Shqipëria e panjohur turistike

     Jemi në kulmin e verës. Temperaturat janë të larta sa s’ka ku të shkojë më. Njerëzit tani e kanë mëndjen te pushimet. Ku të shkojnë ? Si ta kalojnë ? Venecia, Greqia, Spanja nuk ofrojnë sot ndonjë gjë të re. Janë parë dhe stërparë. Kush është ai vend ku deti, mali dhe pylli shkrihen e bëhen një ?! Sytë tani duket se janë drejtuar nga Ballkani. Dubrovniku në Kroaci, Kotorri dhe Ulqini në Mal të Zi dhe sidomos Thethi, Llogoraja, Valbona, Dhërmiu  etj etj duket se i plotësojnë këto ëndrra. Mjafton të hysh në Googël dhe të kërkosh shkrime për Shqipërinë turistike dhe mbetesh pa mend.

        Me dhjetra artikuj njëri më pikant se tjetri përshkruajnë bukuritë e këtij vendi të vogël buzë Adriatikut, ku malet hijerëndë të veshur nga pyje qindravjeçarë  gjenden jo shumë larg Jonit dhe Adriatikut.

       Dhe njëlloj si të keqes, edhe të mirës, kur vjen hapi derën. Fotoreporterët e huaj si dhe sitet e specializuara për turizmin duket se janë vënë sot në garë për të përshkruar jo vetëm bukuritë natyrore të Shqipërisë, por edhe zakonet e saj të mikpritjes, kulinarinë e gjithanshme ku përfshihen kuzhina orientale, ajo greke, italiane dhe sigurisht edhe ajo tipike shqiptare.  Tava e kosit, fërgesa me gjizë dhe speca, pjatat e mbushura plot me gatime bio dhe çmimet e ulta,  i grishin europianët të kalojnë vakancat në këtë vend që konsiderohet ende si « i virgjër », i paparë dhe i pashkelur.

         Me histori të veçantë, me përzierje arkitekturale sa nga orienti aq edhe nga traditat ballkanike. Berati i 1 000 dritareve,  Gjirokastra gur mbi gur, muzeu i Skënderbeut dhe pazari në Krujën e famshme, rrugicat me kalldrëm etj etjpërbëjnë një joshje për turistët e zakonshëm, por edhe për aventurierët me çanta në shpinë.

       Dhe këtu lind pyetja : A ka pasur të drejtë kryeministri Rama kur e bazoi politikën e tij ekonomike te turizmi, te 100 fshatrat turistikë ?!  Sepse tani flitet për afro 3 milionë turistë të huaj që mund ta vizitojnë vendin gjatë këtij viti ! Të cilët do të hanë, do të paguajnë për të fjetur, do të blejnë edhe suvenire nga ky vend, pra do të shpenzojnë goxha para. Dhe sa më shumë rritet turizmi aq më shumë shtohen edhe mundësitë e vendasve për të investuar. Se i huaji preferon ta shohë keçin, gicin apo qëngjin që t’i piqet në hell para syve. Të provojë kosin bio që pritet me thikë, apo edhe zarzavatet e pjekura në tavë. Bujtinat dhe hotelet e panumërta që janë ngritur an e mbanë vendit duket se ia kanë parë qarin kësaj veprimtarie. Shumica janë ngritur me paratë e atyre që kanë punuar në Perëndim dhe e kanë kuptuar se po të dish të investosh, edhe Shqipëria mund kthehet në një minierë floriri ! Sa të ndjesh përbuzjen apo vështirësitë e të qënit pa letra në vend të huaj !

      Dhe pikërisht dje, e hënë 10 korrik, siti i njohur turistik « Tourmag” botoi një reportazh të gjatë, shkruar nga Manon Morelli,  të titulluar « Si ta kaloni kohën në Shqipëri ». Dhe pa një pa dy reportazhi fillon me konstatimin e prerë : « Shqipëria përbën sot destinacionin më të ri turistik në modë ».

       Pasi shpalos koordinatat gjeografike të vendit, siti i njohur turistik vëren se shumë qëndra arkeologjike dhe qytete bëjnë sot pjesë në trashigiminë botërore të UNESKO-s ! « Vraponi të vizitoni qytetin e vjetër të Apollonisë. Pastaj hidhuni të kundroni qytetin e vogël të Beratit, me shtëpitë e tij karakteristike, të cilat janë pjesë e trashëgimisë së UNESKO-s » – udhëzon TourMag.  

       « Kryeqyteti i vendit, Tirana, zien nga jeta. Por edhe aty keni mundësinë të vizitoni urën e Tabakëve (Tabakkane) të stilit ottoman, por njëkohësisht edhe Pallatin e Kulturës dhe Operas, i ndërtuar sipas stilit sovjetik. Ju do të habiteni edhe me stilin arkitektural të dy katedraleve të Tiranës, ajo ortodokse e Ringjalljes së Krishtit dhe ajo katolike e Shën Palit – thekson TourMag.  

        Dhe do të duhej të shtohej se edhe gjallimi në vend i 4 bashkësive fetare, që jetojnë në harmoni të plotë me njera – tjetrën, përbën një risi të paparë për shumë europianë, ku kanë filluar tashmë të ndihen pasojat e së ashtuquajturës « përplasje e qytetërimeve » ! Dy besime dhe katër bashkësi fetare, ku xhamia, teqeja apo kishat gjenden krah për krah në një harmoni që befason shumëkënd që nuk e njeh këtë vend të vogël, por edhe aq të pasur në tradita dhe zakone, rite, kulturë ,histori dhe pasuri nën dhe mbitokësore.    

       Myslimanët bektashinj që kërcejnë dhe hedhin valle, dervishët që hanë mish derri dhe pinë raki, i lëjnë me gojë hapur të gjithë perëndimorët që nuk janë ndeshur deri më sot me një rrymë islamike kaq të veçantë dhe tolerante.  

      « Por ato që përbëjnë  veçantitë dhe mrekullitë e Shqipërisë janë natyra e saj e pasur me peisazhet e jashtëzakonshme, – nënvizohet në reportazhin e gazetares franceze. « Alpet shqiptare, liqeni i Komanit, fshati i vogël  i Valbonës, që e ka marrë emrin nga lumi i kristaltë që e përshkon, malet me kokën në re, magjia e heshtjes që sundon kudo të bëjnë të mbetesh pa frymë. Nuk ngelet gjë tjetër veçse të mbathësh këpucët sportive dhe t’i ngjitesh fshatit piktoresk të Thethit, të njihesh me faunën dhe florën vendase, si dhe me banorët e këtyre anëve që jetojnë në mes të maleve.

         Dhe pasi të jeni ngopur me bukuritë e tyre, hidhuni të vizitoni rivierën shqiptare, me ujërat e kaltërta, gjiret e detit dhe plazhet e veçanta. Është koha që të laheni në det duke pasur malet e lartë pas shpine. Duke vazhduar aventurën tuaj drejtohuni më në jug, ku do të ndesheni me parkun kombëtar të Llogorasë. 2 000 metra mbi nivelin e detit, por me pyje të dëndur, plot me kafshë të egra dhe peisazhe që të lënë pa frymë,  ky është vendi i adhuruar për eskursionistët, alpinistët dhe aventurierët e të gjitha llojeve » – shkruhet në reportazhin kushtuar Shqipërisë turistike.

        Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Se autorja i kushton një vend të veçantë edhe veprimtarive kulturale si dhe guzhinës së veçantë shqiptare. Amatorët e muzikës elektronike duhet të hidhen me vrap deri në Dhërmiun piktoresk ku çdo verë organizohet e ashuquajtura « Kala festival » me pjesëmarrjen e artistëve vendas dhe të huaj. Ndërsa në muajin korrik në Gjirokastër mbahet festivali i këngëve dhe veshjeve popullore, – ku etnologët dhe artdashësit e traditave të hershme mund të gjejnë kënaqësinë e tyre, -vëren zonja nga Franca.

      Ndërsa gastronomia shqiptare mund të cilësohet si guzhina e mijëra shijeve, – vë në dukje Manon Morelli. Mish qëngji me kos, i sajisur me shafran dhe hudhra dhe i pjekur në tavë, përbën ushqimin e veçantë shqiptar i njohur me emrin « Tavë kosi » – shkruan ajo. Dhe duket se ajo i paska provuar dhe shijuar shumë edhe byrekët e famshëm vendas, sidomos ato me mish të grirë, me djathë apo spinaq. Mos e lënçi pa provuar edhe fërgesën e famshme tiranase me gjizë, speca të kuq, domate, vaj ulliri, kripë dhe piper, – bën thirrje madamë Morelli. Bakllavaja, revania, megjithëse të njohura dhe të gatuara edhe në Turqi, Greqi, Bullgari etj kanë një shije të veçantë, sipas saj, në Shqipëri. Njëlloj si edhe rakia prej rrushi.

        Kaq ka shkruajtur reporterja franceze për sa kohë që pati munësi të vizitojë vendin toë. Por ky shkrim, siç thamë edhe më sipër,është veçse një pjesë e vogël e një konstelacioni artikujsh që kanë shpërthyer këto 2 – 3 vitet e fundit  për Shqipërinë turistike.

        E vërteta është se pasuritë dhe bukuritë natyrore dhe turistike të Shqipërisë kanë tërhequr vëmendjen edhe të udhëtarëve të hershëm që kanë vizituar vendin tonë. Të fundit në kohë kanë qënë britanikët Lear dhe Edith Durrhami e shumënjohur. Por pa vajtur edhe aq larg, në vitet ’60 të shekullit të kaluar, ishin çekët së pari, që me ide dhe plane të studiuara imtësisht i paraqitën qeverisë komuniste të asaj kohe projektin e ndërtimit në Llogora të një hoteli turistik me pesë yje, i plotësuar edhe me një ashensor. Ideja ishte që turisti të flinte natën në mes të pishave dhe freskut, në 2000 metra lartësi dhe ditën të zbriste me ashensor në plazhin e shkretë që gjendej buzë Dhërmiut. Por qeveria e asaj kohe, e painteresuar për turizmin, e hodhi poshtë atë propozim.

       Por edhe e kundërta ka ngjarë. Kur turistët e pakët shqiptarë të para luftës së dytë botërore të jenë çuditur nga bukuritë natyrore të vendeve perëndimore. Një ngjarje të tillë e ka treguar përkthyesi i shquar shqiptar, Vedat Kokona, në librin e tij, të botuar në vitin 1939, me titullin “Nga Tirana në Stokholm”. Një grup të rinjsh shqiptarë u ftuan në atë kohë nga konsulli suedez në Stokholm për të vizituar vendin e tij. Shqiptarët muarën avulloren nga Durrësi drejt Barit të Italisë dhe me tren vazhduan drejt Austrisë, Gjermanisë, Danimarkës për të paguar përsëri “navllon” për të arritur në Stokholm. Në Danimarkë ata kish dalë për t’i pritur konsulli i Shqipërisë në atë vend, një fisnik danez. Dhe ai i çoi për të vizituar vendet më të bukura të Kopenhagenit. Ndër të tjera ai u tregoi me krenari edhe një kodër aty pranë. Dhe kur arritën në majë të saj, konsulli me një kënaqësi që mezi e fshihte, i pyeti: E shikoni sa madhështore është? Shqiptarët mbetën pa zë, se nuk po e kuptonin ku ishte “madhështorja”! Po ja, i “sqaroi” konsulli i habitur: Kjo kodra këtu. Që është pika më e lartë e Danimarkës! A e kuptoni apo jo?! 200 metra mbi nivelin e detit! Të rinjtë shqiptarë atëhere nuk e përmbajtën dot më gazin. Danezët mburreshin se kishin një kodër të lartë 200 metra dhe ua paraqisnin vizitorëve të huaj si atraksion turistik!

         Ndërsa Shqipëria ka aq shumë për të treguar dhe thënë. Nga malet e thepisur te luginat e thella. Nga lumenjtë e rrëmbyer te kanionet e rrezikshëm. Nga liqenet te bregdeti, të cilit i bëjnë hije vargmalet e lartë. Nga lëndinat me bar te bimët zbukuruese dhe mjekësore. Etj, etj.

     Ndofta me pak punë Shqipëria mund të kthehet vërtet, ashtu siç e ëndërronin dikur rilindasit e lavdishëm, në një Zvicër me det. Por për këtë duhet shumë punë, shumë djersë, shumë ndershmëri dhe atdhedashuri. Dhe mbi të gjitha një shtet me burra shteti të vërtetë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment