Himara ka qënë një synim i kahershëm i politikës greke në planet e saj për aneksimin dalëngadalë të Shqipërisë së jugut,që ata e njohin si Vorio Epir. Sapo u pavarësua dhe u konsolidua si shtet, synimi i Athinës ka qënë shtrirja dhe përhapja sa më shumë e saj në gadishullin ballkanik. Madje edhe më tej. Në ato kohë lindi edhe strategjia famëkeqe e “Megali Idhesë”, (Ideja e Madhe), që grekët e shohin edhe sot e gjithë ditën në ëndrrat e tyre.
Janë të njohura për shembull betejat greko – turke më 1987, 1919 deri më 1923. Të cilat përfunduan të gjitha me humbje për Athinën. Pavarësisht ndihmesës së madhe që mori nga Perandoria britanike, superfuqia e asaj kohe. Ndërsa Turqia u ndihmua gjatë këtyre betejave kryesisht nga Italia dhe Bashkimi Sovjetik.
Në allishverishet që Fuqitë e Mëdha zhvilluan në fund të shekullit të 19-të dhe fillimin e shekullit të 20-të u diskutua edhe rreth pretendimeve të Athinës për Vorio – Epirin, i cili sipas orekseve greke shkon deri në Elbasan! Pra praktikisht e gjithë Toskëria.
Por krijimi I shtetit shqiptar, njohja e tij nga Fuqitë e Mëdha dhe sidomos konsolidimi I themeleve të tij si fillim nga Ahmet Zogu dhe sidomos gjatë periudhës komuniste i dogjën ëndrrat greke për Vorio Epirin.
Rasti Athinës i erdhi përsëri pas vitit 1990. Greqia nxorri përsëri « tefterët » e saj të vjetër. Një pas një Shqipërinë e Jugut filluan ta vizitonin emisarë të pafund të shtetit grek. Duke filluar nga ministrat e jashtëm, kryeministrat deri dhe presidentët e saj. I fundit nga këta është kryeministri i tashëm, Micotaqis, që « vizitoi » Himarën para pak kohësh për të ngjallur atje ndjenjat e nacionalizmit filohelen ! Dhe tani politika greke po u fryn të gjitha burive deei në Parlamentin Europian për të ashtuquajturën « çështja Beleri ».
Po Athina nuk është mjaftuar me kaq. Si në vitet 1880 – 1920 ajo është përpjekur në maksimum që në projektet e saj të gëlltitjes të Vorio Epirit të gjejë edhe mbështetjen e vendeve perëndimore. Dhe sidomos të institucioneve europiane, ku Athina si anëtare e BE-së ka agjentët dhe përfaqësuesit e saj.
Duke qënë reporter i akredituar pranë seksionit shqip të radios gjermane “Deutsche Welle” për Bashkimin Europian dhe Naton (1994 – 2007) kam pasur rastin të ndjek nga afër shtrirjen dhe gjarpërimet e emisarëve dhe eurodeputetëve grekë ndaj Vorio Epirit dhe sidomos ndaj Himarës.
Në Parlamentin Europian psh janë organizuar disa seanca gjatë disa viteve me rradhë rreth të “ashtuquajturave” shkelje të të drejtave të pakicës greke në Shqipëri!
Më poshtë mund të njiheni me disa nga këto përpjekje dhe qëndrime. Të cilat për fat të mirë janë ndeshur në kundërshtimin edhe të disa eurodeputetëve dhe komisionerëve europianë. Për më shumë grekërve iu ngjau si atij që në vend të vinte vetullat nxorri sytë. Se gjatë këtyre seancave, disa eurodeputetë, miq të kombit shqiptar, ngritën me forcë edhe çështjen e Çamërisë. E keqja më e madhe ishte se shteti shqiptar, si në atë kohë si sot, nuk ka ditur apo nuk ka dashur të përfitojë nga kjo mbështetje që do t’i jepte fund një herë e mirë mëtimeve aneksioniste të Greqisë ndaj vendit tonë.
Lexim të këndshëm.
Një grup deputetësh të Parlamentit Evropian i kanë dërguar një memorandum Kris Patenit në Bruksel, I njohur si memorandumi për Çamërinë.
Eurodeputetët: Çamët në Greqi të trajtohen si pakica greke në Shqipëri.
Çamët në Greqi duhet të gëzojnë po ato të drejta, që gëzon edhe pakica greke në Shqipëri – kjo është keshilla që një grup parlamentarësh europianë i kanë parashtruar komisionerit të Bashkimit Europian, përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë, Kris Patten.
Eurodeputetët Marko Panela, Mauricio Turko, Marko Kapato, Xhanfranko del’Alba, Benedeto della Vedova dhe Olivier Dypui theksojnë se vetëm kur pakica kombëtare çame në Greqi dhe ajo greke në Shqipëri do të gëzojnë të njëjtat të drejta, vetëm atëhere marrëdhëniet midis popujve grek dhe shqiptar, do të jenë vërtet të forta dhe të sinqerta.
E lënë në harresë për afro një gjysmë shekulli, pak nga pak çështja çame po fiton njohje ndërkombëtare. Gjatë këtyre 2 muajve të fundit ky problem është trajtuar edhe nga një organizëm me njohje dhe reputacion ndërkombëtar siç është Grupi Ndërkombëtar i Krizave. Por më së fundi për këtë çështje po tregon interes edhe Parlamenti Europian.
Pikërisht në kohën kur në Kuvendin e Shqipërisë ishte në diskutim e sipër Rezoluta për Çështjen e Çamërisë, gjashtë eurodeputetë në Bruksel, kishin nisur përpjekjet për ta ndërkombëtarizuar Çështjen Çame, si çështje e të drejtave të njeriut. Ishte shkurti i vitit 2004, kur 6 eurodeputetët i kanë dërguar komisionerit përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë, Kris Patten, memorandumin e titulluar “Dhunimi i të drejtave të pakicës çame në Greqi”.
Eurodeputetët Panela, Dypyi, Turko, Kapato, Del’Alba dhe Dela Vedova theksojnë se në qershor të 1944-ës, 44 000 shqiptarë të besimit mysliman, u dëbuan me forcë nga tokat e tyre në Çamëri, me akuzën se kishin bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe gjermanë. Ky dëbim shënon edhe epilogun e genocidit të kësaj popullsie, të cilës, për më shumë, iu konfiskua gjithë pasuria, duke përfshirë këtu trojet e shtëpive, tokat bujqësore, bagëtitë etj..
« Edhe popullsia ortodokse çame që mbeti në Çamëri nuk gëzon dot të drejtat e njohura të pakicave si në vendet anëtare të Bashkimit Europian, në mënyrë të veçantë të drejtat e pakicave etnike dhe gjuhësore, siç është e drejta për të mësuar gjuhën shqipe në shkollat shqip, të cilat janë të ndaluara nga shteti grek » – shkruhet në këtë memorandum. Vetëm në rast se dy pakicat kombëtare, në Greqi dhe Shqipëri, vihen në pozita të barabarta politikisht dhe juridikisht, vetëm atëhere ndërmjet dy popujve, shqiptar
dhe grek, do të ekzistojnë lidhje miqësie të sinqerta dhe të qëndrueshme, vënë në dukje parlamentarët europianë. Njëkohësisht eurodeputetët Panela, Dypyi, Turko, Kapato, Dela Vedova dhe Del’Alba i bëjnë thirrje përfaqësuesit të Komisionit Europian që të ndërmerren veprime konkrete me qëllim që popullsia çame e besimit mysliman që është dëbuar nga Çamëria, të lejohet të kthehet në tokat e saj, të gëzojë të drejtat e rikthimit të pronës si dhe t’i njihet dhe të përfitojë dëmshpërblim për humbjet që ka pësuar gjatë gjithë këtyre viteve.
Në fund eurodeputetët kërkojnë që edhe për çamët ortodoksë që kanë mbetur në Çamëri, Komisioni Europian të ndërhyjë që edhe atyre t’u njihet e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe në dokumentat zyrtare dhe që ky grup popullsie të gëzojë po ato të drejta që gëzon pakica greke në Shqipëri.
Memorandumi i eurodeputetëve të sipërcituar vjen disa ditë pas një prononcimi të një eurodeputeti katalan, Mayol Ribeiro, i cili ngrinte çështjen e mohimit nga shteti grek, të pakicave kombëtare në Greqi.
Njëkohësisht në një raport që pritet të publikohet në muajin mars nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, theksohet se politika e dëbimit të çamëve nga Greqia ka filluar të vihet në zbatim që në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, pra shumë përpara Luftës së Dytë Botërore. Në raport pohohet se dëbimi i parë i çamëve nga vatrat e tyre u bë gjatë shkëmbimit të popullsive ndërmjet Greqisë dhe Turqisë së Ataturkut në vitet 1920. Grekët e Bosforit u vendosën atëhere në veriperëndim të Greqisë në tokat e çamëve myslimanë, të cilët qeveria greke i dëboi me forcë drejt Turqisë.
Por në ndryshim nga parlamentarët europianë, Grupi Ndërkombëtar i Krizave vëren se si shqiptarët e hershëm në Greqi, të njohur si arvanitas, ashtu edhe çamët ortodoksë, janë tashmë pothuajse të asimiluar në shoqërinë greke.
Viron Gjymshana, Bruksel
Shekulli, 16/02/2004

Lini një koment