Viktima e vetme është populli i Ukrainës

       Kanë kaluar më shumë se 520 ditë që kur Rusia putiniane sulmoi shtetin e pavarur të Ukrainës. Ishte 23 shkurti i vitit 2022 kur tanket ruse shkelën kufirin e këtij vendi të pavarur.  Që atëhere dhe deri më sot po vazhdon pa asnjë ndërprerje beteja ndërmjet forcave pushtuese ruse me ato çlirimtare ukrainase. Gjaku vazhdon të rrjedhë pa pushim. Së bashku me shkatërrimet e banesave, rrugëve, urave, fabrikave,kopshteve, spitaleve etj etj.  Dhe sa më shumë kalojnë ditët, aq më i ashpër bëhet edhe konflikti.      

          Shtetet perëndimore si psh SHBA-të, Franca, Britania e Madhe etj janë rreshtuar të gjitha në krah të Ukrainës së sulmuar, duke e furnizuar atë me sa më shumë me armë dhe mjete financiare. Flitet se kjo ndihmë po arrin shifrën e afro 100 miliardë dollarëve. Nga ana e saj, ushtria ukrainase, megjithëse më e vogël në numër se ajo e pushtuesit, po mbrohet me heroizëm dhe shpesh herë po kundërsulmon me guxim, duke i shkaktuar agresorit humbje jo të vogla.

          Por pavarësisht heroizmit dhe vetëmohimit të popullit ukrainas gjendja në fushën e betejës po mbetet e pandryshuar prej një kohe të gjatë. Aq sa duket disi tejet e largët dita kur Ukraina do të mund të rifitojë sovranitetin e saj në të 4 oblastet (rajonet) e pushtuara si dhe mbi  Krimenë, të grabitur që më 2014-tën!

         Shumëkush po e krahason sot këtë luftë me atë prusiano – franceze gjatë Luftës së Parë Botërore. Kur të dyja ushtritë ishin “ngujuar” në llogoret e tyre prej muajsh dhe askush nuk bënte “xhap” përpara.

        Edhe gjendja e tashme në frontin e luftës ukrainë – rusi duket se ka hyrë në rutinën e statukuosë. Rusët nuk po avancojnë dot më shumë dhe ukrainasit po ashtu. Ndërkohë njerëz të pafajshëm vriten përditë nga të dyja palët. Vetëm ndër forcat ushtarake numri i të vrarëve nga secila palë u afrohet 50 mijë vetave. Ndërsa numri i civilëve ukrainas, duke përfshirë këtu edhe mbi 500 fëmijë të mitur, gra, burra dhe pleq është disa herë më i madh.

        Ndërkohë opinioni publik perëndimor gjëndet në shumicën dërrmuese të tij në krah të popullit martir ukrainas. Megjithatë dhe pavarësisht kësaj përkrahjeje të gjithanshme materiale, financiare dhe morale njerëzit në Perëndim po pyesin gjithmonë e më shumë veten se si do të përfundojë kjo kasaphanë.  Pasi edhe ato 100 miliarda të paguara për mbrojtjen e Ukrainës fare mirë mund të përdoreshin për shtresat në nevojë në vetë këto vende. Apo edhe për të rindërtuar psh ishullin e Havait, i shkretuar nga zjarret e ditëve të fundit! 

        Aq më shumë që kjo luftë duket si e pambarim. Askush nuk dëshiron sot të tërhiqet. As Ukraina, që është vendi i sulmuar padrejtësisht dhe pabesisht, por as shteti aggresor, i udhëhequr nga Putini. Ky i fundit e ka fare të qartë se humbja e kësaj lufte do të thotë humbje e kokës së tij.    

        Ndërkohë bombat, raketat, topat dhe tanket nuk rreshtin asnjë sekondë, duke shtuar  vuajtjet në secilin kamp. Nga ana e tij vetë Perëndimi nuk mund ta lejojë apo pranojë një fitore të Putinit ndaj aleatit të saj. Pasi humbja apo fitorja e njërit apo tjetrit kamp ka të bëjë me gjeopolitikën ndërkombëtare e të paktën 30 viteve të ardhshme.

       Për më shumë, ndryshe nga Europa, Amerika po i mbulon disi sakrificat që po bën në mbështetje të Ukrainës duke iu shitur edhe më shumë armë, naftë dhe gaz shteteve të Europës perëndimore!

       Para kësaj gjendjeje pothuajse pa rrugëdalje shumë analistë të pavarur, gazetarë dhe specialistë të çështjeve ndërkombëtare po pranojnë se ata gabuan kur lejuan që gjendja të arrinte deri në këtë pikë. Dmth në një luftë të tejzgjatur, me kosto të mëdha njerëzore, po edhe ekonomike. E cila ndofta mund të kthehet një shkëndijë zjarri për nisjen e një konflikti të ri botëror.

         Sipas tyre kjo luftë mund të zgjasë edhe 10 vjet të tjera dhe pa ndonjë rezultat apo fitore të dukshme sa në njërën anë aq edhe në tjetrën. Veçse zgjedhja e Trumpit, në nëntor të vitit të ardhshëm,  si president i Shteteve të Bashkuar mund ta zhbllokojë situatën. Por ndofta në disfavor të Ukrainës. Se dihet që politika e Trumpit, kur ishte president (2016 – 2020) mbështetej në afrimin me Rusinë dhe dhe përqëndrimin e vëmendjes drejt Kinës, si rreziku më i madh potencial për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

      Ndërkohë për ukrainasit kjo luftë përbën një tragjedi të vërtetë. Ajo nisi si një lojë demokratike për tu kthyer në një kasaphanë të vërtetë. Për të kuptuar sesi arriti gjendja deri në këtë pikë, saqë dy popuj pothuajse vëllezër, të detyrohen të luftojnë me njëri tjetrin, vështrimi duhet hedhur disi prapa në kohë. Sidomos gjatë këtyre 10 viteve të fundit.

       Në fakt Ukraina, që kur u shpall e pavarur më 1991 ka kaluar shumë dallgë dhe trazira politike. Korrusioni mori dhenë. Dhe bashkë me të edhe mungesa e stabilitetit politik. Ukraina ngjante si ajo gruaja mes dy burrave, ku secili do ta tërheqë nga vetja. Dhe ajo nuk dinte se kujt t’ia prishte dhe kujt të ia ndreqte. Kështu shpjegohen edhe revolucionet e portokallta apo edhe ndryshimet e shpeshta të qeverive në vend.

          Viti 2014 është viti kyç për të kuptuar zhvillimet e këtyre 10 viteve të fundit. Atëhere në pushtet ishte presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike Viktor Janukoviç. Ky president, që pastaj u arratis në Rusi, u përpoq të ruante një lloj balance në lidhjet e Ukrainës sa me Perëndimin, aq edhe me Rusinë.  Prandaj ai nuk pranoi të nënshkruante një traktat miqësie dhe bashkëpunimi (asosacioni) me BE-në, që do ta afronte këtë vend edhe më shumë me Brukselin, por do ta largonte nga Moska. Ky refuzim  për tu afruar me Perëndimin, duke ruajtur apo forcuar lidhjet me Rusinë, shërbeu si një shkëndijë për ndezjen e një revolte në sheshin Majdan të Kievit. Regjimi pro rus u përmbys.

          Sepse nga  traditat, kultura, gjuha, feja, zakonet etj etj Ukraina ishte e lidhur me Rusinë. Historikisht, me përjashtime të pakta, ajo ka qënë pjesë e perandorive cariste dhe më vonë asaj komuniste. Por pas vitit 1991 ukrainasit aspiruan për një lidhje më të fortë me Perëndimin demokratik. Sidomos pjesa më perëndimore gjeografikisht e vendit., e cila në të kaluarën ka bërë pjesë në perandorinë austro-hungareze apo ka qënë nën sundimin e Polonisë.

        E vërteta është se ndjenjat antiruse në Ukrainë  kanë qënë të forta edhe më parë.  Kështu psh gjatë Luftës së Dytë Botërore një pjesë e ukrainasve në perëndim të vendit e pritën me lule pushtimin nazist. Madje njihet botërisht edhe qëndrimi i trupave të Stefan Banderës në krah të ushtrisë naziste kundër Bashkimit Sovjetik. Në atë kohë u krijuan edhe batalionet pronaziste në Ukrainë.

        Batalione që “rilindën” përsëri gjatë vitit 2014, dhe që ndikuan në rrëzimin e qeverisë së Jankoviçit. Këto trupa ushtarake dhe në ilegalitet përbënë edhe strumbullarin e forcave ukrainase që iu kundërvunë ushtrisë ruse në uzinën “Azov” në Mariupol.  Ndryshe ana lindore, e përbërë përgjithësisht nga një popullsi rusophone  ka qënë gjithmonë e lidhur  shpirtërisht me Rusinë.             

        Të dyja palët, si Rusia si Perëndimi, dukeshin kështu sikur ia bënin me sy zonjës së bukur. Dhe duket se ajo bëri gabimin fatal kur braktisi të parin, për tu hedhur në krahët e të dytit. Pa dyshim ishte e drejta e saj të zgjidhte kush i pëlqente më shumë. Por ajo nuk parashikoi mllefin, zëmërimin dhe deri tërbimin e atij që po i hiqej “llokma” nga goja.  I cili vendosi të hakmerrej për “tradhtinë”! Dhe kështu arritëm në datën fatale të 23 shkurtit të vitit 2022!

      Po cili mund të jetë epilogu i kësaj tragjedie që mund të shtrihet dhe përhapet edhe më gjërê dhe më thellë? Zgjidhja më ideale, llogjike dhe e pranueshme do të ishte një Ukrainë e pavarur dhe e barazlarguar nga Rusia dhe Perëndimi. Por a mund të konsiderohet  një përfundim i tillë si fitore për Moskën?! Sikur ajo ia arriti qëllimit të pengojë afrimin e këtij vendi sovran me Perëndimin?! Me shumë gjasa jo. Sepse që kur Putini filloi agresionin e tij, 2 vende deri atëhere neutrale, si Suedia dhe Finlanda, i janë bashkangjitur dhe janë bërë pjesë aktive e Aleancës më të fuqishme të vendeve perëndimore, NATO-s. Nato vetë duket se është ringjallur. Vendet e Europës perëndimore po ashtu janë lidhur më fort me njëra tjetrën si dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

      Putini po ashtu ka humbur dhe po humbet edhe armën e tij më të fortë : eksportimin e gezit dhe naftës drejt vendeve europiane. Që më parë i siguronin me qindra miliardë dollarë fitime.  Tani vendet europiane po kërkojnë dhe po gjejnë burime të tjera për zëvendësimin e gazit dhe naftës ruse.

       Por derisa të gjendet zgjidhja i humburi i madh në këtë “mesele” tragjike mbetet populli i Ukrainës që po vuan dhe po paguan me gjak çdo ditë pasojat e gabimeve të udhëheqësve të tij.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment