Turizmi, si i vetmi sukses ekonomik i Ramës

      Kryeministri duket sot si shumë krenar dhe i kënaqur nga vetja. Nuk ka ditë që ai nuk poston në « Faceboook »-un e tij shkrime të gazetave të huaja, që e përshkruajnë Shqipërinë si Maldivet e Europës.

    Dhe duhet pranuar se ai ishte i pari dhe ndofta i vetmi që e vuri theksin tek kjo degë e ekonomisë si strumbullar i zhvillimit të vendit.  E filloi me 100 fshatrat turistikë. Me ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve etj etj.

      Dhe pak nga pak rezultatet erdhën. Shqipëria po njeh këtë vit një bum turistik të paparë.  Flitet për një fluks të huajsh që mund të kapë shifrën e 7 milionëve gjatë këtij viti ! Kolosale. Sepse deri pak vite më parë bregdetin e bukur të vendit e vizitonin veçse shqiptarët e Kosovës. Dhe për këtë u duhet tu jemi shumë mirënjohës.

        Por tani gjendja ka ndryshuar rrënjësisht. Dikur një vend i harruar në një cep të Ballkanit, që prodhonte vetëm lajme të zeza për shtypin e huaj, sot situata ka ndryshuar me themel. Dhe për mirë.  Mediat e huaja flasin  dhe shkruajnë për Thethin, Valbonën, Ksamilin, Llogoranë etj etj.

     E vërteta është se kjo që na duket neve si një çudi dhe zbulim, vendet fqinje e kanë pasur një dukuri të zakonshme dhe të përvitshme. Dhe jo vetëm Greqia apo Turqia. Por edhe Dubrovniku i Kroacisë apo Ulqini i famshëm i Malit të Zi, që kanë tërhequr çdo vit me qindra mijëra turistë.

    Dhe kur flasim për turistë të huaj apo nga Kosova që vizitojnë vendin duhet të kemi parasysh se këta turistë janë të detyruar të shpenzojnë euro. Qoftë për te fjetur, qoftë për të ngrënë, por po ashtu edhe për të blerë një akullore apo pije freskuese.

    Kështu shpjegohet edhe bumi immobilier në vend. Ngado të sheh syri restorante, kafe apo hotele që sikur mbijnë nga dheu. Janë paratë e emigrantëve që investohen dhe transformohen në pasuri të paluajtshme.     

      Ndofta kështu spjegohet edhe forcimi i lekut karshi euros dhe monedhave të tjera të huaja. Një pjesë e valutës së huaj hyn në vend nga dërgesat e emigrantëve, ndërsa pjesa tjetër nga turistët. Një dukuri e tillë, pra forcimi i lekut, do të thotë edhe forcim i ekonomisë dhe rritje e nivelit të jetesës.

      A ka pasur pra të drejtë Rama kur e vuri theksin te turizmi, si një vegë për të dalë nga stanjacioni ekonomik që kishte kaplluar vendin ?!  Që ka detyruar edhe shumë të rinj ta braktisnin atë ?!

       S’do mend që një pjesë e atyre që janë larguar një ditë do të kthehen në vendin e tyre. Sidomos ata që janë pa letra, që janë zënë me veprimtari kriminale, ose thjesht që nuk kanë mundur të bëjnë dot « hajër » në vendin e huaj.  Dhe ata do të sjellin me vete edhe paratë që kanë fituar atje me punë të ligjshme apo të paligjshme qoftë dhe deri me trafiqe !

       Shqipëria e sotme i ngjan disi në miniature asaj të Italisë së varfër të viteve 1920 të shekullit të kaluar. Kur  të gjithë siçilianët, napolitanët, puljezët apo kalabrezët veçse ëndërronin të arrinin në « Tokën e Premtuar ». Shumë prej tyre u shndërruan në atë kohë në kontigjent të mafias së Al Kapones me shokë, që aq bukur i përshkruan në librin e tij, « Kumbari », shkrimtari Mario Puzzo.  Po ashtu si italiani Xhani Amelio që ravijëzon dyndjen e paparë të shqiptarëve në Itali në filmin e tij « L’America » ! Por me zhvillimin ekonomik të Italisë, sidomos pas Luftës së dytë Botërore, ky trend është zbehur shumë në krahasim me një shekull më parë. Po ashtu siç mund të ngjasë së shpejti edhe me shqiptarët.

      Megjithatë, dhe pavarësisht arritjeve të pamohueshme të këtyre viteve të fundit, jo gjithçka është rozë. Aq më shumë se gjatë këtyre 10 viteve që Rama është kryeministër, turizmi, përbën ndofta suksesin e tij të parë në fushën ekonomike. Por a është e mjaftueshme kjo për të ndryshuar kahjen e zhvillimit ekonomik të vendit !?

   Me siguri që jo. Se Rama deri më tani i ka kthyer kurrizin me përçmim gjithë përvojës së përfituar  në këtê gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Asnjë vepër industrial nuk është ndërtuar gjatë këtyre viteve. Asnjë hidroçentral madhor. Asnjë fabrikë që mund të prodhojë dhe eksportojë produkte të përpunuara.

    Sepse Rama ndjek një politikë ekonomike tejet të djathtë. Gjithçka ai ua ka lënë në dorë oligarkëve vendas dhe koncesionarëve të huaj,  që kanë akaparuar për një “kafshatë” gjithë pasuritë tokësore dhe nëntokësore të Shqipërisë. Janë ata që e eksportojnë kromin, bakrin, naftën etj etj. Me çmimet që duan. Dhe i japin shtetit, në rastin më të mirë, veçse një thërrime nga fitimet e tyre kolosale. Dhe për të fituar më shumë ata kanë nevojë që ta paguajnë krahun e punës sa më pak që të jetë e mundur. Dhe duke qënë se shqiptarët nuk po pranojnë më të punojnë për një copë bukë, patronati i ka kërkuar kryeministrit që të gjejë dhe të sjellë krahë pune nga jashtë. Kërkesë të cilën Rama ua ka plotësuar me kënaqësi.  Në një kohë që ai duhet të kishte vendosur me ligj pagën minimale, qoftë në sektorin publik, por sidomos në atë privat!

        Ndofta kryeministri nuk e di, por në vitet ’70 të shekullit të kaluar, në Shqipëri pati një debat rreth eksportit të lëndëve minerale të papërpunuara.  “Shteti do të fitojë 10 herë më shumë valutë, në rast se ne i përpunojmë këto minerale në vend” – u tha në atë kohë. Dhe kështu u ngritën edhe rafineri të përpunimit të naftës, por edhe uzina e telave të bakrit në Shkodër.  Bakri filloi atëhere të nxirrej, pastrohej dhe pasurohej dhe më pas dërgohej  në uzinën në Shkodër për tu transformuar në tela bakri, që pastaj eksportoheshin në treguan e huaj, i etur për këto kabllo që përçonin me kilometra të tëra energjinë elektrike an e mbanë vendit të tyre!

      Por ndofta industria e rëndë nuk është më për Shqipërinë e sotme. Dhe po ashtu, ndofta, Edi Rama, ka ndjekur këshillën që Khrushovi i dha Enver Hoxhës në vitin 1959 të cilën diktatori paranojak nuk e pranoi. “Shqipëria është e vogël për të pasur industri të rëndë. Jepuni pas industrisë së lehtë përpunuese, ktheheni vendin në një kopësht të lulëzuar të perimeve dhe frutave. Se edhe për grurin tuaj mendojmë ne. Shqiptarët nuk duhet të ndjehen të turpëruar pot u them se aq grurë sa doni ju, ne na i hajnë minjtë nëpër hambare” – deklaroi  atëhere udhëheqësi i ish – Bashkimit Sovjetik.

     Sido që ta kthesh “muhabetin” turizmi nuk mjafton për ta nxjerrë Shqipërinë nga gjendja në të cilën ndodhet. Ka një imperative që Rama nuk e kupton ose nuk do ta kuptojë. Ai quhet prodhim, prodhimi i brendshëm neto, ose PIB. Prodhimi është baza e ekonomisë së çdo vendi. Prodhim i lëndëve të para, të përpunuara apo të papërpunuara, prodhim i mallrave të konsumit të gjërë dhe atij ushqimor,, duke filluar nga cigarja, këpucët, sapuni ,enët e guzhinës e kështu me rradhë.

      Turizmi nuk bën pjesë në këtë kategori. Ai njehsohet në atë që quhet fusha e shërbimeve. Që nuk është kurrë prioritare. Shembulli i Greqisë është ende i freskët. Me një bum turistik vjetor prej 28 milionësh sa pati vitin e kaluar, prapë se prapë Greqia është e mbytur në borxhe.Mbi 350 miliardë euro. Saqë BE-ja, Uashingtoni, Fondi Monetar Ndërkombëtar etj para pak vitesh  u mblodhën disa herë për të gjetur një mundësi që ky shtet të mos falimentonte.

      Pra gëzimi dhe entuziazmi i Ramës nuk mjafton. Aq më shumë që ai vjen me vonesë pa patur asnjë sukses tjetër para tij. Borxhi vazhdon të mbetet i lartë. Në vend ka shumë informalitet, ose ndryshe shmangie e pagimit të taksave dhe punë në të zezë.  Hendeku ndërmjet një dore njerëzish super të pasur dhe shumicës së popullit nuk po zvogëlohet. Importet jane disa fish më shumë se eksportet, të cilat për më shumë përbëhen nga lëndë të para dhe pasuri mbitokësore që vilen pothuajse gratis.

      Shqipëria ka nevojë sot për një zhvillim të gjithanshëm ekonomik, që të përfshijë përpunimin e lëndëve të para minerale, ngritjen e fabrikave të industrisë së lehtë dhe ushqimore, shtimin e eksporteve të prodhimeve bujqësore, mundësisht bio, etj etj. Për tu arritur këto objektiva nevojitet të rritet dhe forcohet roli i shtetit në ekonomi. Jo gjithçka u duhet lënë në dorë oligarkëve. 

      Turizmi është veçse njëra nga degët e ekonomisë, por nuk është gjithçka.  Ai nuk mund të jetë kurrsesi “shkopi magjik” që do ta nxjerrë Shqipërinë nga lluca. Prandaj Rama nuk duhet të vetëkënaqet kaq shumë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment