Dy turpe në një ditë

           Dita e enjte 13 korrik do të hyjë pa asnjë dyshim në analet e parlamentarizmit shqiptar. Sikur ta kishin bërë me fjalë, të dyja kuvendet e kombit shqiptar, u përdhosën në të njëjtën ditë. Me halabakët shqiptarë të Kuvendit ne tashmë jemi mësuar. Me fjalorin e tyre të ndyrë, me gënjeshtrat e tyre të pa fundme, me injorancën e tyre të pakufishme, me babëzinë e tyre për para dhe pushtet etj etj, por nuk ishim mësuar që skena të tilla të ngjanin edhe në kuvendin e Kosovës.

         Shqiptarët e Kosovës deri më tani kishin dëshmuar një vetpërmbajtje dhe sjellje të admirueshme, jo vetëm në kuvend, por edhe në jetën e përgjithshme politike. Zgjedhjet aty organizoheshin normalisht, si në vendet më të përparuara të botës. Humbësi e pranonte disfatën e vet dhe përgëzonte kundërshtarin. Nuk ngjante si në Shqipëri kur humbësi gjithmonë do të akuzonte fitimtarin për « masakër » zgjedhore, vjedhje të votave që bota nuk e ka parë dëgjuar ndonjëherë dhe plot marrina të tjera.

         E vërteta është se edhe kur Vetvendosja ishte në opozitë, Kurti me shokë hidhnin bomba tymi në kuvend, për të ndaluar faljen e tokave shqiptare psh Malit të Zi, apo aprovimin e Gjykatave speciale, të cilat me shumë gjasa do të hetonin mbi gjasme « krimet » e UCK-së gjatë dhe pas luftës së saj çlirimtare. Por asnjëherë këto incidente nuk kanë fituar përmasa të tilla dhe nuk kanë tërhequr kaq shumë vëmendjen e mediave vendase dhe të huaja.

         Për ngjarjet e djeshme në kuvendin e Kosovës shkruajtën dhe raportuan edhe mediat më me peshë perëndimore. Dhe kjo ka një shpjegim të thjeshtë. Kohët e fundit Kosova është vënë përsëri në qëndër të vëmendjes së institucioneve ndërkombëtare. Kërkesa e qeverisë së Prishtinës ndaj serbëve  për të pajisur automjetet e tyre me targat e vendit ku janë nënshtetas, zgjedhjet e kontestuara në 4 komunat në veri të Mitrovicës dhe sidomos dhe mbi të gjitha refuzimi i Kurtit për të pranuar vënien në jetë të « Zajednicës » kanë gjetur jehonë në mbarë botën politiko/diplomatike perëndimore, duke filluar nga Brukseli, Uashingtoni dhe deri në Moskë dhe Pekin.

        Bota është çuditur nga guximi apo edhe « kokëfortësia » » e kryeministrit të Kosovës për të kundërshtuar emisaret zulmëdhenj të Perëndimit si psh përfaqësuesin e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Borrell, apo ndërmjetësin e Europës në bisedimet Beograd – Prishtinë, Lajçak, deri edhe të dërguarin e posaçëm dhe fuqiplotë nga « Meka » e shqiptarëve, Uashingtoni, Gabriel Eskobar.

         Bota perëndimore ishte mësuar keq me Thaçin, Hotin, Mustafajn që pranonin dhe nënshkruanin symbyllurazi gjithçka që emisarët perëndimorë u vinin përpara.  Rasti më flagrant ka pasur të bëjë me pranimin e ngritjes së Gjykatës së posaçme rreth krimeve të luftës në Kosovë, dhe sidomos dhe mbi të gjitha nënshkrimi i « Zajednicës » nga Thaçi dhe Mustafa më 2013-tën !

      Kurti tani po bën çmos që ky nënshkrim që mundëson krijimin e një republike të dytë serbe, kësaj rradhe në Kosovë, me të drejta autonomie pothuajse të pakufizuara, të mos gjejë zbatim. Perëndimi si dhe opozita kosovare, pa folur këtu për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe shpurën e tij, i janë sulur Kurtit si  një tufë qensh të tërbuar të cilit duan t’i hanë edhe kockat. Kurti në këtë rast gjendet si ai personazhi i librit « Edhe i vetëm trim në luftë ».

         E po bari vete në rrënjë, – thotë një fjalë e urtë popullore. Dhe nuk kishte si të ngjiste ndryshe edhe në parlamentin e Kosovës. Ai do t’i ngjante doemos atij të Shqipërisë. Në të parin një farë Lushtaku lag me ujë kryeministrin e Kosovës, menjëherë pasi kishin ngjitur në tribunë edhe foto me pamjen e Kurtit si pinok, apo kishin shkruar tabela me fjalën përshëndetëse serbe « zdravo ». Kaq mjaftoi që deputetët të kapeshin prej rrobash dhe flokësh dhe të kriste edhe grushti.

          Ndërsa në kuvendin e Shqipërisë, siç është bërë zakon, filluan sharjet dhe shpifjet nga më të ndyrat dhe të pazakonta. Një farë Bardhi e quajti deputeten Felaj gore dhe akuzoi burrin e saj se ka marrë ryshfet 1.5 milionë dollarë. Nga ana e saj kjo Felaj thuhet se i është drejtuar këtij Bardhit me fjalën palaço.

         Pa dyshim që këtu kemi të bëjmë me vepra penale, por edhe me shfaqje tejet të shëmtuara të politikës shqiptare. Në rastin e fundit kjo Felaj duhet t’i drejtohet gjykatës për fyerje publike. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe ky Bardhi nëse këta njerëz kanë din e iman apo cipë. Edhe burri kësaj deputetes shqiptare, në rast se është i pastër, duhet ta hedhë doemos Bardhin në gjyq për shpifje. Gjykata normalisht duhet ta ketë dorën e rëndë dhe të dënojë shpifësit dhe sharësit me burg dhe gjoba të majme.

          Se shembulli që i jepet popullit është tejet negativ. Kur këta të ashtuquajtur deputetë përdorin një fjalor të tillë, kjo dëshmon se ata nuk e meritojnë postin që kanë. Kjo dëshmon po ashtu mjerimin e politikës shqiptare në të dyja anët e Drinit. Kur në këtë mënyrë sillen « burrat e shtetit » ! çfarë mund të presësh nga populli i thjeshtë ?!

         Të ulësh figurën e kryeministrit tënd apo të shash si një qen rrugësh këto janë veprime të ndyra dhe të ulta. Imagjinoni se si do të kënaqet Borrell kur gjoja do ta pyesë Kurtin se si ishte ajo puna e shishes me ujë… Sepse me ofendimet, shpifjet dhe sharjet e kuvendit shqiptar ata janë tashmë mësuar.

         Pavarësisht nga veprimet e deputetes Kusari, që sipas opozitës paska folur me udhëheqësin e serbëve të Kosovës për UCK-në, një opozitë serioze i kërkon llogari qeverisë në parlament, por pa ulur dhe fyer kryeministrin e zgjedhur nga populli. Që Kusari, Haradinaj etj flasin me një përfaqësues të pakicës serbe në Kosovë duhet pranuar se është diçka mëse normale. Por ajo që përbën të pazakontën është përmendja e UCK-së me këtë person, i cili për më tepër kërkohet nga disa gjykata ! Këtu ka vend për tu ndalur.

       Njëkohësisht ka vend për reflektim dhe korrigjim. Dhe përse jo edhe për dënim. Nga gjykatat përkatëse. Në një shtet normal ti nuk i hedh shishen me ujë kryeministrit. Nuk shan me një fjalor rruge kolegun apo kolegen tënde deputete. Në të dyja rastet duhet ndërhyrja e fortë e gjykatave. Nëse ato ekzistojnë vërtet edhe për njerëzit me pushtet, por pa integritet dhe kulturë.

       Ndryshe bota do të vazhdojë të na trajtojë me nënqeshje dhe pa  asnjë lloj serioziteti.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment