Është më se e vërtetë se marrëdhëniet politike dhe shtetërore ndërmjet dy trevave të kombit shqiptar nuk kanë qënë kurrë idilike. Të dy palët duket se e shikojnë gjithmonë njëri – tjetrin me një farë dyshimi. Por këto mosmarrëveshje deri diku të fshehura nën hi, dolën sheshit sidomos pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri.
Fatkeqësisht, menjëherë pas ndryshimit të sistemit, në Shqipëri u dukën kosovarët e parë që erdhën nga Perëndimi ! Mbahen mend ende « bëmat » e një farë biznesmeni nga Zvicra, i quajtur Hajdin Sejdia, që u paraqit në Tiranë si një biznesmen i paparë që do bënte mrekullira në Shqipëri. Në fund fare ai la veçse një gropë të madhe pas Pallatit të Kulturës dhe u kthye në Zvicër pasi u grabiti shumë shqiptarëve edhe paratë që ata i kishin besuar symbyllazi biznesmenit të « suksesshëm » kosovar !
Njëkohësisht po në atë kohë dhe nën lejen dhe frymëzimin e presidentit Sali Berisha shumë kosovarë u instaluan në Shqipëri duke hapur biznese të ndryshme, duke filluar nga shitja e aranxhatave ! Por shpejt ata ranë në sy për keq me sjelljen e tyre të ulët ndaj vajzave shqiptare të padala dhe naive, që ranë shumë kollaj pre e batakçinjve sa nga Kosova, por po aq edhe të atyre nga vetë Shqipëria.
Në atë kohë Shqipëria udhëhiqej nga Sali Berisha, ndërsa Kosova, megjithëse lëngonte nën çizmen serbe, mbahej se kishte qeveri në egzil dhe president të ligjshëm në Kosovë ! Ibrahim Rugova, megjithëse lëvizte në ato kohë me pasosh jugosllav, i dukej vetja si president i vërtetë, i barabartë me presidentin e shtetit 100 vjeçar shqiptar ! Synimi i tij kryesor ishte, siç është shprehur vetë disa herë, ruajtja e statukuosë !
Deri në atë kohë shqiptarët e Kosovës kishin një përshtypje tejet të favorshme për shtetin « amë ». Në kohën kur ish – Jugosllavia drejtohej ende nga Tito, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë u rritën si kurrë më parë me shkëmbime delegacionesh në të gjitha fushat e artit, kulturës, historisë etj etj. Shqipëria filloi të dëshmojë një interes të paparë deri atëhere për pjesën e kombit shqiptar mbetur jashtë kufijve të saj.
Kanë qënë fundvitet 1970 kur në stadiumin e Prishtinës, tifozët e skuadrës së Fadil Vokrrit e mbështetnin skuadrën e tyre të zemrës me thirrjet E O, E O ! Kupto Enver Hoxha, Enver Hoxha. Aq sa regjimi i Beogradit bëri gjithçka për ta zbritur skuadrën e Prishtinës në kategorinë e dytë.
Por me rrëzimin e komunizmit udhëheqësit e rinj që e morën pushtetin pas vitit 1990, filluan të akuzojnë shtetin shqiptar dhe sidomos Enver Hoxhën se ai ia kishte « shitur » Kosovën Serbisë. Propagandë kjo që ngjiti edhe te një pjesë e popullsisë shqiptare sa në Kosovë aq edhe në Shqipëri. E vërteta është se menjëherë pas luftës, diktatori shqiptar ia hapi kanatat kat më kat Jugosllavisë së Titos. Zgjidhja e çështjes së Kosovës u la për më vonë.
Në atë kohë shteti shqiptar kërcënohej në jugun e tij nga forcat nacionaliste greke që, duke akuzuar Shqipërinë si vend i mundur (!) kërkonin të realizonin ëndrrën e tyre të vjetër : – pushtimin e Vorio Epirit.
Duhet pranuar se Shqipëria në atë kohë nuk kishte këllqe ta marrte Kosovën me forcë. Ushtria jugosllave, e përbërë nga ish- partizanët e saj që në atë kohë kapnin shifrën e 1 million vetave, nuk e kishte problem Shqipërinë. Madje Josip Broz Tito mendonte tia bashkëngjiste Jugosllavisë si republikë e shtatë e saj, edhe republikën e Shqipërisë. Njëkohësisht Fuqitë e Mëdha, Amerika, Anglia, Franca dhe Bashkimi Sovjetik, fituese të Luftës së Dytë Botërore, kishin vendosur me kohë që nuk do të pranonin asnjë ndryshim kufijsh të vendosur gjatë Luftës.
Ishte pikërisht gjatë kësaj lufte që Gjermania naziste « bashkoi » Shqipërinë me Kosovën, ëndërr e vjetër kjo e gjithë nacionalistave dhe intelektualëve shqiptarë. Dhe pjesërisht edhe për shkak të Kosovës, Balli Kombëtar iu bashkua pushtuesit nazi – fashist. Por pas 5 vjetësh « bashkim – vëllazërimi » Shqipëria u shkëput nga Jugosllavia për tu lidhur me Bashkimin Sovjetik të Stalinit.
Deri rreth viteve 1975 Kosova nuk bënte pjesë në prioritetet e qeverisë komuniste të Tiranës. Gjërat, siç thamë, filluan të ndryshojnë pas kësaj kohe, sidomos gjatë vitit 1981 kur kosovarët shpërthyen në demonstrata të fuqishme me parullën « Kosova republikë ». Demonstrata që u mbytën në gjak nga forcat serbe.
U desh që të vinte viti zulmëmadh 1999 që Kosova, falë mbështetjes së Perëndimit, të çlirohej nga Serbia. Që nga ajo kohë dhe deri më sot marrëdhënie midis shtetit « amë » dhe Kosovës kanë njohur ngritje dhe zbritje. Ishte Rugova së pari që ndoqi politikën e Prishtinës së barazlarguar nga Beogradi dhe Tirana! Por ishin edhe ambiciet personale të Berishës, Thaçit, Mustafës dhe kompani që penguan një afrim të mëtejshëm ndërmjet dy shteteve shqiptare. Ndërkohë edhe bashkësia ndërkombëtare ishte kundër afrimit apo bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Udhëheqësit dhe partitë shqiptare në të dyja anët e Drinit, në shenjë mirënjohjeje por edhe nënshtrimi, iu përmbajtën 100 përqind këtij udhëzimi.
Pikërisht në këtë kohë doli në skenën politike kosovare lëvizja « Vetvendosje » e krijuar dhe drejtuar nga Albin Kurti. E cila rreth 2 vjet më parë fitoi shumicën e vendeve në parlamentin e Kosovës. Partitë tradicionale, sidomos LDK-ja e të ndjerit Ibrahim Rugova, por edhe PDK-ja e Hashim Thaçit, e dalë nga gjiri i UÇK-së së lavdishme, e kishin bjerrur dukshëm reputacionin e tyre. Vetvendosja shihej si shpresë për ndryshim. Ndjenjë e mbështetur te udhëheqësi i saj « jakobin » Albin Kurti.
Shqipëria, gjatë kësaj kohe udhëhiqet nga Edi Rama. Gjasat ishin që Kurti dhe Rama si udhëheqës partish të majta të merreshin vesh më së miri midis vedi. Por nuk ngjau kështu.
Shkak për ftohjen e marrëdhënieve ndërmjet kryeministrave të dy shteteve shqiptare u bë së pari projekti i « Ballkanit të hapur ». Që do të thotë krijimi i një hapësire ku mallrat dhe njerëzit të qarkullojnë pa pengesa. Por Kosova u shpreh kundër një projekti të tillë, të cilin ajo e pa si krijimin e një Jugosllavie të re nën hyqmin e Serbisë. Aq më shumë që pavarësisht të gjithave, Serbia as që ka ndërmend ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe ta konsiderojë atë si shtet me të drejta të barabarta. Edi Ramës iu prish tepër qefi nga ky refuzim i Prishtinës. Për më shumë që ai i kishte “trashur” marrëdhëniet personale me kryeministrin serb Vuçiç, ish ministër i propagandës dhe informacionit në qeverinë e Sllobodan Millosheviçit!
“Çarja” e dytë e madhe erdhi kur Kurti nuk pranojë të vëjë në jetë marrëveshjen rreth asosacionit të komunave serbe në Kosovë, me arsyetimin se ajo krijon një republikë të dytë serbska dhe minon unitetin e shtetit të brishtë kosovar. Perëndimi që nuk dëshiron që Serbia të përfundojë tërësisht në prehrin e Moskës kërcënoi Prishtinën me sanksione nëse ajo nuk pranon autonominë për serbët që jetojnë atje. Shtetet perëndimore rrudhën po ashtu buzët kur Kurti kërkoi që serbët e Kosovës t’i ndërronin targat e Serbisë në automjetet e tyre me ato të Kosovës.
Kaq mjaftonte që Rama mos t’i fliste më Kurtit me gojë. Për më shumë të gjithë mediat e kontrolluara prej tij kanë filluar një fushatë të dirigjuar kundër Albin Kurtit. E keqja është se konflikti ndërmjet dy kryeministrave shqiptarë po përfshin edhe intelektualët më të njohur në të dy anët e kufirit, partitë politike si dhe po shtrihet edhe në masën e popullsisë. Si një eshkë e ndezur po shtohen edhe sharjet dhe shpifjet ndërmjet dy anëve të Drinit midis mbështetësve të Albin Kurtit me ata të Edi Ramës.
Një nga figurat më të njohura të Kosovës të këtyre 30 vjetëve të fundit, Veton Surroi, arriti deri atje sa të këshillojë Ramën të qetësohet dhe të dëgjojë dhe mbrojë më shumë interesin e Kosovës sesa atë të ndërkombëtarëve.
Ndërsa editorialisti po aq i njohur në Shqipëri, botuesi i gazetës “Tema », Mero Baze, mbështetës pa kushte i Edi Ramës, e sulmon Kurtin 5 herë në ditë në gazetën e tij me akuzën se ai po prish marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin !
Kaq e ndezur dhe kundërshtuese është bërë situata saqë edhe një mbledhje e programuar e të dy qeverive për tu mbajtuar para pak kohësh në Gjakovë u anullua në mënyrë të papritur nga kryeministri shqiptar.
Po ngjan pikërisht si me shqiponjën me dy koka në flamurin shqiptar… që vështrojnë në drejtime të ndryshme. Aq keq kanë vajtur punët saqë duket se sot marrëdhëniet shqiptaro-kosovare kanë takuar fundin e tyre. Ndofta edhe më keq se ato në vitin 1945. Dhe do të duhet shumë kohë dhe mund që ato të mund të normalizohen edhe një herë tjetër.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment