Një kullë si « Business as usual »

      Në Shqipëri është bërë më se e zakonshme  që sapo mbaron një skandal të fillojë një tjetër. Deri para pak ditësh opinioni publik shqiptar u indinjua nga kontrolli i privatit në sistemin shëndetësor vendas. Pajisje që në spitalin publik kishin dalë jashtë përdorimit, në spitalin privat « amerikan » punonin për bukuri! Prandaj edhe pacientët ishin të detyruar të drejtoheshin te privati.  Por veçse duke paguar 5-fishin e çmimit. Në këtë mesele” ishin përfshirë sidomos mjekë që punonin në shtet, te privati dhe në klinikën e tyre personale! Dhe ministria e shëndetësisë rrinte dhe vështronte! 

      Para këtij skandali shqiptarët u morën për disa kohë me një “shfaqje” të re. Zëvendëskryeministri, numri 2 i qeverisë, i caktuar në këtë post, një Zot e di se pse, nga vetë kryeministri Rama, arratiset në Angli, që të mos japë llogari për korrupsionin e tejfolur të djegësve (inceneratorëve)!

      Dhe ja tani kur një tjetër « bombë” shpërthen në masmediat vendase. Për shkak të një kulle që ka hedhur themelet prapa Pallatit të Kulturës në Tiranë, në vendin e njohur si gropa e Hajdin Sejdisë.  I pari që e hodhi këtë temë në treg ishte kryetari lëvizjes politike “Bashkë”, neomarksisti Arlind Qorri. Me këtë veprim ai denonconte shumë afera njëherazi. Kulla mbi 60 katëshe po ndërtohej aty ku gjelbëronte një lulishte! Për hir të së vërtetës duhet thënë se ajo lulishte ishte kthyer në një qëndër prostitucioni gjatë natës.

      Akuza e dytë ishte politiko/ekonomike. Në ndërtimin e atij qiellgërvishtësi po përdoreshin para të pista të vëna në dispozicion nga njerëz të lidhur ngushtë me djalin e Sali Berishës!

       Kaq mjaftoi që mediat dhe opinion publik të merrnin flakë. Strumbullari i kritikave kishte të bënte jo aq shumë me problemet ekologjike që ndjell ngritja e kësaj binaje në mes të Tiranës, sesa me mpleksjen e e mafias, PS-së dhe njerëzve të Foltores në një projekt të përbashkët.  Madje shpesh u fol se Edi Rama i hodhi me këtë rast edhe një “kockë” opozitës. Dhe duket se opinioni publik u indinjua edhe kësaj rradhe, si dhe shumë herë të tjera,nga ky veprim: « Bëjnë sikur zihen, dhe nga ana tjetër hanë së bashku në një çanak ! Ndajnë lekët dhe fitimet së bashku. Pastrojnë paratë e pista të krimit »… Këto dhe të tjera ishin kryetemat e shtypit të këtyre ditëve.

        Aq shumë u nxeh situata saqë kryeministri Rama, zakonisht indiferent dhe mospërfillës, u detyrua të publikonte një reagim të stërgjatë ku përpiqej të spjegonte domosdoshmërinë e ndërtimit të këtij projekti dhe të hidhte poshtë zërat rreth  një mpleksjeje të tij me opozitën e Sali Berishës.

        E vërteta është se askush nuk e di se si është realiteti. Vetë Rama dukej se përpiqej të shkaktonte edhe më shumë mjegull me « sqarimet » e tij. Ai u mor shumë në shkrimin e tij me anën estetike të kullës dhe iu vërsul dhunshëm mediave që kishin bërë të ditur këtë aferë. Por ajo që e kishte tërbuar kryeministrin dukej se ishte akuza për mpleksje me « Foltoren » !

      Ngritja e një  kulle 60 katëshe në zemrën e kryeqytetit në fakt është diçka e veçantë dhe e pazakontë në historinë 100 vjeçare të Tiranës si kryeqytet.  Prandaj disa kanë ngritur shqetësimin e tyre për problemet ekologjike që shkakton  ky rrokaqiellës në qëndrën e kryeqytetit. « Ku do parkohen makinat e banorëve të saj ?! Pse u vendos aty dhe jo në një zonë larg qëndrës dhe për më shumë duke prishur edhe një sipërfaqe të gjelbërt ?! Kush fshihet pas saj? Kush investon? Mos janë vallë para të krimit që pastrohen në ndërtimin e kësaj kulle etj etj » ?!

       Ndërkohë që e vërteta është tejet e thjeshtë. Kemi të bëjmë me një « Joint venture » (ndërmarrje të përbashkët) ndërmjet pozitës, opozitës, oligarkëve dhe krimit të organizuar. Pa dyshim se kemi të bëjmë po ashtu me pastrim parash të pista dhe të pa deklaruara.

        Dhe atëhere çfarë ?! Bashkëpunimi i politikës me oligarkinë, ose e thënë më thjesht, me borgjezinë, është një praktikë tejet e rëndomtë në kapitalizëm. Në Amerikë psh prej 200 vjetësh ekziston shprehja se: “pas milionit të parë, të tjerët bëhen edhe me punë të ndershme”! Në Italinë fqinje po ashtu, para 20 vjetësh, ish kryeministri Italian Berluskoni,  e ftoi mafian vendase të investonte dhe pastronte paratë e krimit në ekonominë legale! Me shkas zhvillimin e vendit.  Edhe Rama nuk po bën asgjë më pak ose më shumë. Pra gjithë kjo zhurmë mund të cilësohet si “Shumë zhurmë për asgjë”.

      Dhe për t’iu kthyer përsëri një shprehjeje të njohur, ndërtimi i kësaj kulle në mes të Tiranës, mund të cilësohet me plot gojën si “Business as usual”!

      Kjo është politika, ky është sistemi, kështu është jeta.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment