Çfarë po ngjan kështu me këta bejlerët dhe dhe bajraktarët shqiptarë ?! Pa u mbyllur ende çështja e shitjes së detit, e firmosur nga ministri i jashtëm i asaj kohe Lulzim Basha dhe ish – kryeministri Sali Berisha, një tjetër shitje po duket në horizont. Shitja e lumit të Vlorës dhe më tej e ujrave në mbarë Labërinë. Kësaj rradhe nga Edi Rama !
Kjo çështje është folur dhe përfolur disa herë në shtypin shqiptar, por pastaj është fashitur. Pa ndonjë provë konkrete se diçka është duke u ndërmarrë në këtë drejtim. Kur vetëm pak ditë më parë për ngritjen e një kulle në qëndër të Tiranës u krijua një zallamahi e paparë, a thua se kishte ardhur fundi i Botës ?! Dhe vetëm e vetëm, se dyshohej që pas kësaj kulle « fshihej » Zeni, djali i Sali Berishës ?! Ku i gjeti paratë ?! Po ai Ilir Shtufi mos është debeli i tij?!
Këto janë punë të SPAK-ut për t’i çbirisur, në një kohë kur dihet se të gjithë pasunarët shqiptarë i kanë bërë paratë ose me ndihmën e korrupsionit qeveritar ose me krim dhe drogë! Brenda dhe jashtë vendit.
Shqetësimi për burimet shqiptare të ujërave duket se do të marrë « yrysh » tani që shtypi italian ka bërë të ditur zyrtarisht se jemi shumë pranë nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet qeverisë shqiptare dhe rajonit të Pulias.
Rajon ku vetëm një javë më parë qëndroi për pushime kryeministrja e Italisë Gjiorgjia Meloni! E cila u nis pastaj direkt nga Pulia për në Vlorë, ku u takua dhe bisedoi gjërë e gjatë për marrëdhëniet dypalëshe. A ishte edhe lumi pjesë e këtyre bisedave?! Shtypi Italian pohon se po. Por nga ana shqiptare heshtje varri.
Por kanë qënë mediat italiane të cilat kanë bërë të ditur se kjo “aferë” është tashmë drejt përfundimit. Bëhet fjalë për 150 milionë metra kubë në vit që do të transferohen nga Shqipëria drejt Italisë me anë të një ujësjellësi 205 kilometra i gjatë. 85 kilometra prej tyre do të shtrihen nën det, ndërsa 120 kilometrat e tjera do grumbullojnë ujin që nga Gjirokastra deri në lumin e Vlorës dhe më thellë në Labëri. Buxheti i këtij ujësjellësi, që do të ndërtohet edhe me fondet e Bankës Europiane për Zhvillim dhe shtetit të Italisë, lëviz nga 1 deri 4 miliardë euro. Dhe ky ujësjellës normalisht duhet të përfundojë brenda 4 viteve të ardhshme.
Dhe shtypi italian duke njoftuar këtë ngjarje pyeti me çiltërsi sot: Po Shqipëria çfarë do fitojë nga ky investim?! Do u krijokan 8 000 vende pune! – është përgjigja e autoriteteve italiane. Deri sa të ndërtohet ujësjellësi. Por çuditërisht askund dhe askush nuk flet apo dëshmon për çmimin e një milioni metra kub ujë që duhet normalisht t’i paguhet Shqipërisë. Mos vallë ky ujë do të jepet falas?! Asgjë nuk është e qartë dhe transparente nga qeveria shqiptare.
Para disa vitesh qeveria Berisha lejoi kalimin falas në truallin tone të një gazsjellësi nga Afganistani. Pa asnjë taksë dhe fitim. I pyetur për këtë krim ekonomik, Sali Berisha nuk gjeti përgjigje më të mirë sesa të thoshte se: “e lejuam kalimin falas të gazsjellësit, pasi e konsideruam veten anëtarë të Bashkimit Europian”! Me kë tallet viçidolasi?! Po ky birboja i gjatë si do u përgjigjet mediave dhe opinionit publik për shitjen e ujit Italisë?!
Sepse nisur nga dokumentat që ekzistojnë, askund nuk del se uji i Labërisë apo Lumi i Vlorës ka qënë dikur pronë e Kristaq Ramës!
“Thembra e Akilit” e kësaj afere është nëse po shitet uji me gjithë lumin dhe lumenjtë apo vetëm uji?! Se psh Italia shet në të gjithë botën të paketuar në shishe ujin e saj të famshëm “San Pellegrino”. Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Edhe Shqipëria mund të ia shesë ujin e lumit rajonit të Pulias, i cili mund ta blejë me hektolitra dhe ta transportojë me vaporë, qoftë edhe ta transportojë me ujësjellës, siç transportohen psh nafta dhe gazi.
Por jo: Duket se Italia po ndërton një ujësjellës “të sajin” që do ta transportojë ujin nga gjiri i Vlorës deri në Puglia! Ndërtimi i këtij ujëpërcjellësi, gjithmonë sipas mediave në fjalë, mund të arrijë deri në 4 miliardë euro!
Po nëse nesër apo pas 10 vjetësh, Shqipëria do të ketë vetë nevojë për këtë ujë të pijshëm, sa miliardë euro dëmshpërblim do të jetë e detyruar ajo t’i paguajë italisë për prishje të kontratës?! Këto gjëra duhen parë me kujdes, por ndofta të djathtit antikamunist, Edi Rama, ia ka zënë sytë bukuria e Melonit dhe nuk do t’ia dijë për “vogëlsira” të tilla! Aq më shumë që në atë kohë ai do të jetë në Paris duke hapur ekspozita dhe shitur pikturat e veta!
Një pyetje që del është se kush do të jetë pronari jo vetëm i ujit, por edhe i burimeve ujore?! Dhe për sa vjet?! Shitet vetëm uji apo bashkë me të edhe lumi?! Po ujësjellësi në tokën shqiptare, tubat e të cilit kanë zbarkuar tani në Kuç të Vlorës, pronësi e kujt do të jetë?!
Në rast se kontrata tashmë është nënshkruar ose është gati, cilat janë kushtet e saj?! Përse u mbahet ajo fshehur njerëzve?!
Njëherë na del një mik që dëshiron të vendosë në Shqipëri mbeturinat e armëve kimike, pastaj del një “mik” tjetër që na e merr ujin falas! Me kështu miqsh me të vërtetë që nuk ke nevojë për armiq.
Ndryshe cili do të jetë çmimi i blerjes së ujit apo lumit?! A do të jetë ai fiks apo variablë, i ndryshueshëm, sipas inflacionit dhe ndryshimit të çmimit në tregun botëror?!
Madje thuhet, por për këtë unë nuk jam I sigurt, se në librat e shenjtë është gdhendur shprehja se:” vetëm çka është prodhuar nga dora e Njeriut mund të shitet dhe blihet”! Që do të thotë se lumi, mineralet, uji, nafta, pylli, mali dhe toka bujqësore, e krijuar disa miliarda vjet më parë, nuk mund as të shiten dhe as të blihen.
Se pronarë të tyre nuk kanë qënë as qeveria e Zogut, as e Sali Berishës dhe as e Edi Ramës. Përsa i takon qeverisë së Enver Hoxhës mbi të nuk rëndojnë dyshime se ajo gjithçka e kishte shtetërore, dhe nuk pranonte as kredi dhe ndihma të huaja. Jo më tu shiste pasuritë kombëtare të huajve, siç po bëjnë këto 30 vjet qeveritë tona tejet demokratike, superperëndimore dhe hiper të korruptuara!
Shqipëria gjendet sot para një situate kritike. Njëlloj si gjithë bota. Ngrohja klimatike po shterron burimet ujore. Sot shtypi italian psh bëri të ditur se lumit Po, më i madhi në Itali, po i del shtrati! Ndërsa Shqipëria duket se po e shet ujin e vet falas! Uji është jeta. Astrofizikantët dhe astrobiologët nuk kanë asnjë mëdyshje: Për të pasur jetë nëpër planetet e pafundmë që gjenden në galaksi, nevojitet që të ketë ujë! Dhe vetëm 0.2 përqind e ujit në planetin tonë, duke përfshirë edhe detet dhe oqeanet, është ujë i pijshëm!
Qeveria nuk është pronare e resurseve natyrore. Ajo është vetëm administratore apo ndryshe “nikoqire” e tyre. Prandaj shitja e pasurive natyrore të vendit përbën së paku një krim deri në tradhëti të lartë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment