apo hidhërohemi nga zbulimi i një thesari të ri të nëntokës sonë?! Edhe Nigeria, apo edhe Nigeri dhe shumë vende të tjera afrikane, kanë shumë naftë dhe pasuritë tjera nëntokësore, por megjithatë ato renditen ndër vendet më të varfra të botës!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment