Ka tre netë që Franca nuk po gjen qetësi. Djegie makinash dhe autobuzash, sulme me bomba molotov ndaj rajoneve të policisë, gjuajtje me gurë dhe pllaka trotuari ndaj policëve që përpiqen të mbajnë rendin, djegie dhe shkatërrime të qindra dyqaneve dhe supermarketesh. Francezët ndihen sot më të frikësuar dhe të pambrojtur nga shteti si kurrë më parë.
Shkak i kësaj zallamahie të paparë u bë vrasja e një të riu 17 vjeçar nga policia gjatë një kontrolli të rëndomtë. Dy policë në motora ndaluan një veturë luksoze Benz Mercedes që tri të rinj e kishin marrë me qera. 1 000 euro dita ! Policët i bënë thirrje të riut në timon të ndalonte dhe të hapte krahun. Por i riu nuk iu bind dhe vazhdoi rrugën. Policët e ndoqën nga pas dhe e arritën kur veturat ishin vënë në rrjesht para sinjalit të kuq duke pritur të gjelbrin. Policët iu afruan makinës së të rinjve dhe nxorrën armët, duke iu përsëritur të rinjve që të ndalonin. Por sapo sinjali kaloi në të gjelbërt i riu në timon i dha gaz makinës. Polici qëlloi. Plumbi përshkoi trupin e të riut 17 vjeçar nga e majta në të djathtë. I riu vdes disa minuta më pas.
Por ajo që i vuri zjarrin Francës ishte origjina e të riut, Nahel. Me nënë algjeriane dhe me baba të panjohur! Shumëkush e konsideroi veprimin e policit, i gatshëm për të tërhequr këmbëzën, si racist. « Në rast se në timon do të gjendej një « i bardhë” polici nuk do kishte qëlluar », – vinin në dukje shumë të rinj, edhe ata me origjinë të huaj. Janë këta të fundit, që vijnë nga periferitë qyteteve që i kanë vënë zjarrin Parisit dhe qyteteve të tjera gjatë këtyre 2 – 3 netëve të fundit.
Qeveria franceze, mediat si dhe presidenti Macron po bëjnë çmos për të qetësuar gjendjen. Polici përgjegjës për vrasjen e të riut është vënë në pranga. Por kaq nuk ka mjaftuar për të qetësuar turmat, sidomos të rinjtë me origjinë të huaj, që po përleshen me policinë gjatë gjithë natës.
Sociologë dhe analistë të shumtë po pyesin tani veten sesi është e mundur që situata të arrijë deri në këtë pikë. Disa bëjnë fajtor policinë, në gjirin e së cilës gjallojnë shumë elementë racistë, që nuk i duan francezët me prejardhje arabe, myslimane dhe afrikane. Të tjerë pohojnë se ngjarjet e fundit kanë shërbyer thjesht si një eshkë për të ndezur një zjarr që gjallonte poshtë hirit.
Në fakt nuk është hera e parë që ngjarjet të tilla trondisin Francën. Por deri më tani asnjëherë në këto përmasa. Shoqëria franceze duket se është shumë e polarizuar. Elektorati atje është i ndarë pothuajse në tre pjesë të barabarta. Në qendër gjendet partia e Macronit, as e majtë dhe as e djathtë, që luan rolin e ekuilibristit dhe stabilizatorit të vendit.
Në të majtë gjenden partia socialiste, ajo ekologjiste, komunistët dhe sidomos « Të papërkulurit » e LFI-së të udhëhequr nga Zhan Luk Melenshon. E majta mbështet një Francë të përzier etnikisht, e ashtuquajtur kreole. Ajo është po ashtu përkrahëse e emigrantëve dhe e shtresave në nevojë. Kjo aleancë është vënë në mbështetje të demonstratave dhe manifestimeve dhe akuzon policinë franceze për tejkalim të kompetencave dhe racizëm.
Spektri i djathtë politik përbëhet nga republikanët e ish presidentit Sarkozi, nga partia e ekstremit të djathtë « Bashkimi kombëtar » e udhëhequr nga Marinë Lë Pen dhe më larg akoma gjendet lëvizja « Ringadhnjimi » e udhëhequr nga çifuto – francezi Erik Zemur. Të gjithë këta janë në mbështetje të policisë, për rend dhe rregull dhe kundër emigracionit, nga frika e humbjes së identitetit francez.
Por përveç këtyre ndarjeve politike shoqëria franceze duket po ashtu e ndarë në kampe të ndryshme etnike apo fetare. Nga njëra anë gjenden francezët « puro » autoktonus, por edhe ata me origjinë europiane ; nga ana tjetër e barrikadës gjenden francezët me origjinë të huaj, sidomos algjerianët dhe arabët në përgjithësi, së bashku me ata me origjinë nga Afrika. Të dyja palët e shohin me dyshim njëra tjetrën. Sidomos pas sulmeve terroriste të islamistëve në Bataclan, gjatë të cilave u vranë rreth 200 francezë !
Por jo të gjithë të huajt janë apo konsiderohen si armiq të Francës, apo që i duan të keqen asaj. Por ka një pjesë të huajsh, sidomos ata të radikalizuar nga feja islamike, që e shohin Francën si vend armik që duhet pushtuar apo shndërruar etnikisht. Njëkohësisht edhe te ekstremi i djathtë francez gjallon fuqishëm ndjenja e urrejtjes ndaj të huajve, sidomos të atyre me fe myslimane.
Çështjet e emigracionit apo të dasive fetare po kthehen sot në kryetema gjatë fushatave zgjedhore, por edhe në debatet televizive apo deri edhe në bisedat në restorant. Ekstremi i djathtë dhe islamistët janë dy ekstremet e shoqërisë franceze që mezi presin të rrokin shpatat kundër njëri – tjetrit.
Konflikti sot ka dalë sheshit. Qeveria përpiqet ta zbusë gjendjen, të shmangë përplasjet, por duket se nuk po ka shumë sukses. Rrënjët e këtij dyluftimi, sipas disave, janë të thella. Janë dy kultura të ndryshme, që dallohen, përplasen dhe ndahen qoftë në fillozofinë e tyre të jetës, në zakonet e tyre, në veshjet, në ushqim, por po ashtu edhe në besimin në Zot etj etj. Një shkëndijë e vogël mjafton gjithmonë të ndezë një zjarr të madh.
Ndonjëherë edhe përtej kufijve. Kështu psh disa dhjetra të rinj në Bruksel të Belgjikës si dhe në Lozanë të Zvicrës po ndjekin shembullin e sivëllezërve të tyre në Paris. Duke djegur, shkatërruar dhe grabitur vetura, shitore dhe institucione shtetërore.
Është shumë domethënëse në këtë drejtim deklarata e fundit e kryeministrit polak Mateus Moraviecki. I pyetur menjëherë pas përfundimit të samitit të fundit të Bashkimit Europian në Bruksel, se përse Polonia refuzon me ngulm të pranojë pjesën e saj të emigrantëve nga vendet arabo myslimane?! – ai u përgjigj me qetësi: “Sepse ne nuk duam që qytetet tona ta pësojnë si ato të Francës”!
Sipas shumë analistëve dhe sociologëve Franca gjendet sot përpara një lloj lufte qytetërimesh, siç e ka parashikuar në librin e tij, botuar më 1996, edhe Samuel Huntington. Janë etni, fe, kultura, qytetërime që nuk puqen askund me njëra – tjetrën. E ardhmja duket e zymtë dhe e paqartë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment